Republikanët të përçarë lidhur me kandidaturën e Trumpit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

republikanetPas debatit të fundit presidencial, republikanët janë të ndarë në dy kampe lidhur me mbështetjen për kandidatin Donald Trump. Pretendenti republikan e sulmoi ashpër rivalen demokrate Hillary Clinton, duke siguruar lëvdatat e përkrahësve. Por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha dje para ligjvënësve republikanë se nuk kishte për ta mbrojtur më Donald Trumpin në fushatë. Në vazhdim korrespondenti Jim Malone na sjell klimën politike pas debatit:

Dje Donald Trumpi ishte përsëri në fushatë, duke u takuar me përkrahësit në Pensilvani, ku u shpreh se ky ishte shansi i tyre i fundit për të shpëtuar vendin:

“Është si puna e Brexitit. Edhe ne duam të rifitojmë pavarësinë. Duam kufij të fortë. Nuk duam që të vijnë këtu njerëz nga Siria, për të cilët nuk dimë asgjë,” tha zoti Trump.

Kandidati republikan vazhdon të sulmohet për komentet vulgare që bëri 11 vjet më parë në adresë të grave, komente që ishin regjistruar pa dijeninë e tij. Zoti Trump u detyrua ta shpjegonte incidentin edhe të dielën kur i bëri pyetje një nga drejtuesit e debatit, Andreson Cooper :

“Në regjistrim ju mburreni se sulmoni seksualisht gratë. E kuptoni akuzën?” pyet një nga drejtuesit e debatit.

“Nuk thashë asgjë të tillë. Nuk mendoj se i kuptuat fjalët që thashë. Ishin komente të pakontrolluara mes meshkujsh. Më vjen turp, i kam kërkuar ndjesë familjes. I kam kërkuar ndjesë popullit amerikan”.

Zonja Clinton vazhdoi fushatën në Miçigan, ku dje ajo përmendi tentativën për ndjesë të Donald Trumpit në debat:

“Ai përsëriti justifikimet se këto janë komente në një ambjent meshkujsh. Por burra e gra në të gjithë Amerikën e kanë të qartë që ky është një justifikim i dobët për sjellje të ulët dhe për keqtrajtimin e të tjerëve,” tha zonja Clinton.

Kandidatura e zotit Trump vazhdon të përçajë republikanët. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan u tha ligjvënësve republikanë dje se nuk do t’i dalë më në mbrojtje në fushatë zotit Trump.

Edhe para debatit të së dielës, zoti Ryan pat thënë se objektivi i tij është që republikanët të mbajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve:

“Ne diskutojmë ide e zgjidhje. Diskutojmë mbi parimet tona konservative,” tha zoti Ryan.

Sulmet agresive të zotit Trump ndaj rivales së tij Hillary Clinton mund ta kenë forcuar mbështetjen e bazës së tij, por kandidatit republikan i duhet ta zgjerojë bazën, thotë analisti John Fortier:

“Baza republikane është pak a shumë me Trumpin, por është në pikëpyetje aftësia e tij për të tërhequr në masë të madhe votuesit nga shtresa punëtore e bardhë, ku ai gëzon edhe mbështetjen më të madhe, në një kohë që pritet të humbasë mbështetje nga republikanët tradicionalë, nga të bardhët e klasës së mesme dhe të pasur”.

Një anketë e re e zhvilluar nga gazeta Wall Street Journal dhe rrjeti mediatik NBC pas publikimit të regjistrimit me komentet e ulëta të zotit Trump tregon se ai tani është 11 pikë pas pretendentes demokrate Hillary Clinton.

VOA

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Republikanët të përçarë lidhur me kandidaturën e Trumpit”

  1. Tema says:

    Republikanët të mbështesin njëzëri Jeb Bush.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *