Ryshfeti 50 mijë euro, zbardhen përgjimet. Gjyqtarja, burrit: Bëji veprimet sot me shumë kujdes

26 Tetor 2016, 09:00Kronika TEMA

“Bëj ato veprimet sot me shumë kujdes”. Kjo është porosia që ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë i ka lënë burrit të saj, Odise Andrea, 3 ditë pasi ai kishte marrë 50 mijë euro ryshfet për një çështje pronash.

Dosja e prokurorisë me përgjimet e reja të çiftit Andrea është zbardhur sot e plotë nga ana e “GSH”. Ndërkohë, gjykata e Lartë ka caktuar 5-shen e kolegëve që do ta gjykojnë ish-kolegen e tyre të pezulluar, me akuzën e korrupsionit. Gjyqtarët janë Artan Zeneli, Evelina Qirjako, Shkëlzen Selimi, Ardian Dvorani dhe Medi Bici.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Majlinda Andrea së bashku me bashkëshortin e saj, Odhise Andrea, i cili është në kërkim nga drejtësia, akuzohen se kanë marrë shumën prej 50 mijë eurosh për të favorizuar një çështje pronësie me sipërfaqe prej 40 hektarësh në Sarandë. Ndërsa, të pandehurit e tjerë të dosjes janë Petraq Dashi, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.

Hetimet

Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri, nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqeje toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit. Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë.

I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.

Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të së cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë eurosh.

Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino. Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datën 12 korrik 2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e së cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Përgjimet në dosje

Nga veprimet e kryera në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë me ecurinë e gjykimit të çështjes civile me kërkues Gjeorgjia Gjoka, është konstatuar se çështja gjyqësore është marrë në shqyrtim në dhomën e këshillit dhe se rezulton të jetë vendosur mospranim rekursi me vendimin nr.00-2016-2171, datë 12.07.2016, të Gjykatës së Lartë, pra një ditë pas takimit të të pandehurit Petraq Dashi me të pandehurin Odhise Andrea.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se trupa gjyqësore ka qenë e përbërë tre anëtarë, ku në përbërje të trupit gjykues ka qenë edhe e pandehura Majlinda Andrea, e cila është bashkëshortja e të pandehurit Odhise Andrea.

Duke vlerësuar të gjitha rrethanat e mësipërme, përmbajtjen e bisedave të kryera nga të pandehurit Ilia (Ylli) Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino (Lenica), provohet se të tre këta shtetas pretendojnë të jenë përfitues të sipërfaqes së tokës 40 ha, ndodhur në Ksamil, Sarandë, që kërkohet të kthehet në favor të trashëgimtarëve të ish-pronarit të pretenduar, dhe se këta persona janë interesuar drejtpërdrejt në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

Nga përmbajtja e bisedave të kryera dhe provave të tjera të administruara, provohet se këta persona bisedojnë në mënyrë të qartë në lidhje me shumën që duhet të paguhet për efekt të procesit gjyqësor, për shumën që duhet të kontribuojnë edhe personat e tjerë trashëgimtarë të ish-pronarit.

Më datë 10.07.2016, ata janë njoftuar nga i pandehuri Petraq Dashi se duhet që të paguajnë shumën 50, shumë e cila nga kronologjia dhe konteksti i bisedave të tyre dhe provat e tjera të administruara, është shuma prej 50.000 eurosh.

Në vijim, shuma prej 50.000 eurosh është siguruar nga i pandehuri Petraq Dashi dhe i është dhënë të pandehurit Odhise Andrea, bashkëshorti i së pandehurës Majlinda Andrea, e cila ishte një nga anëtarët e trupit gjykues të çështjes civile në Gjykatën e Lartë. Mospranimi i rekursit lidhur me çështjen gjyqësore është vendosur një ditë pasi i është dhënë të pandehurit Odhise Andrea shuma prej 50.000 eurosh, vendim që kanë qenë në favor të shtetasve të sipërpërmendur.

I pandehuri Petraq Dashi rezulton se ka lidhje fisnore nga gruaja me të pandehurit Eleni Lino dhe Ilia Çabiri. E pandehura Eleni Lino është vajza e hallës së gruas së tij, ndërsa i pandehuri Ilia Çabiri është dhëndër në fshatin Goranxi dhe është autorizuar nga fisi i gruas së të pandehurit Petraq Dashi për të ndjekur problemet e pronës të pretenduar, e ndodhur në Ksamil.

Ndërkohë, i pandehuri Petraq Dashi është kushëri i dytë me të pandehurën Majlinda Andrea, sepse babai i tij dhe babai i Majlindës janë djem xhaxhallarësh. Duke vlerësuar këto fakte dhe provat e administruara, rezulton se i pandehuri Petraq Dashi ka marrë përsipër për të kontaktuar me të pandehurën Majlinda Andrea, të cilën e kishte kushërirë të dytë dhe e cila ishte pjesë e trupit gjykues që do shqyrtonte çështjen civile për të cilën ishin të interesuar të pandehurit Eleni Lino, Ilia Çabiri dhe ai vetë, me qëllim që të jepej një vendim favorizues për ta nga gjykata.

Ai e ka realizuar këtë nëpërmjet të pandehurit Odhise Andrea, bashkëshorti i së pandehurës Majlinda Andrea, me të cilin ka mbajtur kontakte të vazhdueshme gjatë javës para se të merrej vendimi, deri disa ditë pasi është dhënë vendimi nga gjykata.

I pandehuri Odhise Andrea ka pasur informacion të plotë në lidhje me çështjen gjyqësore. Në një bisedë telefonike ai i thotë të pandehurit Petraq që “…po sa më shpejt, aq më mirë. Vapë e madhe, ikin njerëzit”, ku i ka garantuar të pandehurit Petraq Dashi se çështja gjyqësore do të përfundonte brenda kësaj jave, siç edhe ka ndodhur në rastin konkret.

Në datën 11.07.2016, disa minuta pasi ia ka dorëzuar shumën prej 50.000 eurosh të pandehurit Odhise Andrea, i pandehuri Petraq Dashi është telefonuar nga vajza e tij, e cila e ka pyetur se ku ndodhej.

Në këtë bisedë i pandehuri Petraq Dashi i është përgjigjur se “unë jam këtu te sheshi ‘Uillson’, se erdha i solla atë porosinë atij shokut… këtij këtu në Tiranë… i prura atë plaçkën… Këtë javë mbyllet, tha ai, e merr në dorë”. Në fakt, të nesërmen, pasi ka marrë shumën 50.000 euro i pandehuri Odhise Andrea, është marrë vendimi nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, ku bashkëshortja e tij, e pandehura Majlinda Andrea ishte një nga anëtarët e trupit gjykues.

Rezulton se i pandehuri Odhise Andrea dispononte në kohë reale informacione në lidhje me çështjen civile dhe zhvillimin e saj, informacione që mund të disponoheshin vetëm nga e pandehura Majlinda Andrea, me cilësinë e gjyqtares pranë Gjykatës së Lartë dhe njëkohësisht edhe anëtare e trupit gjykues të çështjes civile për të cilën interesoheshin të pandehurit Petraq Dashi, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Më datë 14.07.2016, në orën 16:47, e pandehura Majlinda Andrea komunikon në telefon me bashkëshortin, të pandehurin Odhise Andrea, dhe i thotë ndër të tjera se “dosja është atje… Nuk bëhet fjalë për kallëzim… Ka dalë rastësisht nga një çështje tjetër.. Kështu që bëj ato veprimet sot me shumë kujdes.. se ai mund të jetë dakord”.

Nga vlerësimi i bisedës së mësipërme, zhvilluar ndërmjet të pandehurve Majlinda Andrea dhe Odhise Andrea, konstatohet se e pandehura Majlinda Andrea është në dijeni të plotë të veprimeve të kundërligjshme që janë kryer nga bashkëshorti i saj deri atë moment dhe, meqenëse ka marrë vesh se është regjistruar një procedim penal për atë fakt, mundohet që ta orientojë se si të sillet me personat që i kanë dhënë atij 50.000 euro, në këmbim të dhënies së vendimit nga Gjykata e Lartë në favor të tyre.

Duke çmuar vlerën provuese të të gjitha burimeve të provës të administruara, provohet se të pandehurit Odhise Andrea dhe Majlinda Andrea, bashkëshortë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë nga i pandehuri Petraq Dashi shumën 50.000 euro, me qëllim dhënien e një vendimi gjyqësor civil në Gjykatën e Lartë në favor të të pandehurve Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino, nisur nga fakti se e pandehura Majlinda Andrea ishte një nga anëtarët e trupit gjykues që ka gjykuar çështjen civile për të cilën interesoheshin shtetasit që kanë paguar shumën prej 50.000 eurosh.

1 komente në “Ryshfeti 50 mijë euro, zbardhen përgjimet. Gjyqtarja, burrit: Bëji veprimet sot me shumë kujdes”

  1. €piriiiiii says:

    TragjiKomike te Korruptuarit u duhet te denojne kolegen e tyre te korruptuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje