FMN jep miratim me kushte për buxhetin 2017

2 Nëntor 2016, 15:57Ekonomia TEMA

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se ka rënë parimisht dakord për planin e qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, por vendos si kusht shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë aktuale dhe njofton se në Shqipëri do të vijë një mision i dytë në janar para se lëvrimi i fondeve të miratohet nga Bordi i Fondit në Uashington.

Nga Gjergj Erebara

Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave Arben Ahmetaj se ka rënë dakord parimisht me qeverinë mbi planin për buxhetin por dakordësia kushtëzohet me detyrimin e qeverisë për të shlyer detyrimet e prapambetura të cilat, sipas përfaqësueses së Fondit “janë rishfaqur sërish”.

Buxheti i vitit 2017, i cili nuk është publikuar ende, sipas Ahmetajt dhe përfaqësueses së FMN Anita Tuladhar, duhet të mbartë një surplus primar prej 0.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto ndërsa Tuladhar tha se plani i qeverisë për të rritur pagat dhe pensionet duhet të shoqërohet me kursime nga fondi i pagave, kursime që krijohen nga mosplotësimi i vendeve vakante në administratën publike.

“Pagat si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk duhet të rriten,” tha Tuladhar.

Sipas saj, qeveria do të monitorohet më tutje për të parë zbatimin e modelit të ri të taksës së pronës, e cila parashikohet të hyjë në zbatim në vitin 2017 dhe ku shqiptarët të paguajnë taksë si përqindje e vlerës së përafërt të pronës dhe jo si shumëzim i metrave katrorë, siç paguhet aktualisht.

Kërkohet gjithashtu që qeveria të reduktojë disa përjashtime nga taksat të vendosura nga qeveria aktuale tre vjet më parë për sektorë të ndryshëm, përjashtime që dyshohet se kanë krijuar kanale për evazion fiskal.

Surplusi primar

Aktualisht treguesi kryesor i politikës buxhetore të një vendi është deficiti buxhetor, i cili, vitin e ardhshëm, sipas Ministrit të Financave Arben Ahmetaj, do të jetë i “barabartë me 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto” ose rreth 200 milionë euro.

Por një tregues më i imët për të shpjeguar pozicionin e qeverisë është surplusi ose deficiti primar, i cili llogaritet në mënyrë të thjeshtë si deficiti total minus pagesat e interesave të borxhit publik. Teorikisht, kur interesat e paguara për borxhin publik janë më të larta se sa deficiti total, atëherë kjo do të thotë se qeveria po paguan një pjesë të këtyre interesave me të ardhurat nga taksat dhe borxhi publik konsiderohet një barrë mbi të gjithë ekonominë e vendit pasi merr fonde të cilat duhej të shkonin për investime. Shqipëria ka pasur deficit të tillë primar përgjatë të gjitha viteve që nga kriza ekonomike dhe financiare botërore e vitit 2008. Ahmetaj deklaroi se vlerësimet paraprake për vitin 2016 flasin për një surplus modest primar prej 0.4 për qind të PBB-së.

Pagat me kushte

Përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN Anita Tuladhar bëri të ditur se Fondi e ka pranuar në parim se qeveria ka hapësirë fiskale për një “rritje modeste të pagave dhe pensioneve” por kërkoi që kjo rritje të shoqërohet me kursime të tjera në fondin e pagave të qeverisë, duke sugjeruar se një zgjidhje për këtë situatë është që vendet vakante në administratën publike të mos plotësohen dhe që pagat e papaguara për këto vende vakante të përdoren për të rritur pagat për të tjerat. Por FMN e bëri të qartë se nuk dëshiron të shohë rritje të peshës së pagave të sektorit publik në shpenzimet e përgjithshme buxhetore, një masë që rrezikon të shkaktojë deficit buxhetor në vijimësi.

Gjatë viteve të fundit, qeveria ka shpenzuar mesatarisht 70 miliardë lekë (500 milionë euro) për pagat e rreth 100 mijë të punësuarve në sektorin publik. Shtimi i këtyre shpenzimeve siç premton qeveria vitin e ardhshëm me mbi 10 për qind e vë buxhetin e shtetit në pasiguri për të ardhmen, veçanërisht në rast se shpenzime të tjera të pashmangshme si shpenzimet për interesa, rriten papritur.

Për momentin nuk ka para

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndonëse deklaroi se “ka rënë dakord parimisht në nivel stafi”, theksoi gjithashtu “mënyrën e pazakontë të këtij misioni”, që sipas Tuladhar, përfshin rishikimin e nëntë dhe të dhjetë të programit të ndihmës.

“Do të ketë një mision tjetër të FMN-së në janar para se dokumenti t’i paraqitet për miratim bordit të FMN-së,” deklaroi Tuladhar.

Bordi i Drejtorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar është institucioni që miraton lëvrimin e kësteve të kredisë që Shqipëria po merr nga fondi. Rrjedhimisht, Shqipëria do të mund t’i tërheqë paratë e fondit vetëm nëse misioni tjetër në janar do të arrijë konsensusin.

Qeveria aktuale nënshkroi një marrëveshje ndihme me Fondin Monetar Ndërkombëtar në dhjetor 2013, në bazë të së cilës, Shqipërisë i jepen 370 milionë euro në shkëmbim të reformave të rekomanduara nga FMN. Kësti i fundit u dha në shtator dhe totali i kredisë së disbursuar është 298 milionë euro. [Link]

Qeveria aktuale ka bërë të ditur se nuk ka ndër mend ta rishikojë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin e ardhshëm. Në mungesë të një marrëveshjeje, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Fondit do të ulen në nivelin e bisedimeve këshilluese të herëpashershme.

7 komente në “FMN jep miratim me kushte për buxhetin 2017”

  1. enea says:

    ndryshimi dhe permiresimi ne financa nuk mungon duke ndryshuar shume aspekte per mire si dhe eshte duke u perfaqesuar denjesisht ne forume te niveleve te tilla por kete here ne raport me te kaluaren me shifra reale qe pranohen edhe nga vete institucionet e huaja. Sigurisht, vleresime edhe kreut te financave per menaxhimin e gjithe kesaj situate duke fituar mbeshtetjen e FMN-se

    1. flori says:

      Ore te jet per FMN skemi per te pasur ndonjehere rritje pagash ne po shyqyr qe pranuan dhe kshu dhe shyqyr qe erdhi ajo kohe kur sakrificat e popullit ndaj reformave ti rikthehen po popullit e jo me per femijet e pushtetareve.

    2. artemisa says:

      per tu pergezuar puna serioze qe ka bere ahmetaj pasi nuk eshte aq e lehte te marresh perkrahjen e nderkombtareve.kjo do te thote qe ne te ardhmen nuk do te jete me e nevojshme qe te largohemi nga vendi jone por te punojme bashke

  2. deani says:

    marrveshja me fondin monetar ka qene nje sukses per ekonomine shqiptare.normalisht duhet bere me shume ne te ardhmen dhe duhet te vazhdojne me ritem me te larte per rritjen ekonomise shqiptare qe te mos ket me largime nga shqiperia por te punojme ne vendin tone.

    1. anna says:

      Urime, ndryshimi dhe permiresimi ne financa nuk mungon. Vendi po ndryshon ne shume aspekte per mire si dhe eshte duke u perfaqesuar denjesisht ne forme te niveleve te tilla por kete here ne raport me te kaluaren me shifra reale qe pranohen edhe nga vete institucionet e huaja. sigurisht, vleresime edhe kreut te financave per menaxhimin e gjithe kesaj situate duke fituar mbeshtetjen e FMN-se per draftin ne fjale.

  3. Bani says:

    Nje lajm pozitiv dakortesia mes qeverise dhe fondit nderkombetar per nje teme kaq me rendesi si buxheti qe vjen si rrjedhoje e reformave dhe punes serioze te bere deri tani

  4. Rudi says:

    e gjitha kjo eshte resultat padiskutim i nje pune serioze dhe korrekte qe eshte bere ne krye te financave duke shenuar rezultate konkrete ne ekonomi, rritja e pagave e pensioneve, demshperblimet e ndryshme qe po jepen jane faktike e te arritura me pune jo mashtrime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje