Panik në KLD, thirrje për rezistencë kundër reformës

13 Nëntor 2016, 09:26Politika TEMA

Reforma në Drejtësi alarmon Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion i cili, para se të shkrihet, po nxiton duke bërë vlerësimet, transferimet, komandimet dhe emërimet e fundit klanore në gjykata. Botimi në Fletoren Zyrtare i disa prej ligjeve prioritare për zbatimin e reformës, të kaluara në heshtje nga Presidenti Bujar Nishani, ka shqetësuar shumicën e anëtarëve të KLD, të cilët të mbështetur nga Nishani, kundërshtojnë shkrirjen, ndryshimin e statusit dhe kufizimin e veprimtarisë së KLD. Konkretisht, anëtarët e KLD, duke nisur që nga Gjon Gjoni dhe kryetari Bujar Nishani, kanë dhënë alarmin për pasojat e zbatimit të ligjit për statusin e gjyqtarëve, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 7 Nëntor. Ligji parashikon shkrirjen e KLD dhe ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Afati i fundit për shkrirjen e KLD është 8 muaj nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së re, por ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, deri në ngritjen e KLGJ, parashikon disa kufizime për veprimtarinë e KLD. Ligji i heq KLD të drejtën për të emëruar dhe transferuar gjyqtarë. Në këto kushte, në mbledhjen e fundit të KLD, mbajtur në datën 4 nëntor, anëtari Neritan Cena, i ka kërkuar Presidentit Nishani që të vënë në lëvizje KLD dhe shoqatën e gjyqtarëve, për të rrëzuar ligjin.

“Të kërkojmë shfuqizimin e atyre dispozitave që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Pse e them këtë z. President? Është shumë e habitshme z. President sepse referuar kompetencave që na kanë përcaktuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarit”, ne nuk kemi të drejtë as të komandojmë një kryetar gjykate z. President”, thotë Cena, referuar procesverbalit të mbledhjes. Duke mbështetur shqetësimin e anëtarit Cena, kreu i KLD, Bujar Nishani, ka propozuar mundësinë e ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Në një linjë me Nishanin ishte edhe anëtari Gjin Gjoni. Sipas tij ligji është bërë me qëllim për të penguar KLD. Në këtë kuadër, Gjin Gjoni, ka propozuar ankimimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkaq, anëtarja Albana Shtylla është shprehur kundër diskutimit të ligjit në mbledhjen e KLD, ndërsa i ka kujtuar Nishanit se ka kaluar në heshtje. Zonja Shtylla, tha se përfaqësuesi e KLD nuk kanë paraqitur asnjë pretendim për përmbajtjen e ligjit. Po ashtu, anëtari Sokol Çomo dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kanë mbrojtur ligjshmërinë e ligjit.

Debatet në KLD për ligjin per statusin e gjyqtareve dhe prokuroreve

Neritan Cena: Kemi Kushtetutën e re, konkretisht neni 179 i Kushtetutës. E ka mirë përcaktuar kohëzgjatjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke thënë një afat 8­mujor, pa përcaktuar asnjë lloj kufizimi ndaj veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me një ligj të zakonshëm, çuditërisht Kuvendi, konkretisht me ligjin “Për statusin e gjyqtarit” – nuk e di, mund të jetë botuar edhe në fletore zyrtare, nuk e kam informacionin shumë të saktë, mund të na ndihmojë Albana me këtë pjesë – janë vendosur disa kufizime për KLD­në çuditërisht. A mundet që një ligj i zakonshëm të vendosë kufizime për një organ kushtetues? Se ai thotë Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk thotë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Të kërkojmë shfuqizimin e atyre dispozitave që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Pse e them këtë z. President? Është shumë e habitshme z. President sepse referuar kompetencave që na kanë përcaktuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarit”, ne nuk kemi të drejtë as të komandojmë një kryetar gjykate z. President. E ka të përcaktuar qartë dhe saktë. Nuk kemi të drejtë as të emërojmë një kryetar gjykate sepse na e kanë kufizuar me ligj. Është diçka që ne do përballemi shumë shpejt. Është një pasojë që do përballemi shumë shpejt.

Bujar Nishani: Në lidhje me shqetësimin që ju parashtruat për ligjin “Për statusin e gjyqtarit”. Unë e mbështes shqetësimin tuaj. Është e vërtetë ajo që ju keni konstatuar, që ligji ka shkuar përtej Kushtetutës, ka dalë jashtë kontekstit kushtetues. Kjo ka qenë edhe arsyeja që unë nuk e dekretova. Por a mund të ndodhi që një ligj të dalë mbi Kushtetutën, qoftë ky edhe me cilësi, me votë të cilësuar? Në Shqipëri edhe mund të ndodhë. Se ka ndodhur. Gjithsesi, unë besoj që kjo është një çështje që Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund të adresojë. Meqë bëhet fjalë për kompetencat e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mund të adresojë në Gjykatën Kushtetuese. Mbetet vendimmarrja dhe gjykimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për këtë çështje.

Gjin Gjoni: Unë bashkohem plotësisht me qëndrimin e z. Cenaj që ligji është në këtë nivel që është dhe bie në kundërshtim me Kushtetutën. Unë jap dakordësinë time si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë padi në Gjykatën Kushtetuese përderisa ligji bie në kundërshtim dhe është një ligj, dispozita tranzitore e cila nuk është tek organet e qeverisjes, por është futur tek statusi. Gjë që tregon që është bërë me një qëllim të caktuar, thjesht për të penguar. Përderisa Kushtetuta thotë që KLD duhet të funksionojë si një i tërë deri në filan datë, derisa të emërohet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, atëherë ky Këshill duhet të vazhdojë dhe funksionojë si një i tërë dhe me gjithë kompetencat kushtetuese që ka.

Albana Shtylla: Lidhur me ligjin e statusit në fakt, me thënë të drejtën, unë vet përherë kam këmbëngulur që në tryezë të diskutohen çështje të cilat janë në rendin e ditës, të cilat normalisht kërkojnë të paktën një lloj vlerësimi apo qëndrimi të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë bazuar mbi një studim, mbi një material, mbi verifikime konkrete në ligje të cilat pretendohet, siç po thuhet këtu, për përplasje me dispozitat kushtetuese. Kështu që mendoj nuk duhet të jetë objekt as për t‟u diskutuar, as për t‟u lënë për një mbledhje tjetër në rendin e ditës.

Ylli Manjani: Në lidhje me diskutimin e ligjit për kushtetutshmërinë apo jo, kjo është një temë tjetër. Sigurisht, unë refuzoj të jem pjesë e këtij diskutimi për arsye të statusit zyrtar që kam dhe patjetër që ne jemi të interesuar që një orë e më parë reforma në drejtësi të fillojë të zbatohet. Ky është qëndrim publik, politik gjithashtu, kështu që nuk dua të hyj në këtë temë.

Gerd Hoxha: Këtu do i jap përgjigje edhe z. Cenaj meqenëse ma përmendi edhe emrin. Edhe ne e kemi parë me shqetësim ligjin “Për statusin e gjyqtarit” dhe mendojmë, të paktën shumica e anëtarëve të bordit të shoqatës tonë mendon që është në kundërshtim me Kushtetutën.

Sokol Çomo: Ne kemi një të keqe në këtë Këshill, që i diskutojmë çështjet jo në kohën e duhur. Pse them jo në kohën e duhur? Në dijeninë time, Këshillit të Lartë të Drejtësisë i është kërkuar të caktonte ekspertë të nivelit të lartë, që ta përfaqësonin këtë Këshill në komisionin përkatës që u mor me reformën. Asnjëherë nuk u ngrit nga ndonjë anëtar i Këshillit shqetësimi që, pse nuk po i caktojmë ne këto ekspertë të nivelit të lartë?

Bujar Nishani: Ju nuk jeni fare korrekt, se nuk është korrekte të ndërhysh kur flet një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për më tepër Kryetari. Pra ka pasur një vendim, patjetër, i Kryetarit, që ia ka deleguar Këshillit, edhe mbi bazën e kompetencave që ka Kryetari. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryeinspektorja ka qenë me cilësinë e ekspertes së nivelit të lartë. Kanë marrë pjesë, kanë diskutuar.

Albana Shtylla: Më vjen keq z. President që po e marr prapë fjalën. Është e vërtetë që kanë punuar grupet e punës. Në dijeninë time kanë ndarë materialet. Gjithsesi zonja Xhaferllari ruan atë të drejtën e vet që të thotë se çfarë materialesh ka marrë në vazhdimësi nga grupet e punës. Por doja të sqaroja që për sa i përket 5 projektligjeve të cilat janë miratuar në datë 6 tetor, nuk ka patur asnjë amendament të depozituar para seancës plenare./ Shqiptarja.com

2 komente në “Panik në KLD, thirrje për rezistencë kundër reformës”

  1. nina says:

    o qe na o birqena ..skeni faj juve, por ka faj populli qe nuk ju vjen aty dhe tu marri zvar neper shkall dhe ta shikoni pastaj se per ke punoni ju, per popull apo per te vjedhur popullin??? qena…

  2. shpresa says:

    Ne qoftese gjykata kushtetuese nuk i hap rrugen ligjit te vetingut, atehere ajo gjykate kryen nje grusht shteti dhe grushti shtetit denohet, ne mos nga ligji, nga ata qe kane zgjedhur njerezit qe te bejne ligje. Ka ardhe koha qe gjarperi po perpelitet nen gure, por i duhet shtypur koka me te gjitha menyrat, ndryshe Shqiperia do te perfundoje ne katrahure dhe vellavrasje e shperberje. Eshte e pa durueshme me qe te vazhdoje keshtu. Ata qe sot kane karriket dhe volen parate, mendojne se duke qene ne demokraci, populli nuk mund te qe ti permbysi; kjo eshte lajthitje e tyre, por kur ky popull te bllokoje dhe shpertheje gjykatat deri tek ajo kushtetuese me gjithe KLD-ne brenda, atehere do kerkojne te ikijn si minjte nga vendi keta “trima” qe po na çorodisin neve sot. Kjo eshte tirani dhe jo demokraci.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje