Komunist apo ballist? Feja e djeshme e shqiptarëve të sotëm

28 Tetor 2016, 21:01Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Këtij skaji të trazuar të Ballkanit, plagët e Luftës së Dytë Botërore ende nuk janë mbyllur. Në Shqipëri ato ende dhembin dhe kullojnë gjak e urrejtje që në çastin e parë që preken. Edhe shtatë dekada e ca mbasi ka përfunduar Lufta e rivendosur paqja, çdo kthim koke pas, çdo vështrim i hedhur në atë të shkuar, çdo kapitull i hapur prej saj, krijon trazime e probleme të forta për gjithë shoqërinë shqiptare.

Tek çfarë ndodhi gjatë dhe pas luftës, shoqëria shqiptare gjen një arsye tjetër, arsye të rradhës e shumë të fortë, që të radikalizohet dhe të ndahet në dy skaje ekstremi që përjashtojnë plotësisht njëri-tjetrin. Dekorata presidenciale për 67 viktima të Ballit Kombëtar të pushkatuar nga komunistët e Mehmet Shehut, hapi dhe njëherë debatin dhe vuri në punë edhe njëherë vështrimin bardh e zi, djaj e ëngjëj, të personazheve të kësaj pjese të përgjakshme të historisë. E cila transformohet, denatyrohet dhe deformohet sa kohë shihet me sytë e sotëm, nga interesat e të sotmes dhe fatkeqësisht dhe nga me lehtësinë e pafundme e mjetet primitive të të sotmes në qasjen ndaj çështjeve serioze.

Në një kohë kur si rregull, të mençurit (historianët, në këtë rast) heshtin ose nuk i dëgjon kush dhe fjalën e rrëmbejnë amatorët, (historianët foklorikë, ndër ta edhe ata me kostum politikani evropian) konsumojnë logore orale, gjithçka bëhet edhe më e komplikuar. Si në të gjitha zejet njerëzore kur punës nuk i gjendet i zoti dhe kur mbi punën bëhet zot interesi meskin vetjak.

Të enjten në Parlament pati një rreshtim të fortë dhe formal ndaj aktit publik të Presidentit të Republikës – dekorimit me titullin “Martir i Demokracisë” – si shkas dhe dramës së dikurshme kombëtare si fakt.

Kryeministri Rama dhe të tijët e quajtën të gabuar këtë akt.

Të djathtët e konsideruan si akt të duhur.

Pa asnjë pikë takimi gjëkundi, çfarë ishte kriminale për një palë, ishte heroike për tjetrën. Për të ndarë peshoren mes tyre, ndoshta vlen të shihet se çfarë pranojnë të gjithë nga historia e ndodhur si fakt, në tentativë për të tërhequr më pas opinion thjesht dhe vetëm mbi faktet e pranuar nga të gjithë bashkë.

Eshtë fakt që 67 ballistët e dekoruar pas vdekjes janë zënë rob mbas një ndeshjeje me partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese. Eshtë fakt se ata janë pushkatuar pa gjyq, ndonëse jeta e tyre duhet të ishte e mbrojtur nga statusi delikat i robit të luftës. Që në atë moment, por për ironi të fatit edhe shumë kohë më pas, akti i firmosur nga Mehmet Shehu është konsideruar dhe nga vetë komunistët si një akt terrorist.

Fakt është edhe që për shumë vite më rradhë, të afërmit e të pushkatuarve, “pushkatoheshin” ditë mbas dite përgjatë gjithë diktaturës për shkak të luftës së klasave. Duke nisur me Mehmet Shehun dhe familjarët e tij, me gjasë, një fat të ngjashëm mund të kenë pasur edhe pjestarë të skuadrës së pushkatimit; diktatura ishte përbindëshi që shqyente edhe fëmijët e vet. Ende sot e kësaj dite nuk ka një akt publik, zyrtar e të gjithëpranuar që të ndëshkojë fajtorët qoftë dhe moralisht, meqë ligjërisht është e pamundur sepseprotagonisët janë të gjithë të vdekur dhe të vdekurit si rregull, nuk gjykohen me ligjet e zakonshme të botës së të gjallëve.

Çfarë opinioni mund të tërhiqet mbi këto fakte, është sërish një gjë shumë e diskutuar dhe meqë plagët dhembin ende, vetë opinioni mund të jetë shumë i para dhe pas gjykuar.

Ky opinion ka disa shtresa.

Të pushkatuarit nuk i meritonin plumbat që ju dhanë. Edhe në kushte lufte, atyre nuk u duhej marrë jeta sa kohë ata ishin robër lufte, edhe pse në luftë tejkalime të tilla barbare për fat të keq, nuk kanë qenë asnjëherë të rralla dhe të kryera nga vetëm një palë.

Të afërmit e tyre kanë vuajtur dhe shumë më gjatë atë akt nën diktaturë. Një njeri i pushkatuar edhe në trungun e largët familjar, ishte një arsye që persekutimi dhe lufta e klasave të ishte plumb e rëndë. Duke nisur nga ato dhjetra jetë të marra me plumb në një çast të vetëm, mijëra jetë të tjera kanë jetuar nën akth e padrejtësi për dekada të tëra.

Ndeshja e partizanëve dhe ballistëve në atë tetor të largët të vitit 1943, ishte një nga episodet e para të betejave të njëpasnjëshme mes tyre. Edhe më parë, por sidomos më pas, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtuesin, sipas një opinioni gjerësisht të pranuar e të dokumentuar, u bë i zakonshëm. Rregull dhe jo përjashtim.

Absolutisht asnjë arsye dhe për asnjë arsye, kolaboracionistët në të gjithë Evropën e pushtuar nga nazistët dhe në Evropën e çliruar më pas prej tyre, nuk kanë marrë emër tjetër. Askund dhe për asnjë arsye ata nuk janë amnistuar moralish, ligjërisht apo shfajësuar në mëyrë të plotë. Askujt nuk i ka vajtur në mend t’i nderojë apo reabilitojë, përveçse në kohë thyerjesh të mëdha historike dhe krizash të rënda shoqërore. Kështu ka ndodhur kudo në Evropë, meqë kolaboracionistë pati dhe në Francën e Petenit e deri në Norvegjinë e Kuislingut.

Rasti shqiptar nuk është ndryshe; çfarë shihet me syzet e provincializmit vetëm shkëlqen!

Shqipëria, kryesisht për arsye gjeopolitike që kishin shumë pak të bënin me të dhe vullnetin e aktorëve të saj lokalë, u fut nën ombrellën e kuqe dhe fatkeqe të komunizmit. Ishte një aksident tragjik që ndodhi njëkohësisht në gjysmën e Evropës. Çfarë ndodhi më pas, nuk korrigjon atë që kishte ndodhur më parë; rreshtimin e gabuiar të faktorëve lokalë në një luftë botërore.

Fakti që komunistët ushtruan një diktaturë të egër në vijim, fakti që fitimtarët u sollën egërsisht me një pjesë të popullsisë, që e izoluan atë të gjithë nga bota, që instaluan një luftë kriminale klasash, që dënuan me varfëri nga padija, por dhe nga rrethanat e trashëgimia e rëndë gjithë shqiptarët, që ekzekutuan të drejtën e lirisë, pronës, fjalës dhe besimit të lirë, pra, pavarësisht të gjitha këtyre, kjo gjë nuk pasjell ndryshimin e fakteve dhe të opinioneve.

Ajo nuk prodhon dot as heroizimin e ballistëve që po “luftonin kundër murtajës së ardhme komuniste” dhe as dënimin e komunistëve që ditën të rreshtohen në anën e duhur të historisë në atë kohë të komplikuar. Në mënyrë të çuditshme, zbatharakët dhe të varfërit e kohës (siç u pëlqente dhe vetë të thërrisnin veten), ditën të ishin  më të mençur se paria e dikurshme e vendit në parashikimin për zgjedhjen e aleancave të duhura.

Kush thotë se ballistët në 44-ën vepruan drejt që u bënë me nazistët se komunistët në 45-ën do të nisnin të bëheshin të këqinj, është ose naiv, ose ka interes të hiqet si i tillë, ose tenton revansh të së shkuarës nisur nga interesi i sotëm. Ose thjesht është tifoz i fesë së tij dhe viktimë e moskuptimit se tejkalimi i të drejtës e bën edhe vetë të drejtën të ndryshojë kah.

Pra,  ballistët që zgjodhën kahun e gabuar historik, nuk bëhen “personazhe pozitivë”, për shkak se komunistët që zgjodhën drejt aleancat fillimisht, u bënë “personazhe të këqinj” se përfunduan në prehër të sovjetikëve më pas. Kjo është fotografia e stampuar historisë që nuk ndryshon më, edhe nga fakti që kur komunistët shqiptarë ishin sovjetikë në Shqipëri, ballistët apo zogistët e emigruar në Perëndim u bënë aleatë me angloamerikanët.

Nisur nga ky opinion i shtresëzuar që mund të ketë defektet e tij dhe që padyshim meriton shumë qortime, dekreti presidencial është më paku një akt ahistorik, alogjik dhe i pasinqertë. Eshtë ahistorik sepse nuk kupton historinë, alogjik sepse nuk respekton logjikën e ngjarjeve dhe i pasinqertë sepse tjetër pretendon dhe tjetër gjë synon. Dekreti presidencial dhe jo presidenti, është një akt hipokrit që as nuk ngushëllon viktimat dhe as nuk hedh dritë të re mbi atë ngjarje të vjetër. Dhe mbi të gjitha, nuk i shërben gjëkundi pajtimit të munguar. Përkundrazi.

“Me mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë ata burra nacionalistë e të pamposhtur që luftuan për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar. Në shenjë nderimi për rezistencën e tyre të paepur, deri në sakrifikim, kundër instalimit të regjimit komunist diktatorial në Shqipëri.” Fjalë të tilla, të shkëputura nga motivimi presidencial janë thjesht të pavërteta dhe të pasakta. Madje edhe të dëmshme si të gjitha të pavërtetat.

Vetëm padija ose një interes i rëndësishëm mund të shtyjë hedhjen e një hapi të tillë. Të ekzekutuarit pa gjyq me një vendim terrorist të kuq, mund të jenë gjithçka, por jo martirë apo heronj të demokracisë. Ata janë viktima para së gjithash dhe si të vdekur meritojnë nderimin maksimal si çdo jetë njerëzore e këputur me përdhunë, por nuk mund të jenë martirë të demokracisë. Ky është një epitet i shtuar për të cilin ata nuk kanë nevojë se jua bën edhe më të rëndë e të padrejtë dheun në varr. Ai thjesht fyen kujtimin e tyre. Në histori nuk mjafton të vdesësh për t’u shpallur më i miri! Në politikë nuk është mirë që të përdoren të vdekurit e historisë për interesa të vegjël.

Rrugëtimi në segmetin revolucionarë të shndërruar në terroristë dhe anasjelltas nuk është shpikur për herë të parë dhe nuk ka ndodhur për herë të fundit në Shqipëri. Eshtë një film bardh e zi e me ngjyra, i parë anekënd gjithë botës.

Sot, të jesh në anën e partizanëve apo të ballistëve është si religjion, si feja e vjetër dhe e re e shqiptarëve. Eshtë sa trashëgimi, aq edhe tifozeri e histeri. Por është absurde që edhe në brezin e tretë apo të katërt të vazhdohet në këtë ndarje të cilës i shërbeu Presidenti, në rastin më të mirë pa e kuptuar as vetë se çfarë bënte.

P.S. Enver Hoxha shkruante diku në librat e tij një kritikë për shkrimtarët dhe artistët e dikurshëm, që ishin në një pjesë të madhe “vegla të partisë”. Sipas tij, portretizimi i ballistëve si frikacakë që hanin vetëm pula dhe që ja mbathnin me të dëgjuar të shtënën e parë, nuk ishte i vërtetë. Hoxha thoshte se edhe ata ishin shqiptarë dhe trima, madje, por që luftonin në kahun e gabuar. E thoshte një gjë të tillë jo thjesht sepse ishte realist, por sepse në këtë mënyrë deheroizohej vetë lufta partizane.

Rastisi që ky pohim i Hoxhës të tingëllojë i logjikshëm, i drejtë dhe i sinqertë! Kjo nuk do të thotë që kush i jep të drejtë Hoxhës në këtë rast, shndërrohet automatikisht në komunist. Njëlloj si ta kundërshtosh atë, nuk është një arsye më shumë që e shndërron në demokrat kundërshtuesin. Komunistë e ballistë që u ndeshën në Luftën e Dytë Botërore dhe që shpikën fenë që ndan edhe shqiptarët e sotëm, me siguri tashmë kanë bërë paqe me njëri-tjetrin. Sepse janë në varr. Të vdekurit kanë nevojë vetëm për paqe dhe sinqeritet. E ndoshta nuk e kuptojnë luftën që ende vazhdojnë të bëjë brezi i tyre i katërt./Javanews.al

16 komente në “Komunist apo ballist? Feja e djeshme e shqiptarëve të sotëm”

  1. Petro says:

    O Lorenc driteshkurteri!Nese ti nuk ve re se lufta e klasave vazhdon akoma ndaj brezit te katert, je jashte realtetit.Ky eshte problemi kryesor.Urrejtja vazhdon te mbetet nga njera ane, ndersa ana tjeter pat rasti ta demonstroje kete urrejtje me 1990, por qe s e beri per fisnikeri.Atehere cilet jane fajtoret?Lufta nuk perfundoi me 1944 por me 1990 dhe komunistet e humben ate.Megjithate paradoksi eshte se humbesit vazhdojne te sillen si fitimtare dhe kjo e ben situaten te papranueshme.Mjere vendi ne duar te cileve vazhdon te jete.

    1. zhaku i pamposhtur says:

      Petro ke sh te drejte..e si te mos vazhdoj urrejtja ndaj ketyre qe vazhfojne dhe e shprehin me lloj lloj menyre nostalgjine per regjimin e qoftelargut enver..pastaj klasa e te persekutuareve nuk perfaqesohet ne asnje formacion politik..disa kokrra qe dikur i besuan sharlatanit sali hengren koken se saliu eshte po aq enverist sa eshte edhe rama apo nano..regjimi i qoftelargut arriti te kompromentoj shum persona nga klasa e te persekutuareve duke i bere leshime te vogla si te drejten e shkollimit apo ndonje vend pune ‘pa zarar’…e perse te mos kem urrejtje une per keta politikane enverista te sotem ose per ish sekretareve te partise??gjyshi im luftoi nje jete te tere si patriot qe nga levizja e fierit e me pas si partizan ne lanc…si perfundim iu be gjyq me dyer te mbyllura dhe deshmitare te rreme…e gjitha kjo u be per faktin se gjyshi nuk pranoi ti konfiskohej pasuri x-personi i cili gjithashtu kishte ndihmuar luften…vazhdimin e historise besoj se e kuptoni…akuza te pa baza mbi dy djemte e tij edhe ata nga 3-4 vjet burg…ne niperit shkolle jo e jo por kur i drejtoheshim zyres se keshillit te lagjes per ndonje pune nuk harronin citatin : nuk plotesoni kriteret.per ju eshte veten bujqesia…
      gjithe ato vyajtje qe kemi kaluar nuk mund te shprehen me 5 fjale dhe me e bukura eshte se te del sot kryeministri dhe te rikujton as me shume e as me pak ate ish sekretarin e ppsh ose ate kryetarin e keshillit..luften e klasave a e di kush e zhduk Petro? e zhduk spaci…meri rrasi brenda te gjith keta nostalgjiket e hoxhes ta provojne dhe ta kjkuptojne se cdo te thote vuajtje dhe percmim..keshtu si po shkojne punet ne albani ma do mendja qe nuk do te jet e largwt dita kur te ngrihen kembet e ti bien kokes..

  2. Gregor Lato says:

    Te ka hequr ndonje cope diktatura ty Vangjel?

  3. Shqip says:

    Komunistet ne LDB nuk u orientuan ne krahun e drejte, sepse krahu i drejte ka qene AMERIKA DHE BRITANIA, qe luftuan kunder Gjermanise nacisto socialiste. Komunistet e Shqiperise u orientuan ne krahun e gabuar komunistosocialist te BRSS, ME SERBINE, qe ishin krahu okupues i shume popujve dhe ishin aleat edhe me nacianalsocialistet gjerman deri ne vitin 1941. Komunistet Rus, kurrr nuk e kishin qellim luften knder nacionalsocializmit Gjerman, por e kishin qellim okupimin e sa me shume popujve …..dhe ia arriten qe.limit per okupim, sepse u okupuan : Polonia, Qekosllovakia, Rumania, , Shqiperia, Kosova nga Serbia, ne kuader te Jugosllavise komuniste, Bullgaria, Lituania, Estonia, Mongolia, Letonia, Hungaria, pastaj pas LDB u okupuanedhe Koreja Veriore, Kuba, Vietnami, ……….
    Pra komnistet e Shqiperise jane kolbaoracionistet apo kuslimget memte medhej qe ka pase Shqiperia ne histroine e saj……vetem Haxhi Qamili eshte i ketij rangu

    1. trojani says:

      Ca thua o gogol !!!
      Lufta e dyte botrore kishte dy akse, njeri gjermani,japoni , itali dhe spanje dhe tjetri shba, angli, rusi e te gjithe te tjeret e pushtuar nga gjermania.
      Dmth sipas teje ballistet ishin njekohesisht dhe me gjermanin dhe me aleatet !!!??? hajde mendje hajde.
      Shiperia mbeti jashte ndikimit perdimore ne marveshjen e jaltes, ku fuqite e ardhshme te kohes (shba-brss)do kishin zonat qe do influenconin.
      Dhe shtetet qe permend nuk u pushtuan por me deshiren e tyre , nen drejtimin e brss formuan ate qe u quajt ” traktakti i varshaves” qe ishte opozita e nato-s.
      Sipas logjikes tende shtetet qe formuan nato-n u pushtuan nga shba-ja !!!!???
      Ballistet moren ate qe meritonin se bashkpunuan me okupatorin,as me shume dhe as me pak sec moren te gjithe te tjeret si ata ne vendet e tjera evropiane qe nga franca,finlanda ,danimarka e te tjere.
      Jane mjeran te gjithe ata qe duan te reabilitojne tradhtaret.
      Cu be me mbas!! po,le vende per diskutim te tjerat jane si gjithe punet e saliut me gjithe antikapatet e tij.

      1. Ballisti superior ndaj komunisteve says:

        Oj kafshe komuniste, pse pakti i varshaves nuk ekziston me? Sepse ka qene okupim oj kafshe komuniste. NATO U KRIJUA TE MBROHEN SHTETET DEMOKRATIKE NGA EGERSIRAT E BRSSse sikur qe je edhe ti ..

  4. Bardhi Tolabi says:

    Ne pergjithesi me pelqen shkrimi i mesiperm i z.Lorenc Vangjeli.Mban nje pozicion te ekulibruar ne arsyetimin e tij,lidhur me kohen dhe qendrimet e dy forcave kryesore qe u angazhuan sipas menyres te tyre ne Luften per Clirim.Gjithashtu mendoj se 67 te pushkatuarit,duhen vleresuar si viktima te luftes dhe jo si “Martire te Demokracise”.Jam i bindur,se shumica dermuese e partizaneve dhe e ballisteve,nuk kishin njohurine e fjales Demokraci dhe jo me te luftonin per te.Edhe ne filmat e kohes te monizmit,megjithe glorifikimin e partizaneve,perseri del ne pah analfabetlleku i tyre dhe ne kete rast fus edhe keta analfabetet e pushkatuar balliste.Per mua,me analfabet se ta eshte palopresidenti,i cili edhe mbas 71 vjeteve te mbarimit te luftes dhe kur Shqiperia ka zhdukur dhe analfabetizmin,nuk arrin te kuptoje nocionet dhe kuptimin e fjaleve qe perdor e dekreton.
    Eshte e vertete se ne kohen e monizmit,eshte folur per 28 mije deshmore,por kjo me shume ka te beje me deklarate per konsum te jashtem,se sa nje fakt real dhe i miratuar zyrtarisht.Diku,vete Enver Hoxha eshte shprehur se,ne kete shifer,pra 28 mije vetat,nuk jane te gjithe deshmore,por jane dhe viktimat e shkaktuara gjate kohes te luftes,ne popullsine civile prej luftes,bombardimeve dhe raprezaljeve te armikut,te partizaneve si ne kete rast apo dhe te vete ballisteve ndaj familjeve partizane.Keta te tillet,pra jo deshmore,vlen te gezojne ndjesen per fatin e tyre te keq,per hjumbjen e jetes pa e merrituar ate.Eshte kjo llogjike qe na con ne numurin e deshmoreve te miratuar e te vendosur ne Varezat e Deshmoreve.Ne se do numurohen varret e deshmoreve,do te dale nje shifer mbase sa nje e treta,ne mos nje e katerta e 28 mijshit.
    Duke ndjekur llogjiken e palopresidentit,e merritojne shpalljen deshmore,por kete rradhe,jo si “Martire te Demokracise” porsi deshmore te Luftes Antifashiste Nacional Clirimtare,viktimat e Boroves,sepse ata u vrane me te vertete prej armikut pushtues Gjerman…
    Lidhur me shkrimin e mesiperm dhe jo vetem,kam nje verejtje qe nuk mbahet mire parasysh prej te gjitheve,te cilet shkruajne qofshin ata qe mbrojne luften partizane,qofshin ata qe mbrojne ballin.Ne kohen e luftes,nuk njihej Partia Komuniste,antaresia e saj,jo vetem prej popullit por edhe prej vete partizaneve.Atehere perse ne vend te fjales partizane,ne te gjitha keto shkrime,vihet fjale komuniste?Kjo nuk eshte gje tjeter vecse keqdashje,per te ulur qellimin dhe idealin e partizaneve,te cilet nuk dolen malit per idealet komuniste,por per idealin e Clirimit te Atdheut,kjo ju sherben ballisteve dhe kolaboracionisteve dhe palo presidentit per te na shpallur nje dite te gjithe ballistet,Legalistet dhe kolaboracioniste si”Martire te Demokracise”,sepse paskan luftuar kunder komunizmit,te cilin ata e kishin parashikuar,pamvaresiht se kush do te ishte rezultati i Luftes te Dyte Boterore.Atehere na del se,te gjitha forcat qe qeverisen vendet mbas Lufte dhe qe ishin rrjeshtuar ne krahun e Aleateve te medhenj Anglo-Sovjeto-Amerikane,paskan gabuar ne ndeshkimin e forcave aleate dhe kolaboracioniste me nazi-fashistet…
    Sipas meje,pergjegjesia eshte prej vete Partise te Punes,si vazhduese e Partise Komuniste ne fillim dhe sot e perdorur spekullativisht prej klases humbese te luftes,Ballit Kombetar dhe kolaboracionisteve.Ne filmat e monizmit,ne tregimet per partizanet e vrare,me qellim mburrjeje dhe per te ngritur lart emrin e Enver Hoxhes,cdo partizan,ne momentin e vdekjes,apo para pushkatimit theriste,rrofte Partia Komuniste,apo rrofte shoku Enver Hoxhaetj,kur nderkohe nuk e kishin dijenine e egzistences te tyre.Vete Partia Komuniste dhe Enver Hoxha si drejtues i saj,doli hapur ne vitin 1948 ne Kongresin e Pare te saj,kur nderoj dhe emrin nga Komuniste ne te Punes.Dhe ja,sot kjo kthehet ne bumerang ndaj partizaneve te pafajshem,te cilet dolen malit,per idealin e tyre per Clirimin Kombetar,nen emrin e Frontit NaCl dhe jo per interesa te Partise Komuniste ne perfundim te luftes.
    Per analogji me kete arsyetim,kaq te mencur dhe te lecitur ishin keta 67 ballistet e skerkave apo kenetave te zones te Lushnjes e Fierit,sa kishin dale malit per te vendosur Demokracine,ne nje vend me pushtuesin brenda dhe ne aleance me te?!?!?!Nuk ka bythe te qendroje e jo me ta miratoje kete dekret ,te pakten me kete motivacion.Ne lufte vriten dhe te pafajshem,por nuk dekorohen ne se nuk jane pjese e forcave nderluftuese.Ne se dekorohen te tillet hajde te dekorojme dhe ata qe vriten per gjak-marrje,sepse vriten ose prej nje Demokrati apo Socialisti,apo simpatizante te njerit ose tjetrit krah….

    1. Baton Gostivari says:

      Bardhi, lexo reflektimin tim rreth “bashkëpunimit” të suedezëve, të finlandezëve e të popujve ballyikë dhe në pac ndonjë paqartësi, pyet.
      Vetëm mos drangallis e mos përdor nocione – kullakë, tradhtarë, reaksionarë, arë e arë e ista, po kundërshtom me kundërargumente….
      Bolshevikë të pashpirtë! Lugetër të antishqiptarizmit.
      Gostivari ballist

  5. PO.PO says:

    Bashkepuntoret e pushtuesve,ne cdo kohe dhe ne cdo vend te botes , jane denuar dhe denohen moralisht dhe ligjerisht . Kjo eshte nje aksiome
    qe nuk kerkon vertetim askund , pervec se tek njerezit e pa fytyre kombetare ,qe injoranca dhe depersonalizimi i njerezve ne Shqiperi u ka hapur rrugen , deri ne President te kesaj qe na pelqen ta quajme republike !

    1. Ballisti (KS) says:

      Po Po, por ata bashkepuntoret, ne kete rast ballistet, kishin nji interes te veqant dhe fort te logjikshem per te bashkepunua me “pushtuesin” sepse shfrytezuan chance-n hitorike dhe i bashkuan tokat shqiptare, kurse mbas kapitullimit te “pushtuesit” particonet tradhtare ishin ata qe prap e instaluan kufirin aty ku ishte me pare, prandaj vetkuptohet se kush ishte ketu tradhtar!

    2. Baton Gostivari says:

      Bardhi, lexo reflektimin tim rreth “bashkëpunimit” të suedezëve, të finlandezëve e të popujve ballyikë dhe në pac ndonjë paqartësi, pyet.
      Vetëm mos drangallis e mos përdor nocione – kullakë, tradhtarë, reaksionarë, arë e arë e ista, po kundërshtom me kundërargumente….
      Bolshevikë të pashpirtë! Lugetër të antishqiptarizmit.
      Gostivari ballist

  6. Aseni says:

    Ti thua, te jesh me partizanet apo ballistet eshte si nje religjion I vjeter. Po atehere pse ky shkrim? Apo s’te le zakoni vjeter I qenit …

  7. Duke marre ne konsiderate veprimin e Presidentit per dekorimin e nje grupi martire te ish Ballit kombetar mendoj dhe gjykoj se me kete veprim Presidenti ka gabuar rende dhe eshte nxites ne nje fare mase te nje revolte qe zjen nga shumica e njerezve patriot dhe te ndershem. Qendrimi indiferent dhe pro okupatorit i parise se Ballit Kombetar tashme eshte katerciperisht i vertetuar me dokumenta te arkivuara dhe ska pse te kete as me te voglin dyshim se Ballistet ishin pro Pushtimit te vendit nga nazistet Gjerman dhe pushtues te tjere. Veprimi i tyre ishte kunder frontit nacionl-çlirimtar ku ishte radhitur shumica e popullsise vendit tone per te shporrur kete barbar qe ne ate kohe kishte pushtua pothuajse gjithe Evropen duke kryer vepriimet me çnjerezore qe ka njohur historia. Pra Presidenti duhet te kishte me shume vemendje te mos ndermerrte nje veprim te tille, duke mednuar se po bene paqetim por ne fakt bene te kuunderten nxit urrejtje, por dhe njollose figuren e Kryetarit te Shtetit

  8. Vetem BALLIST says:

    Lidhur me dilemat per kohen e luftes se dyte boteore ne Kosove jane disa fakte:

    Italia e futi Shqiperine ne protektorat, sepse Jugosllavia dhe Greqia do te e okuponin. Kosova u qlirua ne kete kohe dhe poashtu u fut ne protektorat Italian.

    Ne perioden e protektoratit Italian Kosova ka qene vend i lire ne kuader te Shiperise. Vetem regjionet e Mitrovices dhe Podujeves ishin nen okupim te Serbise.

    Ne kohen kur jane themeluar celulat partiake te Partise Komuniste te Kosoves ne disa qytete siq jane : Prizreni, Peja, Gjilani, Gjakova, Prishtina…………ne Kosove kishte 85% Shqiptar dhe 15% ishin kryesisht kolonist nga Serbia dhe Bosnja dhe Mali i Zi.
    Celulat partiake komuniste kishin nga 24; 25 ose 26 anëtar…në te cilat ishin NJË ose DY Shqiptar Komunist, dhe 23 ; 24 ose 25 anëtar komunist Kolonist!
    Dmth ne celulat partiake komuniste 98% ishin Kolonist dhe vetem 1 deri ne 1.5% ishin Shqiptar te Konvertuar ne Komunist. Kjo eshte fakt i pamohueshmëm.

    Lufta qe e bente Partia Komuniste e Kosoves kunder Shqiptareve, Italianeve apo Gjermaneve , ishte lufte per idealet terroriste – komuniste e jo per liri Kombetare Shqiptare.

    Komunistet e Kosoves ishin renditur me komunistet e Rusise dhe Serbise.

    Ne Luften e dyte boterore Britania, SHBA, Kanada, Australia luftonin kunder Gjermanise , Japonise dhe Italise. Prandaj E ashtuquajtura levizje LNQ nuk iu bashkua fituesve kunder fashizmit Gjerman por iu bashkua Komunizmit ekspanzionist Rus.

    Rusia luftonte per te okupuar shtetet fqinje siq janë: : Finlanda, Letonia, Gjermania, Rumania, Moldova, Bullgaria, Polonia, Qekosllovakia, Hungaria, Estonia, Lituania, Mongolia…..dhe tentonte te i fute nen ndikim-okupim edhe shtetet : Greqia, Mbreteria Jugosllave, Shqiperia, Kina, Japonia.
    Rusia vetem formalisht luftonte kunder Gjermanise fashiste, e ne te vertete luftonte per okupim dhe influence komuniste….dhe ia arriti qellimit gati 100%.
    Vetem Finlanda, Greqia, Gjermania Perendimore dhe Japonia shpetuan nga kthetrat grabitqare Ruse.

    Përfundim: Shqiptaret e Kosoves të konvertuar në komunist , luftuan per ideale te terrorizmit komunist te bazuar ne Rusi, dhe asgje nuk kishin te perbashket me luften per LIRI kombetare apo pavarësi shtetrore Shqiptare.
    Po te ishin komunistet e Kosoves luftar per Liri, do te themelonin Partinë Komuniste te Shqiperise se bashku me Komunistet e Shqiperise, sepse ne kohen e themelimit te partise komuniste te kosoves, KOSOVA ISHTE NE SHQIPERI……..por Partia Komuniste e Shqiperise dhe Partia Komuniste e Kosoves u themeluan nga komunistet Serb, te cilet permes ketyre partive komuniste deshironin te e ri-okupojnë Kosoven dhe eventualisht Shqipërine.
    Po te luftonin per LIRI, per Shtet, apo kunder Fashizmit , ……..ata do ti bashkangjiteshin atyre qe luftuan kunder fashizmit e qe ishin : AMERIKA, BRITANIA E MADHE, CANADA, AUSTRALIA.
    Shtetet tjera Europiane ishin vetem veshtruese se qka po ndodhë ne kete lufte…
    ….

  9. Baton Gostivari says:

    VETËM BALLIST, të VERBËRIT janë të PAFAJSHËM,
    por të verbërit nga truri janë SHPIRTKATRANË

    Hiq do devijime gjuhësore, na ke dhuruar një shkrim kristal – me argumente.
    “Merita” tradhëti kombëtare e bolshevikëve në dy krahët e tokës shqiptare, argumentohet nga ti – me themelimin nga ana e tyre
    parti komuniste për parapërgatitje RI/OKUPIMIN e tokave shqiptare nga blloku rusoserb, në emër të një ideali terrorist.
    Ky artikullshruesi, të cilt i përgjigjesh dhe jo vetëm atij, duhej, po të kishte një fije sinqeriteti e respekti patriotik, të përgjigjej fakteve që ke shtruar.
    Si duket, ai ka dëgjuar për Francën e traditës roberspierane dhe sajon rregull universale. Quislingu mbetet shekspirizmi norvegjez.
    Shifet që nuk di gjë për historinë e L2B dhe të pasluftës së popujve balltikë dhe skandinav.
    Do i shkruaj ca “dërme” Lorencit, oportunist, ndërsa TY të fala nga Gostivari shqiptar ballist.

  10. Baton Gostivari says:

    OPORTUNISTI i nderuar, Lorenc!

    Nga të gjitha shkrimet bolshevike e antishqiptare – kundër nderimit të 67 (e mijëra) plagëve shqiptare, ky është teksti më i butë, me një hije të zbehtë terrori.
    Ta them pa tendencë se na ke dhuruar do të pavërteta, besoj pa dashje. Dua të sjell do argumente që, po të duash të kuptosh, se ky problem i bashkëpunimit me gjermaninë naziste, për motive pragmatike, thjesht në dobi, në të mirën e popujve konkretë.
    Unë nuk jam specialist i kësaj dukurie, por kam kompetencë informative dhe joformale për të të ndihmuar që të hapësh sytë e ta kuptosh drejt këtë “bashkëpunim. Një informacion solid të ka dhuruar blogist “Vetëm BALLIST – i “.
    Unë nuk jam as naiv dhe as kam interes, se jam i lindur pas L2B, nuk kam nevojë për afirmim e publicitet, as kam nevojë materiale (të gëzoj ndonjë post t´i themi politik, në ndonjë parti poltike shqiptare etj. , por flas nga interesi kombëtar, por jo si tifoz, por me forcën e realitetit.
    Ti pohon se…kolaboracionistët në gjithë Evropën nuk paskëshin tjetër emër…(!!!)
    Kam argumente (literaturë e dokumentuar historike, në gjuhë të huaja dhe mund të shkruaj një MONOGRAFI.
    Mbasi je kaq i sigurtë në këtë “profecinë tënde”, merr aeroplanin dhe nisu e qëndro pak në Suedi, por kalo një kohë më të gjatë në Finlandë, bridh shesheve të qyteteve finlandeze dhe do të bie në sy NJË SHTATORE e infrastrukturuar sa se si nuk bën më mirë (jo si shtatorja e shpëtimtarit Clinton në Prishtinë, turp…) do më kujtosh mua dhe dije se PO SODIT SHTATOREN e SHPËTIMTARIT të FINLANDËS nga okupimi rusomadh, por sill ndër mend gjithë jetën, se KY TRIM i MENCUR, PATRIOT KOLOS, bashkëpunoi me HITLERIN, por jo për interes (budallallëk) ideologjik, por për një PRAGMATIZËM, DASHURI dhe DHIMBJE – FINLANDA.
    Mos u harlis nga miti De Gaul, se franca vonë u clirua nga fryma roberspieriane. E masakruan pragmatikun RENAULT dhe ia enverizuan fabrikën që ushqeu dhe po ushqen një ” TIRANË” , pa llogaritur vartësit ekonomik brenda familjeve të të punësuarve.
    Vazhdo bredhjet tuaja edhe nëpër shtetet e popujt balltikë dhe përpiqu t´iu gjesh azil tezave tuaja dhe thuaj se viktimat, martirët nga bolshevizmi shovenist rus nuk kanë merita për rendin demokratik…
    Mos harro refleksionet politike të Midhat Frashërit, Mustafë Krujës, V. Cercilit…janë e kundërta e “rrugës së drejtë” të bolshevizmit drejt katastrofës kombëtare shqiptare.
    Të fala nga Gostivari shqiptar ballist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje