Klima e ftohtë e biznesit

9 Tetor 2016, 09:35Ekonomia TEMA

Jo çdokush që dëgjon lajme dhe lexon shkrime ekonomike në media mund të kuptojë fjalinë që investitorët e huaj prej 25 vitesh e përsëritin për Shqipërinë: ndërtoni një klimë të mirë biznesi! Ndonjëherë më shumë joshëse për t’u dëgjuar është rritja ekonomike, përmirësimi i mirëqenies sociale, rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në buxhetet familjare. Por të gjithë harrojmë që këta tregues të ekonomikë, për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të saj, përmirësohen nga sipërmarrësit. Janë ata të cilët investojnë, hapin vende të reja pune, mbushin buxhetin me të ardhura duke paguar taksa dhe prodhojnë rritjen ekonomike…

 

“Lufta” e shumë vendeve në botë për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj ka arritur të tregojë se në thelb të të gjithave qëndron besimi se në të ardhmen, investitorët mund të arrijnë të tërheqin fitimin e investimit të tyre. Në vite të ndryshme, raporti i vendeve të cilat kanë tërhequr më shumë kompani nga jashtë është përmbysur dhe kjo jo vetëm në bazë të politikës së taksave, por sigurisë së investimit. Në 2004-n, Republika Çeke dhe Polonia arritën në vendin e 12-të dhe 14-të sa u përket tërheqjes së investitorëve, duke përmbysur “kultin” e Malajzisë, Singaporit dhe Tajvanit për lehtësitë që u ofronin kompanive. Ata kaluan dhe Brazilin, i cili në ato vite ishte motori i zhvillimit ekonomik në shumë vende të botës. Këto janë disa mësime për qeveritë se sa e rëndësishme është klima e të bërit biznesit. Sot në Shqipëri nuk flitet pak për të, por ende nuk dimë të jetë bërë shumë. Në vite, treguesit me performancën më të dobët në Shqipëri nuk kanë ndryshuar, ndërsa sondazhet që vetë bizneset kanë bërë në anëtarësinë e dhomave ku bëjnë pjesë, flasin për përkeqësim. Pyetja që lind është se sa e vështirë është të përmirësosh këta tregues në Shqipëri dhe ku hyn vullneti politik?

Çfarë e tregon një klimë të mirë për biznesin?
Nuk ka një përkufizim të saktë për të përcaktuar klimën e biznesit në një vend. Banka Botërore, në matjen e klimës së biznesit dhe investimeve, përfshin mundësinë dhe incentivat për firmat që të investojnë në mënyrë produktive, të hapin vende pune dhe të zgjerohen. Klima e biznesit shërben në mënyrë të përgjithshme, si një kuadër që u mundëson kompanive të huaja dhe vendase që të bëjnë biznes dhe të kërkojnë fitime në një vend të caktuar.
Janë tre variabla ekonomike mbi të cilat matet klima e investimeve:
-Politikat makroekonomike, duke përfshirë ato fiskale, monetare dhe politikat tregtare
-Qeverisja dhe institucionet
-Infrastruktura
Komponentët e klimës së biznesit nuk janë vetëm taksat, por janë edhe lehtësitë që burojnë nga ligji, që nga mbrojta e investimeve, shteti i së drejtës, zbatueshmëria e kontratave, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, informaliteti i ekonomisë, stabiliteti politik dhe mjedisi rregullator. Matja e treguesve të klimës së biznesit është e vështirë dhe e interpretueshme, ndryshe nga shifrat të cilat tregojnë rritjen ekonomike, Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë dhe ndarjen e të mirave në shoqëri, mjedisi ku veprojnë ndërmarrjet ka disa tregues, të cilët maten me perceptimin dhe pritshmëritë që sipërmarrësit kanë, faktorë që në shumicën e rasteve janë socialë dhe psikologjikë.

“Doing Business Albania”
Fondi Monetar Ndërkombëtar u godit shpesh edhe nga vetë grupet që mbrojnë interesat e sipërmarrësve, si një përfaqësues i cili po ndërhynte në punë e brendshme të Shqipërisë, duke rritur taksat e biznesit dhe duke përkeqësuar ekonominë. Edhe pse niveli i taksave është një indikator i rëndësishëm, FMN më shumë ka këmbëngulur në këto vite në rritjen e dy treguesve të tjerë të ekonomisë: luftën kundër informalitetit dhe uljen e burokracive nga ana e vetë shtetit. FMN, duke parë në tërësi zhvillimin makroekonomik të Shqipërisë dhe mekanizmat e buxhetit, po ashtu ka kërkuar sa më parë edhe zgjidhjen e çështjeve të pronave. Por si është renditur në këto vite Shqipëria në indikatorët e të bërit biznes nga Banka Botërore?
Janë 11 fusha mbi të cilat Banka Botërore bën llogaritjen e indikatorëve që rregullojnë klimën e biznesit në një vend:
-të fillosh një biznes; ky matës llogarit procedurat, kohën, koston dhe pagesat e nisjes së një ndërmarrjeje
-lejet e ndërtimit është pika e dytë që mat kohën për të marrë një leje, kostot dhe cilësinë e kontrollit
-aksesi në energjinë elektrike; koha, kostoja dhe shpejtësia në lidhjen e rrjetit të energjisë, shërbimi dhe çmimi i konsumit të saj
-regjistrimi i pronës; procedurat, koha e transferimit të pronës dhe cilësia e sistemit të administrimit të tokës
-marrja e kredisë; ligjet e kolateralit dhe sistemet e informacionit
-mbrojtja e investitorëve të vegjël; të drejtat e aksionerëve në minorancë, palë të korporatave qeveritare
-pagesa e taksave; pagesat, koha dhe niveli i taksave për një firmë që të përmbushë të gjithë detyrimet tatimore
-tregtia përtej kufijve; koha dhe kostoja për të eksportuar dhe për të importuar një produkt
-zbatimi i kontratave; koha dhe kostoja në zgjidhjen e kontratave dhe cilësia e ligjeve
-falimentimi; koha, kostot dhe mundësitë e rikuperimit të një biznesi
-tregu i punës; fleksibiliteti në punësim dhe rregullat e punës.
Shqipëria u rendit në vendin e 97-të në Raportin Doing Bussines të Bankës Botërore, e cila kishte matur të gjithë komponentët nga korriku i vitit 2014 deri në korrik 2015. Raporti që publikon Banka Botërore shërben si një libër për bizneset, të cilët interesohen të investojnë në vende të ndryshme të botës. Shqipëria humbi mjaft pikë në këtë raport, 35 vende krahasuar me një vit më parë. Vendi ynë u rendit në një listë me Zimbabve, Bregun e Fildishtë dhe vende të tjera të botës së tretë, ndërsa ishte shumë pikë më poshtë shteteve të rajonit. Elementi që e renditi Shqipërinë të fundit në botë, në vendin e 189, ishte marrja e lejeve të ndërtimit.

Flet Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë
Kemi humbur dy investitorë miliarderë me pasaportë amerikane

Këtë vit, Shqipëria pritet të përmirësojë disa vende në raportin e të bërit biznes, duke nisur që nga reformimi i sistemit të dhënies së lejeve të ndërtimit, i cili tashmë është bërë online, në një kohë që edhe Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një sërë lejesh këtë vit. Po ashtu, përgatitja e ligjit të ri të falimentit dhe paketa e re për thjeshtimin e procedurave mund ta çojnë vendin disa shkallë më lart.
Por ajo që nuk mund të matet është se sa biznese të huaja do t’i mungojnë Shqipërisë pas lajmit të rrahjes së biznesmenit Faadi Mitri?
Mark Crawford, kryetar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, thotë se kjo ngjarje do të trembë investitorët dhe dëmi që do t’i shkaktohet ekonomisë shqiptare është më i madh se 450 milionë euro që libanezi me pasaportë amerikane do të investonte në Shqipëri. Crawford thotë se përpara dhjetë muajve ka pasur një largim të një përfaqësuesi të një kompanie, pjesë e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Rastet nuk janë bërë publike, pasi janë nën hetim, dhe fatmirësisht është ndërruar vetëm administratori, shprehet Crawford.

Z. Crawford, si reagon një biznesmen amerikan nëse i ndodh një ngjarje e rëndë si ajo e z. Mitri?
Unë kam qenë këtu në rajonin e Ballkanit për 25 vite, për gjatë gjithë luftës së Kosovës, gjatë problemeve që pati Shqipëria në 1997, kemi pasur probleme si investitorë të huaj edhe me sigurimin, por sigurisht kur ka një ngjarje që ndodh, si kjo e biznesmenit Faadi Mitri, që ka një amerikan të përfshirë, ne si investitorë amerikanë i referohemi direkt ambasadës sonë sepse ata marrin përsipër sigurimin për qytetarët amerikanë. Nëse ka ndonjë tendencë që shqetëson ambasadën, na lajmëron neve si qytetarë dhe biznesmenë privatë. Nëse ka ngjarje që duhet të na shqetësojë ajo na lajmëron dhe deri tani ne nuk kemi marrë ndonjë lajm nga ambasada që është një trend ose ka një tendencë që ne, investitorët, duhet të shqetësohemi.

Mendoni se është një lajm i keq për ekonominë shqiptare dhe klimën e biznesit në përgjithësi, keqtrajtimi dhe largimi i përfaqësuesit të kompanisë OMNIX?
Unë nuk e di se sa miliarderë ka në botë, ne kishim një që ishte këtu. Nuk ka rëndësi nëse ishte libanez, amerikan, ose çfarëdo kombësie, 450 milionë euro janë shumë. Por më shumë se kaq, është se sa ftohje do të ketë në këtë sektor, sa investitorë që mund të vijnë, do të shikojnë lajmin dhe do të thonë më mirë të shkojmë në Mal të Zi apo në Greqi, pra në një vend tjetër, sepse nuk jemi ne të vetmit që kemi bregdet në botë. Unë jam i shqetësuar kur shoh një ngjarje të tillë, që një investitor largohet nga frika, por jam i shqetësuar edhe për efektet që do të ketë në të ardhmen, kur të tjerë të lexojnë për këtë ngjarje. Ne kemi folur më parë për sektorin e energjisë, kur kishim një miliarder që iku për shkak të biznesit, para 10 muajsh. Tani që në një ngjarje tjetër ne kemi humbur dy investitorë miliarderë me pasaportë amerikane, kjo nuk tingëllon mirë dhe është vështirë për ne si Dhomë Amerikane të tërheqim investitorët kur ka ngjarje të tilla.

Sa i pengojnë lehtësitë në bërjen e një biznesi problemet që ka Shqipëria me çështjet e pronësisë?
Kuptohet që Gjiri i Lalëzit për ne që jetojmë këtu ka pasur probleme, ka pasur disa konflikte midis pronarëve dhe ish-pronarëve. Unë kam sugjeruar se një gjë që mund të na ndihmojë ne si investitorë është krijimi i një harte të Shqipërisë, ku qeveria të thotë që këtë copë toke, këto prona, janë të pastra, këto janë të zëna nga pronarë, këto në diskutim, këto në gjykatë. Nuk duhet të vijmë në të huajt dhe të futemi në një konflikt mes pronarësh, sepse nuk na takon neve. Pasuria e patundshme në Shqipëri është problem, por sërish me turizmin dhe disa fusha që kanë potencial që nuk janë zhvilluar ende ngjarje të tilla, largojnë investitorët, jo vetëm amerikanët, por të gjithë. Nëse ata do të shihnin në Google për Shqipërinë dhe në vend të fotove të bukura të saj të shohin ato se si është rrahur një investitor që ne kemi parë këto ditë, kjo nuk është aspak pozitive. Gjithmonë e kam thënë që duhet të mirëmbajmë një herë ata investitorë që janë këtu për të sjellë të tjerët.

Si mirëmbahet një investitor z. Crawford?
Normalisht ne flasim për taksa, nuk flasim për sigurinë, sepse kjo është diçka që nënkuptohet, se nuk do të vijnë të huajt nëse diskutohet siguria. Por për sa kohë ambasada nuk më ka njoftuar për ndonjë shqetësim, do të marr përvojën time që gjithmonë ka qenë pozitive këtu.

Sa i rëndësishëm është reagimi i strukturave të shtetit dhe arrestimi i autorëve?
Nëse ka ndonjë arrestim, do të thuhet që ishte një rast, por ishte i kufizuar. Kjo do të thotë që shteti vepron dhe ishte ngjarje e izoluar, do të shërbente për të qetësuar të gjithë. Ne kemi ngjarje kriminale çdo ditë edhe në Amerikë. Para disa kohësh kishim një bombë në Nju Jork, por e kapën personin që e vuri atë dhe kjo do të thotë se ishte një ngjarje, por ishte specifike, në mënyrë që turistët që shkojnë në Los Anxhelos dhe Nju Jork të kenë qetësi dhe të mendojnë se ky nuk është një trend. E njëjta gjë vlen dhe për Shqipërinë, kur ka probleme, ne si investitorë duhet të kuptojmë nëse është diçka që është specifike apo ka të bëjë me kompaninë, sektorin e ekonomisë etj., nëse është një problem që ndodh gjithmonë, apo është i rëndomtë siç ndodh kudo në botë.

A keni pasur raste të anëtarëve tuaj që janë larguar për shkak të frikës nga grupet kriminale në Shqipëri? Apo dhunim të tyre?
Si kompani nuk janë larguar, ka pasur raste kur disa persona kanë pasur probleme. Disa nga këto çështje ende nuk janë publike dhe janë nën hetim dhe nuk kam të gjitha detajet. Nuk janë gjithmonë amerikanët, sepse ne kemi anëtarë që janë shqiptarë ose me kombësi nga vende europiane. Ne po marrim në shqyrtim këto dy ngjarje që u kanë ndodhur anëtarëve tanë, por si Dhomë ne jemi më shumë për taksat dhe çështjet e biznesit, por na interesojnë edhe ngjarje të tilla, sepse na dëmtojnë biznesin.

————

Flet Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë

Shteti duhet të jetë rregullator
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, ka një tjetër këndvështrim për ngjarjen. Ai e dënon rëndë këtë akt dhe thotë se është një goditje për të gjithë shoqatat dhe agjencitë që punojnë për thithjen e investimeve të huaja në Shqipëri, por, pikësëpari, ai mendon se rregullator duhet të jetë shteti. Ai kërkon që procedurat e dhënies në përdorim të pasurive publike në sektorë strategjikë të jenë transparente dhe të garantohen me para, në mënyrë që vendi ynë të mos ketë humbje.

Z. Buxhuku, si tingëllon për klimën e biznesit ngjarja e fundit e rrahjes së një biznesmeni të huaj dhe largimit të kompanisë së tij?
Shembulli i fundit, me largimin e një investimi të pretenduar të madh nga ana e një investitori strategjik, është negativ për klimën e biznesit në Shqipëri dhe goditje e rëndë për marketingun që ne bëjmë si shtet për tërheqjen e investimeve, nga jashtë–brenda, por edhe të investimeve të vendit. Kjo tregon se kemi probleme me sigurinë. Është një shtysë për qeverinë shqiptare që të marrë masa sa më të shpejta, qoftë për sigurinë fizike nga institucionet shtetërore për biznesin në përgjithësi, qoftë për të vazhduar me shpejtësi edhe reformën në drejtësi, sepse janë të lidhura bashkë. Kjo është njëra anë e problemit. Ana tjetër është se duke nisur nga kjo ngjarje e rëndë, i largimit të një investitori të tillë të rëndësishëm, qeveria shqiptare duhet të rrisë seriozitetin për dhënien në shitje ose në përdorim të burimeve natyrore, dhe sidomos të burimeve natyrore strategjike të këtij vendi për subjektet private. Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që çdo investitor, i cili pretendon të bëjë një investim në vendin tonë, sidomos në sektorë strategjikë, duhet të japë garanci të plota që është në gjendje ta bëjë këtë investim. Kjo do të thotë që një përqindje e caktuar e një investimi të pretenduar e një investitori që dëshiron të marrë dhe të përdorë burimet natyrore të këtij vendi, duhet të jetë e garantuar në para, në cash. Investimi duhet të jetë i garantuar, në mënyrë që vendime të tilla, pavarësisht se në rastin në fjalë investitori mund të kishte plotësisht të drejtë të frikësohej dhe të largohej nga ky vend, në çdo rast tjetër duhet që vendime të tilla të mos merren kaq lehtë. Të jenë të garantuara! Kjo ka të bëjë dhe me transparencën që duhet të ketë dhënia në përdorim e burimeve natyrore të vendit, të jetë transparente për publikun, të dihen kushtet, marrëdhëniet që krijon shteti me sektorin. Sepse çdo marrëveshje që bëhet shpejt, errët, me nxitim, fakt i kryer, të lind e drejta morale që qytetarët e këtij vendi të ngrenë pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si janë dhënë këto leje shfrytëzimi për përdorimin e burimeve natyrore.

Sa do të ndikojë të ju si grup biznesi kjo ngjarje?
Këto ditë, ne jemi duke kryer një operacion me partnerët tanë të huaj, për të ftuar investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri. Dhe them me bindje që një imazh i tillë është goditje e rëndë ndaj përpjekjeve që ne bëjmë për thithjen e investimeve të huaja. Por ngjarje të tilla ndikojnë edhe në biznesin vendor, në ndërmarrjen e nismave për investim. Dua të ritheksoj faktin se ka ardhur koha që, të gjitha procedurat ligjore, që shteti shqiptar me anë të të cilave jep në përdorim burime natyrore të vendit, sidomos burime strategjike, së pari duhet të jenë të tejdukshme për publikun, të jenë në mbrojtje të interesave të publikut dhe të jenë të garantuara me para në përqindje të caktuar të investimit të pretenduar nga investitorët.

Sa problem janë për biznesin çështjet e pronësisë në Shqipëri?
Çështjet e pronësisë janë problem dhe në këtë kuptim, dua të mbështes reformën në drejtësi dhe duhet të shikojmë në themel përmirësimin ligjor se çfarë ndodh me pronat dhe mënyrën se si përdoren këto prona nga shteti. Nga ana tjetër, them se një nga këto zgjidhje që mendoj se është për t’u vlerësuar është ndërhyrja e shtetit në rolin e rregullatorit në të gjitha rastet kur konfliktet e pronës bllokojnë një investim. Në çdo moment, duhet të dalë shteti. Është ai që në radhë të parë duhet të garantojë transparencën e procedurave të dhënies në përdorim të pronave dhe po ashtu t’i garantojë ato për investitorët./ Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje