Konkurrenti i Kroacisë për Oskar, një histori dashurie dhe lufte

18 Tetor 2016, 18:13Kulturë TEMA

Një telefonatë nga një kriminel lufte ndryshon jetët e dy njerëzve në një film me regji të kroatit Zrinko Ogresta, i cili tregon mbi impaktin e vazhdueshëm të konfliktit të viteve 1990 në marrëdhëniet njerëzore.

Nga Sven Milekic  

Me filmin e tij të fundit artistik, “S një Strane” (“Në anën tjetër”), i cili është përzgjedhur si konkurrent i Kroacisë për Oskar, regjisori 58-vjeçar Zrinko Ogresta tregon si e kaluara e kohës së luftës ende mund të ketë një impakt të tepër të rëndësishëm në marrëdhëniet në të tashme.

Filmi fokusohet në infermieren në mesomoshë Vesna dhe dy fëmijët e saj të rritur, e cila u largua nga qyteti qendror kroat i Sisakut, gjatë luftës në vitet 1990 në mënyrë që të fillonte jetën nga e para dhe të merrte veten nga traumat që po kalonte familja.

Gjatë luftës, Sisaku ishte në frontin e luftës midis forcave kroate në njërën anë dhe Ushtrisë Popullore Jugosllave, JNA, dhe rebelëve serbë të Kroacisë në anën tjetër.

Historia përqendrohet në momentin kur Vesna merr një telefonatë nga ish-bashkëshorti i saj Zarko, një ish-oficer i JNA-së, i cili ka qenë në burg pasi u dënua për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Drama – një histori dashurie dhe marrëdhëniesh të trazuara – është nominuar nga Shoqata Kroate e Punëtorëve të Filmit si konkurrente e vendit për kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj për çmimet Oskar të vitit 2017.

Kjo është hera e tretë që Ogresta është propozuar për një çmim Oskar, pas nominimeve kroate për “Isprani ‘(“I lodhur”) dhe “Crvena prasina” (“Pluhur i kuq”). Ai është i njohur edhe për filmat si “Krhotine” (“Fragmente”), “Tu” (“Këtu”), “Iza Stakla” (“Pas xhamit”) dhe “Projekcije” (“Projeksionet”).

A është ky, siç mund të sugjerohet nga vetë titulli i filmit, një prezantim i një tjetër perspektive të luftës së viteve 1990 që ndonjëherë mungon në filmat kroatë? Patët sukses në planin tuaj, siç thatë edhe në një intervistë të mëparshme, që të shkoni përtej stereotipit të një regjisori kroat apo serb që etiketohet si “kroat” dhe “serb” dhe prandaj filmat e tyre shihen si tregime kombëtare të përjetësuara mbi luftën e viteve 1990?

“Nëse ia dola mbanë apo jo, kjo do të vlerësohet nga ata që shikojnë filmin, jo nga unë, që e krijova. Gjithsesi, kam kërkuar aq shumë sa kam mundur, dhe për aq sa është e mundur njerëzisht, të dal nga një pozicion shumë subjektiv, që është, kur konteksti në të cilin je rritur përcaktohet nga fakti që unë jam një kroat, prandaj një person që është sulmuar në fillim të viteve 1990. U përpoqa që ky film të mos e përcaktojë filmin tim, gjë e cila ka ndodhur përgjithësisht me filmat që janë bërë në këtë rajon, të cilët në mënyrë direkte ose indirekte trajtonin këtë periudhë. Unë u përpoqa të isha “thjesht një njeri” në film dhe të vija në pikëpyetje çdo gjë nga ky pozicion themelor.”

Në këtë kuptim, a po përpiqet filmi juaj të tregojë perspektiva të shumta apo të vërteta, dhe a duhet të lëmë ne mënjanë objektivitetin dhe të këmbëngulim më shumë për të qenë korrekt apo të tregojmë në mënyrë korrekte pozicionet e njerëzve të tjerë apo të vërtetat ndërkohë që pranojmë faktet?

“Unë nuk do ta përkrahja shumë të ashtuquajturën “korrektësi”. Kam frikë se korrektësia nënkupton një kompromis, i cili nuk është kurrë i mirë kur bën art. Unë përkrah të kuptuarit dhe që të kuptojmë, ne duhet të pranojmë ta vëmë veten në vend të njerëzve të tjerë.”

Mendon se lufta e vitit 1990 dhe trashëgimia e saj është ende një temë e rëndësishme në filmat kroatë, edhe në kontekstin e një historie mbi dashurinë?

“Sigurisht. Më duket totalisht e papranueshme, madje e papjekur, kërkesa nga ata njerëz që thonë “mjaft i trajtuat këto tema”. Sigurisht, krijuesit duhet të trajtojnë të gjitha temat e mundshme që përcaktojnë në thelb jetët e miliona njerëzve dhe fëmijëve të tyre në një farë mase. Prandaj, është krejtësisht normale që sot ne po trajtojmë tema që për shembull kanë lidhje me Luftën e Dytë Botërore ose Luftën  e Vietnamit.”

Sipas mendimit tuaj, a ka filmi juaj potencial për të qenë një pjesë e procesit të përballjes informale me të kaluarën?

“Do të doja që një potencial i tillë të ekzistonte në filmin tim.”

A ka ndonjë arsye specifike se Sisaku u zgjodh si qyteti ku familja në film jetonte para luftës?

“Po, ka.  Në këtë qytet, me një shumicë popullsie kroate, jetonte një numër i konsiderueshëm serbësh. Përveç kësaj, në atë qytet jetonin edhe disa oficerë të JNA-së, të cilët kryesisht kishin kombësi serbe. Zarko nga filmi im është një person i tillë.”

Çfarë temash të tjera në lidhje me luftën në Kroaci, përveç pasojave të saj, mendon se duhet të trajtohen nëpër filma?

“Ka një numër të madh temash dhe situatash dramatike. Një nga më kreativët është padyshim Spitali i Vukovarit (prej nga pacientët dhe të burgosurit e luftës janë marrë dhe ekzekutuar në nëntor 1991). Megjithatë, kam frikë se për një temë të tillë, është e vështirë të gjesh një shkrimtar me të cilin do të zhvilloja një skenar që do të shmangte të gjitha kurthet e gjërave dhe banaliteteve të njohura.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje