Tresh me jek, Rama e tre burra që nuk luajnë tavëll

rama-ne-pd (1)Nga Lorenc Vangjeli

Situata e krijuar është qesharake. Mjaftoi një foto me një të majtë në mes dhe tre të djathtë përballë dhe anash, për të krijuar zhurmë dhe potere, moral nga politikanët dhe politikë nga moralistët, zë nga memecët dhe monolog anonim për shurdhët. E gjithë histeria serioze në këtë histori qesharake nuk ka të bëjë direkt me personazhet e përfshirë në të. Aq më pak me ta. Ajo ka të bëjë me komentet e bëra mbi ta, për ta dhe komentet e pabesueshme të bëra nga ata vetë. Eshtë e pabesueshme të shihet se me çfarë serioziteti u derdh naivitet me okë, u bënë sulme me pashë dhe u përdor interneti tërësisht i pafajshëm për të ndarë fajtorë, mëkate, skena dhe prapaskena për një histori që dikur, para shpikjes së internetit, do t’i thoshin shkurt, shpejt dhe shterrshëm: vari qillon!

Kryeministri i vendit dhe tre deputetë të PD-së u gjendën bashkë në institucionin e shenjtë e kombëtar shqiptar: në Kafe. Rama ishte ngritur nga karrigia e tij dhe kishte deklamuar në foltore një herë e dy, ishte tallur tre herë e katër, kishte ironizuar pesë herë e gjashtë kundërshtarët e tij në parlament dhe herën e shtatë nga foltorja ishte nisur drejt kafes së parlamentit. Në një nga tryezat e fundit sheh tre deputetë të PD-së, njëri nga të cilët në shkelje të plotë të ligjit që ndalon pirjen e duhanit në vende publike, pinte duhan edhe mendueshëm, edhe në heshtje. Në fakt nuk ka folur pothuaj kurrë në parlament. Me dy deputetët e tjerë, Boçi e Dogjani, vetëm pak minuta më parë Rama kishte shkëmbyer replika, akuza dhe ironi të ndërsjelltë. Siç ndodh rëndom në seancat parlamentare. Dhe çfarë është e zakonshme, nuk përbën fare lajm. Çfarë Edi i tha Luçianos apo çfarë Rama ju përgjigj Dogjanit, kjo u transmetua direkt dhe ishte një gjë që ka ndodhur me dhjetra herë e nuk prodhoi aspak kuriozitet. Lajmi i vërtetë dje u prodhua në dy faza dhe pikërisht aty ku nuk ka kamera. Faza e parë kishte të bënte me botimin e fotos që i tregon të katërt së bashku në institucionin kafe, në reagimin e rrjeteve sociale dhe më pas, në reagimin në vetë të parë të dy deputetëve të opozitës. Reagim që shpjegon qëndrimin e tyre ndaj institucionit kafe, me pjesmarrjen e drejtuesit të qeverisë shqiptare.

Në rastin e parë, më së shumti komentet ishin të prirur të “gjenin” një shembull tjetër të “hipokrizisë” politike. Domethënë, shahen në publik, por në kafe janë të pajtuar dhe janë miq. Jo se nuk ndodh edhe kështu, por ky nuk ishte fare rasti që do ta vërtetonte një gjë të tillë. Gjesti i kryeministrit është me të gjitha gjasat një nga ato provokimet e vogla e patëkeq që Rama i ka pafund qejf e natyrë vetjake dhe që i japin kënaqësi kur vë ndokënd në siklet, qoftë dhe për pak çaste. Kur bën “provokacija” në Beograd, në Tiranë është ku më ku më e lehtë dhe më zbavitëse. Dhe të enjten nuk mund të kishte zgjedhur tavolinë më interesante për ta ushtruar këtë “provokacijen” sesa tryezën me dy deputetë opozitarë me të cilët sapo kishte replikuar në sallë. Edhe sikur të ishte kështu, nuk do të kishte pikën e rëndësisë dhe nuk do të shtonte një pikë ujë më shumë në oqeanin e bindjes së thellë publike: “Se ata bëjnë sikur zihen, por janë bashkë gjithmonë. Dhe se asgjë nuk duhet marrë seriozisht në këtë vend”!

Gjesti i Ramës me këta tre deputetë, pothuaj me garanci të plotë, nuk është verifikim i rradhës i kësaj bindjeje. Po me garanci pothuaj të plotë, Rama dhe tre deputetët e PD-së nuk kanë asnjë lidhje tjetër me njëri-tjetrin përveçse të qenurit nën një çati në sallën e seancave plenare.

Në rastin e dytë lajmi u prodhua nga komentet e vetë deputetëve opozitarë. Edhe Dogjani, edhe Boçi reaguan njëri mbas tjetrit në të njëjtën formë. Me sinqeritet të plotë. Duke thënë, me të gjitha gjasat, edhe njëri, edhe tjetri, të vërtetën vetjake, të trishtuar e të plotë.

Luçiano Boçi, një nga deputetët e paktë elokuentë e të ekuilibruar në parlament, nxitoi të komentojë në Facebook komentet për foton. “Më ka dehur tek ajo liria e fjalës dhe shprehja e plotë e personalitetit të çdonjërit. Për këtë e kam dashuruar, e dua dhe e kam zgjedhur që në fillimet e saj”. Ja thotë ndonjë vajze këtë frazë të ndjerë, gjysëm poetike e gjysëm prozaike, në tokën e “puçi-puçit” të Facebook-ut? Jo! Personazhi që po i drejtohet deputeti nuk është njeri. Eshtë parti. Eshtë Partia Demokratike. Dhe sipas ligjit themelor në arkitekturë që thotë se ku ka dritë më të fortë, del dhe hija më e fortë, Boçi nga dashuria për partinë shkon në kahun e kundërt për të shpjeguar ndjenjën e tij për Ramën që është: “Politikisht “armiku” i tij i betuar”, të cilin ai e sheh si “…një mesoburrë me mijëra defekte dhe jo defekte”. Dhe për të justitifikuar praninë e Ramës në tavolinën e kafes, ai thërret në apel kanunin që thotë se në rastet kur të gjendet armiku tek dera: “…edhe hasmit i thuhet bujrum”!

Deputeti tjetër Dogjani është më i drejtpërdrejtë. Ai thotë se kryeministri ishte i PAFTUAR (e shkruan me gërma kapitale statusin e Ramës në institucionin kafe) dhe se i kishte përmendur atij të njëjtat gjëra që kishte thënë dhe në sallë brenda. Pra, Cannabis-in në shkollën e Paskuqanit dhe universitetin e Kukësit. Uke dëshmuar kështu se është njëlloj si para, ashtu dhe në mungesë të kamerave. Dhe se me Ramën nuk ka asnjë kompromis.

Vetë Rama nuk ka folur ende, por edhe nëse e bën, do të përdorë metodologjinë e tij të zakonshme të talljes dhe ironisë. Me qejfin e patëkeq për të krijuar ca siklete më shumë tek kundërshtarët e tij. Aq më tepër që topin ja kanë ngritur vetë deputetët që në mënyrë të çuditshme u kompleksuan nga një foto e vetme. Dhe fatkeqësisht ky është kompleksi ynë i madh politik: Vëzhgimi i kundërshtarit politik në raportin mes armikut e armikut, mes gjahut dhe gjahtarit, maces dhe miut, ujkut dhe dhisë, dhisë dhe lakrës, dhëmbit dhe arrës dhe anasjelltas. Çfarë duhet të ishte e zakonshme, çfarë duhet të ishte normale, çfarë duhet të ishte rregull – komunikimi i zakonshëm, normal dhe i rregullt në politikë – ngjan tërësisht përjashtim dhe duket si një mëkat i kobshëm. Ndoshta demokracia në Shqipëri, si një “lojë” e logjikës njerëzore që thërret shpesh nën armë edhe emocionet, nuk është thjesht e brishtë. Eshtë primitive. Eshtë një teatër në të cilin nuk e kanë fajin spektatorët për cilësinë e shfaqjes. Por as Rama “provokacija” si kryeministër, as Boçi e Dogjani si deputetë luftarakë të opozitës dhe as Bedriu i heshtur me cigare, natyrisht që nuk kanë faj. Osht’ si puna e zarit n’tavëll, thon’ n’Tiron: “I do b..tha vjen, si do b..tha, s’vjen!”. (Javanews.al)

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Tresh me jek, Rama e tre burra që nuk luajnë tavëll”

  1. TJ says:

    Ka nje emer! Ka nje emer qe eshte kthyer ne emrin me te urryer ne Shqiperi dhe nder shqiptare! Eshte nje njeri nga profesioni doktor por nga zemra kriminel! Ka nje njeri qe ka kete emer dhe qe ka genjyer,vjedhur,vrare ne bulevard njerez me duar ne xhepa,,tradhetuar e shitur Shqiperine! Ka nje emer te tille nje baba, qe i biri ka vrare 26 vete edhe femije! Eshte ky njeri qe eshte gati t’i vere flaken Shqiperise si ne 96-97! Por harron se koha po e harron dalngadale!

    1. Plaku Xhuxhumaku says:

      Me fal or zoteri, koha e ka harruar tashme, po ti perse e kujton?

  2. lili says:

    O shqiptare,mesoni pa respektin per njeri tjetrin: ne gjithe boten deputetet fjalosen ne foltore po diskutojne bashke edhe pershendetin: ne bile duhet t’i detyrojme ta bejne se névé na perfasojne:dmth ne na pershendetin…Pra cdo gje eshte OK ku vert et truite i Kane per ne e kjo per pazar privat!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *