Rebelim në PD, baza kundër Bashës: Po falimenton partinë. S’ka shanse fitoreje…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

lulzim-basha-23k_0Merr një tjetër dimension pakënaqësia në Partinë Demokratike ndaj kryetarit Lulzim Basha për mënyrën se si po e drejton partinë më të madhe në opozitë si dhe për mungesën e një strategjie konkrete dhe të besueshme, për t’a rikthyer një ditë të pushtet.

Përpos një grupi deputetësh të PD, duke nisur që nga Jozefina Topalli, Eduard Selami, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Arben Imami etj., tashmë janë strukturat lokale dhe baza e Partisë Demokratike, të cilët kanë paralajmëruar falimentimin dhe shthurjen e Partisë Demokratike, nën drejtimin e Bashës, në sy të këtij të fundit. Edhe pse gjatë turit të tij nëpër rrethe, Basha është kujdesur për evituar takimet në degët  problematike, ku ka pakënaqësi të mëdha dhe ku janë shkarkuar kryetarët, takimi me dyert të mbyllura me drejtuesit e strukturave të PD në Mat, është karakterizuar nga tensione dhe akuza të forta shkruan ‘shqiptarja.com’.

Takimet e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha me qytetarët dhe drejtuesit e strukturave të PD në rrethe nuk janë aq teatrale sa ç’paraqiten dhe pasqyrohen nga zyra e shtypit të PD, ku vetëm bëhen konstatime kundër qeverisë, flitet për hashashin dhe vendosen kushte për zgjedhjet.

Takimi i kryetarit Basha, me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Matit, i mbajtur ditën e diel në Burrel, është dominuar nga problemet e brendshme të partisë, ku Basha ka marrë një mesazh të fortë.

Sipas burimeve, gjatë takimit, me tone të larta, themelues dhe drejtues e PD në Burrel si dhe të zonave të Lisit, Batrrës dhe Karicës, kanë deklaruar se, Partia Demokratike, nën drejtimin e  Bashës, po shkon drejt falimentimit, duke paralajmëruar në të njëjtën kohë mundësinë e përfundimit si forcë e tretë në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Themeluesit dhe drejtuesit e strukturave, në sy të Bashës, e kanë vënë theksin tek çorganizimi i partisë, dobësimi i strukturave për shkak të largimit të anëtarëve drejt partive të tjera, mosmarrëveshjet brenda llojit, keqdrejtimi i Bashkisë Mat nga përfaqësuesi demokrat, emërimet klanore dhe nepotike në Bashkinë Mat, dështimi i departamenteve, mungesa e hapjes së partisë etj. Teksa Basha ka ruajtur qetësinë, duke premtuar rikthimin në një kohë të shpejtë në Burrel, për diskutimin dhe adresimin e këtyre problemeve, diskutuesit kanë konstatuar gjithashtu mungesën e frymës, programit dhe mungesës e aleancave të rëndësishme për zgjedhjet e 2017.

Mbetet për t’u parë nëse debatet në takimet e fundit të Lulzim Bashës janë shpërthime spontane apo të organizuara nga dora e Sali Berishës, i cili mund të shikojë mundësinë e zëvendësimit të Bashës, gjithnjë pas një humbjeje të mundshme në zgjedhjet e 2017.

Shpeshherë zëra nga baza kanë kërkuar rikthimin e Sali Berishës në PD, boshllëkun e të cilit e kanë vënë në pah herë pas here edhe deputetë të kësaj partie. Por, ndërkohë, në rrethet mediatike dhe politike flitet edhe për një projektim të mundshëm të Bujar Nishanit në krye të PD, i cili ka rritur mbështetjen në radhët e djathtës, sidomos pas dekorimit të ballistëve, por edhe familjarëve dhe miqve të Berishës.

Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, në këtë takim, Basha u njoh me shqetësimin e madh të banorëve për kultivimin e drogës në Mat. “Trafikantët i marrin gratë dhe të rinjtë si skllevër me sy të mbyllur dhe i çojnë të punojnë në arat e kanabisit, nën mbrojtjen e drejtuesve të policisë që ndajnë me ta paratë e drogës”, thanë ata sipas PD.

Kjo gjendje, theksoi kryetari i Partisë Demokratike është pasojë direkte e inkriminimit të shtetit. “Kriminelëve dhe trafikantëve që i futi në Parlament dhe administratë, Edi Rama u hapi rrugët e drogës, ndërsa qytetarëve u la si alternativë varfërinë, emigracionin ose punën si argat në arat e kanabisit. I hapën dyert krimit, i kandiduan për deputetë, i futën në Parlament, i bënë kryetar bashkish. Por nuk u mjaftuan; i bënë drejtorë në administratë, i bënë shefa komisariatesh e drejtorë krimesh si këtu në Burrel. Efekti kulminant i kësaj politike të pastër të inkriminimit të shtetit është mbulimi i gjithë sipërfaqes së vendit nga droga”, ka theksuar Basha.

Sipas Bashës mbulimi i vendit me drogë është projekt politik i Edi Ramës. “Ky njeri jo vetëm nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, por që ditën e parë i braktisi ato, nuk u përpoq t’i mbante, nuk kishte ndërmend t’i mbante. Çfarë kishte ndërmend e pamë. Tani që ditët e mandatit po i mbarojnë e kemi fare të qartë se çfarë kishte ndërmend. Kishte ndërmend që buxhetin ta mbante për vete dhe për një grusht miqsh.

Kishte ndërmend që krimit që e solli në pushtet dhe e mban në pushtet t’i hapë dyert e drogës dhe popullin ta vinte përpara disa alternativave; varfëri, emigracion, burg ose argat në kooperativën e drogës të Edi Ramës me shokë”, pohoi Basha.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Rebelim në PD, baza kundër Bashës: Po falimenton partinë. S’ka shanse fitoreje…”

  1. Treviso says:

    Largimi i Bashes dhe marrja neduart e Bujar Nishanit partia Demokratike do zhduket nga listat e partive. Njeri eshte m… dhe tjetri ka…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *