Në burg për prerje pyjesh, djali fiton ankandin për të prerë dru ku u arrestua babai

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

pyjeTenderët apo ankandet e zhvilluar nga institucionet shqiptare vazhdojnë të jenë të paracaktuar. Aq më tepër kur në “lojë” janë drutë e zjarrit, të cilat janë bërë kohët e fundit “mollë e ndaluar” për shumë firma apo individë, që i kanë masakruar gjatë 25 vitet e fundit. Pas Korçës, kamera e “Fiks Fare” udhëtoi në qytetin e Pukës, ku faktoi se një ankand i zhvilluar nga bashkia e këtij qyteti ishte i paracaktuar. Punonjës të bashkisë, apo qytetarë të ndryshëm, e dinin se kush shoqëri do të dilte fituese për të prerë disa parcela në pyje. Pas moratoriumit 10-vjeçar ku ndalohet prerja dhe reformës territoriale, pyjet i kanë kaluar për kompetencë bashkive, të cilat, pasi marrin leje nga Ministria e Mjedisit, bëjnë ankande apo tender.

Një të tillë ka tentuar ta bëjë edhe Bashkia e Pukës. Sipas dokumenteve të siguruara nga “Fiks Fare”, bashkia hapi një ankand më datë 3 tetor 2016 për prerjen e disa parcelave me pyje. Njoftimi u shpall në Agjencinë e Prokurimit Publik. Ishin dy lote, një me vlerë 35 milionë lekë (të vjetra) dhe tjetri me 5 milionë lekë.

Ndërkohë, në datë 14 tetor, në bazë të një operacioni policor janë arrestuar katër persona, tre zyrtarë të Bashkisë Pukë dhe një biznesmen. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve. Mes të arrestuarve është edhe shtetasi Frrok Gjoka. Të katërt akuzohen se kanë prerë një parcelë prej 3 mijë metrash katrorë pyje në zonën e quajtur Krrabë Bushat.

“Tenderin e fiton ai që është në burg”

Më datë 17 tetor, ditën kur u bë Ankandi, Gjykata e Pukës vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje për të arrestuarit. Po më 17 tetor, në Bashkinë Pukë u bë ankandi, ndërsa kamerat e “Fiks Fare” ndoqën të gjithë procedurën.

Një punonjës i policisë bashkiake, i thotë ekipit të Fiks Fare se “unë e dija sikur e ka fituar ai (Frrok Gjoka)”. Ndërkohë, një qytetar tregon se “e ka fituar ai që është në burg, ka filluar të punojë pa letra. Nuk ishte bërë tenderi, por ai ka filluar të punojë. Ka shkuar Taks Forca i kanë thënë mos puno zotni të bëhet tenderi. Dakort, pas dy tre ditësh ai prap në punë, mrena”.

Ndërkohë, shefja e financës në Bashkinë e Pukës thotë se ankandi u bë në zyrën e nëndrejtorit, megjithëse ne dokumente thuhet se tenderi do të bëhet në një sallë tjetër. Një nga anëtarët e komisionit, juristi Indrit Kraja, i tha ekipit të Fiks Fare se ka marrë pjesë vetëm një operator, por pa i thënë fituesin. Në të njëjtën ditë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë u zhvillua edhe masa e sigurisë për katër të arrestuarit. Një punonjëse i tha Fiksit se është marrë vendimi dhe është dhënë masa detyrim paraqitje, për të gjithë, përfshirë edhe shtetasin Frrok Gjoka.

Roja: Drutë u prenë para 2 javësh, i ka Frrok Gjoka

Kamera e Fiks Fare shkoi edhe në sheshin ku ndodhen drutë e prera në zonën e Krrab Bushatit, në Pukë. Ekipi i gazetarëve bisedoi me rojen, i cili i tha se drutë janë prerë para dy javësh. “Do shiten, ti e di se jan problem me letrat. Firmën e ka shefi im, Frrok Gjoka. Grumbullimi ka filluar para dy javësh, më 30 tetor” thotë roja. “Ky i ka për bashkinë dhe ky i ka për ça është Bashkia, nga Gjegjani e komplet Bashkia e Pukës. Po tani pse e kan ndal e pse e kan pengu, nuk e di. Tuten, tuten se ja panë sherrin këtij Fran Tucit (kryetar i Bashkisë së Fushë Arrëzit) se shkun e u futen në Krrab, po aty është zona me kufi Bashkinë e Fushë Arrëzit. E pale ku e cënun e atij ja panë sherrin” vijon ai. Më tej shton se sheshi ku ndodhen drutë e prera është në pronësi të bashkisë. “Fusha është territor i bashkisë. E ka rrethuar ai vetë (pronari). Po ja ka dhënë bashkia, pa taksë, pa kurrgja as një sen. Ka fituar tenderin” vijon roja, duke përfunduar se ai vetë nuk është i siguruar dhe punon në të zezë.

Kryetari i Bashkisë kërcënon ekipin e “Fiks Fare”

Pas bërjes së tenderit, një tjetër ekip i Fiks Fare udhëtoi drejt qytetit të Pukës për të pyetur zyrtarët e bashkisë. Por, kryetari i Bashkisë, Gjon Gjonaj, tha se në bashki do të hapë edhe një aneks të Fiksit. “Fiksi duhet me ardh drejtpërdrejt, ka ardhur një ditë një i Fiksit, po do e gjej kush është dhe ai ka probleme me mua. Ai do ketë shumë probleme me mua. Atë ditë që është hapur tenderi, ka ardhur si me kenë sigurims i shtetit përpara. Do ta gjej se kam kamera këtu” thotë Gjonaj.

Gazetarët e pyesin nëse personi që u arrestua më 14 tetor, zoti Frrok Gjoka është fitues i ankandit i datës 17. “Individë të veçantë, Frrok, Preng e Mark, këto emra qarkullojnë në zonën e veriut. Ne nuk evidentojmë nëse është ky Frrok, apo një tjetër. Ndalesa e tij është bërë në banesë, jo në pyll, s’është bërë me materiale drusore, as me transport. S’ka asnjë letër nga bashkia. Duhet të ndajmë individin nga fituesi. S’ka emër në QKB, s’ka asgjë tjetër. Mund ta ketë Gjoka, mund të jetë ky, e mos të jetë ai. S’ka lidhje kjo fare, ne shikojmë anën dokumentare (administratori i firmës fituese është Julis Gjoka. Sipas gjendjes civile Julis Gjoka është djali i Frrok Gjokës).

Drutë për të cilat është marrë leje nga ministria e Mjedisit mund të presë kushdo” thotë Gjonaj.

Më tej shton se ankandi nuk ka qenë i paravendesur, ndërsa gazetarët e pyesin nëse fusha ku janë depozituar drutë e prera kujt i është dhënë në përdorim. “E ka një Gjoka, jo Gjoka kush e ka… nuk e kam parasysh. S’ka lidhje se është tokë e bashkisë. Në momentin që vijnë drutë e merr pronësinë… Nesër po të ma bëjë kjo firmë, jo aty, po në 5, 6 e 8 pika ia jap” thotë Gjonaj, ndërsa shton se “Frrok Gjoka është edhe i sëmurë. Drutë do shkojnë në vendin e caktuar, në destinacionin e caktuar dhe për atë drejtimin që duhet”.

Ankandi u fitua nga djali i të arrestuarit

Fiks Fare provoi se ankandi është fituar nga firma Gjoka Kalivare shpk, me administrator Julis Gjokën. Sipas gjendjes civile, Julisi është djali i vogël i Frrok Gjokës, personit që u arrestua për prerje pyjesh. Ndërkohë, disa të dhëna të Frrok Gjokës, si adresa e email-it, apo edhe numri i telefonit, janë në ekstraktin e QKB-së. Për këtë fitues, gazetarët pyetën juristin e Bashkisë së Pukës, Indrit Kraja. Ai tha se Frroku dhe Julisi kanë lidhje, por nuk pranoi se ankandi ishte i paravendosur. Juristi nuk tregoi datën kur Bashkia e Pukës ka dhënë leje për të prerë dru. Për Fiks Fare foli edhe psecialisti i pyjeve, Astrit Hyseni, i cili ishte një nga katër të arrestuarit më 14 tetor. ai tha se ishin vetëm 7 metër kub dru që ishin prerë. Zona është damkosur nga Ministria e Mjedisit. “Më arrestuan sikur të isha kriminel, në mes të natës” tha Hyseni, ndërsa shtoi se Bashkia e Pukës nuk ka dhënë asnjë leje për të prerë pyjet.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *