Fitorja në zgjedhje e Trumpit është shok e moment kthese

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

trump 1Nga Alexander Kudascheff*

Fitorja – fitorja e papritur e thellë – e Donald Trumpit ka sjellë një paralizë shoku. Të paktën në Evropë dhe në Gjermani. Këtu mbizotërojnë dallueshëm – me gjithë përpjekjet për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike – një qëndrim mosbesues për atë që ka ndodhur, hutim dhe tmerr. Motoja, motoja e duhur e këtyre orëve të para megjithatë është: askush nuk e njeh me të vërtetë Donald Trumpin. Natyrisht që planet e tij, ato që ka ndërmend, idetë e tij në fushatën elektorale u regjistruan – edhe stili i tij prej huligani, teprimet e tij, retorika e shpresave të gënjeshtërta, masohizmi i tij, racizmi i tij. Por natën e zgjedhjeve u pa edhe gatishmëria ose përpjekja e tij që pas kësaj lufte sharjesh e hedhjesh baltë SHBA të pajtohen me veten dhe që t’i trajtojnë partnerët në të gjithë botën me korrektesë. Për ta thënë thjesht: duhet pritur njëherë.

Askush nuk ishte i përgatitur për Trumpin

Megjithatë, në kryeqytetet perëndimore – dhe vetëkuptohet edhe në Berlin – zgjedhja e Trumpit është “worst case” (rasti më i keq). Për të nuk ishte përgatitur askush. Dhe askush nuk e di se kush do të vendosë së shpejti në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë dhe në politikën e ambjentit. Sepse Trumpi është një person jashtë sistemit në Partinë Republikane. Pra ai nuk mbështetet në mendjet dhe në korifejtë e njohur. Me ata nuk ekzistojnë kanale, nuk ekzistojnë njohje joformale. Kjo nuk i bën gjërat më të lehta, sepse Trumpi ndoshta do të rrethohet ndoshta me njerëz që nuk kanë përvojë në parketin diplomatik dhe nuk kanë rrjetin e tyre.

Kjo vetëkuptohet që ka pasoja: në politikën ekonomike, në të cilën bëhet fjalë për tregtinë e lirë të përbotshme. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë: këtu bëhet fjalë për Iranin; për Izraelin; për një veprim të mundshëm ushtarak kundër terrorizmit xhihadist, për imazhin e vetvetes të Uashingtonit në Lindjen e Afërme; për raportin e brishtë me Rusinë dhe me Kinën; për çështjen nëse e sheh veten si partner apo si rival të dy fuqive të tjera të mëdha – apo për kthim në izolacionizëm të theksuar. Fjala është edhe për raportin me aleatët. A është NATO-ja për SHBA edhe më tej sistemi kolektiv i sigurisë i Perëndimit? A do të deklarohet Trumpi pro politikës së aleancës? Apo beson ai se evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre? Ky është testi i rezistencës për Perëndimin.

Trumpi nuk është njeri i elitave të deritashme

Donald Trump është i panjohuri i madh. Ai përfaqëson – në mënyrë pak paradokse si miliarder nga New Yorku  – triumfin e provincës mbi metropolet, fitoren e fshatit mbi qytetet. Në politikën e brendshme ai nuk është njeri i elitave të deritashme. Prandaj nuk do të jetë kaq e lehtë të gjendet qasje tek ai.

Por paraliza nga shoku ka edhe të mirat e saj. Ajo çon në qendrim të matur. Derisa Trumpi të hyjë në janar në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i SHBA, do të kalojë mjaft kohë, për t’u përshtatur me të. Zgjedhja e Trumpit është një moment kthese, mbase edhe një vendosje historike piketash. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë e barabartë me fundin e bashkëpunimit të deritashëm të Perëndimit. Por më e parehatshme gjendja do të bëhet padyshim, sepse një gjë Trumpi është me siguri: jokonvencional.

*Kryeredaktor i Deutsche Welle

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Fitorja në zgjedhje e Trumpit është shok e moment kthese”

  1. Juglindori nga Korça says:

    Si fillim u shokuam te gjithe por pak nga pak do mesohemi.Edhe me Obamen keshtu u shokuam sepse ishte presidenti pare me ngjyre por me vone u mesuam

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *