Armando Duka nuk po vret vetëm futbollin!

dukaNga Bledi Lumani

Ajo që ndodhi në Elbasan është një këmbanë alarmi. Mbi të gjitha për Armando Dukën!

Frustimi i gjithë këtyre viteve favorizimi të një ekipi ku ai është ortak, është shfaqur në formën më të dhunshme, dhe ky mund të jetë veçse fillimi.

Dhuna nuk lindi dje në shkallët e stadiumit të Elbasanit.

Ajo ka lindur shtatë vite më parë, kur disa njerëz me para dhe të lidhur me shtetin, vendosën të hynin në botën e futbollit.

Morën një ekip që ishte duke rënë nga kategoria, blenë ndeshjet që kishin mbetur për ta shpëtuar, dhe për gjashtë vite me radhë, e shpallën kampion.

Kuptohet, me blerje ndeshjesh, favorizime dhe mbështetjen e hapur të FSHF-së dhe Armando Dukës.

Gjë që është vërtetuar edhe nga raporti i UEFA-s, sipas të cilit, Skënderbeu ka trukuar të paktën 50 ndeshje.

FSHF dhe Armando Duka në mënyrë skandaloze dhe kriminale, e kaluan këtë raport në heshtje dhe nuk morën asnjë masë ndaj Skënderbeut.

Në Itali, për shumë më pak, Juventusi u rrëzua një kategori më poshtë dhe iu hoqën dy tituj.

Në gjithë këtë histori, nuk është vetëm favorizimi i Skënderbeut.

Kjo do të ishte e keqja më e vogël.

Ngritja e Skënderbeut në fakt, ka çuar në shkatërrimin e ekipeve të tjera, që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar.

Kujtoni Dinamon. E shkatërruan pikërisht për të ngritur Skënderbeun.

Apo Flamurtarin, që dy vite rresht u përpoq të konkurronte me Skënderbeun, por aleanca mafioze e korçarëve me FSHF-në bëri që vlonjatët të dorëzoheshin dhe prej vitesh tashmë notojnë në ujëra të turbullta.

Kjo gjë tani rrezikon të ndodhë edhe me Partizanin.

Ndaj dhe tifozët e Partizanit shpërthyen dje në Elbasan.

FSHF kishte caktuar me qëllim si arbitër një kamikaz të Skënderbeut, i cili u bë shkaku i një ngjarje të dhunshme, që mund të kishte përfunduar tragjikisht.

Ai prishi një ndeshje të dominuar nga Partizani, duke nxjerrë një lojtar me karton të kuq, në sfidën me delikate dhe të rëndësishme të kampionatit, ndërkohë që kishte kursyer disa kartonë ndaj lojtarëve të Skënderbeut.

Hezitimi i tij pastaj për të nxjerrë me karton të kuq lojtarin e Skënderbeut, disa minuta para fundit të ndeshjes, solli acarimin e tifozëve, të cilët u rrahën barbarisht dhe jashtë çdo logjike dhe në shkelje të rregullores, nga ana e policisë.

Skenat e Elbasanit duhet të bëjnë të reflektojë mbi të gjitha Armando Dukën.

Ai ia ka arritur ta shkatërrojë futbollin shqiptar. Ka ndërtuar një kampionat privat, ku vendi i parë është i përacaktuar, ndërkohë që ekipet e tjera luftojnë për vendin e dytë e poshtë.

Ai ka vrarë vrarë futbollin dhe shpresën për një garë të ndershme, por tani rrezikon të bëhet shkak jo vetëm për vrasjen e futbollit, por edhe të tifozëve, durimi i të cilëve duket nuk mban më.

Ndaj nëse nuk i jepet fund trukimit dhe favorizimeve, do të kemi të tjerë “Elbasanë”.

Por këtë radhë pasojat mund të jenë edhe më të rënda.

Dhe përgjegjësi do të jetë ai, Armando Duka.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...