Dom Ernest Troshani, Kardinali shqiptar që përloti Papën

17 Tetor 2016, 19:27Sociale TEMA

Shqipëria e priti me gëzim lajmin se Papa Françesku ka zgjedhur një Kardinal shqiptar. Dom Ernest Troshani është i dyti Kardinal nga vendi ynë që përzgjidhet nga Vatikani. I pari në histori ka qenë Mikel Koliqi.

Me një dashuri dhe besim të pakushtëzuar ndaj Zotit, 88-vjeçari të gjithë jetën e tij ja ka dedikuar kishës dhe komunitetit të Shkodrës.

10 kilometra larg qytetit veriperëndimor gjendet fshati Barbullush, ku Dom Ernesti kryen lutjet e përditshme për njerëzit dhe nevojtarët që kërkojnë qetësi te Zoti. Modestia dhe pozitiviteti vihen re lehtë te Kardinali i sapo shpallur. Ai e mban mend mirë takimin me Papën, nga i cili mori më pas urimin, i cili ishte sinjali i parë për lajmin e mirë.

Ai qëndron çdo ditë pranë njerëzve në nevojë, lutet për ta dhe i ndihmon sa do pak për problemet e tyre.

Jeta e Kardinalit shqiptar nuk ka qenë e lehtë. Një Meshë në vitin 1963 për ish Presidentin amerikan John F. Kennedy e burgosi për 25 vite, nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit komunist. Vetëm në vitin 1990, Dom Ernesti mundi të vendoste kontaktet me Vatikanin e të vazhdonte misionin e tij në Kishën e Barbullushit. Sot, i gjithë komuniteti është Krenar që nga ky fshat i vogël ka dalë një Kardinal i madh, i cili nuk u përkul kurrë përpara vështirësive.

Kardinali i dytë shqiptar, Dom Ernest Troshani ishte i ftuar në “Pasdite në Top Channel”, ku u shpreh se për të ishte krejt e papritur marrja e lajmit të madh nga Papa Françesku.

“Kur mora vesh lajmin isha në Itali dhe nuk po u besoja syve dhe veshëve. Ishte krejt e papritur për mua. Nuk është që titull që më jepet vetëm mua, por është një titull për të gjithë shqiptarët. Kardinalët në botë janë të rrallë, aq më pak që Shqipëria është një vend i vogël, por Papa ka një simpati të madhe për këtë popull”, shprehet Dom Ernest Troshani.

Kardinali i dytë shqiptar shprehet se ka marrë urime të shumta nga kardinalë të tjerë dhe njerëz të rëndësishëm.

Shqiptarët e mbajnë mend vizitën e Papa Françeskut pak kohë më parë. Dom Ernest Troshani njihet edhe si njeriu që përloti Papën.

Dom Ernest Troshani tregon se çfarë bisedoi me Papa Françeskun.

“U caktova pasi isha i vetmi meshtar i mbetur nga koha e Partisë Komuniste. I fola dy fjalë për të reflektuar të kaluarën. Ne jemi për dashuri të pamatur, në kuptimin hyjnor. Edhe kardinalët e tjerë u përmalluan. Doja t’i puthja dorën, por ai nuk më la. Më pas mbeta, ndërsa ai u emocionua”,u shpreh Kardinali shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje