Dy retorika (Edi Rama pa kundërshtar)                                                                                                                                            

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

met dervishiNga Met Dervishi

Rama dhe Basha patën një dialog në distancë për ligjin e mbetjeve/ plehrave, i pari në një takim të Asamblesë socialiste, i dyti në një takim me demokratët e Lezhës. Në aspektin retorik këtu do të kufizohemi te karakterizimi i kundërshtarit. Në fjalën e z. Rama ka një risi që përputhet me kontekstin e debatit. Megjithëse kishim një fjalim të gjatë me një listim të plotë të reformave të qeverisë, kundërshtari karakterizohet në gjithë gjithë katër sintagma, në qendër të të cilave është metafora e “kazanit”. Këto janë: “përtej zhurmës së kazanit”, “kazani i politikës dhe mediave”, “politika dhe mediat e kazanit”, dhe “mediat e kazanit në Shqipëri”.

Siç shihet, në të gjitha rastet kemi vetëm kazan si qendër semantike. Që metafora sugjeron kazanin e plehrave del po në tekst, kur flitet për riciklimn: “ do t’i ndajmë tek kazani, pastaj do t’i mbledhim “ etj., po dhe në këtë rast nuk kemi “plehrave”. Po të kemi parasysh blloqet semantike për kundërshtarin në retorikën tonë politike te z. Nano apo te z. Berisha, shihet qartë që kemi të bëjmë me një minimum stilemash me një qendër metaforike që synojnë, dhe në fakt kanë prodhuar një efekt maksimal.

Së pari, se kësisoj fokusohet maksimalisht audienca te një metaforë ( Shpërndarja do të krijonte çfokusim emocional të saj) dhe së dyti, se në tekst mungon referimi te plehrat çka nxit nevojën për interpretim të pavetëdijshëm dhe sugjeron, të paktën në kulturën shqiptare, imazhet e kazanit të plehrave, kazanit/kazanëve të guzhinave, kazanët e ushtrive në luftë, kazanin e shtrigave me ritual magjike, kazanin si instrument zhurme, etj.

Kësisoj, pa u thënë drejtpërdrejtë, kundërshtari ( “ata”) identifikohet njëkohësisht me një shumësi imazhesh dhe jo vetëm me plehrat, kurse, vetja, (“ne”) identifikohet me riciklimin. Në fushatën e kaluar z.Rama kishte prodhuar kundërvënien “rilindje” (“ne”) dhe “mesjetë” ( “ata”; Shih : “Përbindëshat e retorikës”, Tiranë 2016).

Është e qartë që jemi te e njëjta kundërvënie: “ ne” : “riciklim”, modernitet etj, “ata” : “kazan”, plehra, mesjetë, etj. Karakteristik për z. Rama është referimi te kundërshtari in absentia.   In praesentia kundërshtari del te fjala para asamblesë vetëm një herë, pra drejtpërdrejtë: “fryma antishtet mishërohet te pd-ja, por jo vetëm”. Siç shihet jemi te identifikimi i kundërshtarit me Mesjetën, por në kontekstin e debatit për riciklimin. Tani të kalojmë te fabrika e metaforave të z. Basha. Në Lezhë kishim: “qeverisje e korruptuar e zhytur në krim”, ( shenjat ) e një fundi të turpshëm”, ( e kësaj) oligarkie plehrash”. Përkundrejt retorikës së z. Rama kemi, së pari, çfokusim dhe së dyti, karakterizim të drejtpërdrejtë që e zbeh emocionalitetin, sa ç’kemi njëkohësisht dhe një riciklim të stilemave të z. Berisha, sa herë që ka qenë në opozitë.

Është e tepërt të themi që një rikthim te këto stilema krijon alergji kolektive. Hë për hë mund të duket si i tepruar përfundimi i se z. Basha riciklon metaforat e z. Berisha. Po të vijojmë. Në tekstin e tij z. Basha prodhon kontrastin “revoltë qytetare” ( shoqëria civile në shesh) dhe “oligarkë”. Edhe ky kontrast të rikthen te kontrastet që prodhonte z. Berisha për z. Nano sa herë kishte protesta, kur ky ia mbathte etj., në një kohë kur z. Berisha ( Dhe kjo ka të bëjë me kullën), qëndronte në kryeministri, kur kishte protesta kundër tij. Ja si del ky skenar te z. Basha, po tashmë për z. Rama: “ sa herë që ka revolta qytetare Edi Rama ia mbath si frikacak”, ku duket qartë që në betejën retorike me z. Rama, mbivendoset z. Nano ( frikacaku) përballë kreshnikut ( z. Berisha). Dhe po në këtë linjë, më tej kemi: “ ( z. Rama) është ngujuar me njerëzit e tij që i ka përdorur për të lidhur paktin me mafien”, etj. Te kjo metaforë (ngujimi/kulla) del qartë që retorika e z. Berisha del nga goja e z. Basha, siç del e qartë kësisoj që z. Berisha është i fiksuar në skemat e tij të betejave retorike me z. Nano, megjithëse me një tjetër kundërshtar. Të kalojmë tani te aspekti ideologjik, vetëidentifikimi, ku duket qartë që PD është në një krizë të thellë jo vetëm retorike. Ja si del kjo në Lezhë, ku z. Basha tenton të riformulojë debatin , por dhe vetveten ( “ne”/ pd) : “nuk ka debat ideologjik, por parimor, do të jemi me qytetarin apo me oligarkinë, do të jemi me shqiptarët apo me mafien ndërkombëtare të plehrave?”.

Siç shihet, “ne” dhe “ata” janë në antagonizëm dhe nuk projektohet një kundërshtar politik, por një armik, mafia ndërkombëtare ( Te z. Rama kishim kundërvënie: ne- Rilindja, moderniteti/ “ata”: Mesjeta, kazanët). Projektimi i këtij antagonizmi me armiq, karakteristik për retorikën e z. Berisha, e çon z. Basha dhe te një riformulim i ri për Pd-në, që e kapërcen spektrin politik. Tani, që nga Lezha, PD nuk është më një parti e qendrës së djathtë, etj, etj, por “fillimi i një modeli të ri politik”, “ndryshe nga çdo parti tjetër, ajo është parti e qytetarit, parti e popullit”. Siç shihet, modeli i ri politik i z. Basha projekton një Shqipëri tjetër me një parti, atë të të gjithë popullit, një model ky siç na e thotë vetë z. Basha përjashton çdo parti tjetër ( diktatura e partisë të të gjithë popullit). Në një situatë tjetër, ky projeksion do të kishte qenë jo vetëm i frikshëm, por katastrofik. Gjithsesi, kjo retorikë e z. Basha zbulon një parti që, pas njëzet e pesë vjetësh, gjendet në një krizë identiteti dhe kërkon të riformulohet, sa ç’zbulon njëkohësisht që z. Rama është i vetëm në lojën politike, pa kundërshtar.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

5 komente në “Dy retorika (Edi Rama pa kundërshtar)                                                                                                                                            ”

  1. Bujku says:

    Sherret, fjalimet a ligjërimet e dy kryetarëve të partive tona më të mëdha e përcjellin mesazhin drejtpërdrejtë dhe nuk kanë aspak nevojë për t’i “karakterizuar” ata nëpërmjet “sintagmave” e “metaforave” të thënieve të tyre. Këto mund të jenë vetëm mjete ndihmëse për më shumë ekspresivitet. Prandaj mendoj se një qind herë më e bukur është poezia jote e botuar në vitin 1984 në revistën “Nëntori” se sa kjo analizë ngatërruese, gjoja akademike! Po e jap tekstin e poezisë tënde e cila ka një gjetje poetike që s’di pse më ka ngelur në kujtesë gjer sot. Asaj, po, që mund t’i analizohen “sintagmat” e “stilemat”:

    “Kur ishte kooperativist ai kthehej nga fushat me shokët,
    Kur e bënë komunist ai kthehej nga fusha ca më vonë se shokët
    E kur e bënë sekretar të organizatës ai do të kthehej nga fushat me yjet…”

    1. popi says:

      Mire ja bere,spiun atehere,spiun edhe sot

  2. lexues says:

    Per mendimin tim ulet shume poshte niveli i analizes per lidere politike, nese ju referohet “metaforave” qe ato perdorin. Mund te jene vertete edhe metaforat e niveleve ordinere e vulgare, si pjese e portretit moral, intelektual e edukates qytetare te nje lideri, por jo te meret si paresi analize. Pak e shume pak bile shoh ne analizat, te behet ballafaqimi i kauzave ideollogjike e politike, apo per portretet e tyre morale e intelektuale.
    Shqiperia doli nga nje sistem diktatoriaal i se majtes ekstreme te modelit stalinist. Nuk shoh te analizohet gjekundi se sa eshte shkeputur e majta aktuale shqiptare, nga modeli i se majtes se kaluar. Disi me e veshtire eshte te besh analizen e se djathtes, pasi ne fund vitet 80-te, diktatura staliniste e kishte zhdukur pothuajse teresisht te djathten e ndryshe edhe nga ish vende te tjera socialiste, ne Shqiperi nuk pati me ndonje disidence te organizuar. Cila eshte kauza ideollogjiko-politike qe mbeshtesin te majtet e te djathtet aktuale ne Shqiperi ? Ky do te duhej te ishte objekt i politologeve qe fatkeqesisht mungojne ne vendin tone e ne vend te kesaj meren me “metaforat”.
    Se dyti, kur flitet per partite politike e per kauzat e tyre, duhet bere edhe ballafaqimi i vlerave individuale te lidereve. Nuk mund te kete sigurisht nje “kandar” perfekt ne matjen e vlerave individuale, por ka disa kritere qe duhet te kihen parasysh. Vec kauzes politike, tek lideri duhet pare edhe formimi i tij qytetar, moral e intelektual. Nje lider mund te jete me i besueshem, nese ai ka mundur te krijoje me pjekuri, bulzen e shoqerise familjen e modelin me te mire te saj. Nje lider duhet te jete shembull per gjithe qytetaret ne menyren e komunikimit te kulturuar e me norma te rrepta te etikes me gjithe shoqerine. Nje tjeter “mates” i vlerave, duke patur parasysh se cfare edukonte shkolla enveriste, eshte edhe diferencimi i intelektualit te arsimuar ne perendim me ate te Shqiperine diktatoriale. Kane kaluar tashme 25 vjet e nuk mund te justifikohemi se ne Shqiperi nuk kemi intelektuale te formuar ne shkollat prestigjioze perendimore.

  3. Petro says:

    Cudi,ky studim i perkryer mos kete asnje koment….S besoj te mungonte ndonje debat serioz.Perse eshte refuzuar?

  4. Ben Dibrani says:

    Nje analize e pangjashme e megjithate qe “ngjit”. Nivel i larte kulturor dhe analitik. Nuk jam specialist por mund te them – Bravo, pa “frike”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *