Lehtësia e papërballueshme e vrasjes

12 Tetor 2016, 09:15Kronika TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Disa nga vrasjet e javës: Në Dajç të Shkodrës vriten 2 persona dhe plagosen 4 të tjerë; fqinji vret fqinjin në Plloçë të Vlorës; në Elbasan vritet një i sapokthyer nga Italia; vrasje në Vreshtas të Korçës, në Poliçan vrasje në lulishte, tjetër vrasje në Shkodër rrugës për Velipojë, natën, vetëm.

Vështirë të thuash se janë shumë, pak apo në normë. Duhet analizë statistike. Por një gjë të rrënqeth: motivet e këtyre vrasjeve. Shumicën e herëve për hiçmosgjë. Jo vetëm gjatë javës që shkoi, por dje e sot e gjatë gjithë tranzicionit.

Vrasja e shumfishtë në Dajç, psh u bë për humbjen e 500 lekëve në poker. Në Elbasan për hesape të vjetra. Në Plloçë për një gardh. Në Poliçan për stolin ku luanin domino… Në Vreshtas për fyerje, ose thenë troç, për një fjalë goje.

Vështirë të thuash ku i ka rrënjët kjo lehtësi për t’i marrë jetën tjetrit.

Një shpjegim mund të lidhet me kohën. Jetojmë në një krizë të stërzgjatur, në një tranzicion që s’po i duket fundi. Halle me thes! Edhe stresi, nervozizmi dhe agresiviteti vijnë me thes e, në daç, edhe me autobot.

Vrasjet për hiç gjë mund të shpjegohen edhe me faktin që qysh nga 1997-a i kemi armët sheshit. Nxehesh, vete e rrëmben kallashin dhe kthehesh e bën gjëmën. Natyrisht një pjesë po bëhen edhe me thika, si të therje berrin. Kot e kemi një damar të fortë blegtori?

Nganjëherë them se e vrasim tjetrin lehtësisht nga që lidhjet me fenë i kemi të zbehta dhe shpesh të munguara. Të gjitha fetë kanë në themel disa porosi morale. “Mos vra” renditet ndër të kreut.

Nuk po zemë në gojë kusuret e shkollës dhe të mediave. Jo për gjë, po do të na duhej një natë dimri vetëm t’i listonim.

Hera – herës më shkon mendja se vrasjet për hiçmosgjë lidhen me cilësinë e ulët të jetës. Sa më e lartë cilësia, aq më i çmuar sendi, dmth jeta. Si çdo mall… Ndjesë për cinizmin!

Jo rrallë them se lehtësia e papërballueshme për të vrarë lidhet me konfliktualitetin politik. Baballarët e Kombit, vriten e priten. Jo për flamur, por për të marrë vota e për të dhenë tendera e konçensione. Nuk vriten me jatagan a kallash, por me fjalë. Dmth vriten e priten me gjasme apo simbolikisht.

Parë kështu, vështirë të thuash se konfliktualiteti politik nxit direkt vrasjet. Gjithsesi është e sigurt që rrit agresivitetin apo, thenë ndryshe, serën ku rriten e harlisen vrasje të ardhshme.

Përtej ironisë, gjendja është e trishtueshme. Mos pyet për kë bie kambana, ajo bie edhe për ty, thoshte Heminguei.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje