Shijaksi shantazh vajzës nga Bathorja: Do të nxjerr fotot intime në internet, po s’u lidhe me mua

4 Nëntor 2016, 16:51Kronika TEMA

Një djalë nga Shijaku është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar për përndjekje nga një 25-vjeçare që banon në Bathore të Kamzës.

Vajza ka kallëzuar ngjarjen në Komisariatin nr.5 vetëm dy ditë më parë, edhe pse pretendon se ka pothuajse dy vite rresht që shqetësohet në rrjete sociale dhe në celular nga një person, që, sipas saj, nuk e ka takuar asnjëherë.

Madje, i dyshuari i ka zbuluar edhe fjalëkalimin e profilit të saj në “Facebook”, nga ku ka marrë disa foto të saj personale, që ajo ua kishte nisur disa shoqeve dhe nëpërmjet tyre i bën presion për të pasur një lidhje intime me të.

Burime nga Policia e Tiranës menjëherë pas kallëzimit të shtetases Rozeta M., kanë thënë se kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Gerald H., 28 vjeç, banues në Shijak, shkruan Panorama.

Në deklarimet që ka dhënë para oficerëve të Policisë, 25-vjeçarja është shprehur se nuk e ka takuar asnjëherë personin në fjalë, por ka nisur të komunikojë me të para rreth dy vitesh. Ajo është shprehur se gjithçka ka nisur me një kërkesë miqësie që i ka ardhur nga ai, të cilën vajza e ka pranuar.

Më pas i dyshuari ka filluar t’i shkruajë mesazhe në çdo orë të ditës, fillimisht me komplimente për disa javë, derisa i ka kërkuar numrin e telefonit dhe më pas që të takoheshin për të pirë kafe. Por kur vajza e ka refuzuar, ai ka nisur ta fyejë, gjë që e ka detyruar 25-vjeçaren ta fshijë nga profili i saj i “Facebook”-ut.

Duket se këtë veprim nuk e ka pritur mirë 28- vjeçari nga Shijaku, i cili ka këmbëngulur që të hyjë sërish në kontakt me të, duke përdorur adresa fiktive me emra të ndryshëm vajzash dhe djemsh. Por në të gjitha rastet ka përfunduar duke u fshirë sërish nga 25-vjeçarja, e cila edhe ka bllokuar disa profile të tij.

Në denoncimin e saj, e dëmtuara shprehet se situata është ndërlikuar kur ka më- suar se i dyshuari i kishte zbuluar fjalëkalimin e saj të “Facebook”-ut, nga ku kishte arritur të marrë disa fotografi personale që ajo u kishte dërguar mikeshave të saj, madje edhe numrin e saj të telefonit. Përndjekja më pas ka vazhduar nëpërmjet aplikacioneve “ËhatsApp” dhe “Viber”, duke u kthyer në një shqetësim serioz për 25-vjeçaren, e cila e ka ndarë këtë problem me nënën e saj.

Dy ditë më parë, e ëma e ka bindur që t’i drejtohet për ndihmë Policisë, pasi Gerald H., po i bënte edhe presion me publikim fotosh dhe hapje të adresave false me fotografitë e saj. Pas këtyre “kërcënimeve”, shtetasja Rozeta M., bashkë me të ëmën kanë bërë kallëzim në Komisariatin nr.5 të Policisë së Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje