Policia: Tifozët e Partizanit i rrahëm se po shanin Skënderbeun. Vajzën nuk e goditëm, u rëndua emocionalisht

d3Policia është justifikuar për dhunën barbare ndaj tifozëve të Partizanit.

Ajo thotë se dhuna është shkaktuar, pasi tifozët e Partizanit kanë sharë ata të Skënderbeut, kanë hedhur fishekzjarre dhe kanë tentuar të futen në fushë.

Policia mohon edhe që të ketë goditur tifozen e Partizanit që për pak humbi jetën.

Sipas policisë, tifozja u rëndua emicionalisht.

Njoftimi i policisë:

“Bazuar në shkresën e Futboll Klub Partizani nr.389, datë 27.10.2016, për marrjen e masave, për garantimin e sigurisë së ndeshjes kombëtare të futbollit, për Kategorinë Superiore midis ekipeve të K.F. Partizani dhe K.F. Skënderbeu, që do të luhej më datë 30.10.2016, ora 17:00, në stadiumin ‘Elbasan Arena’, ju informojmë se: Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan hartoi planin e masave për sigurimin e rendit e të qetësisë për zhvillimin normal të ndeshjes kombëtare të futbollit, ndërmjet ekipeve K.F. Partizani – K.F. Skënderbeu.

Sipas njoftimit të dhënë më parë për shtyp, nga ana jonë janë bërë publike masat që do të merreshin nga policia. Gjatë ardhjes së tifozëve të Korçës me autobus, në orën 16:35, në Unazën e qytetit është qëlluar me sende të forta autobusi me targa KO 1750 B, ku është thyer një xham. Efektivat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e mëtejshëm dhe kanë kryer veprimet e para hetimore dhe proceduriale, ku kanë identifikuar dy autorët, të cilët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë zhvillimit të pjesës së parë të ndeshjes, nuk pati probleme. Në minutën e 80-të, rreth 670 tifozë të Partizanit të dislokuar në pjesën C3 të stadiumit, filluan të hidhnin në fushë fishekzjarrë, kapsolla dhe lëndë piroteknike. Janë këshilluar disa herë me foni nga drejtoria e stadiumit për mospërdorimin e sendeve të ndaluara, të sharjeve dhe ofendimeve karshi tifozëve të Skënderbeut. Pas daljes me karton të kuq të lojtarit të Partizanit, tifozët e Partizanit thyen stolat dhe tentuan të kalonin rrethimin me qëllim që të futeshin në fushë.

Forcat e policisë, të dislokuara në këtë sektor, sipas planit të masave kanë vepruar konform procedurave standarde, sipas instruktazhit të dhënë duke mos lejuar tifozët të futeshin në fushë. Tifozët kanë vazhduar me thyerjen e stolave duke goditur punonjësit e policisë. Nga këto veprime, janë dëmtuar dy punonjës policie si dhe janë thyer pajisjet mbrojtëse të shërbimit të tyre. Kjo situatë ka zgjatur rreth 10 minuta. Punonjësit e policisë kanë dalë në rrethimin e jashtëm duke krijuar një perimetër dhe pas komunikimit të vazhdueshëm u bë normalizimi i situatës dhe vazhdimi i ndeshjes deri në përfundim të saj.

Nga ana e policisë, janë kryer veprimet proceduriale, janë shoqëruar 7 shtetas në komisariat, ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë. Mbi bazën e deklarimeve të marra, sqarojmë se shtetasi F.B, 24 vjeç, banues në Tiranë është dëmtuar lehtë nga stolat e hedhur nga pjesa tjetër e tifozerisë. Ndërsa shtetasja T.T, 18 vjeçe, banuese në Tiranë, nuk ka pasur asnjë lloj dëmtimi, por gjendje të rënduar emocionale.

Pas kontrollit mjekësor, të dy shtetasit janë larguar pa probleme në banesë. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan po vazhdon punën për kryerjen e veprimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale ‘Shkatërrim Prone’, ‘Prishja e qetësisë publike’ dhe ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’, parashikuar nga nenet 150, 274 dhe 236/1 të Kodit Penal.”

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...