Pacienti i ngujuar: një histori e tmerrshme për gjakmarrjen, murtajën kanunore që vret shqiptarë pa pushim

foto iluestruese

Në dy tre herët që dilte në ballkonin e një prej pavioneve të spitalit ushtarak të Tiranës për të tymosur, shikonte rreth e rrotull, ulej diku në qoshe dhe thithte cigaren me shpejtësi.

Hynte brenda dhe nuk kalonte shumë e dilte prapë.

Bënte të njëjtën gjë. Sikur të ishte oficer vëzhgimi.

Në një moment përballjeje në ballkonin e vogël të ndërtesës së sëmundjeve të brendshme, i ofroj një cigare.

Më shikon nga koka deri tek këmbët, e merr cigaren dhe në të njëqindin e sekondit nxjerr çakmakun për të ma ndezur.

Kërkon menjëherë gjeneralitetet por me edukatë.

Pas prezantimit, ulet në qoshe, vështron para, mbrapa dhe në të majtë (pasi të djathtën e kontrollonte) fillon e flet. Natyrisht pasi shfryhet gjatë.

“Nuk jam psikopat or jo. Kam problem me mëlçinë dhe jo me trurin”, thotë Naimi, një mesoburrë që nga dialekti duket nga zona e Shkodrës.

Ka 6 muaj që ka ardhur nga Gjermania, ku shkoi me lukuninë e refugjatëve që kërkonin azil, por “lapsi” i rreptë gjerman e kapi dhe e ktheu sërish në atdhe.

“Jetë ferri”. thotë dhe shton se çdo ditë i duket se do të mbyllet me tmerrin e tij dhe familjarëve.

Naim Skacaj është vetëm njëri nga “armata” e pamatë e njerëzve të ngujuar prej mortajës së postkomunizmit, që si kanceri po merr jetë çdo ditë e askush nuk kujtohet ta presë “nyjen gordiane” të gjakmarrjes, epidemisë që shkaktohet vetëm dhe mënyrë ekskluzive nga mendja dhe shpirti i braktisur i qënies njerëzore.

Madje as në “programin futurist” të Rilindjes nuk figuronte një projekt i tillë human e kombëtar njëherësh për t’i vënë kapak kësaj gjëme.

“Prej 6 vitesh jetoj në paranojë që prej 5 dhjetorit 2010, kur vëllai im, Ferat Skacaj qëlloi për vdekje Murat Matajn dhe plagosi kunëririn e tij  Petrit Matajn”, thotë Naimi mendueshëm duke rrëfyer odisenë e një kalvari që i shtohet morisë së rrëfimeve që prej vitit 1991 e që nuk ndalin e nuk ndalin.

“Që prej asaj dite kemi marrë sytë këmbët. Erdhën gjaksit në shtëpinë ku jetonim me vëllezërit dhe e kishim dhënë me qera. Larguan me armë qiraxhinjtë dhe më pas shtëpia u dogj e tëra. Shkuam në Gjermani me fëmijë por na kthyen. Kemi tentuar të pajtohemi ta mbyllim këtë kalvar gjaku, por asgjë nuk është bërë.

Para ca kohësh vranë kushëririn tonë, Qerim Skacaj.  Thanë u vra për gjakmarrje nga njerëz me pagesë. Por ai s’ia kishte askujt personalisht gjakun borxh. Askush nuk u arrestua për këtë vrasje, ndërsa ne jemi në frikë, të tmerruar, jo për jetët tona por më shumë për zinxhirin e vrasjeve që nuk dihet se kur do të mbarojë”, thotë Naimi dhe në moment ia brof në këmbë.

Kishte disa minuta që nuk pa as majtas, as djathtas, as anash dhe as para, madje harroi dhe të pijë cigare, që i ndez pa pushim.

Iu kthye menjëherë zakonit, zbriti poshtë shkallët dhe u ngjit sërish lart. Dikë telefonoi, përshëndeti dhe u fut në dhomë.

Infermierja shkoi më pas t’i bënte serumin e mbushur plot e përplot me antibiotikë dhe shpërlarës.

Mbylli derën me çelës dhe kur doli dera u mbyll sërish.

“E ka kërkesë të vazhdueshme, jeton me ankth, si mund të shërohet robi kshu…Stresi e ka shterruar”, thotë infermierja e re, që duket ndjen dhimbje për pacientin e çuditshëm.

Në fakt të çuditshëm jemi ne të tjerët, pasi Naimi është thjesht i kujdesshëm, për të parë çdo sekondë nga i vjen plumbi…/ Ilirjan Pali–/tesheshi.com/

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Pacienti i ngujuar: një histori e tmerrshme për gjakmarrjen, murtajën kanunore që vret shqiptarë pa pushim”

  1. Merohuana says:

    Kush pacient ishte ngujuar se nuk e kuptova?
    Pacienti i ngujuar. Asgje skuptova.

  2. Maloket dhe gjakmarrja do jen gjithmon problem duhet nje ligj special ti ndaloj perfundimisht nuk shkoet ne europ me 3breza ne gjak eshte e pakonceptueshme

  3. xxx says:

    Zt Naimi po me vjen keq per ndodhit,po mos harro qe ne shqipri jan 10.000 femij te ngujuar qe nuk shofin rrezet e diellit,as sdin shkrim as lexim,me se miri do ishte qe ta ktheni ligjin e Enverit,se per ligje liberale nuk jeni or zt,se ende jetoni ne shek X.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *