“Rama dëshiron një Shqipëri tjetër, ndryshe, më të mirë sesa ajo për të cilën flet me krenari e dhimbje të jashtëzakonshme”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

rama kurbanNga Radivoj Cveticanin*

Edi Rama e shkroi librin “Kurbani” (botuar nga Samizdat, B92 / 2016) në vitin 2011, në fund të asaj vere kur, i shkëputur nga bota, kalonte një periudhë të vështirë, pas përballjes me disfatën që kishte pësuar në kandidimin për një mandat të katërt, nëse nuk gaboj, për kryetar bashkie të Tiranës. I paprekshëm për më shumë se një dekadë, i lëvduar e ngritur në qiell, i përmendur si gjeni i klasit ndërkombëtar, ai përfundoi i mundur keqas. Ashtu siç e përshkruan vetë në mënyrë të shkëlqyer, kur u largua nga bashkia, fituesit therën një qengj si kurban për fitoren. Ndërsa shkruante ato rreshta, gjurmët e gjakut ende s’ishin tharë dhe kur e përmendte këtë skenë, siç ndihet nga vetë libri, ajo i shtinte të dridhurat.

Çdo teoricien i mirëfilltë letërsie do të pohonte se kohë më të mirë sesa kjo për të, që të ulej e të shkruante, po të donte, nuk do kishte. E gjitha kjo vinte, duke qenë se: në themel të çdo disfate qëndron të qenit i sinqertë, si i vetmi shpëtim dhe, më pas, disfata nis e vepron kundër vetvetes. Krizat politike e njerëzore me të cilat përballej asaj vere ishin kthyer në aleatë të beftë, por të shkëlqyer. Në momentin që foli ashtu siç foli në këtë libër, prej disfatës dhe si rezultat i krizës, me një dozë të jashtëzakonshme sinqeriteti, ai pati mundësinë të triumfonte mbi të dyja në të njëjtën kohë.

Në realitetin e Shqipërisë, kjo do të ndodhte vetëm dy vite më pas, kur Rama të fitonte zgjedhjet, duke u bërë Kryeministër i Shqipërisë. Ai nuk shkruan për këtë në librin, “Kurbani”, ai aty merret me rënien nga pushteti në kryeqytetin e Shqipërisë, por, pikërisht, në këtë libër ai përgatitej për rikthimin. Kjo është mjaft tërheqëse në sipërfaqe, si edhe për qëllimin e tij për ta luajtur si letër të fortë. Të gjithë e dimë që Rama është piktor. (Dimë edhe që ky fakt e ka frymëzuar të lyejë fasadat e qytetit me ngjyra të shndritshme mesdhetare, duke e shndërruar Tiranën nga një vend gri, të zymtë e të pistë, qytet mbytës, në një mrekulli botërore.) Megjithatë, si piktor apo, duke folur më gjerësisht, si një artist që i hyri politikës, ai ishte i pakrahasueshëm, duke qenë se iu mbeti besnik instrumenteve artistike, i sigurt, sërish, se mund t’i përdorte për të përmbushur edhe objektivat politike. Mos mendoni se po flasim për manipulimin që e sjell artin në të tillë pozitë për t’u vënë në shërbim të politikës. Nuk ka aspak të bëjë me këtë. Në të kundërt, autonomia e tij nuk preket, por vepron në mënyra paradoksale, në sinergji me këtë disiplinë, që është armiku i tij i përjetshëm, vdekjeprurës. Rama arriti t’i bënte bashkë të dyja, hera-herës a përkohësisht, duke triumfuar kësisoj. Bogdan Bogdanoviçi ynë, edhe ai artist, si dhe dikur, po ashtu, kryetar bashkie i Beogradit, nuk pati kaq sukses. Ngjyrat e fasadave të Tiranës dëshmojnë suksesin e Ramës dhe ky libër, për të cilin po shkruaj, është, po aq, provë e suksesit të tij.

I mrekullueshmi, i pamposhturi art! Megjithatë, Rama e donte politikën, edhe kur ishte student në Akademi. (Atë e frymëzon erotizmi i të dyja profesioneve). Ai kërkonte gjithnjë nga politika, së paku, siç e dëshmon edhe vetë, të njëjtën gjë që kërkonte nga arti, të cilit i qe përkushtuar së pari: lirinë dhe të vërtetën. Tingëllon patetike, por, e parë nga të gjitha anët, ky është pikërisht thelbi. Sigurisht, nuk jemi më aq të rinj sa të mos të jemi të vetëdijshëm që edhe zullumqarët politikë flasin po njësoj për këto çështje. Megjithatë, ajo që e bën Ramën njërin prej atyre të cilëve duhet t’iu kushtojmë vëmendje nuk është fakti se ai i ka kthyer parimet e lirisë dhe së vërtetës në ideale, por se këto ideale i ka shndërruar në praktikë. Hera herës, kjo i ka kushtuar shumë. Dikur, i ati dhe i vëllai e patën gjetur një natë në një kanal, pranë pallatit ku banonin, mbuluar në gjak e të nxira, i rrahur nga një bandë e nxitur nga kundërshtarë politikë. Kështu ishte asokohe, kur hyri në politikë (kur, siç e thotë vetë, ndërroi kostumet dhe çorapeve vjollcë ua zunë vendin ato gri). Në kohën kur drejtonte tanimë Partinë Socialiste, doli të protestonte kundër qeverisë Berisha dhe, saktësisht në vitin vendimtar 2011, kur shkroi librin, ai u informua nga një ambasadë e huaj se kishte plane për ta vrarë. Nëse ju shkon mendja, qoftë edhe për një moment, harrojeni, ai nuk është një nga ata që të lë përshtypjen e njeriu paranojak. Në libër, këtë çështje e përshkruan më tepër me keqardhje, sesa me frikë.

Nuk i kam harruar lirinë dhe të vërtetën: Rama shkruan rreth kësaj në mënyrë krejt të veçantë. Askurrë nuk i percepton si diçka e palëvizshme dhe si dogma, por i sheh gjithnjë në lëvizje e transformim të përhershëm. “Kjo botë është vërtet e mrekullueshme”, thotë diku në libër në një moment, “pikërisht, se nuk na është dhënë përgjithmonë, ndaj historitë tona në këtë errësirë të thellë, ku e kemi të pamundur të gjejmë paqe, janë ende të hapura dhe të ndryshme pa fund”. Ai përdor këtë formulë, që gjendet lehtë mes ekzistencialistëve francezë, prej të cilëve, dukshëm, ka mësuar shumë ndërsa studionte në Paris, për ta perceptuar jetën si të tillë, po ashtu si dhe “hapësirën e kufizuar” të jetës politike, përfshi ish-miqtë e tij politikë, kundërshtarë të mëpasëm. Konkretisht, ai shpreh keqardhje ose jo për Ilir Metën dhe Fatos Nanon. Ajo çka, di pa asnjë dyshim, është se duhet ecur përpara. Më tej, mendoj se burimi i parimeve të tij morale në traditën shqiptare është shumë i rëndësishëm. Kur mori postin e kryetarit të bashkisë, shkoi në varrin e të atit dhe aty, i vetëm e në heshtje, u betua se do mbetej i ndershëm. (Ai na siguron se, dy breshka të dhuruara për të shëruar astmën, janë ryshfeti më i madh që ka pranuar ndonjëherë). Preferon gjithnjë të citojë gjyshen, më shumë se Veberin. Ai e percepton familjen e tij si boshtin e jetës. Nuk është, kësisoj, habi kur has fuqinë që buron prej faqeve të librit ku përshkruhet kurimi i djalit të tij 11-vjeçar, Gregut, nga kanceri. Diku tjetër, kjo do të përfundonte në melodramë, këtu mbetet vetëm dramë.

“Kurbani” është libër mbi çështjet e brendshme shqiptare. Rrallë përmenden të tjerët. Serbët përmenden tri herë saktësisht dhe vetëm përmes këtyre tri fjalëve: anëtarë të klanit të Zemunit, Arkani dhe stili i Milosheviçit. Në të tria herët, këtë e ka bërë pa asnjë konsideratë dashakeqe. Ai e përmend Milosheviçin përkrah njeriut që është personazhi dramatik i librit të tij: ky është Sali Berisha. Berisha, njëherë, mendoi të organizonte një kundërtubim dhe këtu e kujton Rama njeriun tonë. Kur lexoni librin e tij, është e vështirë ta perceptosh  Berishën tjetër përveçse një maskara të tërë. Ai personifikon enverizmin që hyri në epokën e re, një lloj amoraliteti, i cili tradhton gjithçka për levat e pushtetit. Mamaja e Ramës është mjeke dhe, po ashtu, edhe Berisha është mjek dhe ky politikan, që asokohe drejtonte shtetin, i bëri thirrje së ëmës nga foltorja e Parlamentit që të pranonte (“unë e ajo e dimë këtë, si kolegë”) se i biri është një abuzues në shtëpi, në rrugë, se ajo e kuronte nga skizofrenia dhe, në fund, se ai është – e çfarë tjetër – një burrë me preferenca homoseksuale. Rama jeton në këtë kazan që zien. Ai e përshkruan shpejt, pa ngurruar apo kthyer kokën pas, pa lënë askënd të hamendësojë. Me frikën se mos nuk do ketë kohë të na i thotë të gjitha, ai shkruan pa frymë, si një njeri që vrapon pas trenit në ikje. Kur ndalen rrëfimet, nisin kujtimet e, kur ato përfundojnë, zë fill pamfleti. Rama ndjek gjurmët e Zolasë dhe Krlezas, ai akuzon dhe ballafaqon në të njëjtën kohë. Faqet ku flet për gjendjen e qyteteve e vendbanimeve shqiptare janë mbresëlënëse. Ky nuk është thjesht përshkrimi i një shkatërrimi e mjerimi të përgjithshëm, është më shumë se kaq: përshkrim i një kataklizme në kalim, që ende nuk ka lundruar larg bregut të mrekullueshëm të detit Jon. Rama dëshiron, dhe pse të mos e besojmë, një Shqipëri tjetër, ndryshe, sigurisht, më të mirë sesa ajo për të cilën flet me krenari e dhimbje të jashtëzakonshme”./ *Gazetar serb dhe ish-ambasador

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

7 komente në ““Rama dëshiron një Shqipëri tjetër, ndryshe, më të mirë sesa ajo për të cilën flet me krenari e dhimbje të jashtëzakonshme””

  1. Epoka e Gurit none Shqiperi says:

    Ka shum te drejte, dhe kjo ska pse mos te ndodhe tani qe do marrim plehrat e botes, parcelat me droge dhe mundesisht Ilir Meten Kryedeputet a president.

  2. TJ says:

    Rama eshte nje nga ne! Eshte nje nga ne qe enderuam perendimin! Qe prisnim oren te degjonim “Zerin e Amerikes”! Eshte nje nga ne qe enderuam parajsen e demokracise te “lindur te vdekur” te pjelle nga Sal Ram Serbi Berisha! Nuk jam dakort me Ramen per shume gjera! Ashtu si Hitleri tha per Musolinin qe -Ai eshte i vetmi romak midis italianeve edhe une them Rama eshte me i miri mes qorrave shqiptare tip Berisha dhe Luli me PD te terhqur zvare! Me Mediun e Nardin apo me Ballin tradhetar apo me zogistet shites te atdheut! Pra cfere mendoj Rama eshte i vetmi ne historine shqiptare qe po mundoht te beje nje shtet te se drejtes! Por kuptohet nuk eshte elehte te kesh armiq te shqiptareve si Berisha i lidhur shume me serbet! Sigurisht nuk eshte e lehte perkundrazi eshte teper e veshtire! Bisha Berisha po lufton me te gjitha mjetet ta sabotoje kete shtetberje te Rames! Le te presim dhe me ndihmen e Amerikes dhe Europes te fitojme kunder reaksionit berishian!

    1. Plehrat te bojne Mire says:

      Mire e ke ti pseudonims, po kjo deshire e Rames per Shqiperi me plehra si e shpjegon, apo je dhe ti nga ata bandite qe mbetjet toksike do ti bejne mire Shqiperise dhe ne jemi te zotet ti riciklojme me mire se Italia?? Nje Lazarat kishim, tani gjithe Shqiperia eshte Lazarat, si shpjegohet zoteri?

  3. Qifi says:

    Rama e do shqiperine si kolumbia, l pa pune njerez te ndershem dhe profesioniste, shkaterroi gjithe vlerat morale dhe njerezore. Mbi te gjitha bordelizoi shpresen e njerezve qe i besuan.

  4. Olta says:

    Uau, cfare analize! E mrekullueshme. Me ka lene pa fjale. Bravo:)

  5. lili says:

    Une them Rama ka IDE te mira edhe eshte njeri qe sigurisht kerkonte te miren per Shqiperine,po ai nuk gjeti apo nuk deshti me gjetur njereze qe kete perkushtim per nje rilindje t’a jetesojne:zgodhi idiote,pa formim, e te korruptueshme ..edhe ne vend te nje rilindje perfunduam tek plehrat kudo ne kete qeveri!E per kete vete ai ka faj,pse nuk diti me zgedh pertej te majtes e te djathese,njereze ma te mire se kallamjete e qeverise se tij..edhe kur po shihet ashiqare deshtimi i tyre ai i mban ne post vetem mos te pranoje se zgedhja e tij nuk ishte ajo ma e mirâ.Nuk duhet cdo here deshtimin me lane jetim: po shihet ku jane sukseset e ku jane deshtimet ashiqare,pra nuk duhet kembngull’ se jam i pagabueshme ne zgedhjet e mia’o zotni kryeminister…Cdo qeveri ne bote riformatohet per te arritur ma mire gjerat,me a pa sukses po bile mundohet me u permiresuar e rinovohet e nuk kembngull ne deshtimin e saj.

  6. xhemal says:

    nihilistet te mos festojne rama p.o. ben gjera te Mira e frutet duhet te Piqen per ti ngrene

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *