Veliaj: 17 Nëntori na mëson se historia kërkon sakrifica. Meta: Ditë e madhe për gjithë Shqipërinë

17 Nëntor 2016, 11:42Sociale TEMA
Veliaj: 17 Nëntori na mëson se historia kërkon sakrifica. Meta:

Tirana ka kujtuar sot 72 vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të kësaj dite dhe sakrificës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit. Ata vendosën kurora me lule në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” në shenjë mirënjohje dhe nderimi, për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, si dhe për ata qindra të tjerë që u bënë pjesë e luftës antifashiste.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi 17 Nëntorin si një nga ngjarjet më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë. “Është e jashtëzakonshme të shohësh një ndërthurje brezash dhe gjeneratash, nga veteranë të nderuar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, e deri te të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit, që të nderojnë sot 17 Nëntorin, këtë ditë të madhe, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin. Ditë që simbolizon ditën e Çlirimit të kryeqytetit, por, njëkohësisht që përfaqëson një nga betejat më të mëdha, më të përgjakshme të popullit tonë, të popullit të kryeqytetit dhe të partizanëve tanë gjatë Luftës II Botërore, dhe njëkohësisht është një nga demonstrimet më të mëdha të vlerave antifashiste të popullit tonë, të cilat sot pasohen nga vlerat e integrimit evropian. Një proces që këtë 17 Nëntor, Shqipërinë e gjen edhe me një hap tjetër përpara, gjë që është mjaft pozitive dhe mjaft domethënëse. Jam i bindur se ky 17 Nëntor është një mundësi shumë e mirë për të parë me më shumë optimizëm drejt së ardhmes evropiane të vendit tonë dhe padyshim, kryeqytetit, që luan një rol kryesor, drejtues të proceseve transformuese të vendit tonë”, tha kryeparlamentari Meta.

Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kjo datë është e rëndësishme për kryeqytetin, pasi nderojmë bijtë dhe bijat të cilët u ngritën mbi ndasitë dhe problemet e brendshme për të çliruar kryeqytetin. “Jam shumë i lumtur që në këtë ditë kujtojmë me shumë mirënjohje të gjithë familjet tiranase, ata që u përfshinë në betejën për çlirimin e Tiranës. Ju falenderoj me zemër, është një moment për të kujtuar disa mesazhe që koha i vjetëron; janë disa mesazhe që mbeten po aq të freskëta edhe kur kalojnë 72 vite. Mesazhi i freskët që na vjen nga ajo kohë është që për kryeqytetin, për vendin, historia kërkon sakrifica”, tha Veliaj. Ai theksoi se vepra e tyre duhet të jetë shembull dhe frymëzim për brezin e tanishëm.

“Fatmirësisht, historia sot nuk kërkon sakrificat e dhënies së jetës për kryeqytetin, por sigurisht sot kërkohet që të ndërtojmë me të njëjtin pasion dhe të njëjtën energji, ashtu si të rinjtë e 72 viteve më parë luftuan për të ruajtur identitetin e vendit tonë”, tha kryebashkiaku. Më tej, ai vlerësoi se kjo festë vlen edhe që brezat e rinj të kuptojnë se historia e Tiranës është e mbushur me ngjarje dhe sakrifica deri në vetëmohim për ta bërë Tiranën qendrën e të gjithë shqiptarëve.

“72 vjet më parë e negociuam qëndrimin tonë evropian si pjesëmarrës të një aleance për të çliruar Evropën; sot jemi në prag të hapjes së  negociatave dhe besoj se kemi hedhur një hap të sigurt për të qenë anëtarë të denjë, edhe juridikisht të BE, ndaj edhe bashkë me kryetarin e Kuvendit, deputetët, anëtarët e Këshillit Bashkiak, të gjithë ata që ndoshta janë të ardhur në Tiranë, duhet të kuptojnë se ky vend nuk është pa histori, historia nuk fillon nga hiçi, historia fillon me ata që e themeluan qytetin, me ata që luftuan për ta çliruar dhe me ata që sot po ndërtojnë qytetin. Gëzuar 17 Nëntorin!”, përfundoi Veliaj.

Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës mori pjesë edhe në Konferencën Shkencore kushtuar pikërisht kësaj dite, ku edhe mbajti një fjalë përshëndetëse. Ndërkohë, historianët Paskal Milo, Pëllumb Xhufi e të tjerë studiues sollën para të pranishmëve fakte dhe ngjarje nga luftimet që u zhvilluan në kryeqytet deri në ditën e çlirimit. Më pas, të pranishmit ndoqën edhe ekspozitën e organizuar nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror, me foto që evokonin Tiranën e atyre ngjarjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje