Data e Çlirimit, Nishani, ballistët, Kosova dhe ne

30 Tetor 2016, 10:09Blog TEMA

Nga Ben Andoni*

Mekja e jehonës së lajmit ndaj dekorimit të ballistëve prej presidentit po pret ngjarjet e radhës që do të ndodhin. Dhe, vendi ynë është kaq i plotë me to, saqë të krijon qenësinë në një karusel të pandalshëm, që kanë harruar ta stakojnë. Me shumë gjasë do plasë diçka e re, që do të lërë në hije ngjarjen e mëparshme, duke krijuar një debat të ri po shterpë. Një nga më të afërtit, pa asnjë mëdyshje, do të jetë ai që lidhet me datën e Çlirimit, një nga paradokset më të mëdha kombëtare, ku vetëm disa orë (lexo ikjen e ushtarëve të huaj) ndajnë konceptualisht, atë që mendojnë ana e djathtë me atë të majtë, lirimin e vendit nga pushtimi fashist. Dy datat, 28-29 Nëntor, janë bërë gati si një makth, ushqim bjerraditës dhe debat i pashterur për politikën, e cila e ka kaluar në plan të dytë rezistencën e popullit ndaj fashizmit. Sak atë akt të madh, që pavarësisht formës që po i vishet, nëse nuk do të ndodhte, Shqipëria me patjetër do të ishte e cunguar. Duhet konsideruar si një fat jo i vogël që i gjithë spektri politik shqiptar, por edhe konglomerati i organizmave që i urrejnë dhe i duan komunistët, ka shprehur respekt për rezistencën. Dhe, nuk kanë pse të mos bëjnë ndryshe kur Fuqitë e Mëdha Perëndimore, garantueset e pavarësisë sonë, ishin të rreshtuara me anti-fashizmin.

Ka pak gjasa të ndodhë që presidenti Nishani në angazhimin e tij kryesisht protokollar, ta zgjidhte ditën e Çlirimit në mënyrë që të unifikonte qëndrimin kombëtar për kremtimin. Regjimi dikur e kishte bërë gati në formë arbitrare, kurse ai, si i propozuar nga e djathta, por in person me një sfond të majti, s’arriti të unifikonte diçka. Njësoj dhe paraardhësit e tij. Në fakt, edhe në parashikimin më të çmendur nuk mund të besohet prej tij, dhe këtë e shikon në formën e ngurtë të ligjërimit të vet dhe në performancën presidenciale.

Për ta lehtësuar shtjellën e argumentit tonë: Fuqitë e Mëdha kanë zgjedhur një ditë të fitores së tyre, 9 majin, kur kapitulluan njësitë e fundit rezistuese të Wehrmacht-it, anipse njësitë gjermane vazhdonin luftën në Pragë. Dhe, zgjidhja e vendeve të pushtuara si ne (Shqipëria në fakt prej gjermanëve nuk njihej si e tillë!!! – një problem tjetër) e që vuajtën pushtimin kanë zgjedhur datën e çlirimit të kryeqytetit të tyre. 17 Nëntori është dita e pamohueshme e çlirimit të kryeqytetit shqiptar. I mjaftonte pra, me një konsultim dhe një këshillë, që kësaj date t’i jepte vendin që meriton, kurse Shqipërisë, zgjidhjen e njërës prej ngërçeve të shumta të saj. Të mendosh është një datë që nuk kundërshtohet sot e kësaj dite nga askush. Njeriu që organizon ceremonitë solemne shtetërore, do t’i jepte me këtë rast staturë institucionit të tij, që për këtë presidencë nuk është mbajtur dhe nuk do mbahet mend për asgjë.

Duket se nuk e bën dot. E para prej mungesës së individualitetit dhe e dyta nga kompleksi i forcës nga vjen. Kësaj i shtohet panjohuria e luftës, kohës kur kolaboracionistët fashistë shqiptarë vepronin krejt ndryshe nga kolegët e tyre të vendeve të huaja, që synonin administrimin dhe shtimin e territoreve të tyre. Kolaboracionistët tanë mendonin vetëm futjen nën pushtimin italian. Presidenti duhet të kujtohet se pasojë e kësaj ishin qindra-mijëra kolonë, gjurmët e të cilëve janë edhe sot në traditën vendase të punëve bujqësore, që parashikoheshin të vinin në vend. Dhe kjo u sanksionua edhe me dekretin nr. 194, nënshkruar më 9 qershor 1940 nga Viktor Emanueli III, botuar në “Gazeta Zyrtare”, nr. 93, Tiranë, 10 qershor 1940. Në bazë të këtij dekreti, Shqipëria ishte automatikisht në luftë me çdo shtet me të cilin Italia fashiste do të ishte në konflikt të armatosur. Dhe, Shqipëria lilipute u shpalli luftë Anglisë dhe Francës, më 28 tetor 1940 Greqisë, Jugosllavisë, më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës!!! Po ndërsa komunistët e ngritën strukturën e tyre, Balli hyri në skenë në nëntor 1942, dhe atëherë vetëm me një pozicion vëzhgimi. Mbase s’është nevoja për histori, por Lëvizja Nacionalçlirimtare kundër të huajve arriti dhe u bë faktor, kurse në dhjetorin e vitit 1942 erdhi edhe një lajm pozitiv kur ministrat e Jashtëm të tri Fuqive të Mëdha të koalicionit antifashist, deklaruan se e çmonin rezistencën e armatosur të shqiptarëve dhe njihnin pavarësinë kombëtare të Shqipërisë. Përveç përfaqësuesit anglez, i cili kërkonte që kufijtë të rishiteshin pas lufte. Historia ka nxjerrë në pah se ishin interesat greke për “Epirin e Veriut” dhe premtimi britanik, pas këtij qëndrimi. Ka një lëvizje interesante të nacionalistëve shqiptarë, që të njohur me këtë realitet, mendonin se në një kohë më të përshtatshme do të ngriheshin ndaj lakmive territoriale greke.

Por historia sërish do t’i nxirrte blof, pasi gjërat duheshin zgjidhur në luftë. Këtë e kuptuan komunistët. Pak vite më vonë, Konferenca e Paqes e vitit 1946 do të provonte interesin grek dhe etiketimin si pro-fashiste, që i ngjitën Shqipërisë. Ballistët, segmente të tyre, duhen vlerësuar se kundër krerëve të tyre do të luftonin, paçka peshës së vogël specifike. Pak muaj më vonë, duket se Balli e pati një as tjetër në dorë, këtu erdhi çështja e Kosovës dhe mosangazhimi i saj kundër forcave gjermane. Dhe akuzat vazhdojnë deri më sot mes palëve. Ballit i mjaftonte bashkimi i Kosovës, si realizim i platformës së Rilindjes dhe pohimi se lufta s’duhej kundër gjermanëve por kundër çetnikëve dhe komunistëve serbë. Ndërkohë që komunistët mendonin luftën kundër fashistëve, sepse në fakt, nëse do vazhdohej kështu, Kosova do t’i kthehej normalisht Jugosllavisë, e cila paçka formës së regjimit, ishte aleate e kampit të madh antifashist. Por komunistët i bënë po ashtu llogaritë gabim, sepse aleatët e tyre jugosllavë nuk e respektuan vendimin e Kuvendit të Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Paçka se historianët e vendosin gishtin e fajtorit te njerëzit e Titos, që e transformuan rezolutën e Bujanit, dhe dritëshkurtësia e komunistëve.

Historia s’ka më surpriza. Balli Kombëtar e tejkaloi zyrtarisht kur në shtator të vitit 1943 ishte në kompromis me qeverinë kuislinge të Tiranës, fakt që e bëri të qarkullonte lirisht në qytetet e vendit me kushtin që të mos prekte gjermanët. Ballistët gjatë dimrit 1943-1944 jo vetëm s’i prekën, por bashkëpunuan haptas me ushtritë hitleriane në operacionin ndëshkimor, që pothuaj i fshiu komunistët. Megjithatë, ata mbijetuan, kurse Balli Kombëtar dhe liderët e saj, në masë, përfunduan në kampet e refugjatëve nëpër Evropë. Historia s’e ka vendosur në vendin e vet Ballin, porse ai i duhuri është realisht shumë larg anti-fashizmit.

Këtë duhej ta kuptonte pa kompleksin e tij presidenca shqiptare dhe të shpallte një rezolutë për mbrojtjen e luftës dhe vlerat e anti-fashizmit. Të mendosh, në ditët që jetojmë, problemi i vetëm është se asnjë nga presidentët e vendit nuk mundi të zgjidhte një gjë të thjeshtë nga ku do të fillonte pajtimi i shqiptarëve, një akt që me sa duket do të dojë shumë e shumë kohë. Kthejeni 17 Nëntorin në lartësinë që meriton…/*GSH

10 komente në “Data e Çlirimit, Nishani, ballistët, Kosova dhe ne”

  1. SuperBallisti says:

    Data e qlirimit nuk eshte 28 as 29 nentori i vitit 1944…………por eshe viti 1991 kur Shqperia u qlirua nga komunizmi rusoserbokinez. Pik.
    Qlirimi nenkupton LIRI. pra Liria e Shqiperise filloi me 1991. Komunistet ishin kuslinget qe bashkpunonin ne luften e dyte boterore …..me forcat rusoserbokomuniste. Pik.
    Krejt tjerat jane genjeshtra.

    Ballistet luftuan per Shqiperi te lire, por humben nga kuislinget komunist qe e tradhetuan Shqiperine dhe e futen nen okupim rusoserb.
    Edhe nje pik e madhe…….

    1. I.Hoti says:

      Ti qenke i zgjuar o ‘zagar zorresh’….. Me i zgjuar se Roswellt e Curchill qe bashkpunuan me Stalinin dhe njohen Shqiperine ne anen e aleances fituese te luftes se dyte botrore ! Kush ishte humbesi ????? Fashizmi dhe bashkpunuesit!! Emrat vendosi vete se qenke i zgjuar!!!!!!!!

    2. roberto says:

      Nuk eshte ceshtja tek data e CLIRIMIT,se kjo e drejte u takonte vetem atyre qe bene luften dhe CLIRUAN Shqiperine dhe jo atyre qe bashkepunuan me pushtuesit!
      Halli eshte qe te injorohet Lufta Antifashiste Nacional-Clirimtare e popullit shqiptar nen udheheqjen e PKSH-se dhe Enver Hoxhes si dhe te justifikohet tradhetia e ballit si bashkepuntore me pushtuesit!
      Sa per kete kalemxhiun Andoni edhe ky eshte pjese e armiqve te LANC-it.
      Edhe 17 nentorin e caktuan partizanet dhe prap do vazhdoje polemika!
      Perse duhet te diskutohet data e Clirimit kur ajo festohet prej 70 vjetesh?
      Me pas antishqiptaret do diskutojne per 28 nentorin,1 majin,5 majin,11 janarin,alfabetin e gjuhes shqipe,drejtshkrimin etj deri sa Shqiperia te zhduket fare si komb,sdi histori etj!
      Keta jane ARMIQTE E SHQIPERISE!
      Ja pse i pushkatonte Enver Hoxha keta zaberhane!
      E meritonin!

  2. Durrsaku says:

    S’paske kuptuar asgjë z. Andoni!?
    Vërtet mendoni se debati për ditën e çlirimit ka të bëjë me saktësinë e datës kur u largua gjermani i fundit?
    Jo, i nderuar zotëri, nuk është ky shkaku i vërtetë i debatit prandaj dhe propozimi juaj për vendosjen e 17 nëntorit si datë e çlirimit të Shqipërisë nuk është pranuar dhe as nuk pranohet nga ata që nuk pranojnë 29 nëntorin.
    Qëllimi i tyre është, që në pamundësi t’a eliminojnë këtë datë, të paktën t’a errësojnë, duke e mbivendosur me ditën e festës sonë kombëtare, pra me datën 28 nëntor.

    1. Ilia2 says:

      Nuk mendon se nese” qellimi i tyre eshteta elimonojne kete date” data e propozuar e , 17 nentorit, qe eshte po e tyre qe bene 29 nentorin, nuk mund ta eliminjne??

  3. oldman says:

    Fakti qe 28 apo 29 Nentori diskutohet vazhdimisht nga politika dhe vetem kur jemi afer ketyre datave, eshte nje tregues negativ i seriozitetit dhe rendesise qe ka ky debat. Edhe Ben Andoni, pavaresisht se rreket te na jape nje zgjidhje, si gjithe te tjeret nuk ben tjeter vecse hedh nje tjeter gur ne lume… Kur ky debat te shtrohet per zgjidhje ne mjedise te specializuara akademike dhe historike dhe jasht politikes, vetem atehere mund te dale nje perfundim, i cili mbasi te marre dhe konsensusin e nje referendumi popullor mund te vendose datat simbolike te festave kombetare.

  4. gzuar vitn e ri says:

    po mor po !
    ke te drejt!
    shqiptaret tash jan te cliruar nga gjithcka. jan te cliru nga ligji,nga rregulli,nga shteti fare. s kan shtet. sepse kshtu duan dhe donin ballistat. per shqiperin pa shtet! kjo ishte moto e ballistave te djeshem dhe te sotem,qe ngrejn dy gishta perpjet si ata veshet e lepujve te eger,dhe po si lepuj ja mbathin neper shtetet e tjera per te perfitu nga benefitet e shtetit,porse shtetin e tyre e shkatrrojn.
    te gjith ato forca qe kan prish shtetin shqiptar,ballist zogist,etj etj,duhen djeg te gjall si minjt.
    me mir nje shtet shqiptar diktatur,porse shtet ama,ku ka ligje dhe rregull,le te jet diktatur,s ka gje, sesa nje shqipri demokratike ku s ka shtet rregull ligj.ku vjedh e vret tjetri n mes te rrugs dhe s ka as pergjegjsi por merr medalje kombtare!!!!
    shtet pa demokraci ka. dhe esht nje mundsi ekzistence.
    demokraci pa shtet nuk ka,dhe s ka mundsi te ekzistoj. demokraci n hava mo. demokraci n Hen!
    kte gje bejn shqiptaret. prishin shtet dhe I thon ksaj gjeje “revoluxjon demokratik”
    por kan fat se kan perendimin ne kufi dhe I pranon dhe I mban me buk se te ishin diku larg,si australija ,ta shifnin ata masi te kishin prish shtetin po nuk do ngordhnin si zhapiket e shkretetirave pa uj!
    kan perendimin I cili esht shpirtgjer dhe I toleron.
    dhe ata ikin neper bot,bejn te 99 at atje,pare drog kurva,dhe pordhnojn pasandaj “kkjo esht demokracija”
    perendimi po bo gabim fatal qe po I mso nje komb te ter me kriminalitet.
    do pendohen me von per kte qe kan bo,duke fut krimin shqiptar ne gjirin e tyre kulturor.
    jo vetem qe demtojn vetveten si perendim,por demtojn edhe pjesen e shendetshme shqiptare e cila zbythet dhe mendon se s ka shance te luftoj kriminelet shqiptare me dy gishta perpjet te cilet perkrahen dhe gjejn streh ne perendim.
    dhe krimi vazhdon….

  5. adriatiku says:

    O Ben, po pse fyellit me nje vrime do ti biem neve tere jeten? Po daten e çlirimit nuk e caktojne ata qe humben luften, por ata qe fituan, e kupton apo jo? Ata qe humben luften marrin dekorata nga presidenti.

  6. sassati says:

    Percaktimi i dates se clirimit te vendit ne luften e dyte boterore nuk eshte as mund te jete nje ceshtje e ceremonialit shteteror . Me vjen keq qe Ju zoti Andoni e mendoni keshtu. Me 17 nentor 1944 nuk ishte cliruar ende nje pjese e madhe e Shqiperise, te mos themi gjithe Veriu i saj. Per cfare Clirimi mund te flitet kur nuk ishte Cliruar Shkodra !?

    Data 29 nentor eshte vendosur me lufte dhe nga lufta, prej andej ka hyre ne histori dhe ne ceremoni, dhe jo e kunderta.

  7. vjola says:

    Me vjen keq z.Andoni por fituesi dhe vetem AI e cakton daten e fitores .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje