Ronaldo: Me gruan që kishte Figo, edhe unë rrija në shtëpi

18 Tetor 2016, 18:35Sport TEMA

Ronaldo, braziliani, që njihet ndryshe “Fenomeni”, ka dhënë një intervistë shumë pikante për “Radio Onda Cero” në Spanjë, duke rrëfyer disa nga “bëmat” e karrierës së tij. Veç të tjerash, ai ka folur edhe për dy trajnerë mjaft të njohur, si Sacchi dhe Capello. “Dy herë brenda një jave mbërrita me vonesë në stërvitje te Reali dhe Sacchi, herën e parë më mbajti leksion15 minuta e më gjobiti, ndërsa herën e dytë e ndala dhe i thashë: ose më bërtit, ose më gjobit. Capello? Nuk ishte shumë i shkathët, por e zgjedh si një ndër trajnerët e mi më të mirë”.

Më pas nuk kishte si të mungonte një shpjegim edhe për jetën e natës, ku ka spikatur kampioni i botës me Brazilin: “Florentino më tha të mos dilja aq shpesh, duke më dhënë si shembull Figon. I thashë presidentit se, me atë bashkëshorte që kishte Figo, edhe unë do të qëndroja më shumë në shtëpi”. Në fakt, Ronaldo është një minierë anekdotash dhe çdo herë që flet, nxjerr perla nga goja e tij. Ai e bëri këtë edhe në “Radio Onda Cero”, në shoqërinë e patriotit të tij, Roberto Carlos. “Fenomeni” u ndal te trajnimi:

“Në 10 vitet e para të karrierës jam trajnuar shumë keq, në mënyrën e gabuar. Shumë herë kam pasur zili të konkuroj si Roberto Carlos dhe Cafu, por nuk kisha mundësi për shkak të lëndimeve në trajnim. Lëndimet e mia ishin të rënda. Në ndalesën e parë kam qëndruar një vit e katër muaj larg fushave, në herën e dytë një vit e dy muaj. Ishin dy lëndime shumë të vështirë, nuk kishte asnjë precedent te lojtarë të tjerë futbolli. Askush nuk dinte si t’i kuronte ato. Megjithatë, kam ngulmuar për t’u rikthyer përsëri, sepse futbolli ka qenë jeta ime.”

Lidhur me “Botërorin 1998”, Ronaldo, ndër të tjera, kthehet te sëmundja që kishte në prag të finales kundër Francës: “Roberto Carlos më ka shpëtuar mua, – pranon Ronnie. – Kishte kaluar mesnata, ne ishim në dhomë dhe po bëheshim gati për të fjetur. Në një moment kam pasur konvulsione të dhunshme dhe humba vetëdijen përreth 30 sekonda. Roberto më ka shkundur në fillim, para se mjekët e kombëtares të më jepnin ndihmë e duhur.”/ Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje