Ndre Legisi: PS-LSI, bashkë edhe në 2017

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

legisdiNdre Legisi, një prej socialistëve të orëve të para, që prej themelimit të PS-së, është rikthyer në qendër të vëmendjes së këtyre ditëve, pas pjesëmarrjes në Konventën e Partisë Agrare Ambientaliste, por edhe pas takimit me kryeministrin Edi Rama.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Legisi u shpreh se nuk ka ndonjë ambicie për t’u rikthyer në politikë, por shton: “Kurrë mos thuaj kurrë”.

Ka qenë një nga kundërshtarët e bashkëpunimit PS-LSI, në 2013-ën, kur LSI-ja sapo u shkëput nga PD-ja në qeveri dhe u bashkua me PS-në, por tashmë sugjeron që ky bashkëpunim të vijojë, duke bërë që të dyja partitë, siç kanë ndarë qeverisjen, të ndajnë edhe përgjegjësitë.

Zoti Legisi, kemi parë kohët e fundit që jeni angazhuar në disa dalje publike. Ju kemi parë në konventën e Partisë Agrare, më pas në një kafe me kryeministrin. Ka nga ana juaj një rihyrje në politikën e ditës?

Në fakt ka disa muaj që kam pasur disa probleme shëndetësore dhe mund të them që ndihem një pensionist i vërtetë. Kjo situatë më ka krijuar mundësinë t’u rikthehem kontakteve me miqtë e vjetër. Këto dy raste që përmendët ju janë shumë pak me takimet që kam pasur me shokë e miq gjatë kësaj periudhe, pa lënë mënjanë shërbimin e vazhdueshëm ndaj bletëve. Kjo nuk do të thotë aspak se unë kam ndonjë ambicie për t’u rikthyer në politikë, por siç thuhet zakonisht në raste të tilla, kurrë mos thuaj kurrë (qesh)!

Në takimin që patët me kryeministrin Rama, a biseduat, a ia thatë përshtypjet tuaja për qeverisjen 3-vjeçare?

Që kur erdhi në fermë, patëm një takim shumë konstruktiv, sqaruam shumë gjëra, dhe vazhdoj të kem komunikime shumë normale me zotin Rama, por pa u bërë i bezdisur për ta penguar në punën e tij. Ndërsa, takimi i djeshëm ishte pas një ceremonie që u zhvillua në Universitetin e Bujqësisë. Unë isha me zotin Duka kur ai na ftoi për një kafe, dhe ne iu përgjigjëm ftesës së tij. Atje nuk u bënë ato biseda që kam parë të komentohen nëpër portale. Zoti Duka, me shumë korrektësi i ka dhënë përgjigje interesit të mediave për takimin tonë.

Unë kam pasur dhe kam vërejtje. Ose më saktë, kam qenë i pari që kam paraqitur publikisht vërejtjet e mia për qeverisjen e zotit Rama që në krijimin e kabinetit. Kam qenë i mendimit që mospërfshirja e zotit Blushi, zotit Majko, por edhe ndonjë tjetri me eksperiencë, që nuk mungojnë në PS, ka qenë një gabim nga ana e kryeministrit.

Më tej mund të them që ka sektorë që vërtet kanë ecur përpara, që kanë dhënë rezultate, pavarësisht nga vërejtjet e herëpashershme që ka opozita. Megjithëse nuk e mendoj veten aq të zotin sa të bëj një analizë të qeverisë “Rama”, mund të them që frenimi i ndërtimeve pa leje, procesi i legalizimit, kompensimi i të përndjekurve politikë, lufta kundër krimit, zgjidhja e problemeve të energjisë, mbyllja e universiteteve fiktive, zgjidhja e disa problemeve në bujqësi, janë punë që meritojnë vlerësim. Kuptohet, ka edhe probleme në sektorë të veçantë, ku kritikat nuk kanë munguar nga opozita, por edhe të tjerë.

Gjatë këtyre 3 vjetëve, si e keni parë bashkëjetesën PS-LSI?

Nuk mendoj se them ndonjë sekret, por kam qenë kundër bashkëpunimit të PS-së me LSI-në. E kam konsideruar një gabim bashkëpunimin parazgjedhor. Kjo ka qenë ideja ime, të cilën e kam shprehur në atë kohë edhe në mbledhjen e kryesisë. E konsideroj të gabuar që një subjekt politik dy-tre muaj para zgjedhjeve të shkëputet, të kalojë në opozitë dhe pastaj të vijë prapë në pushtet. Sepse, nuk mundet që zoti Rama të kritikojë qeverinë “Berisha” për atë që ka lënë pa bërë, ndërkohë që gjysmën e kabinetit të qeverisë “Berisha” e ka si përfaqësues të LSI-së në kabinet. Kjo e bën të pabesueshme luftën politike pozitë-opozitë.

Ashtu siç do konsideroja jo vetëm të pabesueshme, por edhe të turpshme kërkesën që Partia Demokratike i bën tani LSI-së në pushtet që, ‘hajde me mua të mundim Edi Ramën’, ashtu sikundër dje, unë kam qenë kundër që Edi Rama t’i kërkonte domosdoshmërisht Ilir Metës që, ‘hajde të mundim Sali Berishën’. Këto janë gjëra shumë qesharake që, jam i bindur që ndodhin vetëm në Shqipëri, sepse në demokraci nuk mund të ndodhin. Këto nuk janë zgjidhje. Këto e kanë dëmtuar shumë imazhin e politikës në Shqipëri.

Nuk besoj që të ketë një vend tjetër ku kjo gjë të ndodhë. Është shumë normale që të dalim në zgjedhje, të konkurrojnë, dhe pastaj numrat të diktojnë bashkëpunimin, por jo të lozësh nga e majta në të djathtë ose të bësh diversion brenda një qeverie për të marrë një pjesë të saj apo për të marrë deputetë të veçantë. Çfarë kulture demokratike i përcjellim ne popullit?! Çfarë i kërkojmë ne bazës së partive, kur u themi ‘mos trafikoni votën’, kur kjo ndodh në qendër, trafikohen deputetët?! Kështu, do të thosha që është me shumë rëndësi që partitë politike të konkurrojnë me dinjitet, të marrin ato vota që elektorati ua beson, dhe pastaj të ndërtojnë koalicione.

Po në 2017-ën, a ka apo jo kuptim vijimi i një bashkëpunimi mes PS-së dhe LSI-së?

Në këto kushte, bashkëpunimi PS-LSI është normal, sepse ato janë bashkë në qeverisje dhe do të dalin para votuesve me bilancin e punës 4-vjeçare. Nëse votuesit do t’u besojnë përsëri, kjo është një rrjedhë normale. Ashtu siç kanë ndarë dhe kanë qeverisur së bashku, të mbajnë edhe përgjegjësitë.

Ish-kolegu juaj Ben Blushi së bashku me deputeten Mimoza Hafizi shpallën partinë e re politike. Si e shihni këtë zhvillim të ri në politikë?

Kam qenë një ndër përkrahësit e Ben Blushit pas fitores së zgjedhjeve. Idetë e Blushit, kritikat e tij, sidomos ato për respektimin e statutit, për zgjedhjen e kryetarit, unë i kam mbështetur me votë në Kongres. Kemi votuar hapur “pro” Blushit, Lakrorit e Hafizit, për të mbrojtur disa pikëpamje që këta të tre paraqitën në emër të këtij grupi.

Por natyrisht, unë me kohë i kam bërë të qartë Blushit që nuk do të jem pasues i tij jashtë partisë, sepse e para, unë jam në pension tashmë dhe nuk është se i ofroj ndonjë gjë të madhe një partie të re. E dyta, jam lodhur duke krijuar parti të reja, që pas kthimit të PP-së në PS, bashkëthemelimit të Forumit Rinor Eurosocialist, e më vonë themelimit të LSI-së, e deri te rikthimi në Partinë Socialiste. Nuk mendoj se duhet ta kaloj jetën që më ka mbetur duke krijuar parti të reja.

E kam mbyllur këtu këtë histori, natyrisht, duke mos bërë kompromis me ndërgjegjen time dhe duke shfaqur opinionet e mia, vërejtjet e mia, pa ndrojtje, përballë cilitdo kryetar partie që unë kam pasur, qoftë kur kam qenë në PS me Nanon, me Majkon, me Metën më vonë në LSI, me Ramën tashmë, etj., për aq sa unë kam peshë dhe forcë për të kundërshtuar gjërat që nuk më duken normale, të drejta dhe demokratike.

Një mesazh për Ben Blushin dhe Libra-n?

Unë i kam bërë një mesazh, ku i uroj punë të mbarë dhe suksese. Mendoj se jemi akoma një demokraci e re dhe ka akoma hapësirë për alternativa dhe konkurrencë. Asnjëherë nuk është i tepërt një formacion i ri politik, i cili ngrihet mbi disa parime, mbi disa principe, dhe mendoj që Blushi bashkë me zonjën Hafizi janë dy personalitete të fushave përkatëse. Blushi është një politikan 20-vjeçar, nuk është i ri, dhe është i aftë për të bërë gjënë e duhur.

Nuk jam dakord me opinionet e disa politikanëve brenda Partisë Socialiste, qoftë ky edhe opinion i Edi Ramës, që një krijesë të re direkt e anatemojnë, e sulmojnë, me shpresën që të mos rritet. Askush nuk ka në dorë në demokraci që të pengojë zhvillimin dhe ecurinë e një force të re politike. Madje koha ka vërtetuar që, të gjithë ata që kanë sharë në një moment të caktuar krijimin e një partie të re, më vonë e kanë marrë në koalicion. Kështu që do t’i këshilloja që të mos merren me sulme të panevojshme, por të debatojnë për alternativa, sepse nesër mund të ndodhë (siç ndodhi me LSI-në) që të kemi nevojë për njëri-tjetrin për të qeverisur Shqipërinë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *