Marotta zbulon detajet e shitjes së Pogba-së

25 Tetor 2016, 20:11Sport TEMA

Transferimi i yllit Paul Pogba nga Juventusi te Manchester United ishte “hiti” i verës që lamë pas. Francezi është lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Si rrjedhojë, menaxheri i mesfushorit, Mino Raiola, pati një fitim të majmë për realizimin e marrëveshjes spektakolare të arritur me shumë peripeci e spekulime. Shumën e ka zbuluar menaxheri i përgjithshëm i “Zonjës së vjetër”, Giuseppe Marotta: janë 27 milionë euro! United pagoi 105 milionë euro dhe shifra e plotë e transferimit mund të shkojë deri në 110 milionë euro. Kjo do të thotë se klubi bardhezi ka përfituar 72 milionë euro.

“Ne e morëm Pogba-në nga Manchester United në fund të kontratës së tij për 1.5 milionë euro, që të mos lejonim klubet e tjera angleze të nisnin një procedurë ligjore që mund ta kishte vonuar regjistrimin e tij”, – tha Marotta në asamblenë e përvitshme të klubit. “Marrëveshja me lojtarin përfshiu një numër kostosh për aktivitetet e mbajtura nga agjentët dhe këshilltarët. Pas katër vitesh te ne, ai vendosi të rikthehej në Angli. Ai donte të shkonte me çdo kosto dhe jo vetëm për paratë. Ne edhe mund t’ia plotësonim kërkesat financiare, por kjo nuk do të mbante qetë dhomat e zhveshjes”, – shpjegoi më tej ai.

Marotta zbuloi në detaje sa ka fituar Juventusi duke shitur një yll të klasit botëror si Pogba. “Ne fituam 105 milionë euro nga shitja e tij, plus 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh, të përcaktuara me një klauzolë, sipas së cilës kjo shumë kalon në arkën e klubit tonë nëse ai firmos një kontratë të re te United ose shitet për më shumë se 50 milionë euro. Fitimi është 95 milionë euro, nga të cilat 27 milionë euro do t’i paguhen agjentit Mino Raiola dhe kompanisë së tij. Fitimi neto nga Pogba për ne është 72 milionë euro“, – përfundoi numri 2 i kampionëve të Italisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje