Kur Pasolini “zbarkoi” në Tiranë

elvinNga Elvin Nuri 

 

40 vite më parë, poeti, shkrimtari, kineasti, Pier Paolo Pasolini u gjend i masakruar në një nga plazhet periferike të Ostias, në një plazh apokaliptik që dukej sikur kishte dalë nga vetë filmat e tij. Por këtë herë në “mise en scene” nuk ishte më këndvështrimi i intelektualit por ai i një shoqërie që kishte reshtur së pësuari skandalin, duke iu shfaqur botës me një vepër  të menduar si të fundit: Vrajsa e poetit.

Trupi i intelektualit më original të shekullit të XX u gjend në një stad përçundimi që dukej sikur ishte lënë aty me shpresën se nuk do ta njihnim, do ta refuzonim, do ta nënvlerësonim. Qëllimisht edhe alibia e vrasësit (sipas versionit zyrtar) ishte masakrim, me sfond seksual, më kotë, duke pohuar se ishte i vetëm, duke krijuar natyrshëm mister dhe pse forma ishte dashur të ishte banale. Por 40 vite më vonë, dihet tashmë nga të gjithë, se duart që mbanin Pasolinin të palëvizsshëm dhe e godisnin në fytyrë me dërrasa të shkëputura nga barrakat aty pranë, ishin më shumë se 2, 6…ndoshta 8. Të njëjtët duar ishin mbi timon kur rrotat e mjetit të tij, rrotat e makinës personale, i kaluan mbi trup, disa herë. Ndoshta me bindjen se ne, të së ardhmes, do të kishim frikë të kuptonim diferencën mes Pasolinit mish dhe Pasolinit trashgimi, të bindur (disa here mendoj me të drejtë) se njeriu postmodern nuk do të dinte ende të eksploronte hapësirat gri mes “Us and Them”, “Me hir ose me pahir”, “Zot, atdhe, gjak dhe shumë, shumë, shumë kompromis”.

40 vite mister, 40 vite zi dhe 40 vite celebrimi për një nga intelektualët e vetëm të sinqertë që Europa e tensionit së perdes së hekurt, Europa e konsumit, Europa e bashkimit, Europa e bombës, Europa e misterit, na la “trashgimi”. 40 vite më vonë Pier Paolo Pasolini zbarkoi në Tiranë, si pjesë e Tirana International Film Festival (TIFF), në kuadër të asaj që organizatorët e festivalit e cilësuan si “Homage”, “Pasolini day”. Më 2 nëntor, Tirana do të përballej me veprën kinematografike të një autori “kult”.

“Pasolini Day”nisi me “La Rabbia” (1963) dhe në ekranin e madh kryeqytetas, në orën 10:00 në letër dhe në orën 11:00 në bezë, kur  poezia e intelektualit po ngjizej me imazhet e kronikave të kohës, ndodhi ngërçi i parë. Dokumentari po shfaqej në një nga klasat e Universitetit të Tiranës duke injoruar se kishte hyrë me modesti në “gojën e ujkut”, në intenerarit e një artsti kontemporan, postmodern, në axhendën e Kryeministrit Rama. Ndaj pelikula u la përgjysmë, pasi artisti i Shqipërisë së rilindur dy/a tri herë kishte impenjime politike në ambjentet e Universitetit, në gjirizin e cinikëve që prodhohen në masë nga dispensat e fotokjopativëve 3-5 lek faqja dhe nga reformat me drejtim “nga lart”. Ashtu siç parashikohej, edhe njëherë, pak më vonë, ndërkohë që 5 veta nuk mundën të celebronin deri në fund Pasolinin, 5 veta hodhën vezë mbi integritetin e kreut të vendit, duke mbyllur dhe një herë ciklin e vemendjes të një kombi dhe duke e plasur dhe një herë tek xhaketa e Kryeministrit. Në aktualitet. Në dhunë, me krahë oficerësh që godisnin qindra kile fuqi mbi trupat e studentëve.  Qindra kile dhunë “falas” nga ata që Pasolini i konsideronte si “fëmijët e të varfërve” por në rastin konkret të emancipuar, kokërruar, me xhaketa dhe autoritet. “Dhunë falas” për “arsim falas” dhe si në një nga makthet e vetë Pasolinit, qytetarët asistuan në këtë narracion modern përmes televizorit, rubrika: Aktualitet. Mes habisë dhe “shockut televiziv”, dukej se një nga profecitë apokaliptike dhe antisistemike të vetë autorit, që e pritëm në kinema si hasëm, u realizua në rrugë, në Universitet. Ju kishte paralajmëruar, i kishte paralajmëruar të gjithë të rinjtë e së majtës, këtu e gjysmë shekulli më parë, baballarët tuaj ju kanë tradhëtuar, në praktikë.

Ndërkohë që “aktualiteti” kishte marrë dhenë dhe ish bërë “kryesore”, Tirana, qyteti që nuk fle kurrë (por kur fle, fle me muaj) njërin sy e mbante të fiksuar tek veprat e “panjohura” të Pasolinit që po shfaqeshin në kinemat e komerçiales, me syrin tjetër priste që studentët e zënë rob nga burokracia e pushtetit së dhunës kushtetuese, të dilnin.

Në fund, trama me dy autorë, pati zgjidhjen përfundimtare, të gjitha shfaqjet u depozituan me sukses në të kaluarën: Publiku i pakët doli nga kinematë i buzëqeshur dhe në televizor pamë lirimin e studentëve. Më pas rrugët u ndanë. Studentët iu falën asaj që sërish Pasolini kishte paralajmëruar: Masivizimin dhe industrializimin e përpjekjeve emancipuese me mjetin e pushtetit të katërt. Nga ana tjetër dita Pasoliniane u mbyll me shqipërimin e përpjekjeve poetike të autorit. Ku? Në një lokal. Ku?! Në një lokal. Në një lokal, në kulmin e shkëlqimit të periferisë së Tiranës, tek Komuna e Parisit. Si të zhytur në një skenar apo vegim të vetë autorit, i gjithë organizimi duket se la një shije të hidhur. Të njëjtët njerëz që kishin marrë kurajonn e madhe ta shqipëronin, dhe ne të tjerëve, borgjezët e parafrabikatëve na dukej sikur vetë Pasolini po na linte në baltë. Po na tallte egër për mikrofonin, për tavolinën nga ku po e lexonin, për ato fjalë “prekëse” nga publiku, për ato gotat e alkolit 400 lekë copa, për atë kapelen e republikës, për atë këmishën e blerë tek Zara, për ato falenderimet e e gjëra dhe të gjata për njerëzit dhe institucionet që kishin dhënë reputacionin dhe lekët. Ata, që e bënë të mundur.

Befasi, në fund të eventit, duke hedhur sytë përreth, dukej sikur të gjithë pyesnin njëri-tjetrin në heshtje: Ku janë ata që e minimizojnë personin, thjesht si pederast? Ku janë kritikët e kinemasë që e kritikojnë në formë pse nuk dinë të jenë veçse ca skematik të pandreqshëm? Si u bëmë kaq anti-borgjezë duke rrufitur “estetikisht” verë, konjak dhe raki rrushi? Pse të njëjtat institucione që e shitën sa ishte gjallë si anti-vlerë, pornograf, imoral, anti-atdhe, pederast komunist, tani na e subvencionojnë si pjesë ekzotike dhe nostalgjike të një Italie “të vdekur”?

40 vite më parë Europa humbi një intelektual të cilin “buonizmi” e konsideron si të çiltër, duke e akuzuar si “infantil”, fëminor, si inskenues i skandalit, sa herë thyente tabutë, dogmat, skemat, ortodoksitë.  Aq herë sa dhunohej nga metodat fashiste në rrugë, në polici, nga anlistët “gjithbërës” në studiot televizive dhe nga intelektualët me një kollonë përkatës në gazetat prestigjioze të kohës, së kaluar. 40 vite më pas, Pier Paolo Pasolini, zbarkon në Tiranë dhe e gjeti qytetin siç e la, me studentë që s’kanë zgjidhje tjetër veçse radikales, me periferi ku pasi u zbua abuzivizmi në ndërtim, pllakosi izolimi ekonomiko-social dhe me një klasë politike që s’merr dot frymë pa monizëm në ndërgjegjie…Një qytet që shkatërron peisazhin për të krijuar identitet dhe dhunon më të dobëtit për të krijuar legjitimitet. Një qytet me skelet fashist dhe me fytyrën më ëngjëllore të kapitalizmit primitiv. Tirana e marketingut politik dhe e homazheve “më mirë se asgjë”.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...