Portalet e Zenit dhe frika e PD në zgjedhjet e 2017

12 Tetor 2016, 17:32Politika TEMA

Një vit nga zgjedhjet e 21 Qershorit 2015, qytetarët e Tiranës e kanë të lehtë sot të prekin ndryshimet që po ndodhin çdo ditë në kryeqytet. Falë punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, ata mund të ecin në rrugë e trotuare të rregulluara, kanë më shumë hapësira çlodhëse, apo të shkollojnë fëmijët e tyre në çerdhe, kopshte dhe shkolla me infrastrukturë më të mirë. Por, ashtu siç ka shumë njerëz që vlerësojnë atë që është bërë deri tani, është e kuptueshme që shumë qytetarë të tjerë të shprehen të paduruar/pakënaqur për atë që ende duhet bërë. Sepse ia vlen të kujtohet se Tirana ishte një qytet ku për 4 vjet nën drejtimin e Lulzim Bashës, nuk u bë asgjë dhe padurimi qytetar ishte i pritshëm.

Një vit më pas, aq i fortë është kontrasti midis dy administratave (Basha 2011-2015 dhe Veliaj 2015-), sa që nuk mund të mos pritej një reagim i opozitës për të zvogëluar disi hendekun që po krijohet dita-ditës. Hapja e më shumë se 100 kantiere punimesh në qytet, duket se është kthyer në një shqetësim real për Partinë Demokratike, i cili sa vjen e zmadhohet me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ku kryeqyteti padyshim do të ketë rolin përcaktues të fituesit të tyre. Drejtuesit e PD e dinë mirë se një humbje drastike në Tiranë, do t’i jepte goditjen përfundimtare një partie e cila ende nuk e ka marrë veten nga dy humbjet spektakolare në 2013 dhe 2015. E për më tepër, do të shenjonte de facto dështimin e Lulzim Bashës në krye të PD.

Për këtë qëllim, prej javësh Partia Demokratike ka nisur një fushatë sulmesh politike dhe mediatike ndaj Bashkisë së Tiranës, me fokus të përcaktuar qartë, kryetarin e saj, Erion Veliaj. Sot Veliaj shihet si modeli i një politikani të suksesshëm, i cili pas një pune të mirë si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka risjellë në Tiranë një energji e cila nuk ishte ndjerë në kryeqytet që nga mandati i parë si kryebashkiak i Edi Ramës. Jo më kot PD-ja ka gjetur tek ai personazhin që duhet sulmuar me të gjitha forcat. Strategjia e PD zbërthehet qartë: alternim i akuzave mediatike pa asnjë bazë vërtetësie dhe më pas kthimi i tyre në një armë për akuza politike, që mund të riciklohen gjatë zgjedhjeve të 2017.

Në funksion të kësaj strategjie Partia Demokratike prej muajsh është kujdesur të krijojë një terren të përshtatshëm mediatik, duke u fokusuar kryesisht në portalet online, të cilat mbahen në këmbë me financim të djalit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzenit. Në qarqet gazetareske janë të njohur portalet e financuara prej tij, si Syri.net, BoldNeës.al, Hashtag.al, e ndonjë tjetër, të cilat aktivizohen me radhë, sipas rastit, kundër Veliajt. Por, për ta vënë në punë këtë mekanizëm, PD është kujdesur të gjejë edhe njerëzit e duhur, personazhe të besuar, të aftë të fabrikojnë e përpunojnë lajme të stisura, që mund të ngjisin në publik.

Këtij mekanizmi të ngritur nga Shkëlzen Berisha i është dhënë urdhër që të nxjerrë përfitime politike edhe nga rasti fatkeq i Ardit Gjoklajt, djaloshi që humbi jetën në një aksident tragjik në landfillin e Sharrës. Me qëllimin e vetëm për ta mbajtur këtë ngjarje sa më gjatë në media, PD ka angazhuar portalet e paguara nga paratë e vjedhura të rrugës “Durrës-Kukës” dhe biznesi i vdekjes në Gërdec, për të akuzuar Veliajn. Fatkeqësisht pre e këtyre portaleve ricikluese kanë rënë edhe media deri diku serioze si BIRN apo ndonjë tjetër, duke e futur realisht gazetarinë shqiptare në krizë identiteti dhe në qerthullin e humbjes së misionit parësor të saj: informimin në mënyrë të pavarur të publikut.

Por, rastet më flagrante që ka prodhuar strategjia e PD-së janë pikërisht dy ngjarje: njëra e ndodhur në Tv A1 të Koço Kokëdhimës, dhe tjetra nga një emision i panjohur, i quajtur “Publicus”. Dy raste të ngjashme me njëra-tjetrën, çka tregon më së paku mungesë fantazie nga orkestruesit e tyre.

Në rastin e pare, PD angazhoi një nga militantet e saj më të flakta, ish drejtoreshën e komunikimit në kryeministri në qeverinë Berisha, Alida Tota, e cila njihet për lidhjen e saj të ngushtë shoqërore me deputeten e PD, Albana Vokshi, por edhe ambicien e saj për t’u angazhuar në forumet më të larta të PD. Me ardhjen e demokratëve në pushtet ajo u angazhua në zyrën e shtypit të ish-kryeministrit Berisha, ndërsa më pas, falë mbështetjes së mikeshës së saj, deputetes Vokshi, siguroi një vend si drejtoreshë e drejtorisë së barazisë gjinore në Ministrinë e Punës, e cila asokohe drejtohej nga ministri Spiro Ksera, sot i burgosur për korrupsion.

Pas largimit nga ministria e Punës, Tota siguroi një vend si drejtore Informacioni në Tv A1, një television i krijuar rishtazi nga Koço Kokëdhima, i cili ia besoi drejtimin e tij ish-drejtorit të UKT, Neritan Gjojdeshi, i shkarkuar nga kjo detyrë nga kryebashkiaku Veliaj për shkak të mbifaturimeve abuzive që iu vëri qytetarëve të Tiranës në fillim të vitit 2016. Duke shfrytëzuar militantizmin politik të Alida Totës, por edhe aksidentin në Sharrë, Gjojdeshi i kërkoi asaj një emision të posaçëm për ngjarjen, e pa kaluar shumë kohë, e shkarkoi nga detyra si kryeredaktore e televizionit. Tota, tanimë e shkarkuar, deklaroi në media se largimi i saj nga puna ishte bërë me urdhër të Veliajt.

Kaq mjaftoi që portalet e financuara nga Shkëlzen Berisha të vinin në punë pjesën tjetër të skenarit, përhapjen e lajmit se Veliaj kishte pushuar nga puna një gazetare: pa fakte, pa investiguar asgjë, këtyre portaleve u mjaftoi një fjalë goje për të stisur lajmin. Synimi ishte i qartë: krijimi i një skandali për goditjen e Bashkisë së Tiranës.

I njëjti skenar duket se është vënë në punë edhe me emisionin “Publicus”, i cili deri tre ditë më parë nuk dihej se ekzistonte. Kësaj here në skenë vijnë dy personazhe të tjerë, po aq të lidhur me PD, sa edhe ish drejtoresha e komunikimit e Berishës, Tota. Ideatori i emisionit quhet Artan Rama, ish bashkëpunëtor i ngushtë i Koço Kokëdhimës që nga viti 2004 si drejtues i Tv A1. Ndërsa, gazetari i emisionit, Jetmir Olldashi, njihet si militant i vjetër i Partisë Demokratike, i cili nuk ka punuar asnjë ditë në media. Ai ka mundur të punojë për herë të parë në UKT kur bashkia e Tiranës drejtohej nga Lulzim Basha, e më pas nëpërmjet procedurave krejtësisht abuzive dhe të denoncuara në media, u përzgjodh si zëdhënës i Endira Bushatit, ish-drejtoresha e Autoritetit të Medias Audiovizuale, e cila sot drejton departamentin e Administratës Publike në PD.

Të dy personazhe u bënë të njohur tre ditë më parë, kur deklaruan në portalet e PD-së se pronarët e televizionit ku do të transmetohej emisioni Publicus, ku flitej sërish për ngjarjen e Sharrës, e kishin bllokuar atë. Sigurisht, sipas tyre urdhëruesi i mbylljes së emisionit ishte sërish Veliaj. Nga ajo ditë, pronari i Vizion Plus i ka përgënjeshtruar të dy personazhet, duke thënë se emisioni nuk ishte ndaluar, por shtyrë. Ndërsa, vetë Veliaj ka deklaruar se as e njihte emisionin, e as ka pasur kontakt me Vizion Plus.

Gjithsesi, mediatizimi i një ngjarjeje të tillë u krye sërish nga portalet e Shkëlzen Berishës, të cilat vijojnë ta mbajnë gjallë këtë histori me shpresën se mund të marrin diçka në këmbim në zgjedhjet e 2017. E në të dyja rastet, ato shërbyen si ushqim që Partia Demokratike të nxjerrë në konferenca shtypi Grida Dumën, dhe Sali Berisha të bënte statuset e radhës në Facebook. E teksa Prokuroria vijon hetimet për aksidentin në Sharrë, debati për mungesën e profesionalizmit në median shqiptare duket se është një debat që duhet bërë sa më shpejt.

E gjitha kjo histori tregon se situata politike e PD në Tiranës është e rëndë, ndryshimet në Tiranë po e thellojnë edhe më tej diferencën e shënuar në zgjedhjet vendore 2015. Natyrisht, burime nga PD kanë bërë me dije se në disa nga matjet e fundit të mbështetjes politike në kryeqytet në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, opozita ka dalë më keq se sa rezultati i arritur në 2013 dhe 2015. E përkthyer në numra deputetësh PD, rrezikon që në zgjedhjet e ardhshme në kryeqytet nga 32 deputetë të marrë vetëm 11 nga 12 ka aktualisht, ose e thënë ndryshe 1/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve./ Lexo.al

3 komente në “Portalet e Zenit dhe frika e PD në zgjedhjet e 2017”

  1. kiu says:

    Mire PPSH-ja (lexo PS-ja) qe paska rihapur Sektorin e Propagandes, po Tema c’ne qe eshte kthyer ne Zeri i Popullit Nr. 2???!!!

  2. kopani says:

    Tashme eshte e sigurte se zoti Erjon Veliaj do jete kandidat per Kryeminister mbasi te kete mbaruar Tre mandate si Krye bashkiaku i Tiranes deri ne zgjedhjet e vitit 2027 . zgjedhjet e pergjitheshme te vitit 2017 ky subjekt politik apsolutish nuk ka per te nxjere me shume se 3 deputete ne qarkun e Tiranes dhe maksimumi ne 10 % ne shkalle vendi duke u rrjeshtuar ne vendin e katert te subjekteve e kualicjoneve politik pjesmarese ne zgjedhjet 2017 . dhe konkretisht P Socialiste me kualicjonin 60% , Lsi me kualicjonin 25″ % , P .A . Ambjentaliste … 12 % , PD … 10 % te tjera 3 % . duke e bere kete subjekt nje numuror topi e duke e bere me te rezikeshme dhe penguese ne progresin e vendit tashme i vendosur ne rrugen e zhvillimit te pa ndalshem .

  3. Me fitoren e te majteve ,vendin ecen perpara , kurse votimi i te djathteve ,eshte baraz me Varrimin e shqiptare e !
    Zgjidhni e merrni !
    PD duhet te ….shkrihet dhe do shkrihet !
    Zgjohuni !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje