Ahmed Dogan: Nga spiun, në disident dhe politikan

12 Tetor 2016, 18:27Rajoni TEMA

Pavarësisht se është tërhequr nga posti i partisë së fuqishme të turqve të Bullgarisë, MRF, shumë thonë se i shumëdebatuari Dogan vijon të tërheqë fijet pas kuintave.

Nga Mariya Cheresheva, Boryana Dzhambazova

Opinionet mbi Ahmed Dogan, njeriut që themeloi partinë e tretë më të madhe të Bullgarisë, Lëvizja për të Drejta dhe Liri, një parti me bazë popullsinë turke të vendit, janë shumë të polarizuara.

Ai është përshkruar nga ish kryeministri Ivan Kostov si “e keqja më e madhe e Bullgarisë” dhe nga Boyko Borissov, kryeministri aktual, si “politikani më i madh i Bullgarisë”.

Por një gjë është e qartë, Dogan, ish udhëheqësi tashmë kryetar nderi i MRF-së, është një nga figurat më të debatuara të skenës politike bashkëkohore të Bullgarisë.

Ndikimi i tij mbi politikën e këtij vendi ka mbetur konstant përgjatë kohës që Bullgaria ka përjetuar një tranzicion të turbullt, i cili filloi me rënien e regjimit komunist në vitin 1989.

Dogan lindi më 1954 dhe u rrit në një familje të varfër në fshatin Drandar në veri-lindje të Bullgarisë. Ambicia e tij e pafund e ndihmoi për ta ngritur përmes arsimit të lartë, ku u diplomua për filozofi në Universitetin e Sofies më 1981. Ai ka edhe një diplomë pasuniversitare në metafizikë dhe një doktoraturë në filozofi.

Gjithsesi, Dogan nuk qe i destinuar për një karrierë në filozofi apo shkencë ndërsa ngjarjet e turbullta politike të mesit të viteve 1980 e çuan atë të bashkohet me protestat e opozitës.

Minoranca e keqtrajtuar turke

Politika e Partisë Komuniste për të asimiluar minorancën etnike turke në brendësi të shoqërisë bullgare shënoi kulmin në vitet 1980, kur shteti detyroi njerëzit të pajisen me emra bullgarë, ndaloi gjuhën turke në publik dhe ndaloi praktikimin e fesë islame.

Dogan u bashkua me opozitën kundër fushatës së asimilimit, e cila më pas u njoh si Procesi i Rilindjes. Më 1986, ai u arrestua dhe u dënua për krijimin e një organizate ilegale. Ai kaloi tri vjet si i burgosur politik.

Shpejt pas rënies së komunizmit më 1989, Dogani u lirua. Pak muaj më vonë ai themeloi MRF me dy qëllime kyçe: rikthimin e identitetit të minoritetit turk në bullgari dhe mbajtjen e Partisë Socialiste të Bullgarisë (BSP) në opozitë.

Këto dy politika kyçe, gjithsesi, nuk e ndaluan Doganin që të bashkohej në koalicione qeverisëse me BSP – e cila trashëgoi ish Partinë Komuniste – në vitet 2005 dhe 2013.

Përgjatë viteve, Dogan u përpoq të prezantojë MRF-në si një forcë që balanconte panoramën politike të Bullgarisë dhe, për rrjedhojë, duke garantuar stabilitetin etnik në vend. Ai rezultoi se qe negociatori më i aftë i Bullgarisë, duke u siguruar që partia e tij të vijonte të luante një rol kyç në qeverisjen e vendit që nga rënia e komunizmit.

Në vitin 2011 MRF qe partneri i vogël në qeverinë e udhëhequr në atë kohë nga ish-monarku Simeon Saxe-Coburg Gotha dhe partia e tij, Lëvizja Kombëtare për Stabilitet dhe Progres, NDSV. Katër vjet më pas, MRF dhe NDSV u bashkuan në një koalicion tripartiak nën kryeministrin socialist Sergei Stanishev.

Informator i policisë sekrete

Nën presion të fortë nga Bashkimi Europian, Bullgaria miratoi një Ligj për Dosjet më 2006, i cili lejoi hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit të epokës komuniste, DS, dosje që u hapën para një komisioni të krijuar për këtë qëllim.

Më 2007, dosja e Ahmed Dogan u hap. U zbulua se ai qe i përfshirë te DS që nga viti 1974.

Duke punuar si spiun me pseudonime të ndryshme të tilla si ‘Sergey’ dhe ‘Sava’, ai ofroi informacione për aparatin komunist, përgjithësisht mbi minorancën turke të Bullgarisë, pikërisht minorancën që më pas ai udhëhoqi.

Kjo gjithsesi nuk qe hera e parë që Dogan qe identifikuar si ish bashkëpunëtor i sigurimit. Një komision qeveritar i vitit 1997 udhëhequr nga Bogomil Bonev, një ish ministër i brendshëm, publikoi emrat e 23 deputetëve të cilët patën qenë spiunë gjatë kohës së komunizmit, përfshirë udhëheqësin e MRF.

Kjo qe hera e parë dhe e fundit në të cilën Dogan komentoi mbi jetën e tij të shkuar si spiun.

“Unë jam përgatitur për gjëra shumë serioze dhe janë shumë krenar që, duke qenë nën mbrojtjen e tyre (të Shërbimit Sekret), jam njeriu që i ka goditur më shumë ata përgjatë 13 viteve të fundit,” deklaroi ai duke iu referuar luftës së tij kundër procesit të asimilimit në vitet 1980.

Më 2011, Kasim Dal, ish nënkryetar i MRF-së dhe kryetar e themelues i Partisë për Liri dhe Dinjitet, zbuloi se kur dosja e tij sekrete u hap, Dogan qe betuar se ai nuk qe përfshirë kurrë në fushata spiunimi.

Megjithëse Dogan ka qenë anëtar i parlamentit që nga viti 1990, ai rrallë herë është parë në Parlament përgjatë viteve të fundit.

Ndryshe nga shumica e politikanëve, ai jep intervista rrallë apo shfaqet në media në pak raste kur emri i tij është përfshirë nga ndonjë skandal.

Më 2005 ai pretendoi se partitë politike bullgare financohen dhe ndihmohen nga një “rreth i ngushtë kompanish”. Në deklaratën e tij ai zemëroi shumë njerëz dhe u bë metaforë e lidhjeve shpesh të errëta mes politikanëve dhe bizneseve, diçka për të cilën vetë MFR akuzon partitë politike rivale.

Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Dogan mbajti një fjalim në miting duke e deklaruar veten “instrument të pushteit.” Ai e minoi autoritetin e Parlamentit duke këmbëngulur se deputetët janë krejtësisht të pafuqishëm dhe se shpërndarja e parave në Bullgari varej prej tij.

Dogan u akuzua më vonë se ai ka shkelur rregullat parlamentare të konfliktit të interesit kur u zbulua se më 2010 qe paguar për rreth 1 milionë euro si konsulent për shumë projekte hidroenergjetike që do të financoheshin me para publike.

Shërbimet e tij të konsulencës për katër projektet qenë përcaktuar në një kontratë të vetme që ai e pati firmosur me Institutin e Minierave në vitin 2008, kur partia e tij qe në qeverinë e asaj kohe.

Ai mohoi të ketë shkelur ligje. Gjykata Administrative deklaroi se ai nuk kishte kryer shkelje.

Përpjekje për vrasje

Gjithsesi, ndoshta çasti më i debatuar në jetën e pasur politike të Dogan qe një tentativë për ta vrarë gjatë një kongresi ndërkombëtar të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Europës më 19 janar 2013 në Sofie.

Dogan po fliste para grupit politik europian, ku përfshihej ish – udhëheqësi Graham Ëatson, kur një i ri, më vonë i identifikuar si 25 vjeçari Oktay Enimehmedov, u ngjit në skenë dhe qëlloi tri herë me një pistoletë gazi.

Enimehmedov u dënua më 2015 me tri vjet e gjusmë burg për tentativë vrasje dhe huliganizëm. Gjykata Supreme e Kasacionit, gjithsesi, e shpalli të riun jo fajtor për tentativën për vrasje.

Pistoleta nuk prodhoi të shtëna dhe rrjedhimisht nuk e preku Dogan, por ngjarja e la publikun bullgar të tronditur thellë. Disa sugjerojnë se incidenti qe i sajuar si pjesë e një komploti politik që synonte të unifikonte partinë e tij dhe të justifikonte vendimin e Dogan për t’u tërhequr nga udhëheqësia e partisë.

“Bashkimi Europian duhet të mobilizohet për ta rikthyer këtë vend në shina,” deklaroi Ëatson pas atentatit ndaj Dogan.

Më vonë atë ditë, Dogan dha dorëheqjen si udhëheqës i MRF-së, pothuajse një çerek shekulli pasi e themeloi atë.

Ai mbetet kryetari i përjetshëm nderi dhe ka mbajtur shumë instrumente për të ndikuar në vendimet e partisë nga rezidenca e tij luksoze në lagjen e pasur të Sofies Bojana, instrumente të tilla si të thërrasë takime të tri organizmave qeverisëse të partisë dhe që të marrë pjesë në përcaktimin e listës së kandidatëve për deputetë të MRF-së.

Në dhjetor 2015, më pak se tri vjet pasi hoqi dorë nga posti i udhëheqësit të MRF-së, Dogan demonstroi vijimësinë e dominimit të tij mbi këtë parti duke orkestruar rrëzimin e pasardhësit të tij, Lutvi Mestan. Ai pretendoi se mbështetja që Mestan i dha Ankarasë pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus më 25 nëntor e nxirrte atë si “kolonë e pestë” për Turqinë në Bullgari.

Dogan pretendoi se ai po mbronte interesin kombëtar të Bullgarisë, një surprizë e vërtetë për shumë bullgarë, të cilët janë mësuar me akuza që ai vetë është një produkt i ndikimit turk në vend.

Në përgjigje, Mestan krijoi një parti politike rivale DOST – e cila do të thotë Mik në Turqisht. Gjykata Supreme e Kasacionit i mundësoi kësaj partie që të regjistrohet formalisht në fund të korrikut pasi gjykata e Sofies e pati ndaluar atë dy javë më herët, duke argumentuar se origjina etnike e kësaj partia krijonte “mungesë garancish” se ajo do të përmbushte qëllimet e shprehura në statutin e vet.

Në fund të prillit, MRF zgjodhi Mustafa Karadayi si kryetar të ri. Gjithsesi, shumë besojnë se Dogan do të jetë udhëheqësi de facto i partisë së minorancës turke për shumë dhe shumë vite të tjera për shkak të autoritetit të tij të gjerë si kryetar nderi.

Një fjalim i mbajtur nga Karadayi menjëherë pas zgjedhjes së tij duket se thjeshtë e konfirmon këtë supozim.

“Gjëra të mëdha ndodhin për shkak se ka njerëz të mëdhenj për të gjeneruar energji dhe për ta rregulluar energjinë. MRF është e madhe për shkak se ka një udhëheqës të madh… Dr Ahmed Dogan,” tha Karadayi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje