Baton Haxhiu: Pse nuk u ndjeva komod në emisionin me Ramën

5 Nëntor 2016, 10:04Rajoni TEMA

Gazetari Baton Haxhiu, drejtues i emisionit “Zona e Debatit” në Klan Kosova ku kryeministri shqiptar pati një përballje nervoze me analistët, mendon se “debati i Ramës me analistët në Prishtinë, duket si përkëdhelje, krahasuar me ashpërsinë e debatit në Tiranë”

“Ndonëse, e llogarisja në shikueshmëri të lartë, nuk llogarisja komente të shtuara në opinion dhe në rrjete sociale. Dhe ndodhi kjo, nuk di nëse ka pasur ndonjë emision më të komentuar se kjo bisedë me Kryeministrin në Zonën e Debatit”. 

Kryeministri Edi Rama është vënë në qendër të diskutimeve, sidomos në Kosovë, kohët e fundit. Ai u kritikua se foli në emër të Kosovës në bisedimet me serbët, duke lënë në periferi faktin që Kosova është shtet i pavarur dhe i diskuton vetë marrëdhëniet dypalëshe. A ishte i justifikuar ky debat? A duhet që Kryeministri shqiptar të marrë këto pozita paternaliste? A ishte ky qëndrim, anashkalim i autoriteteve të Kosovës?

Do kisha shumë dëshirë që të zbardhej takimi me Kryeministrin Aleksandar Vuçiç në Beograd. Ta lexonin të gjithë. Aty do e shihnit gjuhën, karakterin, qëndrimin, ballafaqimin dhe fjalitë e Kryeministrit Edi Rama. Do ishte mirë ta shihnit përballjen e nuancave politike, mënyrën se si bëhen kërkesat, shtrohen problemet dhe detajet për daljen nga ngërçi ballkanik. Meqë, politika e tavolinës së mbyllur ka etikën e vet të komunikimit, atëherë të tjerët kanë të drejtë të gjykojnë për perceptimin dhe disa të tjerë – si Rama – të heshtin për të vërtetën.

Rama është i pabarabartë në këtë betejë. Perceptimi i krijuar për Beogradin dhe raportet me Vuçiç, i bërë përmes shkronjave, është gjithmonë më i fortë, më depërtues dhe më i padrejtë se sa realiteti, se sa e vërteta e heshtur.

Fundja, debati publik dhe diskursi i zhvilluar në media për raportet me Beogradin, sidomos në Prishtinë, më duket i sforcuar, mbase i vendosur edhe mbi bazën e informacioneve gjysmake ose të pakonfirmuara, si dhe mbi idenë e krijimit të protagonizmit. Po ashtu, ngjason me debatin e shekullit të kaluar. Kryeministri Rama nuk ka qëndrime paternaliste, sepse ai nuk foli as në Beograd, e as në Prishtinë, në emër të Kosovës.

Është e saktë: ka pasur shumë reagime dhe bujë, por jo vetëm për arsyet që ju përmendët. Sigurisht, ka pasur edhe kritika, por, të paktën në Kosovë, te opinioni i gjerë ka dominuar vlerësimi pozitiv për qëndrimet e Ramës.

Kryeministri Rama ishte në një emision në Kosovë, një emision i drejtuar nga ju. Për shumëkënd, Kryeministri ishte sfidues ndaj gazetarëve. Ju vetë, si u ndjetë?

Prej se e njoh, nga vitet ’90, Edi Rama më ka bërë përshtypje si orator dhe polemist. Por, edhe është në kërkim të konfliktit me këdo që i del përpara, për çështje që mbesin të pashpresa.

Ai që ballafaqohet me të, qoftë politikan, qoftë gazetar, duhet të llogarisë përgjigjet dhe komentet pa doreza të Ramës. Disave, kjo mund t’u duket si arrogancë dhe qasje e paedukatë. Disa të tjerëve, mund t’u duket si mjeshtëri komunikimi dhe zgjedhje e qëllimshme për ballafaqim – si një “mind game”.

Nuk dua të bëhem avokat i Ramës. Por, në emisioni tim, ai nuk ka qenë aspak më ndryshe seç është zakonisht. Rama ka qenë mjaft i ashpër me cilësimet e analistëve si zëdhënës portalesh (“O portal”), vetëm se kjo argumentohej me vlerësimin e tij se pikënisja e kritikave ndaj tij kanë qenë qasjet spekulative të portaleve, që zmadhonin informatat jo të plota për atë që përmendet edhe ju, rreth anashkalimit të Kosovës si shtet, bërje pazaresh të fshehta me Beogradin, e të ngjashme.

Edhe unë vetë në pyetjet e mia hyrëse i kam shtruar këto aspekte spekulative që vinin edhe nga mediat e Beogradit dhe disa interpretime me nevrike të disa qarqeve në Kosovë. Rama u përgjigj në mënyrën e vet, se nuk ka dëshirë të merret me spekulime.

Unë si udhëheqës i emisionit, nuk jam ndjerë komod me atmosferën e krijuar, sepse të gjithë që ishin në studio janë shpesh në emisionet e Klan Kosovës. Ndonëse, e llogarisja në shikueshmëri të lartë, nuk llogarisja komente të shtuara në opinion dhe në rrjete sociale.

Dhe ndodhi kjo, nuk di nëse ka pasur ndonjë emision më të komentuar se kjo bisedë me Kryeministrin në Zonën e Debatit. 

A pati përçmim ndaj gazetareve në studio, a hyri ai në rolin e Kryeredaktorit apo akuzatorit te medias nga pozicioni i Kryeministrit?

Më duket se e dhashë përshtypjen time për raportin Kryeministër – Analistët. Por, ndoshta këtu vlen të përmendet ajo që u tha në komentet e shumta të qytetarëve, në rrjetet sociale, që kryesisht favorizonin Ramën dhe flisnin me përçmim për analistët. Jam i bindur se këto komente negative dhe ofenduese nuk kanë pasqyruar realisht karakterin e debatit në studio. Analistët nuk e kanë merituar një qasje të tillë, jo vetëm pse e kanë të drejtën e mendimit dhe të kritikës ndaj Kryeministrit, por edhe sepse në këto opinione tejdimensionohej ajo që as emisioni im, e as Rama, nuk e kishte për qëllim – e këto janë spekulimet.

Nëse mbetemi vetëm te argumentet e dëgjuara, debati nuk ka dhënë material për këso ekzagjerime, as për ta bërë Ramën hero, e as për t’i përbaltur analistët. Po të kishte ndodhur një debat i tipit si në opinion, atëherë çfarë do të thoshit?

Debati i Ramës me analistët, krahasuar me debatin në Prishtinë, në Zonën time, duket si përkëdhelje, krahasuar me ashpërsinë e debatit në Tiranë.

Ngjyra e debatit te ne është e ngarkuar me ndërgjegje, sepse batutat në Kosovë mund të merren si ofendime. Në Shqipëri, ky lloj debati do dukej më shumë se normal.

A ju duket se Kryeministri Rama po krijon, ose më mirë po kërkon, një përplasje me median, duke nisur nga fakti se edhe në Tiranë këtë javë pati një sërë akuzash për portalet dhe analistët?

Në një letër që botoi pas emisionit, Rama shpjegoi vetë qëndrimin që ka ndaj mediave, dhe u shpreh se analistët nga Kosova ishin shumë më të butë dhe më të sjellshëm se ata të Shqipërisë. Kjo nënkuptohet, besoj. Pse? Sepse, Rama nuk është Kryeministër i Kosovës. Dhe, ai në Kosovë nuk sulmohet për përditshmërinë shqiptare.

Në Shqipëri është i linçuar dhe i dënuar me fjali që nuk thuhen në një botë normale publike. Nuk ka kësi fjalori në asnjë vend të botës. Rama mund të kritikohet, mund të shkruhet për të, bëmat e tij, mund të ashpërsohet gjuha e publikut kundër qeverisjes, por nuk mund t’i japim të drejtë vetes që ta gozhdojmë për shkak të mënyrës se si ai zgjedh të shprehet. Nuk ka mbetur asgjë pa u thënë. Dhe kjo ndodh për një arsye të vetme. Vendi është pa sistem të drejtësisë. E fajin për këtë e kanë të gjithë, e shumë faj ka edhe vetë Rama me përqafimin e diskursit që lëndon dhe pasqyron realitetin e vrazhdë. Shqipërisë, para se t’i ndodhë çfarëdo reforme, një reformë që duhet të jetë e para është – REFORMA E GJUHËS.

Parimisht, nuk shoh asgjë të keqe në kritikat ndaj punës së Kryeministrit, qoftë Rama, qoftë Mustafa… Por, çështje tjetër është të merituarit e kritikës dhe pastaj edhe e drejta e të kritikuarve që të përgjigjen. Personalisht, vlerësoj se gazetaria shqiptare andej e këndej kufirit ka shkarje të mëdha, pjesërisht edhe për faktin se shumica e portaleve botojnë pa asnjë ndërhyrje edhe komentet më denigruese. Kjo nuk e ndihmon, por e çorodit, debatin shoqëror.

Kryeministri Rama ka zhvilluar me Kryeministrin Vuçiç më shumë takime se me Kryeministrin Renzi, Kryeministrin Gruevski, Kryeministrin Cipras, të marrë së bashku. Kaq të rëndësishme janë marrëdhëniet me Serbinë, sipas jush, sa tejkalojnë gjithë marrëdhëniet me vendet e tjera? A janë sot shkëmbimet me Serbinë shumë më të mëdha si pasojë e këtyre takimeve, a është sot Serbia më pranë njohjes së Kosovës si pasojë e këtyre takimeve, a janë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës më të mira se para këtyre takimeve, apo takimet kanë qenë më shumë për interesa të brendshme politike?

Mos të teprohet në raportet bilaterale Rama dhe Vuçiç. Kanë pasur tri takime, dy në Beograd dhe një në Tiranë, brenda harkut kohor prej tre vjetësh. Mua, kjo nuk më duket shumë, sidomos nëse kemi parasysh se vizita e parë në vitin 2013 ishte me tensione të mëdha pas ndeshjes së futbollit. Takimet e tjera të Ramës me Vuçiç kanë qenë në kuadër të konferencave të ndryshme të procesit të Berlinit dhe atyre rajonale, ku Rama është takuar edhe me Kryeministrat e tjerë të rajonit. Kuptohet, jo vetëm mediat tona, por edhe ato botërore, e edhe politikanët europianë, e kanë në fokus të veçantë përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, qoftë në relacionin Serbi-Kosovë, qoftë atë Serbi-Shqipëri. Duke qenë se në atë relacionin e parë ka ngecje dhe vonesa, pesha e raporteve Tiranë-Beograd vlerësohet më shumë aktualisht. Pse është kjo me rëndësi? Për faktin se boshti i stabilitetit të rajonit, siç ka pohuar disa herë Shkëlzen Maliqi, Këshilltar i Ramës për Rajonin, është ai i përmirësimit të raporteve shqiptaro-serbe, në dy akset që përmenda. Për fund, duke mos hyrë në analiza më të hollësishme, dua të them se dialogu Kosovë-Serbi dhe Procesi i Berlinit, që favorizon ngritjen e raporteve Shqipëri-Serbi, janë dy anë të një monedhe dhe një koncepti. (Mapo)

5 komente në “Baton Haxhiu: Pse nuk u ndjeva komod në emisionin me Ramën”

  1. Boss says:

    Nuk me pelqeu menyra arrogante e pergjigjeve te Rames, duke shfrytezuar bujarin dhe mikpritjen e shqiptareve te kosoves.

  2. Jimi says:

    Nese do ti referoheshim portreteve te politikaneve te ketyre 26 viteve vec Rames te gjithe drejtuesit politike e shteteror pothuaj kane nje portret standart, perjashto qoftelargun qe ka qene jashte cdo lloj matrice demokratike!
    Zgjedhesit shqiptar te lodhur nga figurat standarte dhe monotonia vrastare e veprimeve apo mosveprineve te tyre ne momentet me delikate te zhvillimeve histoirike, ne zgjedhjet e 2013 jo vetem qe dolen nga klisheja monotone e te zgjedhurve standart, por me votimin ne menyre masive per Ramen, shprehen ne nje fare menyre protesten ndaj politikaneve te cilet e kishin drejtuar kete vend per 25 vjete, pa e nxjerre nga tranzicioni i tejzgjatur. Po perse u votua Rama ne menyre kaqe masive? A nuk ja njihnin zgjedhesit karakterin e tij °rrebel° e °kokeforte°?

    Pikerisht shpresa e zgjedhesve qendronte tek karakteri i tij rrebel! Dikujt munde ti duken te cuditeshme e jo dipllomatrike shume veprime e qendrime te Rasmes pasi jane mesuar me qendrimet e veprimet as mish as peshk te paraardhesve tij Por tek Rama ne dallim nga te tjeret spikat jo vetem shpirti rrebel e kokeforte , por ai ka nje karakter te forte e te qendrueshem ka nje transparence te admirueshme , nuk di te shtiret ka nje shpirt artisti , ka nje bote te madhe e humane me tere koptimin e saje. pavaresishte agresivitetit te dukshem. Duke qene rrebel ai gjithmon mundohet ti sfidoje te gjithe paraardhesit e tij per paaftesite e tyre ne drejtimin e shtetit
    Jo rastesisht me ardhjen ne qeverisje te vendit ai ndermori nje sere rreformash me karrakter °rrevolucionar° ai theu cdo tabu per rregullat qe ishin vendosur deri sa pa ardhur ai ne qeverisje. Dikush u alarmua aqe shume sa ta anatemonte e ta quante ate mizor, e te pashpirt, amator, qe nuk mer vesh nga qeverisja dhe dipllomacia!
    Ne politiken e jashteme me shume se ne cdo sektor tjeter eshte bere nje revolucion i vertet. Qellimi i vetem i kesaj qeverie eshte mbrojtja me fanatizem i interesave kombetare, te cilat deri me sot jane keqeperdorur si nga politikanet e shtetaret vendas edhe nga te huajt, keqedashes te ketij vendi. Vendosja ne vendin e duhur te nderit te kombit, mbrojtja me fanatizem e dinjitetit te shqiptareve te cilet diskriminohen ne vendet fqinje. Dikush do te thote qe a kane kosto keto veprime, brenda e jashte ? Pa tjeter qe erdhe do te kene, por pa sakrifica asgje nuk do te munde te arrijme, edhe pse keto sakrifica munde te jene te perkoheshm por te domosdoshme per te ardhmen ,Rama per nje gje eshte i sigurte qe mbi kurrizin e tije do te bien njemije e nje sharrje e mallkime ,nga kundershtaret po e po ,por edhe nga shume prej mbeshtetesve te tije te cilet munde te kene edhe te drejte , pasi edhe durimi i tyre ka nje kufi!
    Me se fundi Rama si edhe gjithe politikanet europian nuk eshte engjell, ai si edhe gjithe qytetaret e tjere ka viryte por pa tjeter ka edhe vese e mangesi, por ashtu sic thote edhe vete, edhe do te gaboj, por nuk do te bej ato gabime qe kane ber paraardhesit e tij dhe mbi te gjitha e rendesishme eshte ta pranosh kur gabon dhe te kesh deshiren e vetekorrigjimit.

  3. Shqiptari i vertete says:

    Uaaaa Baton kokpalari, nuk qenka ndjere komod ne studion e tij televizive me kryeministrin e Shqiperise, Edi Ramen, por me ke ndihesh mire ti zoti Baton Haxhiu apo kur te vjen Fevzo korani Bleni Fevziu qe ia kercisni njeri-tjetrit sa ne Prizren aq edhe ne Prishtine?

  4. Aleksander says:

    Dakord me Baton Haxhiun.Shqiperise para se gjithash i duhet REFORMA e GJUHES ,ose REFORMA e KOMUNIKIMIT.Kemi shume ç’te mesojme edhe nga shqiptaret e trevave jashte Shqiperise ne kete aspekt…jemi shume te vrazhde e shuuuume te PA EDUKATE .E,kur perpiqemi te tregohemi me edukate e komunikues te “kulturuar” e bejme me nje falsitet te neveritshem e qesharak ne syte e njerezve vertete te kulturuar e me nje komunikim normal modern .Shqiptaret e Kosoves mund te mos kene njohjen e perdorimin e shqipes letrare (per faj te historise e jo faj te tyre),por kane RESPEKTIN e VETEPERMBAJTJEN ne komunikim shume me shume se ne te Shqiperise.

  5. santiago says:

    Aleksander…shqiptaret e kosoves vetem perdorimin e gjuhes letrare nuk e kane ,kurse ate te vetpermbjtjes ne emisione e kane ,nuk jane si ne

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje