Trumpi, triumfi i sinqeritetit në një botë hipokrite

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

vangjeliNga Lorenc Vangjeli

Bota nuk ndryshoi me zgjedhjen e Donald Trumpit, por një botë e ndryshuar, krijoi mundësinë që Donald Trump të bëhet president i vendit më të madh të botës. Tërësisht atipik, krejtësisht i vetëm kundër të gjithëve emri i presidentit të ri të zgjedhur të SHBA-së, përmbysi gjithçka që deri të martën e dytë të nëntorit, ngjante si trendi normal i ngjarjeve në atë pjesë të globit që kushtëzon zhvillimin e gjithë pjesës tjetër të globit. Ngjante, por nuk ishte më trend prej kohësh.

Më pak se 20 vjet më parë Bill Klinton, absolutisht një nga Presidentët më të rëndësishëm të SHBA-së kaloi në një kalvar të vërtetë vuajtjeje, turpi dhe poshtërimi publik për çfarë kishte ngjarë në duetin e tij me stazhieren Levinski në Zyrën Ovale. Republikanët konservatorë e bënë copë demokratin liberal nëse kishte kryer apo jo akt seksual me zonushën Levinksi dhe më pas, nëse kishte gënjyer apo jo në lidhje me të. Sot një republikan, tre herë i martuar ngjan trendi edhe për demokratët kur i kujtohen divorcet apo dhe marrëdhëniet jo vetëmn të supozuara me një numër të pacaktuar zonjushash. Madje ai fiton përballë një gruaje, e cila në mos shumë, pak, në mos me vullnet, e detyruar, ndërtoi dhe kultin e një zonje që për hir të familjes di të falë edhe një bashkëshort të lëvizshëm. Një gruaje të familjes tradicionale amerikane që është zonjë e vetes dhe “padrone” reale e familjes.

Klintoni është kryqëzuar dikur në fushatën e tij të parë dhe rrezikoi seriozisht humbjen sepse ishte fotografuar në një demonstrim studentor kundër luftës në Vietnam dhe se kishte tërhequr ca herë marihuanë. Trumpi, gjatë fushatës së tij, nuk e fshihte një simpati jo fort të largët me rusin Putin dhe nuk do t’i bënte përshtypje të keqe askujt – duke perifrazuar një frazë të tij me armë – edhe nëse do të shihej duke thithur coca.

Trumpi fitoi sepse thoshte – shpesh edhe në mënyrë të gabuar – atë çfarë mendonte dhe ajo atë që prisnin të tjerët që ai të thoshte. Trumpi ishte krijesa bio dhe njerëzore, përpara makinave politike të programuara të mos gabojnë në asnjë detaj; i shpupurisuri përballë rregullit ku çdo qime është në vendin e saj. Trumpi ishte vetë Show, përballë një bote të tërë të mësuar me role të ndara. Trupi ishte revanshi i asaj shumice që është destinuar të duartrokasë dhe të nderojë dhe të mos duartrokitet dhe nderohet kurrë.

Eshtë pranuar shpesh se në SHBA asgjë nuk ndodh rastësisht dhe se vetë rastësitë janë të “programuara” të ngjajnë si të tilla thjesht dhe vetëm për të dëshmuar përjashtime të lumtura  nga rregulli. Vetë Trump nuk është i tillë; Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së i përgjigjet rregullit dhe rendit të ri që është duke u ngritur dhe ndërtuar. Fillimisht në SHBA e më pas, edhe në pjesën tjetër të botës. Sot këngëtarë me zë kompiuteri, artistë kontraversë apo dhe njerëz që punë dhe dijeni të vetme kanë njohurinë e të bërit fotografi me celular dhe linja të ethshme trupi, janë shumë më të famshëm se fituesit e Nobel-it për mjekësi a fizikë, për paqe a ekonomi. Një shkrepje e bërë siç duhet tek lavamani i tualetit dhe/ose një sekuencë seksi e vjedhur nga celulari, vlejnë më shumë për kuriozitetin publik ndoshta edhe sesa kura që do të shëronte kancerin.

Eshtë kështu në SHBA, por kështu është dhe në Shqipëri dhe pothuaj kudo gjetkë. Sot, në erën e teknologjisë që jep mundësi të dallohet sesa herë lexohet një tekst apo sa herë shihet një fotografi; kur gjendet fare lehtë se nga cili cep i globit lexohet, i çfarë seksi, arsimi, moshe, besimi fetar, e të tjerë e të tjerë, është lexuesi, pra, në një kohë të tillë, teknologjia zbulon se një fustan i çarë që zbulon diçka që e quajnë zog, por që nuk këndon, thith shumë më shumë vëmendje se bombardimet në një vatër lufte.

Me gjasë ka qenë gjithmonë kështu!

Dhe kështu ka qenë gjithmnonë, por pak është ditur.

Sot ka më pak hipokrizi dhe më shumë sinqeritet. Ka më pak mundësi për të gënjyer gjatë dhe më shumë mundësi për të kontrolluar të vërtetat e shtirura dhe politikisht korrekte. Por gjithmonë gënjeshtra është me “seksi” se e vërteta. Dhe seksi shet gjithmonë. Si fillesa e gjithçkaje. Dhe zbulesa e gjithçkaje.

Pa u mbyllur ende java e dytë e nëntorit, gjithçka ka hyrë në normalitet dhe në “rutinë”. Domethënë në normalitet dhe në rutinë sipas konceptit amerikan për to. Kështu, kandidati humbës telefonoi menjëherë kandidatin fitues dhe e uroi atë. Kandidati fitues e hap fjalimin e parë postfitore me emrin e kandidatit humbës. Paraardhësi dhe pasardhësi takohen dhe shtrëngojnë duart edhe pse dhëmbët i mbajnë shtrënguar dhe dhjetra milionë amerikanë dhe gjithë pjesa tjetër e botës, minus disa mijëra vetë që protestojnë ende, pranojnë faktin se Donald Trump është president i SHBA-së. E përkthyer në shqip, kjo javë amerikane do të tingëllonte pak a shumë kështu: Eshtë viti 2005. Kundër parashikimeve, i larguar me krisma armësh nga pushteti, Berisha rikthehet me votë në pushtet. Fatos Nano e pret në zyrë. Shtrëngojnë duart dhe arrijnë madje të buzëqeshin përpara kamerave. Premtojnë se mund të punojnë së bashku në emër të interesave të vendit. Në 2009-ën Rama shihet në sy me Berishën dhe katër vjet më pas, në vitin 2013, Berisha sheh në sy Ramën ndërsa e uron për fitoren dhe i thotë se do të vazhdojnë të punojnë së bashku në emër të interesit publik.

Historia mund të shkruhet shumë herë, por jetohet vetëm një herë. Edhe kur duket se ngjarjet përsëriten, secila nga to është unike dhe e papërsëritshme. Në lidhje shkak-pasojë me njëra-tjetrën, e shkuara dhe e ardhmja kushtëzojnë fort pikërisht njëra-tjetrën. Dhe me një zinxhir ngjarjesh që asnjëherë nuk ndodhin rastësisht. Tronditjet e mëdha nga bregu tjetër i Oqeanit Atlantik; me teknologjinë e sotme mbërrijnë në Evropë shumë shpejt. Në Shqipëri ndoshta me ca pak muaj vonësë, por gjithsesi do të vijnë. Si normalitet. Sepse sot bota ka ndryshuar shumë. Trumpi dëshmoi pikërisht një gjë të tillë. I dha më shumë sinqeritet një bote hipokrite. I dha më shumë të vërteta fallsitetit dhe një dritë tjetër modeleve fallso të një bote që është gjithmonë e më larg nga bota reale. Si bota e realpolitikës ku ai hyri pa qenë krijesë artificiale e saj. Për t’u bërë shpejt dhe ai vetë krijesë e saj. (Javanews.al)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Trumpi, triumfi i sinqeritetit në një botë hipokrite”

  1. says:

    Trump përfshihet në listën e obsede seksual

  2. Profesori says:

    Koncepti dhe menyra e te menduarit per ngjarjet politike duhen perhere te trajtohen me zgjuarsi e sinqeritet,binom i domosdoshem jo vetem per analistet gazetare por edhe per politikane nqs duan te jene ne lartesite e duhura e te jene sadopak te suksesshem.
    I tille me se fundi ne ngjarjet politike te ndodhura ne SHBA,si perhere na dhuroi me kenaqesi i mirenjohuri me reputacion Lorenc Vangjeli.
    Trajtimi dhe vleresimi i multimiliarderit Donald Trump duhet pare, gjykuar e miratuar, ne trajten se si mund te arrihet me breza,pasurimi e se fundi hyrja ne politike me vetedije per trajtimin e zgjidhjet jo vetem problemeve te kompanive te veta por edhe atyre mbareshoqerore.Ky rrugetim eshte me i pranueshem se sa te futesh ne politike per t’u bere i pasur,model shume i shemtuar qe bota po mundohet ta ndryshoje….e si perhere ne pararoje te ketyre modelimeve ndryshe eshte SHBA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *