Kujt iu shit Rinasi? Blerësit nuk janë më kinezët, por një firmë nga Singapori

8 Nëntor 2016, 19:58Ekonomia TEMA

Real Fortress Private Limited është zyrtarisht aksioneri i ri i vetëm i Aeroportit Ndërkombëtar në vend, Nënë Tereza. Kompania është e krijuar dhe rregullohet nga ligjet e Singaporit dhe sipas të dhënave në internet është krijuar në 22 qershor 2016 dhe e ka adresën në 2 SHENTON WAY #18-01 SGX CENTRE i SINGAPORE 068804, duke qenë një kompani offshore.

Pronari i ri është regjistruar në fillim të nëntorit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, duke i dhënë fund pas shumë muajsh transaksionit për shitjen e kontratës koncesionare nga tre aksionerët  Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”,  DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”). Çmimi i shitjes së kuotave është 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.

Që në mars të këtij viti, pothuajse njëkohësisht me ndryshimin e kontratës koncesionare me qeverinë (ku fitoi dhe dy vite të tjera shtesë) Tirana International Airport (TIA) kishte njoftuar se ishte në negociata për të shitur koncesionin te kompania kineze China Everbright.  Autoriteti i Konkurrencës zbardhi edhe skemën e kompanive blerëse, ku blerësi direkt ishte Keen Dynamics Limited, i regjistruar në Ishujt Cayman, me xhiro zero me 2015, ndërsa China Everbright Limited ishte kompania mëmë dhe kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro. http://www.monitor.al/konkurrenca-miraton-shitjen-e-rinasit-bleresi-ofshore-xhiro-zero-leke/

Por, vetëm në 10 tetor, TIA njoftoi zyrtarisht se China Everbright Limited (CEL kodi i aksioneve në bursë: 165.HK), një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, kishte marrë në zotërim 100% të kapitalit aksioner të TIA-s. http://www.monitor.al/tirana-airport-transferon-100-te-aksioneve-tek-china-everbright/

Mësohet se transaksioni u vonua për muaj të tërë, pasi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që është kreditori i TIA, që nga viti 2005, kishte kërkuar më shumë informacion për blerësin. Pas kalimit të aksioneve të blerësi i ri, Real Fortress Private Limited, në QKB është bërë  depozitimi në lidhje me transferimin e kuotave të shoqërisë nga shitësi tek  ortaku  i vetëm, marrëveshjen ndërmjet shitëseve dhe BERZH, e cila vepron për llogari të saj dhe të kreditorëve kryesorë  për zgjidhjen e marrëveshjes  së shitjes së me kusht të lidhur më datë 08.04.2005 dhe depozitimi i Marrëveshjes së shitjes me kusht, Nr.1764 Rep, Nr.246/2 Kol, datë 06.10.2016, midis palëve , shoqëria “Real Fortress Private Limited” dhe “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

Në dokumentin për zgjidhjen e kontratës mes tre aksionerëve fillestarë dhe BERZH, sqarohet se në marrëveshjen për blerjen e kuotave e nënshkruar në 11 prill 2016, ortakët shitës kanë rënë dakord   ti shesin te Keen Dynamic limited, shoqëri offshore në ishujt Cayman (kontratë e ndryshuar herë pas here). Si kusht paraprak për mbylljen e transaksionit, BERZH dhe huadhënësit duhet të lëshonin një letër miratimi dhe pasi të përfundonte transaksioni, ortaku i ri i shoqërisë do të lidhte një marrëveshje me kushte me BERZH (në emër të huadhënësve kryesorë).

Në marrëveshjen për zgjidhjen e kontratës, të depozituar në 11 nëntor, thuhet ndër të tjera se kontrata me kushte do të zgjidhet në datën e hyrjes në fuqi, me kusht që në datën e nënshkrimit, Blerësi i Fundit ka nënshkruar në mënyrë të vlefshme marrëveshjen e re me kushte. Por, në të lihet një afat i fundit që është 31 dhjetori 2016 për përfundimin final të transaksionit. Sipas kontratës, “Nëse data e Hyrjes në Fuqi nuk ndodh (për shkak të Blerësit të Fundit që nuk nënshkruan në mënyrë të vlefshme Kontratën e Re me Kushte), në ose para datës 31 dhjetor 2016, kjo marrëveshje do të zgjidhet dhe kontrata me kushte do të kthehet në të njëjtën formë  siç ishte para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Koncesioni  dhe ndryshimi i kontratës me qeverinë

TIA, që në vitin 2014 nënshkroi një kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare për Projektimin, financimin, ndertimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Nderkombetar “Nene Tereza”, ështënjë nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri

TIA deklaroi një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, në rritje nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e Tirana Internationa Airport ishin rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me një rritje prej 15% me bazë vjetore.

Në fund të marsit të këtij viti, qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, në bazë të të cilit TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit dhe në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare.

Monitor

8 komente në “Kujt iu shit Rinasi? Blerësit nuk janë më kinezët, por një firmë nga Singapori”

  1. dfg says:

    Vazhdon grabitja dhe varferimi qe u behet shqiptareve nga keto mareveshje mafioze te qeverise!
    Sidoqofte le te luftojme fantazmen e komunizmit,se vetem keshtu shqiptaret do te mbushin barkun me buke!
    A ju kujtohet Don Kishoti qe luftonte me mullinjte e eres?
    Ja keshtu eshte edhe kjo lufta kunder komunizmit!

  2. Biznesi says:

    Aha e paskan vjedhur Rinasin. Kompani fantazem e krijuar vetem per te bere gjoja blerjen e njejta skeme si me Albpetrolin. Mjere ky popull.

  3. mirel says:

    Kur paska kaq fitim pse nuk e menaxhoi shteti por e dha me koncesion?
    Si u dhenkan keshtu pronat publike per qef te secilit qe vjen ne qeveri?
    Shajne Lul Bashen, dhe po ja kalojne ne shitjen e Shqiperise.
    Turma duartroket fjalimet e Ramutit me te njejtin entuziazem qe Ramuti i shet pa iu dridhur qerpiku.

  4. edd says:

    Si eshte e mundur qe, shitjet, koncesionet e pasurive shqiptare kalojne gjithnje ne duar te kompanive qe sapo jane krijuar?! X, gjeni x-in….the Albanian way….

  5. vang says:

    shkruani ju c’fare te doni por biletat e avionit per te ardhur ne Shqiperi dhe per te dale jashte sa je jane mete shtrenjtat ne rajon.Kur do marri fund ky c’frytezim/?.Ku ta dime ne se u shit mire apo keq .Keto i dine specialistet. Ne na interesojne cmimet e leverdiseshme.Nje pensionist i bie te jape pensionin e 6 muajve te shkoje dhe te kthehet nga Greqia.Pensionistet e kane me te zoreshme te udhetojne me autobus.

  6. nje lexues shqiptar says:

    Po çfare shkruani , more idiote , kush e paska dhene me konçesion aeroportin e Rinasit ? Po ç’hyn qeveria Rama ne kete mez ? Aeroportin e ndertuan gjermanet , sipas nje marveshje te qeverise Nano te asaj kohe me nje firme gjermane , e cila do t’a shfrytezonte per 20 vjet dhe asnjehere Aeroporti i Rinasit , nuk ka qene prone e qeverive shqiptare . Kjo firme , vitin e kaluar , ia shiti nje firme kineze , firma kineze , ia shet se fundi , nje firme nga Singapori , firma nga Singapori , mund t’ia shese dikujt tjeter , pasi eshte prone e saj . Aeroporti i Rinasit , i kthehet qeverise shqiptare (varet kush qeveri do te jete) , pasi te kene kaluar 20 vjetet e kontrates . Mezi prisni rastin te shani kuturu qeverine dhe kryeministrin , pa ditur te verteten .

  7. lili says:

    Ku do te ndryshoje? Ku shqiptare te votojne sikur amerikanet:kunder klikes qe tash e 25 vete vjedh e shkyn Shqiperine!

  8. Vladimir says:

    Shume e thjeshte. Fitimi eshte kolosal dhe gjermanet nuk mund ta fshehin. Dolen keta trimat qe dine si fshihen fitimet. Shteti nuk do te tatoje 40% te fitimit, po shume me pak. Perfaqesuesit e qeverrise e kane gojen e mbyllur. Nje kocension gjigant nuk mund te lihet ne dore te çdo ronxho-bonxhoje, pa rrenje e pa histori.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje