Paradoksi i mbështetjes së Perëndimit për “Kumbarin” e Malit të Zi

21 Tetor 2016, 18:54Rajoni TEMA

Duke vazhduar mbështetjen e Milo Djukanoviç, Perëndimi dhe BE-ja rrezikojnë të bien në kurthin e zgjedhjes së stabilitetit në kurriz demokracisë – dhe të diskreditojnë vlerat që ato thonë se mbartin.

Nga Florian Bieber

Të dielën e shkuar, Milo Djukanoviç fitoi zgjedhjet e tij të nënta parlamentare dhe konsolidoi reputacionin si i mbijetuari më i fundit jo vetëm i Ballkanit, por edhe i politikës europiane. Vetëm mbretërit dhe mbretëreshat dhe despotët e Azisë Qendrore mund të krahasohen me jetëgjatësinë e tij.

Ai erdhi në pushtet në ditët e fundit të Jugosllavisë Socialiste dhe ka sunduar formalisht dhe informalisht që atëherë, duke i mbijetuar 11 kryeministrave dhe 4 presidentëve në Serbinë fqinje, pa përmendur që e ka drejtuar Malin e Zi përgjatë katër formave të ndryshme shtetërore, së pari në Jugosllavinë Socialiste, pastaj në Republikën Federale të Jugosllavisë, pasuar nga Bashkimi Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi dhe së fundmi si shtet malazez i pavarur.

Ka një paradoks të madh në lidhje me suksesin e tij dhe të partisë së tij. Fitorja e tij më e fundit [relative] u prit me urime dhe mesazhe mbështetjeje nga mbrojtës të integrimit të NATO-s, ndërsa titujt e lajmeve shpallën fitoren e një kandidati “pro-Perëndimor”.

Njëkohësisht, pati problematika të rënda në procesin zgjedhor. Ministri i brendshëm, i nxitur nga opizta dhe shoqëria civile, refuzoi të nënshkruajë listën zgjedhore; OJQ-të thanë se lista përmbante shumë votues të vdekur duke lejuar lehtësisht manipulimin.

Për më tepër politizimi i administratës publike nënkupton që punonjësit civilë janë “inkurajuar” të votojnë për partinë në qeveri, një fenomen i përhapur në rajon, që i çon rezultatet e zgjedhjeve në favor të qeverisë.

Megjithatë, Djukanoviç e kuptoi më mirë dhe më herët se kushdo lider tjetër politik në rajon se për të fituar dhe për të mbajtur pushtetin në Ballkan, duhet gjithashtu të kesh njohje nga “Perëndimi”. Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka marrë të njëjtën rrugë, megjithëse një dekadë më vonë.

Në zgjedhje të ndryshme, Djuaknoviç ka mundur ta shfaqë veten si “e keqja më e vogël”, duke mbështetur politikat pro-perëndimore që gjithashtu e kanë ndihmuar atë të konsolidojë pushtetin në atdhe. Kështu, ai u nda me Sllobodan Millosheviçin në 1997 kur besoi se autokrati serb kishte marrë fund. Ai rezultoi të kishte të drejtë, megjithëse veproi pak më shpejt.

Më pas ai vuri bast te pavarësia pas vitit 2000, fillimisht pa mbështetjen e Perëndimit, por në 2005 pavarësia u bë e pranueshme.

Duke ndjekur politikat perëndimore, si njohja e Kosovës në 2008 dhe imponimi i sanksioneve mbi Rusinë së fundmi, qeveria e tij e ka gjetur veten vazhdimisht jo vetëm në “anën e duhur”, por gjithashtu mënjanuar opozitën.

Për shembull, zgjedhjet aktuale gjithashtu u luftuan në kurriz të NATO-s, që e ftoi Malin e Zi t’i anëtarësohej më herët këtë vit.

Me pjesë të opozitës që e kundërshtonin anëtarësimin dhe të tjerët që kërkonin një referendum që mund të dështonte, basti “i sigurt” për anëtarësimin në NATO ishte Djukanoviç.

Duke e paraqitur veten si miku më i mirë i “Perëndimit”, opozita e pati të vështirë të ndjekë një linjë reformiste pro-perëndimore.

Në vend të kësaj, ajo është ndarë që prej shfaqjes në vitet 1990 mes një pikëpamjeje konservative nacionaliste serbe që mbështet lidhje më të afërta me Rusinë, refuzon NATO-n dhe anëtarësimin në BE dhe përmes një krahu reformist që do të demokratizojë vendin. Ata kanë qenë partnerë me probleme në rastin më të mirë dhe kanë pasur mosmarrëveshje në rastin më të keq.

Nuk është çudi, për këtë arsye, që pas dekadash në opozitë dhe me orientime kaq të ndryshme, opozita është ndarë tani në dhjetëra parti, duke krijuar normën më të lartë të partive parlamentare për frymë krahasuar me çdo vend të rajonit.

Kontrasti i çuditshëm, i autokratit pro-perëndim kundrejt një opozite pro-ruse, u bë i dukshëm gjatë protestave anti-qeveritare vitin e shkuar në shtator dhe tetor.

Nxitja për demonstratat nga pjesë të opozitës ishte një bllokim i parlamentit ndaj deputetëve të opozitës në shtator 2015, nxitur nga grindja mbi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, të cilin pjesë të opozitës e refuzonin.

Protestat përshkallëzuan në dhunë në tetor 2015, megjithatë në një rol të përmbysur, media ruse dhe ajo pro-ruse i përshkroi protestat si një revoltë kundër një diktatori të urryer ndërsa disa media perëndimore paralajmëruan infiltrimin e Rusisë dhe rritjen e ndikimit të saj në Malin e Zi.

Ngjashmërisht, në ditën e zgjedhjeve, kur policia e Malit të Zi arrestoi 20 “terroristë” serbë, duke i akuzuar ata për komplot me politikanët e paarmatosur të opozitës për të marrë me forcë pushtetin, qeveria dhe media e saj e portretizoi atë si pjesë të një kërcënimi serb-rus kundër regjimit, ashtu sikurse qeveria maqedonase bëri me kërcënimin e terroristëve shqiptarë në Kumanovë në 2015 duke e quajtur atë protestë kundër qeverisë.

Ndërsa Rusia është padyshim e lumtur të pengojë pranimin e Malit të Zi në NATO dhe ka gjetur aleatë të gatshëëm mes partive opozitare, një Perëndim që vazhdon të mbështesë Djukanoviç do të binte në një kurth stabiliteti-kundër-demokracisë.

Shumica e reformave në vend janë sipërfaqësore dhe lehtësisht të anashkalueshme nga mekanizmat informal të pushtetit në një sistem të kontrolluar nga Djukanoviç – të cilin një artikull i SëissNeue Zürcher Zeitung e quajti me vend “Kumbarin e Podgoricës”.

Ndërsa Mali i Zi formalisht ka bërë progres drejt pranimit në BE, ky ka qenë më tepër rezultat i një morie rrethanash sesa një zotim i pastër për reforma: Komisioni Europian e pa Malin e Zi si një mjet për ta mbajtur procesin e pranimit në vazhdim pas anëtarësimit të Kroacisë në BE në 2013 dhe qeveria malazeze ka qenë e zonja të përmbushë kriterin formal.

Ende, Mali i Zi është veçse më i shquari mes shumë vendeve që kanë sajuar reforma për vite dhe shpërblimi i kësaj politike mbart rrezikun jo vetëm të mbajtjes në pushtet të sunduesve autokratikë, por edhe të kundërvënies së atyre që e shohin BE-në si një mjet për të promovuar reforma të pavarura, siç argumentojmë në analizën tonë të fundit BiEPAG.

Nëse mbështetja për qeveritë në Ballkanin Perëndimor bazohet mbi stabilitetin që ato ofrojnë dhe mbi politikat e tyre pro-perëndimore, pavarësisht qeverisjes që shfaqin në vend, idetë e zgjerimit të BE-së dhe vlerat e përbashkëta kanë vdekur – dhe vendet e Ballkanit janë veçse gurë në një lojë më të madhe që ka pak gjasa t’i sjellë përfitim shtetasve të këtyre vendeve.

Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e BIRN.

2 komente në “Paradoksi i mbështetjes së Perëndimit për “Kumbarin” e Malit të Zi”

  1. Votimi says:

    O analfabet , Gjukanovoqi i ka fituar votat dhe e perfaqeson Malin e Zi.

    Pik.

  2. Tqifshabirnin says:

    Nuk eshte kurfar paradoksi. Sepse perendimi e perkrah te zgjedhurin me vota te lira. Por ju te birnit lypniqinone shum sepse je proshkavella te medhej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje