Vdes në burgun e Prizrenit aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari

5 Nëntor 2016, 18:38Rajoni TEMA

Ka ndërruar jetë në rrethana krejtësisht të panjohura aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Lajmin për këtë rast e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili njofton opinionin se sot më 05.11.2016 në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D. ndrroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, shpreh keqardhje të thellë për rastin tragjik të ndodhur sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse së shpejti do të japin raport për rrethanat dhe detajet e këtij akti tragjik”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, i pandehuri A.D. ishte në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale nga neni 136, par. 1, lidhur me nenin 135, par. 1, nënpar. 1.7 të KPRK-së dhe dyshim i bazuar për veprën penale neni 374 par. 1 të KPRK.

Gjatë ditës së djeshme, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej, 67 ditë Astrit Dehari.

Po ashtu, vite më parë vëllai i Astrit Deharit pati bërë “Vetëvrasje” në lagjen e Spitalit. Ai kishte rënë nga katet e sipërme të banesës së tij.

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar vdekjen e aktivistit të tyre Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare.

“Shoku ynë, aktivisti shembullor, Astrit Dehari, ka humbur sot jetën tragjikisht në moshën 26 vjeçare. Të gjithë ne e kemi gati të pamundur ta besojmë vdekjen e tij që na ka tronditur e na ka pikëlluar thellë në shpirt. Në këto momente tejet të rënda, Lëvizja VETËVENDOSJE! gjendet pranë familjarëve dhe miqve të ngushtë të Astritit, gjendemi sot pranë njëri-tjetrit ne që e kishim atë shok dhe vëlla, ne që do ta kujtojmë atë përherë me dashuri.

Astriti u shua tepër herët. Ai ishte në përfundim të studimeve për mjekësi në Universitetin e Prishtinës. Me jetën dhe përkushtimin e tij ndaj çështjes shqiptare, ndaj popullit tonë, ndaj studimeve, ndaj shokëve dhe shoqeve, dhe ndaj familjes së tij, Astriti na ka dhënë të gjithëve forcë dhe frymëzim. Në shembullin e jetës dhe përkushtim të tij ne sot gjejmë forcën ta bëjmë të pamundurën ta ngushëllojmë sado pak familjen e tij dhe veten teksa ende e kemi vështirë ta besojmë se ai nuk do jetë më në mesin tonë.

Për të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për familjarët, shokët dhe shoqet e Astritit, ai po largohet nga kjo jetë si hero i popullit për të cilin ai nuk u kursye kurrë. Si hero do ta përcjellim në banesën e tij të fundit, si hero do ta kujtojmë përgjithmonë”, thuhet në komunikatën e VV-së

 

 

4 komente në “Vdes në burgun e Prizrenit aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari”

  1. Zike qorri says:

    Filloi metoda e helmimit te avashte.
    U qanit nga serbi po gjithe derrat nje turi kane

  2. Anton Guri says:

    Ngushëllime familjes për humbjen e djalit të dytë për një periudhë të shkurtër, ndërsa ju
    Zike qorri,
    shqiptarët manipulojnë vdekjen tragjike të njerëzve, ky fatkeqësisht ka bëre vetëvrasje siç vëllai i tij para dy vitesh duke kërcyer nga kati i gjashtë.
    Policia e burgut duhet të jap llogari si arriti ky të merr aq shumë medikamente për ti përdorur

  3. Sejdi says:

    E nderuara familje Dehari,
    Lajmi për ndarjen nga jeta të birit Tuaj, Astritit është është goditja e dytë shumë dhembshme që bie mbi familjen Tuaj, brenda dy vjetësh. Kam bindjen e plotë, se nga ky rast tragjik nuk ndjeheni të goditur, vetëm Ju Familja Patriotike Dehari dhe anëtarësia e LVV, por edhe çdo shqiptarë që din ta çmojë realisht të drejtën edhe për popullin e vet, për t’u përcaktuar dhe vetëvendosur lirshëm për të sotmen dhe të ardhmen e Atëmemëdheut.
    E nderuara familje Dehari,
    Kam bindjen e plotë se edhe në këto momente të rënda do të dini dhe do të gjeni forcë, që edhe këtë dhembje ta shndërroni në qendresë!
    Populli do ta kujtoj përjetë Astritin, ashti si dhe të gjithë bijtë dhe bijat besnike të tij!

  4. Sejdi says:

    E nderuara familje Dehari,
    Lajmi për ndarjen nga jeta e birit Tuaj, Astritit, është goditja e dytë shumë dhembshme që bie brenda dy vjetësh. mbi familjen Tuaj. Kam bindjen e plotë, se nga ky rast tragjik nuk ndjeheni të goditur vetëm Ju Familja Patriotike Dehari dhe anëtarësia e LVV, por edhe çdo shqiptarë që din ta çmojë realisht të drejtën edhe për popullin e vet, për t’u përcaktuar dhe vetëvendosur lirshëm për të sotmen dhe të ardhmen e Atëmemëdheut.
    E nderuara familje Dehari,
    Kam bindjen e plotë se edhe në këto momente të rënda do të dini dhe do të gjeni forcë, që edhe këtë dhembje ta shndërroni në qendresë!
    Populli do ta kujtoj përjetë Astritin, ashti si dhe të gjithë bijtë dhe bijat besnike të tij!
    Sejdi Veseli, Prishtinë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje