Rama-Dule, duel për Athinën

qamilNga Qamil Xhani

 

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, të drejtat e minoritetit grek dhe Çështja Çame kanë ndezur dje debatin në Kuvend mes Kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PBDNJ-së Vangjel Dule. Debati dhe replikat Tiranë -Athinë kanë nisur të shfaqen hapur prej një jave, ndërkohë që tensionet në kanalet diplomatike kanë ekzistuar që më parë. Shkak është bërë projekti i Bashkisë së Himarës për të prishur disa godina në Himarë gjatë procesit të rikonstruksionit të zonës. Për Ministrinë e Jashtme Greke ky projekt po dëmton pronat e minoritarëve. Ndërkohë, pala shqiptare ka sqaruar se, banorët minoritarë apo shqiptarë po dëmshpërblehen sipas ligjeve në fuqi. Pavarësisht sqarimit Greqia ka kërcënuar me veto në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit. Këtij debati i janë mbivendosur dhe Çështja e pazgjidhur Çame, marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve për shkak të ligjit të luftës dhe bllokimit të marrëveshjes për kufirin detar nga Gjykata Kushtetuese. Tashmë tensionet janë rritur dukshëm. Ky tension është pasqyruar edhe në replikat e kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe deputetit të vetëm të minoritetit grek në Shqipëri, që është dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Kryeministri mbajti dje një nga fjalimet e rralla për dinjitetin që tregoi si shtetar përballë Greqisë. Në historinë e politikës shqiptare janë të pakta rastet, kur një kryetar qeverie në Tiranë flet hapur dhe pa komplekse kundër Greqisë. Kundër politikave të Greqisë në jug të vendit me minoritetet. Kundër qëndrimit për çështjen çame. Kundër ndërhyrjeve në punët e brendshme të Shqipërisë. Si dhe kundër përdorimit që i bëjnë minoritetit drejtuesit e saj, ku për çështje pronash, janë gati të hedhin në erë marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryeministri mbajti një qëndrim që nuk tregonte tone inferioriteti. Teksa grekët pretendojnë se Himara është greke pasi flitet greqisht, Rama përsëriti në Kuvend se dikur edhe në Athinë flitej shqip. Por shtoi se gjuha e përdorur nuk nënkupton se grekët kanë të drejtë për Himarën apo se Shqipëria duhet të pretendoj se kryeqyteti helen është shqiptar. Ndërsa për Çështjen Çame, Kryeministri theksoi se ligji i luftës mes dy vendeve është absurd dhe qëndrimi i Greqisë ndaj kësaj popullsie nuk justifikohet me asnjë ligj. Lidhur me acarimin që shkakton në Greqi përmendja e Çështjes Çame, Rama theksoi se nëse e kanë bezdi mund ta quajnë dhe Çështja Shqiptare.

Lidhur me atë çfarë po ndodh këto ditë me banorët e Himarës që u prishën banesat nga plani urbanistik, Rama akuzoi direkt kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai tha se Dule ka dërguar informacione të gabuara në Athinë dhe po nxit qëllimisht konflikte mes dy vendeve për një çështje shpronësimi normal. “Zanafillën e saj historia e ka tek ti personalisht. Çdo popull ka kokëboshët e vetë, t’i ke gjetur të gjithë kokëboshët e Greqisë dhe ju fut marrëzira në kokë, ata janë gati të marrin për të vërtetë çdo shpifje, gënjeshtër që bën ti. Nëse në procedurën e bërë për ta ka ndryshim për gjithë shtetasit shqiptarë unë mbaj përgjegjësi publike. Mbaj edhe para fqinjëve”,- tha Kryeministri.

Në replikë me kreun e PDBNJ-së, Kryeministri e ftoi Greqinë që çështjet mes dy vendeve të trajtohen në pozita të barabarta, si dy vende fqinj që nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të flasin hapur për gjerët që i ndajnë dhe të arrijnë marrëveshje.

Përgjigja e palës greke erdhi nëpërmjet kreut të PDBJ-së, Vangjel Duke, dikur aleat i afërt me Kryeministrin Edi Rama dhe sot opozitar i qeverisë. Për kreun e PBDNJ-së qëndrimi i qeverisë shqiptare me Himarën është dhunim i të drejtave të minoriteteve. Kreu i PDBNJ-së bëri dhe një diversion, duke akuzuar Ramën se pas qëndrimeve të tij të forta ndaj Greqisë qëndron Turqia.  Dule kërkoi të bëhej diferencim në trajtimin e minoritetit, pasi kanë pasaportë greke dhe mund të ankohen si qytetarë të Bashkimit Europian në Bruksel. Një sinjal ky i përsëritur këto ditë nga Athina zyrtare dhe që ka të bëjë me bllokimin  e mundshëm të procesit të integrimit të Shqipërisë.

Sigurisht që çështja e Himarës është një keqkuptim i qëllimshëm që po ndodh në Ministrinë e Jashtme në Greqi. Rreth 17 pronarë, po shpronësohen njëlloj si gjithë qytetarët e tjerë të vendit, kur ka punime publike. Në këtë rast nuk ka asnjë shkelje dhe aq më pak shkelje të të drejtave të minoriteteve. Problemi është se mes dy vendeve ka mjaft çështje të tjera që duhet të zgjidhen dhe Himara shërbeu vetëm si shkëndija e plasjes së debatit. Një debat që ka arritur deri te kërcënimet për bllokimin e integrimit të Shqipërisë nga Greqia. Edhe mbrëmë në “TV Klan” Vangjel Dule me dinakëri, la të kuptohej se Greqia do të pengojë integrimin e Shqipërisë, pas kësaj që po ndodh në Himarë. Duhet pranuar se Dule është një politikan karriere dhe e përdor mjeshtërisht ekzistencën, sipas tij, të një komuniteti grek në Himarë. Ai do t’i mëshojë shumë akuzës së tij për ta luajtur bukur edhe si lojë politike, rastin e Himarës.

Dje Rama u akuzua për populizëm, madje dhe nacionalizëm. Në fjalimin e tij ka dhe doza që mund të përdoren për konsum elektoral. Ka dhe qëndrime populiste dhe teza për gjullurdi mediatike. Ka edhe tendencë për të anashkaluar debatet e brendshme që ka vendi. Të gjitha këto mund të qëndrojnë. Por ajo që ka vlerë në gjithë këtë çështje shkon përtej interesave të politikës së ditës në Tiranë. Kryeministri foli dje ashtu siç do kishte dashur të fliste çdo qytetar i këtij vendi në raport më Greqinë. Rama mund të mos na pëlqejë për shumëçka bën në politikën e ditës, por dje foli siç duhet të flasë një Kryeministër në raport me fqinjët.

Të paktën Greqia nuk mund të na trajtojë më si inferiorë. Nuk është se Rama vdes të jetë nacionalist, por në këtë rast mbajti qëndrim dinjitoz, ndonëse edhe për llogari të fushatës elektorale të vitit 2017, ku çamët i do aleatë.

Pyetja mbetet nëse do të ishte PBDNJ në koalicion me PS dhe PDIU me PD, a do të kishte këtë reagim Edi Rama ndaj Athinës?

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Rama-Dule, duel për Athinën”

  1. albatros says:

    Nuk me pelqen fare kryeministri per shume e shume gjera. Por vetem te Enjten per te cilen flitet ne kete shkrim them : Sakte foli.

  2. Spathiati says:

    “Qamil”, emer tipik “illirian”.
    Europian 100%.
    Legena, islamista te terbuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *