Bojkoti i Parlamentit, aleatët kundër Bashës?

agron duka bashaPartia Demokratike po shkon drejt bojkotit parlamentar, por aleatët e saj shprehen kundër këtij vendimi.  Kryetari i opozitës, Lulzim Basha është shprehur se PD nuk përjashton skenarin e bojkotit të Parlamentit, si shenjë kundërshtie ndaj ligjeve që po miratohen. Por aleatët e Partisë Demokratike parimisht janë kundër këtij skenari.

Në një prononcim për gazetën SOT, Agron Duka, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, thotë se bojkoti është rruga e fundit që mund të ndjekë një parti. Ai thekson se debati dhe zgjidhjet politike vijnë nga diskutimi dhe përballja mes palëve në Parlament.

 “Unë personalisht gjykoj se bojkoti është skenari i fundit që mund të ndërmerret. Unë si kryetari i një partie gjykoj se bojkotimi i Parlamentit do të ishte vendimi i fundit që unë do të ndërmerrja. Parlamenti është vendi i debatit, ku zgjidhen problemet politike. Bojkoti është e drejtë e çdo opozite por gjithmonë kur nuk ka rrugë të tjera”, theksoi Duka.

I pyetur nëse do të ndjekë vendimin e Partisë Demokratike në rast se bojkoton Parlamentin, Duka nuk ka ende një përgjigje. “Unë do të vendos ashtu siç do të mendoj se është më e drejtë, jo sepse merr një vendim PD. Unë jam anëtar i Parlamentit dhe kryetari i një partie dhe vendimi im përfaqëson edhe mendimin e një grupi njerëzish. Unë mund të jem në parlament edhe nëse PD bën bojkot, nëse e gjykoj të arsyeshme”, tha Duka në prononcimin për gazetën.

Edhe Nard Ndoka shprehet kundër bojkotit. Aleati i PD thotë se bojkoti është arma e fundit që mund të përdorë një forcë politike për të kundërshtuar politikat e mazhorancës.

“Në parim unë jam kundër bojkotit, por kjo është një e drejtë kushtetuese e opozitës. Skenari i bojkotit është arma e fundit që mund të përdorë një forcë politike, por kur ke përballë një mazhorancë që me forcën e kartonit miraton çdo ligj, që refuzon çdo argument i Presidentit dhe nuk përfshinë asnjë propozim të opozitës, është një ndër rrugët që mund të ndiqet. Por, unë parimisht jam kundërt bojkoteve”, tha kreu Partisë Demokristiane të Shqipërisë.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...