Ndjesa e Bashës, më shumë se shpresë

kristo cipaNga Kristo Çipa*

Kanë kaluar tre vjet qysh kur “Rilindja” mëshoi mjegullisht drejt kthjelltësisë së “motit europian” dhe qielli i shpresës shqiptare duket i zymtë dhe i trazuar. Premtimet e agimit të bardhë së bashku me imazhet e një drejtësie e paqeje sociale tashmë kanë shkuar në të ngrysur dhe nata e pesimizmit kombëtar ka filluar.

Qoftë e shkurtër! Të kërkosh qoftë edhe një njeri të vetëm që të shpresojë tek e nesërmja politike është njësoj si sentenca e Dhiogjenit “në mes të ditës kërkonte në Athinë me qiri të ndezur një grek të vërtetë.” Tranzicioni ynë nuk ka destinacion pamvarsisht betimeve politike që u artikuluan me mjaft forcë në pranverën e verën e 2013-s (çdo ditë e më tepër na ngjason me 1913-n).

Tani më shumë se kurrë qëllimi politik i pushtetmbajtësve për të krijuar idenë unike se të gjitha palët janë njësoj, duket se është shumë pranë arritjes. Në këto rrethana, ndjesat politike e publike të liderit të opozitës Lulzim Basha, të artikuluara dy-tri herë me elegancë, sinqeritet, koherencë, krijojnë shkëndijat e para për të kapur ndryshimin e shumëpritur të atmosferës politike.

Karvanët njerëzor që çanë detet dhe qiellin në fillim vitin e sivjetmë, marshimi maleve, përrenjve, luginave për të kultivuar bimën çudibërëse, dëshmorët e parë dhe fatkeqësisht jo të vetëm të kësaj qorr-belaje, kërkojnë një rrugëprerje urgjente të këtij mëkati social, që ka gjunjëzuar shoqërinë.

Të kërkosh ndjesë për ato që në politikë i ke kuptuar apo realizuar gabim, përveçse është një virtyt që vetëm fisnikët politikë mund të kenë guximin t’i bëjnë dhe në rrethanat aktuale që ndodhet vendi, por edhe në një qartësi politike për fatet e vendit tënd, që rrjedh nga një formim i gjerë e i thellë tërësisht perëndimor.

Më së shumti ky veprim ka rrudhur përkohësisht vetullat e vet ish-funksionarëve të qeverisjes së djeshme dhe më së paku ka stepur kalorësit e çmendur të qeverisjes së sotme, të cilët nuk janë më në trokun e revanit, por kërkojnë të drejtohen nga instinkti i kalit ku janë hipur.

Të kërkosh ndjesë për ato gabime që mendon se ke kryer në qeverisje është edhe një sinjal i qartë se nga e nesërmja politike, sido që të jetë ajo, nuk mund të përfitojnë më ato forca politike bashkëqeverisëse që kanë për orientim aforizmin popullor: Ujku i ngopur e delet tamam! Bashkëpërgjegjësia do të jetë bashkëqeverisje.

Ndërkohë, për shkak të vet historisë politike të Partisë Demokratike, të kërkosh ndjesë për të kaluarën qeverisëse do të thotë që edhe “idhujt” të bëhen tokësorë e të qortueshëm dhe se filozofia europiane është bibla e së ardhmes. Të kërkosh ndjesë politike do të thotë që e ardhmja e së shkuarës është arshivuar dhe e nesërmja e së sotmes do të kërkojë shumë sakrifica e beteja, por e destinuar të triumfojë.

Të kërkosh ndjesë, nuk do të thotë që të mos bësh qëndresë për ato që mendon se të tjerët i bëjnë ose i ofrojnë gabim. Pikërisht qëndresë dhe këmbëngulje logjike tregoi lideri i opozitës dhe stafi i tij për ligjin e dekriminalizimit dhe Reformën në Drejtësi. Kjo qëndresë e mirargumentuar dhe dialoguar disa dhjetëra herë solli konsensusin si lulja e parë në mes të dëborës.

Kancelari të rëndësishme e përshëndeten qëndresën që solli konsensus. Fitoret e arsyeshme janë gjithmonë në favor të të tërëve. Këto fitore nuk kanë as gjak, as dhunë, as proteste e konfrontim, por vetëm mirëkuptim e përparim. Ndjesa politike nuk mund dhe nuk do të thotë amnisti politike. Nëse ajo konvertohet në të tillë, jetëgjatësia e saj nuk arin stinën e le më motin.

Të kërkosh falje, është një ndër aktet më të larta njerëzore, por ta korrigjosh atë, është një sakrificë nga më të mëdhatë në terrenin e minuar nga mosbesimi masiv, për të mos thënë mbarëpopullor. Korrigjimi në formë dhe në përmbajtje, me një program të qartë e të besueshëm, me njerëz të rinj dhe të vjetër, por me moral shoqëror e politik të mirëdallueshëm do të thotë mëngjes i qartë.

Krizat ekonomike i ka kaluar shpesh mbi shpinë ky popull dhe i ka përballuar me durimin profetik, por ato të besimit e kanë vrarë, shkërmoqur, tjetërsuar e asimiluar. Për ta shpëtuar duhet jo gjë tjetër veç frymës. Por fryma nuk mund të vijë nga mjekërzimi i fytyrës, ashtu siç deshi ta ngrinte Rilindja, por nga shpirtëzimi i së vërtetës që premtohet. Koha që jetojmë është e ftohur në frymë.

Ajo që shpresojmë, është memece në zë. Dhe në këtë sprovë me “shpatullat për muri” gjendet Lulzim Basha. Fizikisht, Zoti e ka privilegjuar duke i falur klasin dhe elegancën. Nga ana tjetër, Perëndimi e mbrujti me dije dhe tharm demokratik.

Mirëpo lumi i pengesave politike është i gjerë e i rrëmbyeshëm dhe në memorien disavjeçare të vendit tonë ajo që ka bërë diferencën në kapërcyellin e kohës ka qenë guximi dhe vendosmëria për të njohur të nesërmen europiane. Në varrin e atdhetarit shqiptar Çelo Picari është gdhendur një epitaf: Udhëtar! Mos iu tremb vdekjes! Koha është e guximtarëve! /Panorama

*Kryetar i PD për qytetin e Himarës

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Ndjesa e Bashës, më shumë se shpresë”

  1. Kritiku says:

    Jeni te pjerdhur nga trute ju te Temes, qe publikoni idiotesira te tilla? Me sa duket kjo duhet te jete. Nuk eshte hera e pare qe ju tregoni boshllekun e madh te njohurive mbi njerezit dhe ngjarjeve.

  2. PO.PO says:

    Mashtrim me te madh , se ky i Kristo Cipas , qe na fton te besojme per banditin
    ( hajdut , vrases i pop. te tij , shites i trojeve shqiptare dhe dyshime te
    bazuara per UDB-ash ) Lul Basha , nuk mund te gjendet lehte , Ky palo njeri i neveritur ,
    na ben thirrje per te risjelle ne pushtet serisht kryebanditin serb te Vicidolit ! ! !
    Pervec provokimit te hapur e pa fytyre , cinike e antishqiptare te autorit ,ky shkrim
    flet shume edhe per metamorfozen qe po peson cdo dite z.Mero Baze !

  3. Erjoni says:

    Nje shkrim mjaft realist . Nje shkrim i cili duhet te ndihet ne selin blu. Ka nje pershkrim realist Dhe jep nje argument bindes dhe ndryshe . Shume bukur z, çipa

  4. Bogonica says:

    Opozita eshte oksigjen,pa opozite nuk ka oksigjen dhe qeverite asfiksohen, pastaj kopacet bien mbi qytetaret.Z.Cipa eshte ne te drejten e tij qe beson dhe shpreson tek ndjesa e Z.Basha,ai nuk thot qe opozita do vije ne pushtet neser por vlerson qendrimet realiste te saj,por mendoj se ndjesa e “bie opoziten ne shina”.Per kete eshte e rendesishme ndjesa e Z.Basha.Ne nuk mund te jemi peng dhe “dashnore”,te njeres pale.Ne se qeveria punon mire,mban premtimet, kjo eshte dhe si rezultat i nje opozite te shendoshe e te besushme.Ne kete opozite kemi,nuk kemi tjeter.Kjo opozite sado qe ka kaluar neper gabime,e rendeskishme eshte te njohe pergjegjesite.Vete Kristo Cipa eshte nje vlere e shtuar e Himares, intelektual patriot si jane te gjithe Cipajt atje dhe jo vetem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *