AMF: Easy Invest nuk ka qenë e licencuar; Kujdes mund të humbni vlerën e plotë të investimit

17 Nëntor 2016, 11:51Ekonomia TEMA

Pas lajmit mbi ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërisë Easy Invest si platformë investimi online, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (Autoriteti) ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti.

AMF tërheq vëmendjen e publikut se investimi në aksione, tituj të borxhit, valuta, etj., përmes platformave të tregtimit online shoqërohet me rrezikun e humbjes së plotë të vlerës së investimit, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit. Në çdo rast, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime;

AMF kërkon që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore;

Autoriteti fton publikun dhe autoritetet e tjera të interesuara të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, të cilët veprojnë si agjentë të platformave të investimit online, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Autoritetit;

Autoriteti, si ent rregullator që licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve në fushën e titujve, ka vepruar në përputhje me kërkesat ligjore respektive për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Në zbatim të këtyre kërkesave, Autoriteti ka mbështetur diskutimin mbi potencialin dhe rreziqet e investimeve të publikut përmes portaleve të tregtimit online, në mbledhjen e janarit 2016 të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Njoftimin për shtyp të kësaj mbledhjeje mund ta lexoni të plotë në linkun e mëposhtëm:

http://www.amf.gov.al/pdf/coop/21_GSKF%2026.01.2016.pdf

Autoriteti thekson se do të vijojë të ndjekë këtë çështje me përparësi, në zbatim të kërkesave ligjore dhe duke nxitur bashkëpunimin efektiv me autoritetet e tjera publike të interesuara, përfundon deklarata për shtyp e Autoritetit.

Mbyllja e Easy Invest

Easy Invest, një nga platformat e investimeve online, ka mbyllur aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë.

Lajmi u njoftua nga kreditorët e kompanisë pranë ‘Monitor’, të cilët janë braktisur që në korrik të këtij viti pa asnjë sqarim.

Easy Invest që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli web-in “www.easyinvest.al” nën shënimin “under construction”.

Gjithashtu, adresa fizike e kompanisë në rrugën ‘Donika Kastrioti’, pallati 14, kati i parë në Tiranë, nuk i përket më kësaj kompanie.

Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj, që në korrik të këtij viti, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët, duke lënë pas vetëm humbje.

Bursat online janë një fenomen mjaft i përhapur dy vitet e fundit. Teksa interesat në banka janë ulur ndjeshëm dhe është forcuar procesi i kontrollit të burimit të parave në banka shumë persona kanë zgjedhur bursat online si forma të përshtatshme investimi. (http://www.monitor.al/ujqerit-e-tiranes-kujdes-nga-investimet-ne-bursa-nga-skemat-e-palicencuara/).

Mirëpo teksa tregu i mbushur plot dhe këto subjekte që as nuk kanë licencë dhe as nuk mbikëqyren, falimentet kanë nisur.

4 komente në “AMF: Easy Invest nuk ka qenë e licencuar; Kujdes mund të humbni vlerën e plotë të investimit”

  1. tiri says:

    bursat online veprojne ne shume vende dhe ngjarje si keto jane te pranishme edhe ne shtete me te zhvilluara por publiku duhet te jete me tepr i veemendshem dhe te kontrolloje sa i takon orientimit te kapitalit ne bursa si keto

  2. serxho says:

    gjynof kush ka hum lek pysni njihere pastaj futini leket direkt sjan me i besu se ja ca ndoll pastaj

  3. zika says:

    Fenomen i njohur dhe mjaft shqetesuar edhe per boten e zhvilluar po gjen perhapje te madhe me avancimin e shpejte te teknologjise

  4. zambi says:

    Tani qe mbaruan pune ata u kujtuan qe te paralajmerojne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje