PROFILI: Kush është Steve Banon, truri i fitores së Donald Trump?

16 Nëntor 2016, 09:33Bota TEMA

“Nëse bie zjarr, të jeni të sigurtë se aty rrotull do të jetë Steve Banon me një zjarrndezës në dorë”. Nuk është shprehja e një kundërshtari, por e njërit prej gazetarëve të tij kryesor, korrespondentit politik nga Uashingtoni të “Breitbart News”, Methju Boyle, i cili e ka vizatuar kështu shefin e njërit prej portaleve më të ashpër të së djathtës amerikane. Ai vlerësohet edhe si inspiruesi i retorikës së fortë të Donald Trampit gjatë fushatë presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Por tashmë, Banon do të jetë këshilltari kryesor i shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë.

Banon është një personazh jo i zakonshëm dhe i shkëlqyer, me shumë ringritje. Përpara se të mbërrinte ndoshta në një nga postet më të rëndësishëm të presidencës së Trampit, 62-vjeçari, bir i një familjeje të varfër punëtore me origjinë irlandeze nga Norfolk (Virxhinia), ka qenë një oficer i marinës, bankier për sipërmarrjet në “Goldman Sachs”, investitor në Hollivud, prodhues filmash dhe dokumentarësh.

Vetë Steve ka treguar se është rritur mes demokratëve dhe sindikalistëve, duke u dashuruar me figurën e Xhon Kenedit. Ai u divorcua nga politika progresiste kur, si ushtarak, teksa ndodhej në një kryqëzor të Marinës në Gjirin Persik, i vlerësoi shkatërrimtare dobësitë politike dhe ushtarake të Xhimi Karterit. Prej atëherë, ai “u dashurua” me Ronald Reganin. Megjithatë do të duhen 20 vite të tjerë dhe trauma e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 për ta parë Banon të angazhuar plotësisht në politikë.

Ishte thelbësor 10-vjeçari i fundit për karrierën e tij: Nga dokumentarët epikë për lindjen e “Tea Party” (forcë politike në SHBA), në rolin e këshilltarit të Sarah Palin dhe në sipërmarrësin e grupeve të ekstremit të djathtë, përfshirë nacionalistët e bardhë. Pas ndarjes nga jeta të Endrju Breitbart, merr drejtimin e portalit të informacionit politik. Që atëherë ky portal ishte ndër më të pozicionuarit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Banon e transformoi në një makinë të specializuar për çmontimin, si të liderëve demokratë, ashtu edhe të republikanëve të moderuar.

Kur lëshon ofensivat, “Breitbart” nuk fshihet, në të kundërt, merr përsipër efikasitetin e teknikave të tij. Ishte “Breitbart”, që duke patur intuitën të dallojë veset online të Antoni Uiener, financon gjurmimin e trafikut në internet të politikanit demokrat, i cili ishte i martuar me asistenten e Hillari Klintonit, Huma Abedin, dhe i ngre atij kurthin, që do t’i shkatërrojë karrierën.

“Breitbart” është akuzuar se u ka dhënë hapësirë edhe deklaratave ksenofobe dhe se ka sulmuar homoseksualët, ndërsa Banon është akuzuar disa herë edhe si antisemit. Së pari, akuza i erdhi nga ish-bashkëshortja, e cila e denoncoi për dhunë dhe u shpreh se ai ka tentuar ta heqë vajzën nga një shkollë, sepse ajo frekuentohej nga shumë hebrej. Më pas, portali e cilësoi si një “hebre renegat” një intelektual konservator si Bill Kristol, i cili ishte kundër kandidaturës së Donald Trampit për president.

Por nga Steve Branon kalojnë edhe operacione shumë më komplekse, si promovimi i “Clinton Cash”, librit të Peter Shvajcer, që më pas u bë edhe film, që dokumenton disa raste të përdorimit të keq apo të papërshtatshëm të fondeve të Fondacionit “Clinton”. Nga këtu lind edhe hetimi i dytë i FBI-së.

I cilësuar nga “Business Week”, si “punëtori politik më i rrezikshëm i Amerikës” më tepër se një vit më parë, kur ende nuk kishte një rol të dukshëm përkrah Trampit, Banon ishte një nga arkitektët e sulmit, që e detyroi Xhon Boehner të jepte dorëheqjen si lider i republikanëve në Dhomën e Deputetëve. Më pas, kaloi te shkatërrimi i kandidatëve, të cilët rivalizonin me Trampin për nominimin brenda republikanëve, duke nisur nga Jeb Bush, me një libër me zbulime të ngjashme si ato ndaj Hillarisë, por më pak efikase.

Ndërkohë, “Breitbart” hedh sytë edhe jashtë, duke u zgjatur për të mbështetur edhe lëvizjet kundër establishmenteve në Europë: Farage në Mbretërinë e Bashkuar të daljes nga BE-ja, Lë Pen në Francë, Ligën e Veriut dhe Lëvizjen “5 Yjet” në Itali, me një numër të madh analistësh në mbështetje edhe të eksperimentit të kryebashkiakes së re të Romës, Virxhinia Raxhi.

Pati mes tyre që e kritikuan zgjedhjen e Trampit për emrin e Steve (Stefen) Branon, por Reince Priebus, shoku i tij i bankës në Shtëpinë e Bardhë (do të mbajë detyrën e shefit të stafit), e ka mbrojtur: “Mua nuk më është dukur kurrë ksenofob”.

Steve Branon mbetet një figurë jo e zakonshme dhe ndoshta këtu qëndron edhe aftësia e tij. Në janar 2017, ai do të hyjë bashkë me Trampin në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë kryestrategu i presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje