10 VIP-at e 2015-s: Ekonomia në udhëkryq

15 Tetor 2016, 12:09Ekonomia TEMA

Nga Ornela Liperi

Sipërmarrje nafte, që xhirojnë shumë para, por pak investime e punësim, biznese tregtuese e distributorë, që po vuajnë krizën e konsumit, kompani të reja, që brenda një viti qarkullojnë miliarda e vitin tjetër “zhduken” si me magji, aktivitete lojërash fati, që u “ndrin” atyre vetë fati, koncesionarë, që kanë marrë “dhuratë” një monopol apo një aktivitet të sigurt, që gjeneron fitime të larta… Është kjo pasqyra e pjesës më të madhe të 200 kompanive me qarkullim më të lartë të të ardhurave në vitin 2015, që në fakt reflekton panoramën e të gjithë ekonomisë shqiptare, që nuk po ndryshon prej vitesh: një ekonomi e orientuar nga konsumi, që nuk prodhon pothuajse asgjë, pa një vizion të qartë se ku do të shkojë në të ardhmen dhe asnjë ngacmim të dukshëm nga ndonjë politikë shtetërore për ta orientuar diku. Mungojnë bizneset e reja prodhuese e përpunuese, që do të zëvendësonin sektorët që po shkojnë drejt maturimit (si ndërtimi), apo ato që po vuajnë krizën e konsumit, ku ka shumë shitës e pak blerës.
Në listën e 200 më të mëdhenjve për vitin 2015 mbizotërojnë kompanitë me aktivitet tregtar, që në pjesën më të madhe janë financues direkt të importeve, me 43 të tilla, të ndjekura nga bizneset e naftës që arrijnë në 24.

Ndërtimi vijon të mbijetojë, i varur tashmë më së shumti nga investimet publike dhe projektet e reja të gazsjellësit e hidrocentraleve (me 17 kompani të tilla në listë). Vërtet te 200 më të mëdhenjtë ka 19 sipërmarrje në industrinë përpunuese e prodhuese, por më e madhja prej tyre, Kurum, është tashmë në proces falimentimi, ndërsa të tjerat janë kryesisht në prodhimin e çimentos, apo të materialeve të ndërtimit. Numërohen me gishta eksportuesit, si Donianna, Fital, apo industria përpunuese, si EHW, Kombinati i Mishit, Bloja, Shoqëria Anonime Mielli, Birra Tirana, Coca Cola, apo Coral, në përpunimin e peshkut, që është një hyrje e re.

Në total, 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend kanë deklaruar të ardhura prej 910 miliardë lekësh, apo rreth 6.5 miliardë euro. Kjo shumë është sa rreth 65% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndaj performanca e këtyre kompanive ka rëndësi tepër të madhe për të vlerësuar ecurinë ekonomike të vendit.

Ç’është më e keqja, në qarkullimin e parasë në vend dominojnë pikërisht kompanitë e naftës, që kanë deklaruar rreth 1.5 miliardë euro të ardhura, apo rreth 22% të totalit të xhiros së 200 VIP-ave. Segmenti i dytë është ai i aktiviteteve tregtare dhe importuese, me 1.1 miliardë euro të ardhura, që kryesisht është financues i importeve, duke nxjerrë paranë jashtë vendi. Të dy këta janë sektorë që xhirojnë sasi të mëdha parash, por që kanë pak ndikim në punësim dhe sidomos tregtia nuk “shquhet” për investime, që janë parësore në hapjen e vendeve të reja të punës.

Energjia është sektori i tretë, me të ardhura më të mëdha dhe që pritet të ketë tendencë rritëse, teksa në të ardhmen pritet t’i shtohen operatorë të rinj prodhues të energjisë, ku përfshihen Ashta.sha (austriakët e Verbund) dhe Devolli HP (norvegjezët e Statkraft) është ende në fazën e fundit të ndërtimit të HEC-it të parë të Banjës (nga tre gjithsej në ndërtim). Edhe liberalizimi i tregut të energjisë do të nxisë hyrjen e më shumë tregtuesve të energjisë.
Bankat dhe telekomunikacionet janë dy sektorë të qëndrueshëm dhe të mirëstrukturuar në pikturën e përgjithshme të ekonomisë, ndonëse me problematikat e tyre brenda çdo sektori.

Në listën e 200 të mëdhenjve janë renditur për herë të parë edhe agjencitë e udhëtimit, jo si rrjedhojë e rritjes reale të xhiros, por për shkak të ndryshimit të mënyrës së faturimit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të TVSH-së, ku përfshihen dhe biletat, jo vetëm komisionet, siç ndodhte më parë. Edhe INSTAT ka raportuar rritje dyshifrore të shifrës së afarizmit të agjencive të udhëtimit në statistikat e saj, por që më shumë se realitetin e rritjes së këtij segmenti, tregon ndryshimin në mënyrën e kontabilizimit. (më parë raportonin si xhiro, komisionin e vetë agjencisë, kurse tani totalin e volumit të faturimit të biletave edhe për linjat e avionit, që kanë aktivitetin të bazuar jashtë vendit).

10 KOMPANITË MË TË MËDHA

1. Kastrati SH.A.

Pasi ka “flirtuar” për vite me radhë me vendin e parë, kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. është renditur e para në 2015-n, ndonëse faturimi i saj shënoi rënie të ndjeshme, si pasojë e uljes së çmimit të naftës në treg. Kompania raportoi 51.4 miliardë lekë të ardhura, me një tkurrje prej 23% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Si gjithnjë, Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, nuk është entuziast. Ai pohon se, sidomos për shoqëritë e naftës, të ardhurat nuk tregojnë asgjë, pasi janë të varura nga çmimi i karburanteve në tregjet ndërkombëtare. Ndërsa në 2014-n, çmimet e larta çuan në rritjen e ndjeshme të xhiros, në 2015-n ndodhi e kundërta.

2. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Dy vitet e fundit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shënuar ristrukturim të thellë, pasi iu rimor çekëve të CEZ, që pas privatizimit të dështuar e lanë në një situatë kolapsi financiar, të zhytur në borxhe e me humbje të mëdha. Në 2015-n, kompania ka përmirësuar ndjeshëm performancën, duke deklaruar rritje të të ardhurave me 8% në 51 miliardë lekë dhe fitim para taksave prej 18 miliardë lekësh, për t’u renditur në kompaninë e dytë më të madhe në vend. “Rezultatet e aksioneve të ndërmarra gjatë vitit 2015 i kaluan të gjitha pritshmëritë, ku që në 3 mujorin e parë 2015 shoqëria arriti për herë të parë të ketë një rezultat financiar pozitiv, që prej krijimit të saj në vitin 2007”, thotë z.Ardian Çela, administrator i OSHEE.

3. Bankers Petroleum

Teksa ka qenë për tre vjet radhazi kompania më e madhe në vend, në 2015-n, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion Patos Marinzën, Bankers Petroleum ka zbritur nga piedestali. Kompania ka parë rënie të ndjeshme të të ardhurave me 46%, në 36 miliardë lekë, sipas deklarimeve në bilancin e saj. Koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare, ku çmimet e naftës ranë nën 30 dollarë për fuçi në 2015-n ishte arsyeja kryesore e kësaj performance. 2015-a nuk ka qenë një vit i qetë për Bankers, as në marrëdhëniet me tatimet, që i bllokuan llogaritë në nëntor të vitit të kaluar, pasi AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit, Tatimet iniciuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej tatimeve, por pasi u pajtua një auditues ndërkombëtar, ky i fundit i dha të drejtë Bankers. Në bilancin e vitit 2015, Kompania ka riparaqitur me ulje dhe të ardhurat e 2014-s, nga 67 miliardë lekë në rreth 61 miliardë lekë. Kompania ka mbyllur aktualisht negociatat për t’u shitur te kinezët e Geo Jade Petroleum, të cilët duket të kenë marrë edhe aprovimet e nevojshme në vendin e tyre, për të përfunduar këtë transaksion dhe për të regjistruar më në fund kompaninë në emër të tyre. Ndërkaq, pothuajse njëkohësisht me fitoren ndaj Tatimeve, Bankers ka firmosur edhe një marrëveshje me kompaninë që po merr në administrim asetet e ARMO-s në marrëveshje me kreditorët e saj, së cilës do t’i shesë 65% të prodhimit.

“Vitet e fundit kanë qenë sfidues për shkak të rënies së çmimeve të naftës”, thotë zv/Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum Albania”, Rob Carss. Ai shton se “Bankers” ka pasur një ecuri të mirë në 2015 dhe në 2016-ën, ka ruajtur stabilitetin financiar duke frenuar aktivitetin e tij me qëllim balancimin e shpenzimeve me flukset e të ardhurave.

4. Kurum International

Ndonëse tashmë është në proces falimentimi, prodhuesi i çelikut Kurum International renditet në vendin e pestë në 10 kompanitë më të mëdha për 2015-n. Kurum International (që përfshin aktivitetin e prodhimit të çelikut dhe të hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe HEC Ulëz e Shkopet) raportoi të ardhura prej 21.5 miliardë lekësh, me një rënie prej 13% me bazë vjetore. Kompania pa një përkeqësim të ndjeshëm të performancës, duke deklaruar një humbje prej 4.5 miliardë lekësh, nga fitimet prej 308 milionë lekësh vitin e mëparshëm. Në shkurt 2016, Kurum shpalli falimentin, duke cilësuar si faktorët kryesorë, sipas raportit në bilanc, rënien e sektorit të ndërtimit në vend, përkeqësimin e shpejtë të situatës në tregjet botërore të industrisë (tregjet e hekurit për ndërtim), situatën problematike të mëmës, ku Kurum San ve Dis Tic AS, si dhe Kurum Holding AS kanë vështirësi të mëdha në likuiditete dhe janë në proces për aplikim në gjykatat e Turqisë për faliment në formën e riorganizimit dhe strukturimit, si dhe mosrinovimin e linjës së kreditit nga bankat në Shqipëri. Ndërsa Kurum është në proces ristrukturimi, një tjetër sipërmarrje Albametal, që ka marrë një pjesë të aktivitetit të Kurum, është shfaqur në listën e më të mëdhenjve.

5. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH)

2015-a ka qenë viti i kompanive shtetërore të energjisë. Edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila tashmë administron vetëm asetet e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Drin, ka përmirësuar ndjeshëm performancën. Të ardhurat e saj u rritën me 25% në 20 miliardë lekë, duke e futur atë në 10 më të mëdhatë. Edhe rezultatet financiare u përmirësuan ndjeshëm, nga humbja prej 22.1 miliardë lekësh në 2014-n, në një fitim prej 1.4 miliardë lekësh në vitin 2015.

6. Europetrol Durrës Albania

Europetrol Durrës Albania, operatori i dytë më i madh i tregtimit të naftës në vend, ka vijuar të jetë në 10 më të mëdhenjtë. Kompania pa një rënie të të ardhurave me 5%, si dhe simotrat e tjera të fushës së hidrokarbureve, në 18.6 miliardë lekë.

7. Banka Kombëtare Tregtare

Banka Kombëtare Tregtare, prej disa vitesh është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 144 milionë dollarë (banka ka zgjedhur të raportojë bilancin në dollarë, pasi kapitali i saj zotërohet tërësisht nga investitorë ndërkombëtarë). Bazuar në kursin e këmbimit të fundit të vitit (1USD = 125.79 USD), të ardhurat e BKT ishin rreth 18 miliardë lekë në 2015-n. Banka ka një aktivitet të qëndrueshëm, ndërsa niveli i kredive të saj me probleme, është ndër më të ulëtit në sistem. “Viti 2015 ishte i veçantë, pasi shënoi 90-vjetorin tonë dhe ishte i suksesshëm për BKT-në në disa aspekte”, ka pohuar Flet z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare . “Së pari, BKT ka vazhduar të konsolidojë pozitën e saj si banka më e madhe në Shqipëri në totalin e aktiveve, depozitave, kredive me pakicë, fitim neto dhe të përfitueshmërisë, si dhe arritjen e statusit numër 1 në totalin e kredive. Pjesa jonë e përgjithshme e tregut dhe fitimi neto arritën në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, me 25.9% dhe 50 milionë dollarë, respektivisht. Së dyti, ne me sukses ulëm raportin tonë të kredive me probleme (bazuar në IFRS) në 5.9%, një nivel i cili është pothuajse sa një e treta e NPL-së të të gjithë sistemit bankar. Së treti, kemi zgjeruar numrin e degëve tona në 90. Nga ana tjetër, ne jemi shumë krenarë për punën mbresëlënëse të BKT-së në Kosovë në vitin 2015; Dega ka rritur fitimin e saj dhe pagoi taksën e korporatave për herë të parë që nga fillimi i saj në vitin 2007”, pohoi drejtori i BKT.

8. Genklaudis SH.A.

Genklaudis SH.A. është këtë vit operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia kaluar Everest Oil, që në 2015-n ka dalë nga lista e 10 më të mëdhenjve (në 2014-n ishte i shtati). Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 18 miliardë lekësh, me një rënie 3% me bazë vjetore.

9. Info Telecom

Info Telecom e krijuar 2009-n, shënoi rritjen e parë të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë. Në 2015-n, qarkullimi i saj vjetor ka arritur në 17.5 miliardë lekë, me rritje vjetore 11%, sipas bilancit të saj dhe punëson rreth 30 punonjës në fund të vitit 2015. Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, tranzitit kombëtar, tranzitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP dhe megjithëse rezulton me xhiron më të lartë nga të gjithë subjektet e licencuara nga ky institucion, çuditërisht, për të nuk ka asnjë referencë në raportimet periodike të AKEP në Parlament për aktivitetin e sektorit të telekomunikacioneve. Në fakt, më shumë se një aktivitet klasik në fushën e telekomunikacionit, kompania duket të jetë e specializuar në fushën e shërbimeve të tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare tek operatorë realë të telefonisë në vend dhe në vendet fqinje. Ajo ka siguruar 78.6 milionë lekë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike publike në Republikën e Shqipërisë, 8.8 miliardë lekë nga eksportet e shërbimeve dhe 8.6 miliardë lekë të ardhura të tjera (kundërparti për blerje me autofaturë), sipas deklarimeve në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Në 2015-n, Info Telecom ka arritur të ketë një xhiro vjetore më të lartë dhe se operatorët më të mëdhenj që ofrojnë shërbimin e telefonisë celulare Vodafone dhe Telecom Albania, duke dalë në vendin a parë ndërmjet subjekteve që ofrojnë shërbime telefonie.

10. Vodafone Albania

Vodafone Albania, operatori më i madh i telefonisë celulare në vend është renditur në vendin e 10, nga i 12-i që ishte një vit më parë. Por tashmë rezulton operatori i dytë i sektorit të telekomunikacionit në vend, i spostuar këtu prej Info Telecom. Kompania ka deklaruar në bilanc të ardhura totale (përfshirë të ardhurat e tjera nga interesat apo shitja e aparateve telefonikë) prej 15.8 miliardë lekësh, me një rënie prej 2% me bazë vjetore, pra rreth 1.6 miliardë lekë më pak se InfoTelecom.

Marrë me shkurtime nga Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje