Italia tronditet nga tërmete 5,4 dhe 6,3 ballë, 2 të plagosur, shemben disa ndërtesa. Ambasada shqiptare numër në dispozicion

26 Tetor 2016, 23:58Rajoni TEMA

Italia është tronditur nga një seri tërmetesh mbrëmjen e sotme. Tërmeti i parë me magnitudë 5,4 ballë i shkallës Rihter u regjistrua në orën 19:11 dhe e kishte epiqendrën në Italinë qendrore, konkretisht në provincën Macerata, dhe lëkundjet janë ndjerë edhe në Romë,  L’Aquila, Perugia dhe Terni.

Mediat italiane bëjnë me dije se tërmeti ka shkaktuar panik të madh tek banorët e zonave të prekura nga lëkundjet, të cilët kanë dalë nëpër rrugë. Raportohet për shembje të disa ndërtesave pranë epiqendrës së tërmetit.

Lëkundja e parë u shoqëruar nga disa më të vogla, dhe më pas rreth orës 21:18 u ndje një lëkundje e fortë me magnitudë 6,3 ballë e shkallës Rihter. Dy persona kanë mbetur të plagosur në Marche, që ishte edhe epiqendra e tërmetit të fortë.

Ambasada shqiptare në Romë thotë se qëndron në gatishmëri të plotë për të gjithë qytetarët shqiptarë në Itali. Reagimi vjen pas tërmeteve të njëpasnjëshme në zonë.

Ambasada po ndjek nga afër përditësimin e njoftimeve në lidhje me tërmetin që goditi në orët e mbrëmjes së sotme Italinë Qendrore. Ambasada qendron në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur kërkesave për asistencë. Është ngritur posaçërisht kabineti i krizës. Numri i kontaktit operativ është +39 3420498192.

Çdo qytetar shqiptar që ka nevojë të kontaktojë Ambasadën, mund të telefonojë në këtë numër, i cili qëndron në funksion 24 orë ne ditë”, thuhet në njoftimin e ambasadës shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje