Biznesi i mirë i pleqërimit

12 Nëntor 2016, 09:19Sociale TEMA

Të paktën 50 të moshuar italianë kanë transferuar pensionin nga Italia në Shqipëri, në kuadër të një eksodi prej 500 mijë pleqsh që po lënë vendin e tyre për shkak të krizës ekonomike dhe taksimit të lartë. Ekspertët lajmërojnë se Shqipëria është para një shansi për të krijuar një të ardhur më të qëndrueshme se turizmi nëpërmjet eksportit të shërbimeve të pleqërisë. Avantazhet, pengesat dhe modelet që duhen ndjekur për thithjen e të moshuarve nga Perëndimi.

 

Nga Blerina Hoxha, Monitor

Edi, një burrë anglez në të shtatëdhjetat, jeton në Tiranë prej rreth njëzet vitesh. I punësuar qysh 20 vjeç në marinën britanike për çështjet elektronike, pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar jashtë vendlindjes. Pothuajse ka parë çdo vend të botës dhe ka një përvojë mahnitëse në Afrikë dhe Australi. Por një ditë, në mesin e vitit 1996, mori ndoshta telefonatën më të rëndësishme që do të t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë. “Eprori më telefonoi dhe më tha: Edi a je gati të transferohesh në Shqipëri. Në atë kohë, jetoja në Najrobi. Tashmë isha mësuar me ndryshimet dhe thashë pa hezitim po”. Edi erdhi në Shqipëri për të ndihmuar në ngritjen dhe funksionimin e shkollës profesionale ‘Harry Fultz’ dhe ka dhënë përvojën e tij për shtrirjen e rrjeteve elektrike, elektronike dhe kompjuterike në institucionet ndërkombëtare dhe ato publike të vendit tonë. Me katër mastera në çështjet elektrike dhe elektronike, Edi kishte shumë kërkesa për punë. “Shqipëria më ka pëlqyer qysh në fillim”. Sapo kam shkelur në këtë vend, kam menduar të kaloj të gjithë jetën time këtu. Dhe ky vendim u mor përfundimisht kur ai njohu Xhenin, gruan e jetës së tij. Të dy bashkë ata janë të vendosur në një banesë me qira në zonën e ‘Siri Kodrës’, teksa janë të angazhuar me kurset e gjuhës angleze për fëmijë dhe të rritur. Edit i pëlqen ritmi i jetës në Shqipëri, energjia dhe zgjuarsia e shqiptarëve dhe toleranca që kanë për besimin fetar.

Por si Edi, shumë të moshuar italianë po shtojnë interesin për të pleqëruar në Shqipëri. Kostoja e lirë e jetesës, afërsia me Italinë dhe masiviteti me të cilën flitet gjuha e tyre po i tërheq pensionistët e vendit fqinj drejt vendit Shqipërisë. Por fenomeni, nëse shfrytëzohet mirë, ka gjasa të kthehet në burim të madh të ardhurash dhe një model i mirë social për vendin.

Eksporti i shërbimeve të pleqërimit tashmë është kthyer një ardhur e rëndësishme për vende të tilla në zhvillim, si Turqia dhe Rumania, të cilat janë duke futur miliona euro në ekonominë e tyre nëpërmjet kësaj forme. Por në Shqipëri, kjo tendencë është në fillesa. Lura Baci nga UIM (Unione Italiani nel Mondo – Bashkimi i Italianëve në Botë) pohon se, vitet e fundit po vihet re shtimi i përmasave të fenomenit të transferimit të pensionistëve italianë jashtë vendit të tyre. Të dhënat e kohëve të fundit të Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore në Itali (INPS) flasin për rreth 500.000 pensionistë që kanë vendosur të transferohen jashtë Italisë. Por sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vetëm 50 italiane kanë transferuar pensionet në Shqipëri, teksa shumë të tjerë jetojnë në Shqipëri por vijojnë të marrin pensionin ende në Itali.

Baci thotë se të moshuarit që jetojnë këtu janë mjaft të kënaqur dhe po nxisin shumë të tjerë të vijnë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por përtej dëshirës së italianëve ka disa vështirësi burokratike në sfond që i pengojnë të moshuarit italianë të bëhen rezidentë në Shqipëri. Ligji shqiptar kërkon për një të huaj që të jetë rezident në Shqipëri të ketë në pronësi një shtëpi, por kjo nuk është në interesin e të moshuarve italianë që duan të kalojnë vitet e fundit të jetës përkundrejt kostove më të lira.

Ilir Konomi, i Albania Property Group, pohon se ka është shtuar interesi nga të moshuarit për të kaluar dimrin në një vend të ngrohtë si Shqipëria, por fenomeni ende nuk është aq dominues sa të ndikojë në ekonominë shqiptare dhe në bilancet e bizneseve që lidhen me zinxhirin mbështetës.

Efektet në ekonomi

Ndërsa kujdesi për të moshuarit është një biznes mjaft i zhvilluar në Europën Lindore, sapo ka nisur të formësohet ideja dhe në Shqipëri. Investitorë italianë, por dhe të tjerë, po e shohin me interes ndërtimin e shtëpive (azile) me fokus të moshuarit e “pasur” të Europës Perëndimore. Gjatë dy viteve të fundit është vënë re një kërkesë në rritje për apartamente me qira në Sarandë dhe Vlorë. Këto vijnë nga njerëz të moshuar në Europën Qendrore e Veriore, të cilët duan të kalojnë pushimet në vende të ngrohta dhe me kosto jetese të ulët dhe të paguajnë më pak taksa për pensionet”, thotë Konomi, nga Albania Property.
Hotelet dhe resortet turistike gjithashtu mund të përshtatin oferta turistike për të moshuarit në muajt e dimrit, siç bën prej vitesh Turqia për pensionistët rusë dhe ata nga Gjermania.

Një rrogë mesatare në Shqipëri arrin në 250-300 euro në muaj, kështu që me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart, mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Deri tani besohet se janë diku te 100 pensionistë italianë që pleqërojnë në Shqipëri, por statistikat e sakta mungojnë, thotë Baci, nga Unione Italiani nel Mondo. Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë ndikon në rritjen e punësimit të dadove, infermierëve dhe në ngritjen e biznesit të azileve, thotë Baci. Ka disa shërbime që po i dedikohen pikërisht kësaj kategorie. Dy të rinj italianë kanë hapur një agjenci real estate në Shqipëri, pikërisht për të orientuar të moshuarit italianë që duan të jetojnë në Shqipëri, por edhe të gjithë ata italianë që jetojnë këtu për arsye të tjera. Nëse Shqipëria do të nisë të bëhet atraktive për italianët, do të duhet të zhvillohet biznesi i azileve dhe qendrave të posaçme për trajtimin e të moshuarve. Kostot e ulëta mundësojnë ofrimin e këtij shërbimi me një tarifë mujore më të ulët se 1000 euro, të përballueshme nga shumë pensionistë ndryshe nga vendet e tjera si Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro. “Ana pozitive e hapjes së vendit është që në mungesën e një tregu funksional vendor, tani indikacionet për investime mund të merren nga tregjet rajonale dhe europiane. Këtë mund ta ilustrojmë me sektorin e kujdesit ndaj të moshuarve”, thotë Ardian Haçkaj, drejtor i “Shteti Web”. Sipas tij, evolucioni demografik në Europë ka sjellë rritjen e numrit të të moshuarve që kanë nevojë për kujdes të kualifikuar. Kriza e financave publike në BE dhe rritja e kostove të kujdesit shëndetësor, e ka bërë të nevojshme shqyrtimin e alternativave. Janë me mijëra të moshuarit nordikë që jetojnë në Sllovaki, Poloni, Greqi, Bullgari, etj. Shqipëria për nga pozita gjeografike, klima dhe struktura e kostove krahasimisht disa herë më e ulët, mund të kthehet në një destinacion të preferuar të këtyre të moshuarve. Haçkaj thotë se shteti mund të ndërhyjë duke rregulluar këtë profesion, duke certifikuar aktorët dhe duke promovuar imazhin e vendit si destinacion i paqtë. Ai mund të ndërhyjë edhe duke investuar në edukimin dhe formimin e personelit të specializuar dhe duke rregulluar këtë profesion. “Asgjë më tepër”, përfundon ai.

 Taksat e larta, pensionistët ikin nga Italia

Aktualisht, Italia ka taksimin më të lartë për pensionistët se në të gjitha vendet e tjera të Europës. Taksa vjetore për një pension 1500 euro në Itali është 20.7% në vit ose 4042 euro. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha se legjislacioni shqiptar e përjashton taksimin e pensionistëve. Në këtë aspekt, Shqipëria është mjaft atraktive për të moshuarit italianë. Hado gjithashtu konfirmon se ISSH është angazhuar për të lehtësuar anën burokratike të procedurave të transferimit të pensioneve të italianëve në Shqipëri. Vitet e fundit po vihet re një shtim i përmasave të fenomenit të transferimit të pensionistëve italianë jashtë vendit të tyre. Të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore në Itali (INPS) flasin për rreth 500.000 pensionistë që kanë vendosur të transferohen jashtë Italisë. Ndër arsyet kryesore që i detyrojnë këta pensionistë të largohen nga Italia, i njohur ndryshe si “Vendi i Bukur”, janë kostot e larta të jetesës, taksimi i lartë i pensioneve, etj.
Por vendet e parapëlqyera prej pensionistëve italianë për të jetuar një jetë të qetë, janë Spanja dhe ishujt Kanarie, Portugalia, Malta, Greqia, por edhe Rumania, Bullgaria dhe së fundmi, edhe Shqipëria.

Italianët, cilët zgjedhin Shqipërinë

Lura Baci nga UIM tregon se një kategori pensionistësh italianë që kanë zgjedhur të parët të jetojnë në vendin tonë janë ish-funksionarë apo ish-punonjës të institucioneve përfaqësuese italiane apo kompanive të ndryshme italiane, të cilët gjatë karrierës së tyre profesionale kanë pasur rastin të punojnë edhe në Shqipëri, ku janë ndier mirë dhe kanë lidhur miqësi me shumë vendas.
Por ka edhe një kategori tjetër pensionistësh që janë të martuar apo bashkëjetojnë prej vitesh me gratë e tyre shqiptare. Falë propagandës pozitive të atyre që kanë zgjedhur tashmë prej vitesh të jetojnë këtu, si edhe komunikimit nëpër rrjetet sociale, Shqipëria po zbulohet gjithmonë e më shumë si një vend mjaft tërheqës dhe mikpritës, jo vetëm për turistët italianë, por edhe për pensionistët italianë që i përkasin më tepër shtresës së mesme dhe që për shkak të efekteve të krizës ekonomike e kanë gjithmonë e më të vështirë të jetojnë në mënyrë dinjitoze në vendin e tyre.

Avantazhet që ofrojmë

Arsyet që i shtyjnë pensionistët italianë të zgjedhin Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, për të jetuar vitet e pensionit, janë kryesisht me karakter ekonomik, por jo vetëm, thotë Baçi.

Kostoja e jetesës është kryesorja

Me një pension neto që fillon nga 500 euro e lart mund të jetohet më mirë se në Itali, ku do të duhej dyfishi i të ardhurave për të njëjtin nivel jetese. Falë marrëveshjes dypalëshe për shmangien e tatimeve të dyfishta, në fuqi midis dy vendeve, mbas një periudhe qëndrimi prej 183 ditësh në Shqipëri, me leje qëndrimi të rregullt, pensionistët italianë mund t’i kërkojnë Institutit Kombëtar të Mbrojtjes Shoqërore në Itali (INPS) përjashtimin nga taksimi në Itali dhe përfitimin e pensionit bruto, me të cilin mund të jetojnë shumë më mirë në Shqipëri.

Afërsia gjeografike dhe kostoja e udhëtimit Itali-Shqipëri është një tjetër avantazh

Një pensionist mund të shkojë në Itali brenda shumë pak orësh dhe me kosto të përballueshme. Në qoftë se zgjedh të shkojë me traget, kostoja e biletës është rreth 100 euro për person dhe rreth 100 euro për makinë, por këto sigurisht janë shifra të përafërta, pasi ndryshojnë në bazë të sezonit, të kohës së prenotimit, etj. Për një udhëtim me avion me kompaninë Alitalia, nga Bari në Tiranë, kostoja është rreth 130-140 euro për person. Po ashtu, këtu mund të përmendim edhe gjerësinë gjeografike, kushtet klimatike të njëjta në të dyja vendet, gjë që i bën pensionistët italianë të ndihen si në shtëpi edhe nga ky aspekt.

Kostoja e lirë e shërbimeve mjekësore të veçanta i tërheq të moshuarit: Gjithmonë e më shumë po përhapet në Shqipëri një lloj turizmi shumë i veçantë, turizmi mjekësor dhe, në mënyrë të veçantë, turizmi dentar. Kostoja për një ndërhyrje të rëndësishme dentare është rreth 1/3 në krahasim me Italinë.

Njohja masive e gjuhës italiane në Shqipëri është një faktor plus

Historikisht janë të shumtë shqiptarët, e të gjitha moshave, të cilët e kuptojnë dhe e flasin mirë gjuhën italiane, duke e bërë më të lehtë qëndrimin e pensionistëve italianë në Shqipëri edhe nga pikëpamja e komunikimit të përditshëm.

Historia, kultura dhe bukuritë natyrore shqiptare, tërheqin gjithashtu: “Vendi i Shqiponjave”, siç parapëlqejnë ta quajnë italianët Shqipërinë, veçanërisht në këto dy vitet e fundit, renditet në majën e klasifikimeve të bëra prej revistave turistike më të rëndësishme në nivel botëror, si një prej vendeve më interesante për t’u vizituar, tregon Baci. Natyra e egër dhe e larmishme që ofron vendi ynë i vogël është karakteristikë që nuk gjendet në vende të tjera, bregdeti mesdhetar i thepisur, malet e larta (deri në 2.700 metra), sitet arkeologjike e kulturore, e bëjnë Shqipërinë e vogël një parajsë për ekskursionistët, skautët, motoçiklistët, adhuruesit e kampingjeve dhe atyre të turizmit bregdetar e malor, por edhe atij kulturor, gjatë gjithë stinëve të vitit. Italianët janë të pasionuar pas natyrës dhe kulturës, ndaj dhe Shqipëria, si një vend i vogël dhe me dendësi objektesh kulturore, i tërheq mjaft të moshuarit

Kuzhina shqiptare është një tjetër arsye.

Ushqimet në Shqipëri janë të ngjashme me ato italiane. Italianët i pëlqejnë shumë produktet ushqimore vendase, të cilat ende vazhdojnë ta ruajnë shijen e tyre të natyrshme.

Pengesat

Sikurse janë shprehur mediat italiane më shumë se një herë – pensionistët italianë vijnë në Shqipëri për t’u ndier “të pasur”. Por Baci thotë se, duhet të jemi më të matur me shprehjet që përdorim rëndom, sepse në të vërtetë realiteti nuk është edhe aq rozë, po të kemi parasysh problemet e shumta sociale, të sigurisë publike, të mbulimit shëndetësor, etj., me të cilat përballet aktualisht shoqëria jonë, përfshirë këtu edhe shtetasit e huaj që kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri. Në jetën e përditshme hasin me probleme të shumta, shpesh absurde, të cilat në vendin e tyre janë kapërcyer me kohë.
Një tjetër problem që hasin pensionistët italianë kur duhet të pajisen me lejen e qëndrimit në Shqipëri, është se atyre u kërkohet të kenë një banesë në pronësinë e tyre, gjë që bëhet një pengesë e madhe për qëndrimin e tyre në vendin tonë.
Ky është një problem shumë shqetësues, për të cilin pensionistët italianë me të drejtë ankohen shpesh dhe kërkojnë një zgjidhje ligjore nga ana e autoriteteve kompetente shqiptare.
Nga ana tjetër, fenomeni i transferimit të pensionistëve italianë në Shqipëri sjell pasoja pozitive nga pikëpamja ekonomike dhe sociale: të ardhurat nga pensionet e tyre futen dhe shpenzohen në vendin tonë, rrisin fuqinë blerëse në tregun shqiptar. Po ashtu, prania e tyre, krahas kategorive të tjera të shtetasve italianë, në shoqërinë tonë që synon të bëhet pjesë e familjes europiane, sjell shembuj qytetarie dhe kulture jetese, për të cilat – të jemi të sinqertë – kemi ende shumë nevojë.

Spanja dhe ishujt Kanarie, parajsat e pensionistëve të Europës

Spanja konsiderohet si vendi më tërheqës për pensionistët në Europë, duke konkurruar dhe me shtetet e Amerikës Latine, që kryesojnë në indeksin e vendeve më të mira për të kaluar pensionin. Në sajë të recesionit, çmimet e pasurive të paluajtshme kanë rënë dhe në pjesën më të madhe të bregdetit mund të blihet një shtëpi për 110 mijë euro, ose më pak, ndërsa qiraja mujore është mes 400 euro në Alicante dhe rreth 620 euro në Málaga, për shembull.
Edhe përpara krizës, Spanja ishte një nga vendet më pak të kushtueshme të Perëndimit.
Spanja ka një shërbim të mirë shëndetësor, si në shtet ashtu dhe në privat, ka me bollëk spitale të mira edhe në zonat rurale.
Por, aspekti më i rëndësishëm i Spanjës është stili i gjallë i jetesës dhe moti i ngrohtë. Spanjollët dinë ta shikojnë jetën dhe u japin shumë vlerë miqve dhe të afërmve. Në netët e gjata të verës, kafetë janë të hapura deri vonë.
Edhe ishujt Kanarie, ashtu si në Spanjë, janë një destinacion tërheqës për pensionistët italianë dhe jo vetëm ata.
Moti i ngrohtë dhe stili i gjallë i jetës edhe në Shqipëri e bëjnë vendin një destinacion ideal për Spanjën e re të Europës, që mund të ofrojë të njëjtat shërbime me çmime më të lira.

Polonia, si u bë streha e pensionistëve gjermanë

Teksa norma e lindjeve po bie, jetëgjatësia rritet dhe gjenerata e lindur në vitet 1946-1964 (baby boomer) po plaket, Kombet e Bashkuara vlerësojnë se popullsia e botës më e vjetër se 60 vjeç do të trefishohet për të arritur në pothuajse 2 miliardë deri në 2050.
Ndërkohë, edhe për të moshuar që kanë shansin të marrin ndihma në vende si Gjermania, kosto e shtëpive të kujdesit po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme, sipas një artikulli të Bloomberg. Shpenzimet afatgjata në Gjermani për të moshuarit pritet të rriten nga 1.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 3.3% të PBB-së deri në 2060, sipas një raporti të Komisionit Europian.
Një në pesë gjermanë merr në konsideratë që të shkojë jashtë në një shtëpi kujdesi, sipas një vëzhgimi nga TNS Emnid, një nga kompanitë më të mëdha të sondazheve në Gjermani.
Gjermanët e moshuar, me para në banka, kanë tërhequr vëmendjen e sipërmarrësve polakë dhe pronarëve të resorteve, që po vuajnë mungesën e klientëve të zakonshëm.
Në Gjermani, kosto mujore e një shtëpie kujdesi është mbi 3000 euro, ndërsa zonja Von Haldenwang, e cila është transferuar në një shtëpi kujdesi në Poloni, paguan 1,200 euro në muaj për shërbim në 24 orë të ditës, terapi fizike, ushqim dhe kujdes mjekësor. Për polakët, kjo është një tarifë e shtrenjtë, ndërsa për gjermanët është një çmim tërheqës.
Hotele të tjera po transformohen në qendra kujdesi gjatë dimrit, pasi kanë më shumë interes për të moshuarit, që qëndrojnë edhe gjatë kësaj periudhe, duke u kthyer në një Gjermani të vogël për të rritur tërheqjen për klientë të rinj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje