Provokimi në romanin e Blushit, kanabis, ISIS e vrasja e Kryeministrit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

blushiKëtë herë Ben Blushi ka vendosur ta çojë kryeministrin në vetëvrasje…

Pasi ka çuar një kandidat për kryetar bashkie në atë botë, i ka ardhur radha kryeministrit, por ndryshe nga kandidati i vdekur që sillet si fantazmë mes të gjallëve, kryeministri e ka kërkuar vetë një vdekje të rreme për të shpëtuar pushtetin dhe veten nga revolta popullore, shkruan “Panorama”.

Pasi trazoi jo pak ujëra me “Kandidatin”, Ben Blushi sapo ka hedhur në qarkullim romanin e tij më të fundit, “Kryeministri” (KM), botuar nga “MAPO Edition”. Sapo hap faqen e parë të librit, menjëherë të krijohet atmosfera e librave të Blushit.

Një stil i pangatërrueshëm, tashmë solid, një figuracion që migron nga njëra vepër në tjetrën. Paralelizmi, aliteracioni, antiteza, krijimi i një kohe letrare rikthehen në romanin “Kryeministri”. Karakteristikë e veprave të Blushit është provokimi. Dhe nuk ka provokim më të ndjeshëm se ai përmes letërsisë.

Deklaratat politike nuk kanë asnjëherë atë efekt që ka letërsia, sepse kjo e fundit godet më thellë dhe atje ku është edhe synimi i tij. Letërsia është më reflektive dhe më gërryese se një fjalim, sado pasionant dhe fjalëgjetur të jetë ai. Dhe në librin më të fundit të Blushit ka shumë syresh.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për autoatentatin politik të kryeministrit, të cilin autori e vendos në vitin 2021, kur kreu i qeverisë është kthyer në një figurë të urryer për popullin, por ai guxon të flasë edhe për tema që ndonjëherë duken si të paprekshme.

I tillë është opinioni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vënë në gojën e personazheve të tij nuk është ajo paqeruajtësja që shumë mendojnë, por superfuqia që ka në dorë gjithë botën dhe e sjell ashtu siç do ajo.

Në gojën e një prej personazheve të tij rebelë, Uinston Harasani, që do të bëhet edhe themeluesi i Organizatës Transbotërore të Zemërimit Inteligjent (Islamik) ai do të vendosë gjithë “filozofinë” antiamerikane.

“Amerika nuk na lë të imagjinojmë asgjë tjetër, sepse për gjithçka që kemi nevojë ajo na nxjerr përpara një shpikje që e ka bërë përpara se ne ta imagjinonim, duke marrë kështu përsipër të furnizojë çdo ëndërr të njeriut. Amerika është një gomë për ëndrrat e të tjerëve dhe një parafabrikat për ëndrrat e veta.

Çështja është se kjo mënyrë organizimi shtetëror është bërë e padurueshme”, shprehet Harasani-OTZI. Në mënyrë më të thjeshtuar ai e kalon atë te një katundar Tirane, që i shpjegon personazhit kryesor të librit, një snajperi të stërvitur në Afganistan e që në fund të vrasë kryeministrin, gjithë rendin e botës, të drejtuar nga vetë Amerika, ku Shqipëria ka detyrën e kultivimit të kanabisit.

Ndonëse Blushi trillon një histori, ajo është e mbushur me elementë të së tashmes. Autori rimerr çështjen e kultivimit të kanabisit, ndërsa qesëndis kryeministrin aktual për projektin e tij të Rilindjes Urbane. Pavarësisht se ishte radha e shkrimtarit, politikani nuk mund të mos ngrejë krye në shkrimtarin e Blushit, e cila godet sërish.

Nga Libri: Shqipëria, kanabisi dhe Amerika

Nuk u habita dhe mendova se nuk e kisha pasur gabim që gjatë gjithë kohës kisha krahasuar Afganistanin me Shqipërinë, duke u përpjekur të isha sa më realist, në mënyrë që Shqipëria të ndriçohej nga një dritë më e ëmbël, siç vepron një piktor që e vizaton me më shumë dashuri peizazhin ku ka lindur.

Dallimet isha përpjekur t’i merrja me mend, ose t’i imagjinoja, ndërsa ngjashmëritë që ishin konkrete tani i kisha para syve. Afganistani prodhonte opium, ndërsa Shqipëria kanabis, por të dyja pretendonin se kjo ishte një metodë bashkëkohore me karakter të theksuar agrar dhe njëkohësisht human, që kishte për qëllim t’i mbante fshatarët e atyre vendeve në punë të përkohshme dhe të rinjtë perëndimorë, në eufori të përhershme.

E dija që prej shumë vitesh, sidomos në zonat e thella malore, njerëzit kultivonin hashash duke e shitur në tregun e zi, i cili, duke shfrytëzuar mundësitë e transportit modern i çonte me skaf dhe avion në Evropë, natyrisht me ndihmën e policisë që merrte pjesën e vet, gjatë gjithë këtij itinerari me nuanca të këndshme turistike…

Kjo është një marrëzi, u thashë. Kultivimi i kanabisit është i ndaluar dhe ju nuk mund ta ktheni në punë, sepse të ardhurat që fitohen nga shitja e tij janë të paligjshme. Për të mos thënë se ajo që mund të humbni, duke përfunduar në burg, nuk krahasohet me atë që mund të fitoni duke e mbjellë dhe duke e shitur.

Vëllezërit e mi qeshën me zë. Kisha folur vërtet si polic në një familje, e cila prej kohësh nuk i bindej më asnjë rregulli. Ti po flet si një engjëll i ngarkuar për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e punëve në tokë dhe habitesh që njerëzit kanë nisur të mbjellin një bimë që repertori i pasur botanik i Zotit nuk e ka planifikuar, më tha vëllai më i madh, duke më habitur me cinizmin e vet të kultivuar.

Në Shqipëri të gjithë merren me kanabis. Fara vjen nga jashtë, tokën e punojnë fshatarët, transportin e bëjnë grumbulluesit, shitjen e bëjnë trafikantët, mbikëqyrjen e bën policia, ndërsa fitimet më të mëdha i merr qeveria.

Këtu nuk ka punë dhe mbjellja e kanabisit është e vetmja mundësi për të mbajtur popullin në qetësi dhe për të siguruar disa të ardhura. Në këtë mënyrë paratë shpërndahen dhe njerëzit nuk dalin në rrugë kundër qeverisë së tyre. Në fund të fundit, gjithë ky prodhim bujqësor shkon jashtë dhe ne nuk dëmtojmë askënd, përveç evropianëve që duan të denden me hashash dhe për këtë na janë mirënjohës. Ne bëjmë diçka që ata përtojnë ta bëjnë vetë, ose se nuk dinë ta bëjnë, ose se kanë më shumë frikë se ne nga ligjet e tyre.

Amerikanët të kanë mësuar të vrasësh, tha vëllai im i madh, duke u bërë serioz, por nuk të kanë mësuar të mendosh, sepse ky nuk është qëllimi i tyre në asnjë vend të botës. Ata nuk duan që popujt e vegjël të bëhen të mëdhenj, sepse atëherë madhështia e tyre do dukej më njerëzore.

Nëse ata vërtet do mendonin se një vend si Shqipëria, mund të bëhet pa i kthyer bujqit në kultivues kanabisi dhe pa çuar të papunët në emigracion, atëherë nuk do mbështesnin një qeveri si e jona, e cila e ka kthyer kanabisin në politikë shtetërore. Shqipëria e ka fituar me punë, vendin e saj në Evropë, si një arë kanabisi e cilësisë së lartë dhe kjo nuk është rastësi.

Në këtë botë punët janë të ndara dhe asnjë punë nuk caktohet pa bekimin e amerikanëve. Ata u kanë ngarkuar nga një detyrë gjithë popujve të botës dhe ne na ka rënë kjo punë, që duhet ta bëjmë për të jetuar vetë dhe për t’iu bindur Amerikës, e cila me shumë zgjuarsi, pasi ka studiuar temperamentin dhe raportin e popujve me prirjet dhe vullnetin, ka ngarkuar gjermanët të prodhojnë makina, zviceranët të prodhojnë ilaçe, holandezët të prodhojnë birra, francezët të prodhojnë verë, italianët të prodhojnë makarona, rumunët të prodhojnë grurë, belgët të prodhojnë çokollata, argjentinasit të prodhojnë mish, brazilianët të prodhojnë sheqer, kolumbianët të prodhojnë kokainë, arabët të prodhojnë naftë, japonezët të prodhojnë kompjutera, kinezët të prodhojnë kinezë, rusët të prodhojnë konflikt, serbët të prodhojnë luftë dhe shqiptarët të prodhojnë kanabis.

E pse duhet që ne ta refuzojmë rolin tonë apo që dikush tjetër ta marrë dhe të na lërë pa punë?

Bota është një treg i rregulluar dhe nëse amerikanët po i bëjnë një favor botës, është pikërisht ky: ata po e mbrojnë tregun me ushtrinë e tyre dhe ne jemi shumë të vegjël dhe shumë të varfër për t’ua prishur planet. Edhe ti u ke shërbyer atyre si garant i këtij rregulli dhe në të ardhmen nuk mund t’u shërbesh siç duhet, nëse nuk kupton se çfarë kërkohet nga ty. Kështu që na lër të punojmë sepse amerikanët kanë një plan vjetor të zhvillimit të bujqësisë botërore, brenda të cilit përfshihet edhe familja jonë modeste, e cila nuk ka ndërmend t’i zhgënjejë aleatët.

(Vetë)Vrasja e Kryeministrit

E dija që KM, të cilin e adhuroja, nuk po kalonte ditët e veta më të mira, por rishfaqja e Otzit në horizontin e jetës sime, më kishte penguar të shoh retë që kishin mbuluar shkëlqimin e njeriut të cilit i shërbeja.

Megjithatë, i shtyrë nga nevoja për t’i shpëtuar ndëshkimit që më priste, mendova se duhet të pranoja të bëja gjithçka për ta shpëtuar KM nga humbja, vendin nga kriza dhe veten nga burgu. Jam i gatshëm të bëj gjithçka që mund ta ndihmojë KM të fitojë zgjedhjet, aq më tepër që babai im e admiron, ndërsa unë vetë e adhuroj për cilësitë e jashtëzakonshme që ka.

Je vërtet i gatshëm të bësh çdo gjë, më pyeti Kim Kurani pa u habitur.

Sigurisht. Më thoni çfarë duhet të bëj.

Duhet të vrasësh kryeministrin, tha ai.

U ngrita në këmbë dhe e pashë me tërbimin e një njeriu që pasi më kishte shtyrë në një gropë, tani donte të më varroste aty përjetësisht.

Kim Kurani më bëri shenjë të qetësohesha se nuk isha përballë një komplotisti që po më ftonte në një grusht shteti. Nuk them ta vrasësh, vazhdoi ai për të më zbutur. Ti je një snajper i shkëlqyer dhe aftësia e sprovuar e dorës tënde për të lëvizur në fillin e hollë që ndan një vrasje nga një plagosje me paramendim, është ajo që na duhet për të fituar zgjedhjet.

Pra, nuk po them se duhet ta vrasësh KM, por duhet ta plagosesh në një mënyrë që jeta të mos i rrezikohet dhe populli ta mbështesë si viktimën e një atentati terrorist, duke ia besuar prapë pushtetin. Kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar vendin dhe vetë KM. Atij duhet t’i bëhet një atentat dhe ti je njeriu që do ta bësh, nëse pranon, përndryshe ta kam shpjeguar hollësisht se çfarë të pret.

Duke lexuar pyetjet e mia, përgjigjet e të cilave i kishte përgatitur para se të më takonte, Kim Kurani nuk më la të flisja. E di se çfarë po mendon, tha ai. Çfarë do të ndodhë me ty pas atentatit nëse të kapin. Asgjë. Njeriu që kërkon të vritet nuk arreston atë të cilit i është lutur ta vrasë.

Pra, pasi KM të plagoset dhe natyrisht të shpëtojë, me një gërvishtje të lehtë, për shkak të zotësisë tënde si snajper, ti do vazhdosh jetën i qetë. Askush nuk do të të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen. Pra, është një film elektoral i destinuar për shijet e atyre që votojnë. Kjo është e gjitha dhe për këtë ke premtimin tim prej burri dhe premtimin e KM prej burri shteti.

Amerikanët besojnë se populli nuk duhet të jetë i lirë të besojë atë që do, por duhet të nxitet të besojë atë që duhet. Për këtë qëllim shërbejnë mediat dhe njerëz si puna ime që përpiqen të ndryshojnë të vërtetën, duke krijuar situata të caktuara, të cilat i japin popullit të vërtetën e perceptuar. Kjo do të thotë të kombinosh interesin publik me interesin privat.

Në rastin tonë, interesi publik kërkon që KM të fitojë zgjedhjet pasi tentuan ta vrasin si reformator, ndërsa interesi privat i KM synon të vazhdojë punën edhe për një mandat. Unë punoj që këto interesa të përputhen në kohën dhe vendin e duhur dhe aftësia që kam për ta realizuar këtë kombinim më dallon nga njerëz si ty. Nëse kemi një ngjashmëri, është se unë jam snajperi i të vërtetës. Pra, mjeshtëria ime për ta ndryshuar të vërtetën pa asnjë gabim në llogaritje është milimetrike, njëlloj si e jotja. Ti vret njerëz, unë vras idetë, dhe bashkë me to edhe të vërtetën.

Që kur kisha ikur në Tiranë, Sari më kishte telefonuar disa herë për t’u ankuar se kanabisi nuk po shitej dhe se ata nuk kishin fituar pothuajse asgjë, në krahasim me atë që prisnin. Ato kohë të gjithë merreshin me kultivimin e kanabisit dhe konkurrenca e ashpër kishte çuar në ulje çmimesh, duke dëmtuar ata që mbillnin më pak dhe lodheshin më shumë. Kush donte të fitonte pa humbur, duhet të mbillte dhjetëra hektarë, në mënyrë që kostoja e prodhimit të ishte edhe më e ulet.

Megjithëse kultivohet në kushte ilegale dhe tmerrësisht të vështira, njëlloj si zarzavatet apo si frutat, kanabisi ka tregun e vet dhe çmimet lëvizin si në një bursë ditore ku vlen më shume ajo që prodhohet më pak.

I mërzitur nga humbjet, i nxitur nga padurimi dhe i lodhur nga papunësia, Sari ishte lidhur me disa grupe pranë opozitës, me shpresën se pas zgjedhjeve do t’i jepnin një punë që kishte vite që e priste. Opozita kishte qenë bujare, për të tërhequr sa më shumë njerëz kishte premtuar mijëra vende pune dhe më shumë mbështetje për të rinj me shkolla të mesme, siç ishte Sari, që tani rrinte përballë meje duke menduar se unë isha një njeri që mbronte me armë ata që e kishin lënë pa punë.

Natyrisht nuk mund t’i thosha se në të vërtetë unë kisha marrë ca ditë leje për të vrarë KM, çka do ta gëzonte pa masë, meqë dukej sheshit se e urrente sinqerisht. Zgjedhjet do jenë të vështira, foli Sari, duke parë babain, dhe nëse KM nuk dorëzohet, në Shqipëri do ketë revolucion. Populli nuk mund të durojë më që një grusht njerëzish pasurohet çdo ditë, ndërsa të tjerët ikin në emigracion.

Ka vetëm një rrugë: ose KM ikën, ose populli e heq me dhunë. Unë jam i gatshëm për të dyja, madje rruga e dytë do më pëlqente më shumë, sepse ky njeri prej kohësh më është shpifur dhe më duket sikur më ha bukën që mezi e siguroj.

Ky atentat do t’i kthente amerikanët në zgjedhje. Pas Islamit, Amerika është pushteti më i besueshëm moral në Shqipëri. Shqiptarët besojnë se Amerika ka gjithmonë të drejtë, por Kim Kurani ka më shumë të drejtë kur thotë se Amerika nuk është shteti i së drejtës, por e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve të tjera. Unë u kam shërbyer atyre prej kohësh duke dërguar në Afganistan djem të shkëlqyer si ty, por kjo nuk është konsideruar asnjëherë e mjaftueshme.

Amerikanët kanë kërkuar që unë të zbardh çështjen e të vrarëve në protestë, çka ka inkurajuar opozitën, që e lexon këtë mesazh si një sulm ndaj meje. Unë mbroj të vërtetën time, kur them se protestuesit sulmuan institucionet kushtetuese, të cilat unë i mbrojta. Çështja është se cilën të vërtetë do zgjedhin amerikanët, atë që them unë, apo atë që thotë opozita?

Me kë do jenë ata pas atentatit mbi një njeri që u sakrifikua për vendin duke vënë jetën në rrezik, për të luftuar organizatat terroriste pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sigurisht do jenë me mua, sepse plumbat mbi gjoksin tim janë plagë mbi trupin e tyre. Unë do sulmohem si një reformator që ka mbrojtur kufirin e lirisë amerikane në këtë zonë të botës të populluar me terroristë të të gjitha ngjyrave.

Prandaj duhet të jesh krenar se po mbron edhe interesat e Amerikës duke më vrarë. T’i thashë këto në mënyrë që sonte të flesh i qetë dhe zemra jote e tronditur të mos i shkaktojë asnjë dridhje dorës tënde, nesër në mëngjes. I bindur se kjo nuk do të ndodhë dhe se plagosja ime do të jetë milimetrikisht e përsosur, dua të takohemi prapë, si dy miq që iu gjendën njëri-tjetrit në ditë të vështira. Kim Kurani do të të njohë me detajet, por sidoqoftë nëse ka diçka që do ta thuash, jam i gatshëm të përgjigjem.

Të nesërmen në mëngjes, KM organizonte një takim në një shkollë në periferi të Tiranës. Fëmijët ishin rreshtuar për ta pritur, ndërsa mua më kishin hipur mbi një pallat dhe distanca e qitjes nuk duhej të ishte më shumë se dyqind metra, çka më jepte siguri të plotë. Dita ishte e bukur dhe dielli që shkëlqente atë mëngjes ishte i përgjumur dhe i dobët sikur sapo ishte zgjuar.

KM erdhi në orën e caktuar dhe unë u bëra gati. Duke mbështetur syrin në dylbi, mora shenjë në mes të gjoksit duke e ditur se aty, KM ishte i mbrojtur nga jeleku antiplumb dhe nuk mund të shpohej. E pashë për herë të fundit kur nisi të fliste ngadalë, me sa duket duke më pritur dhe pas pak qëllova. Isha i qetë dhe kalova dorën mbi sy, siç bën çdo njeri pasi ka përmbushur një detyrë të rëndësishme.

KM u rrëzua dhe unë mendova se do ngrihej pas pak. Ndërkohë që ai nuk po ngrihej, mendova se ndoshta Kim Kurani e kishte porositur se duhet të rrinte pak kohë i shtrirë, derisa efekti i atentatit të zgjatej si në një film. Nga të gjitha anët kishte ulërima njerëzish të alarmuar që vraponin për të ikur, ndërsa sirenat e ambulancave afroheshin me shpejtësi duke shtyrë turmën e tmerruar.

I rrethuar nga rojet, trupi i KM nuk dukej më dhe pas pak, pashë një barelë që po e transportonte në spital. Nuk kisha kohë të kuptoja se çfarë po ndodhte, pasi njerëzit që më kishin sjellë aty, erdhën duke dihatur dhe pasi më goditën me grushte, më çuan në burg me akuzën se kisha vrarë kryeministrin. Kjo është e pamundur, thashë unë. Por e vërteta ishte se e pamundura ishte e vërtetë. E kisha vrarë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “Provokimi në romanin e Blushit, kanabis, ISIS e vrasja e Kryeministrit”

  1. ariff says:

    Ben SNAJPERISTI , kishte kohe qe thesha qe ky djale ka ik per LESH ,por nuk ma vinte veshin njeri .

  2. MAJAKOVSKI says:

    Cili eshte autori i ketij shkrimi. Nga se ka frike ai qe ka marre mundimin te shkruaje gjithe kete shkrim kritik per te cilin patjeter paguhet dhe nuk e ve emrin. Kush eshte ky absurdii. Po jo more autor frikacak nuk behet kritika keshtu.Ve gjithate titull bombastik duke na e bere Blushin killer dhe antiamerikan. Blushi ne te vertete po ben letersi dhe aty ai cfaqet me gjithe talentin eksperiencat dhe individualitetin e tij. Behu buure o autor anonim dhe absurd veji emer shkrimit se keshtu e do demokracia per te cilen cdo dite po punojme.

  3. Ann says:

    O majakovski ,blushi Eshte nje idiot e gjysem. Ne vend qe te harxhoj kohen me libra idiot ,ta harxhoj per electors tin e tij se ne same te tyre paguhet. Blushi- xheloz deri ne ligesi …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *