Stabiliteti global në epokën e Trumpit

10 Nëntor 2016, 12:02Bota TEMA

Nga Carl Bildt

Bota do të ketë pak kohë për të menduar domethënien e plotë të fitores së Trumpit, sepse ai nuk do të marrë detyrën deri në 20 janar 2017, dhe më pas, ai do të kalojë disa muaj duke plotësuar administratën me burrat dhe gratë që do të formulojnë dhe implementojnë politikat e SHBA.

Një gjë që e dimë tashmë, është se udhëheqësit autoritarë përreth botës mund të relaksohen. Ata nuk do të dëgjojnë më fjalë të ashpra nga SHBA për shpërfilljen e demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut, nga regjimet e tyre. Objektivi amerikan për ta bërë botën të sigurtë për demokracinë, tani do të zëvendësohet nga një politikë “Amerika e para”, një ndryshim rrënjësor në politikën e jashtme të SHBA, që me gjasë ka bërë të nisë festa tashmë në korridoret ruse dhe kineze të pushtetit.

Ne dimë gjithashtu se fitorja e Trumpit vë në rrezik tregtinë botërore. Trumpi ka premtuar të grisë Partneritetin Trans-Paqësor mes 12 vendeve, të vendosë tarifa ndëshkuese mbi importet kineze, dhe të rinegociojë njëanshmërisht NAFTA-n. Kjo është gjëja e fundit për të cilën bota ka nevojë në këto momente, duke parë që tregtia – dhe vetë ekonomia globale – janë tashmë në telashe.

Trumpi ka premtuar të forcojë ushtrinë e SHBA dhe regjimin e sigurisë kombëtare, si dhe të ndjekë në mënyrë agresive Shtetin Islamik dhe rreziqet xhihadiste përreth botës. Por eleminimi i Shtetit Islamik dhe rikthimi i një stabiliteti të qëndrueshëm në Levant, do të kërkojë shumë më tepër nga sa Trumpi ka propozuar deri më sot. Dhe ndërkohë që, ndoshta ai do të rishikojë komentet e tij shpesh rastësorë mbi armët bërthamore, ne nuk mund të injorjmë mundësinë që bota do të hyjë në një periudhë të re të përhapjes së armëve bërthamore dhe paqëndrueshmërisë.

Trumpi ka thënë se do të rinegociojë marrëveshjen bërthamore me Iranin, dhe ai është betuar që të heqë dorë nga angazhimet për reduktimin e lëshimeve të karbonit nga SHBA, sipas marëveshjes së klimës të Parisit. Në vitet e fundit, këta janë dy prej të vetmeve arritje diplomatike të komunitetit ndërkombëtar. Pasojat e një tërheqjeje të SHBA vetëm mund të hamendësohen. Sido që të ndodhë, stabiliteti global me siguri që do të vuajë.

Strategjia e Trumpit për politikën e jashtme është e bazuar në paparashikueshmërinë. Por ndërkohë që një farë befasie në marrëdhëniet ndërkombëtare ka qenë shpesh pjesë e politikës së SHBA (pyesni Henry Kissingerin), parashikueshmëria është në qendër të sistemit amerikan të aleancave, marrëdhënieve dhe miqësive, që e ka kultivuar prej shumë dekadash. Dëmtimi i pozicionit të Amerikës si një aktor i besueshmërisë në skenën botërore, do të krijonte hapësirë për paqëndrueshmëri të përhapur.

Kur Trumpi të marrë detyrën, atij do i duhet të veprojë me shpejtësi, për të siguruar miqtë dhe aleatët e Amerikës përreth botës. Përndryshe, ata do të kërkojnë marëdhënie të tjera me kundërshtarët e SHBA, apo me aktorë të tjerë.

Bashkimi Europian do të luajë një rol qendror në dramën që do të shpaloset, për arsye se ka qenë prej kohësh partneri kryesor i Amerikës në çështjet globale, dhe anasjelltas. megjithatë, Trumpi ka vlerësuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE, dhe të vetmit miq të tij europianë deri tani, janë figura si udhëheqësi i UKIP në Britani, Nigel Farage, i cili udhëhoqi frontin pro Brexit. Do apo nuk do, Trumpi do u japë populistëve dhe nacionalistëve si Farage, një shtysë të fortë në muajt dhe vitet e ardhshëm.

Trumpi mund ta kuptojë pak me vonesë që, një Europë e frakturuar është një Europë më pak e qëndrueshme, dhe se ka kundërshtarë të SHBA që do të donin ta shfrytëzonin shansin që u ofron përçarja e Europës. Rusia, nga ana e saj, po përpiqet që të dëmtojë BE-në, si dhe të ndryshojë rregullat e lojës në Europë. Presidenti rus, Vladimir Putin, mund ta shohë tani Trumpin si një partner të ri në projektin e tij revizionist; porai fare mirë, mundet që edhe ta teprojë.

Bota duhet t’i japë kohë Trumpit që të marrë kthesën, nga fushata e tij e nxitur prej zemërimit, drejt qeverisjes së përgjegjshme, që është e vetmja mënyrë për SHBA, që të ruajë ndikimin e saj global. Ai do të duhet të bëjë zgjedhjet e tij për Sekretar Shteti, Sekretar Mbrojtjeje, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, sa më shpejt, dhe bota do i këqyrë me kujdes të emëruarit e tij.

Mund të rezultojë që Trumpi të bëjë zgjedhje të mira. Por duke parë fushatën e tij, besimi tek SHBA nga ana e partnerëve të huaj është në nivele të ulët. Me fitoren e Trumpit, bota ka hyrë padyshim në një periudhë paparashikueshmërie dhe paqëndrueshmërie në rritje. Sfidat globale po shumëfishohen, dhe rendi ndërkombëtar siç ka ekzistuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, është nën rrezik të madh.

Edhe në rrethanat më të mira, zgjedhja e Trumpit, pa dyshim që i ka forcuar këto tendenca shqetësuese.

Botuar nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Global Stability in the Trump Era

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje