Basha kërkon gjurmimin e “tradhtarëve” brenda PD-së

14 Tetor 2016, 09:18Politika TEMA

Lulzim Basha vijon t’a shikojë përgjegjësinë për humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet lokale tek strukturat e partisë në nivel lokal dhe tek baza e PD.

Teksa disa figura potenciale të PD, si Eduard Selami, Majlinda Bregu, Jozefina Topalli etj., e shohin problemin tek kupola drejtuese e partisë, mungesa e shpresës, koherencës dhe strategjisë, kryetrari i PD, Lulzim Basha, vijon të firmosë udhëzime dhe strategji, të cilat synojnë të identifikojnë shkaqet e humbjes jashtë rrethit të lidershipit.

Ndërsa një grup deputetësh kërkuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar për analizimin e lidershipit, Basha ka firmosur ditët e fundit një urdhër, tashmë për llogari të zgjedhjeve të 2017.

Një nga pikat e urdhrit parashikon gjurmimin dhe identifikimin e votuesve, të cilët kanë tradhtuar Partinë Demokratike, për arsye të ndryshme, ndërsa mbështesin subjekte të tjera, ndoshta Lëvizjen Socialiste për Integrim apo edhe parti të tjera në rritje, si PDIU, raporton Shqiptarja.com.

Në fokus të skanimit do të jenë anëtarët formalë të Partisë Demokratike, por që nuk e votojnë më këtë parti, ndërsa në plan të dytë do të janë personat që nuk janë anëtarë të PD, por votues potencialë të saj.

Lista me anëtarët që kanë tradhtuar partinë do të përdoret si bazë për përjashtimin e tyre nga Partia Demokratike, ndërsa lista e personave të pa anëtarësuar në një subjekt politik, bashkë me orientimin e tyre politik, do të shërbejnë për llogaritjen e rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Ndërkaq, udhëzimi konfirmon edhe një tjetër plan, sipas të cilit, opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet parlamentare të 2017, pavarësisht nëse shumica në pushtet do të plotësojë apo kushtet e saj për reformën zgjedhore. Urdhri konfirmon nisjen e përgatitjeve për sfidën e zgjedhjeve të 2017 dhe sigurisht gatishmërinë për të hyrë në zgjedhje.

Për realizimin e kësaj detyre Basha ka ngritur disa grup pune.

Sipas udhëzimit, grupet e punës, fillimisht duhet të kontaktojë çdo votues sipas listës së qendrës së votimit, por duke pasur gjithnjë prioritet anëtarët e PD. Së dyti, grupet e punës do të identifikojë performancën e votuesit, orientimin politik të mëparshëm dhe ndryshimin e orientimit politik.

Po ashtu, grupet e punës duhet të identifikojë të gjithë votuesit pa adresë dhe votuesit në emigracion.

Dy detyrat e fundit janë përcaktuar në kuadër të masave që do të merren kundër praktikave manipuluese në zgjedhjet parlamentare të 2017. Grupet e punës, të gjitha gjetjet, do t’i raportojë çdo javë tek një njësi përgjegjëse.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje