Nga pajtimi i Sali Protopapës së vërtetë me Dritëroin, tek aleanca e Ballit me PS-në për të mundur Berishën

28 Tetor 2016, 09:51Dossier TEMA

Ka ditë që është rikthyer pjesërisht një retorikë e vjetër me partizanë e ballistë, duke shtënë xixat e një lufte civile, por vetëm në eter, se pas kamerave të gjithë ulen në kafe e zgjidhin hallet e njëri-tjetrit.

Kur Sali Protopapa i vërtetë ia behu në vitin 1991 në shtëpinë e Dritëroit për t’i thënë se e ka vizatuar mjeshtërisht portretin e komandantit të Ballit, por se ai nuk kishte qenë i tillë, të dy përfunduan duke pirë kafe. Sejfi Protopapa, fizikani i famshëm shqiptar në SHBA, deklaroi se u pajtua me Dritëroin, e se çdo gjë e bërë qe kaluar supeve.

Ky është një shembull i rëndësishëm se si elita e një kohe dhe dy anët e medaljes u bashkuan për të lënë prapa atë retorikë vrasëse.

Por ka edhe një shembull tjetër që ballistët dhe komunistët jo vetëm që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, por janë bashkuar për të rrëzuar Partinë Demokratike, e cila ishte më e fortë se kurrë në pushtet.

Bëhet fjalë për vitin 1996, përkatësisht në tetor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale. Vendi i zhvillimit të ngjarjes është Shkodra, qyteti më i madh i veriut të Shqipërisë.

Dy partitë tradicionale, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, së bashku me të tjera, formuan grupimin “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, dhe paraqitën si kandidat për kryetar bashkie Bahri Boriçin, një mësues nga një familje me traditë qytetare, që kishte trashëgimi balliste.

Partia Demokratike, që sapo i kishte fituar zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe në Vlorë bënte fushatë me kompanitë piramidale, kandidoi Lorenc Lukën, një ekonomist. PS-ja garoi me kryetarin e saj lokal, Sadetin Stankaj, edhe ai një ekonomist.

Në atë kohë zgjedhjet ishin me dy raunde; kandidati duhet të merrte 51 për qind të votave, ndryshe kishte balotash mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.

Në 20 tetor, shumica e shkodranëve nuk dolën në votime duke mos patur shpresë se do të ketë zgjedhje, por se do të fitonte PD-ja, siç i “mori” ato më 26 maj. Veçse pushteti nuk u kujdes shumë për allishverishet, pasi fjeti rehat.

Në zgjedhje dolën më pak se 50% e elektoratit, dhe në balotazh doli kandidati i PD-së, Lorenc Luka, dhe Bahri Boriçi i DBSH-së, pra kandidati i Ballit dhe Legalitetit.

Arkitekti i kësaj aleance reaktive ishte intelektuali Mentor Quku, i cili pati forcën dhe vizionin për të ndërmarrë një revolucion në politikën shqiptare.

Në javën e balotazhit pati një mobilizim njerëzish që panë se PD-ja mund të mundej.

Dhe pas një jave u zhvillua balotazhi: Bahri Boriçi fitoi, duke i marrë thuajse të gjitha votat e elektoratit socialist. Madje kishte edhe një vendim politik “të pashpallur” të PS-së lokale se duhej votuar Bahri Boriçi.

Dhe pa zhurmë, pa zë e shamatë, ballistët dhe socialistët bashkuan votat që rrëzuan PD-në kur ajo ishte më e fortë se asnjëherë.

Pas një viti, Fatos Nano, i zgjedhur kryeministër, do duhej që sipas Paktit të San Exhidios të emëronte kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një përfaqësues të opozitës. Dhe Nano nuk emëroi një nga PD-ja, por një anëtar të Ballit Kombëtar, siç ishte Mustafa Kërçuku, i propozuar nga Hysen Selfo, kryetari i atëhershëm i Ballit. Për herë të parë Balli hynte si një pol pushteti në administratën qendrore.

Më pas Balli u nda në dy parti: në Ballin Demokrat dhe në Ballin klasik, i cili ruajti anatominë për një kohë të gjatë dhe më pas u bashkua sërish me PD-në, e sot prapë ka lëvizur.

Çka duhet vënë në dukje sot nga ky diskurs “pulash” është jorealizmi i tij, pasi politika, ngaqë nuk ka kauzë, fut duart në historinë, e cila nuk ka pse politizohet, dhe prish ato episode pajtimi e bashkëpunimi që kanë ndodhur në këtë çerekshekull postkomunizmi. (Tesheshi.com)

3 komente në “Nga pajtimi i Sali Protopapës së vërtetë me Dritëroin, tek aleanca e Ballit me PS-në për të mundur Berishën”

  1. Daja says:

    Sejfini mund te jete takuar me Driteron, por nuk ka qene kurre kryetar balli, mos ja fut pordhes me hamendesime se kane te njejtin mbiemer.Ju be kjo pyetje kur erdhi ketu dhe ai deklaroi asht thjeshte koicidence mbiemri.

  2. zefi says:

    Prap Tema me marrira dhe dokrra idiotike. Sejfi Protopapa kurr nuk ka perfaqesuar Ballin se paku ketu ne SHBA, tjere ishin ata qe dihen qe perfaqesonin Ballin. Pastai z. Protopapa kurr nuk ka qene fizikant i njohur dhe kurr nuk ka figuruar si i tille ne qarqet shkencore amerikane.
    Po fotoja qe perdoret ne artikull cfare ka te bej me artikullin ore debila. Imam Isa Hoxha, Agim Karagjozi e te tjeret ne foto te viteve 80ta ne cfare funksioni jane vene?

  3. like says:

    kaq injorant qeka ky gazekari qe Nuk e dika se votan ne shqypni varen nga ai qe i numron e jo nga njerzit qe votojne?
    kur do flasin drejt kta njerez e ti tregojne gjerat si behen me te vertete.
    sa per rifreskim, PS u terhoq nga numrimi i votave 30 minuta pasi filloi numerimi. te huajt Nuk i njohen po ashtu, kurse gazetaruci ia njeh PDs..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje