A i ka qeveria 100 milionë euro për rritje pagash?

13 Tetor 2016, 18:56Ekonomia TEMA

Zgjedhjet po vijnë! Dhe siç ndodh zakonisht në këto raste, rritja e pagave është tema më e debatueshme. Gjithmonë në të shkuarën, qeveritë kanë rritur pagat pak para zgjedhjeve. Dhe gjithmonë, kjo rritje pagash ka qenë asgjë tjetër veçse para borxh që qeveria i ka dhënë qytetarëve, borxhe që pikërisht qytetarët do t’i paguajnë.

Nga Gjergj Erebara

Dëshira e shprehur e kryeministrit Edi Rama, e ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe e ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri për të rritur pagat vitin e ardhshëm, nuk është aspak surprizë, sido që të tre zyrtarët janë përpjekur ta paraqesin si të tillë. Qeveritë e shkuara kanë bërë gjithmonë të njëjtën gjë në prag të zgjedhjeve, si më 1996 ashtu edhe më 2001 e 2005, e së fundmi, më 2009. Në të gjitha këto raste, rritja e pagave ka qenë e bollshme. Në vitin 2000, qeveria socialiste i rriti pagat reale me 18 për qind, ndërsa më 2004 (në pritje të zgjedhjeve të vitit 2005), i rriti me 15 për qind. Berisha i rriti me 12 për qind në vitin 2009. Më 2013, buxheti i shtetit qe aq i raskapitur sa kjo gjë nuk ndodhi. Tashmë më 2017 pritet të ndodhë. Përgjatë këtyre viteve, rritja ekonomike qe shumë më e ulët se sa rritja e pagave, respektivisht, 7 për qind më 2000, 6 për qind më 2004, 3 për qind më 2009.

Qeveria duket e bindur të shpenzojë 100 milionë euro, afërsisht 1 për qind të PBB-së, për të dhënë rritjen paraelektorale të pagave.

Shqiptarët vështirë se e hanë këtë gënjeshtër. Përgjatë të gjitha zgjedhjeve të shkuara është bërë e qartë se një rritje page e pashoqëruar me rritje ekonomike, nuk është rritje por borxh. Dhe ky borxh do të shlyhet po nga të njëjtët qytetarë, kuptohet, shoqëruar me interesat e posaçme të kësaj rritjeje. Viti 2017 nuk përbën dallim. Buxheti i shtetit, ashtu siçështë, nuk i ka mundësitë të rrisë pagat, aq më pak, që të japë rritje të majme prej 10 për qind, (siçështë premtuar për të gjithë punonjësit e shtetit) dhe 17 për qind siçështë premtuar për policët.

Problemi me qeverinë aktuale dhe me ato të shkuara, është që paratë nuk rriten në pemë dhe nuk mbillen arave. Paratë dalin nga taksat dhe taksat dalin nga ekonomia. Kur ekonomia rritet me 1, 2 apo 3 për qind në vit, rritja e pagave të qeverisë mund të jetë maksimumi e barabartë me rritjen ekonomike, d.m.th, 1, 2 apo 3 për qind. Çdo rritje më shumë se kaq, nuk është rritje, është borxh. Qeveria vendos t’i gënjejë qytetarët duke i dhënë lekë borxh. Kjo ështëçfarë po ndodh tani.

Buxheti i shtetit sakaq ka telashin e borxhit të stërmadh publik, borxh qëështë rritur me tepri gjatë viteve të fundit dhe që do të duhet të shlyhet. Hapësira për të rritur shpenzimet, pikërisht për fajin e qeverisë që nuk ka mbledhur dot taksat ashtu siç duhej t’i mblidhte, thjeshtë nuk ekziston. Le të bëjmë pak aritmetikë të thjeshtë: aktualisht, borxhi publik është 72.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe qeveria ka marrë përsipër ta reduktojë këtë borxh me 2, 3 apo 4 pikë për qindjeje të PBB-sëçdo vit.

Buxheti i shtetit merr nga ekonomia rreth 26 për qind të PBB-së dhe nga këto, 24 për qind i ka shpenzime operative, d.m.th, shpenzime ekzistenciale. (Të dhënat janë të vitit 2015). Nëse qeveria do të rrisë shpenzimet për paga dhe pensione me 1 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm, paratë që do të mbeten në dispozicion të uljes së borxhit dhe të investimeve publike do të mbesin vetëm 1 për qind e PBB-së. Do të thotë që qeveria nuk do të ketë para as për të ulur borxhin dhe as për të kryer investime minimale publike, për të përfunduar ndonjë rrugë, p.sh, apo për të ndërtuar ndonjë ujësjellës.

Qeveria pretendon se përgjatë tri viteve të fundit, ka ndjekur një program që synonte fillimisht rritjen e borxhit publik nga 62 në 72 për qind të PBB-së. Kjo rritje borxhi supozohej se, krahas reformave të tjera, do të vendoste bazën për rritje ekonomike prej 4.5 për qind në vit. Kjo nënkuptonte që në periudhë afatmesme, borxhi të mbahej konstant në vlerë nominale dhe në ulje si për qindje e PBB-së, ndërsa qeveria rriste të ardhurat e buxhetit si rrjedhojë e rritjes më të lartë ekonomike dhe si rrjedhojë e taksave më të larta, me të cilat, do të mund të investonte në infrastrukturë bazë. Kjo për fat të keq nuk ndodhi. Investimet nuk u kryen, rrugët u rrënuan më tej, infrastruktura bazë degjeneroi dhe rritja ekonomike nuk erdhi. Sot ekonomisë shqiptare i mungojnë qindramilionë euro si diferencë mes rritjes ekonomike prej 4.5 për qind që qe premtuar dhe rritjes ekonomike që realisht erdhi prej 2 apo 3 për qind.

Në asnjë element të planit aktual ekonomik nuk parashikohej rritja e pagave për qëllime zgjedhore. Dhe dukshëm, kjo nuk është rritje pagash. Ajo është një borxh, të cilin, qeveria po e shton me papërgjegjshmëri.

Pyetja elementare që çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes është: kur ekonomia rritet me 3 për qind, ku i gjen qeveria lekët për të rritur pagat me 10 për qind?! Përgjigjja është e thjeshtë. Borxh!

Një borxh të cilin, vetë ne do ta paguajmë.

1 komente në “A i ka qeveria 100 milionë euro për rritje pagash?”

  1. bimbashi says:

    E ke pak gabim. Nese buxheti i pagave rritet me 1% te PBB, kjo nuk do te thote qe qeveria nuk do te kete leke per investime apo per shlyqerjen e borxhit. Mbase do te kete me pak leke per investime direkte te brendshme (0.5%) dhe shlyerja e borxhit ,mund te bjere nga 3 pike ne 2.5. Them mbase, pasi eshte shume e mundur qe kjo 1% qe duhet per rritjen e pagave, te jete ndonje shpenzim tashme i mbyllur ne 2015 ose 2016 dhe thjesht duhet shpenzuar. Qeveria po e shpenzon per rritjen e pagave.
    Supozimet qe behen ne kete artikull mund te jene te drejta, por perderisa cdo e thene ka per qellim te tregoje se rritja e pagave eshte borxh, per mendimin tim, keto argumente mbeten spekullime. Rezultatet e rritjes ekonomike per 2016 nuk jane publikuar ende, ndaj eshte pak heret te serviresh disa supozime si fakte. Gjithe ky artikull…

    P.S Pyetja ne fund te artikullit eshte thjesht sepkulative dhe qellimisht gabohet ne formulimin e saj. Ku i gjen qeveria 10% rritje page kur ekonomia rritet 3%. PBB = 10 milarde dollare, + 3% = 10 miliarde e 300 milione. 10% rritje page eshte 100 milione dollare, he pra ku i gjen qeveria keto leke? Plus, mund te kete shkurtime ne shpenzime te tjera…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje