Skandal me dëshmine e penalitetit: 25 vjet burg se i ngatërruan emrin

26 Tetor 2016, 20:46Kronika TEMA

Në jetën e tij njihet si njeri i nderuar, punëtor, familjarë dhe respektues i ligjit. “Njeri i thjeshtë që sheh hallet e veta” kështu e përshkruan veten  Bujar Dedej, por që në dëshminë e tij të penalitetit figuron vrasës i dënuar me plotë 25 vite burg.

I ishte drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për të vërtetuar pastërtinë e figurës së tij , por kjo e fundit e penalizon si vrasës falë një gabimi që kryen një  punonjës i saj.

Kjo është historia që i ka ndodhur punonjësit të policisë private, Bujar Dedej, i cili ka kërkuar një dëshmi penaliteti, por kur e ka paraqitur te eprorët, desh ka humbur dhe vendin e punës, pasi rezultonte se ishte dënuar për vrasje, madje ishte dhe në burg!

Bujar Dedej, në një intervistë për Fiks Fare tregon se çfarë ka ndodhur. Ai shpjegon se në punë, eprorët i kanë kërkuar një dëshmi penaliteti. Ai ka aplikuar, duke paraqitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, certifikatën familjare, fotokopje të kartës së identitetit etj. Pas dy javësh, posta i ka sjellë dëshminë e penalitetit dhe siç ka ardhur në zarf, ai e ka dorëzuar në punë. Por, vetëm pak kohë më vonë e ka thirrur eprori dhe i ka kërkuar shpjegime, pasi rezultonte se rreth dy vite më parë ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje, madje ai duhet të ishte i izoluar.

Në këto kushte, ai është paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për t’u ankuar mbi këtë çështje, por punonjësit e atyshëm e kanë zvarritur për më shumë se dy javë, pasi punonjësja, e cila kishte kryer gabimin, kishte marrë lejen dhe nuk mund ta korrigjonte asnjeri tjetër, pavarësisht se ky gabim mund t’i kushtonte vendin e punës qytetarit Bujar Dedej.

Gjatë bisedës me qytetarin, sekretarja tregon se më në fund ka ardhur specialistja dhe dokumentet gabim do ia jepte asaj që ai pas disa peripecish të merrte dëshminë e penalitetit të rregullt. Pas shumë minutash pritje, punonjësja zbret dhe i jep dëshminë qytetarit, duke pretenduar se ka qenë gabim, pasi ka ngatërruar një shkronjë. Qytetari pretendon sesi mund të ngatërrohet një shkronjë, pasi ai ka sjellë edhe certifikatën familjare. Madje, sipas tij, është ndryshuar, emri i babait, emri i nënës, datëlindja, pra punonjësja ka ngatërruar të gjitha të dhënat dhe më pas e ka sorollatur për më shumë se dy javë për gabimin e saj. Punonjësja pretendon se ky është një gabim që u ka ndodhur shumë vetave dhe nuk është i pari zoti Dedej. Tashmë, pas disa javësh nga momenti i aplikimit, Bujar Dedej merr dëshminë e penalitetit të pastër. Pas marrjes së dëshmisë së saktë, ai thotë se më në fund është qytetar i lirë dhe mund të lëvizë lirisht.

1 komente në “Skandal me dëshmine e penalitetit: 25 vjet burg se i ngatërruan emrin”

  1. Kasapi says:

    Kurse une them qe ajo punonjesja te denohet me 25 vjet mosushtrim te asnje detyre administrative qe ka te beje me sherbim ndaj popullit PIKE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje