FJALIMI/ Edi Rama: Dy makthet e Berishës, “Vetingu” dhe hapja e dosjeve

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

rama 5Nga Edi Rama

Sali, meriton një falënderim, sepse na hoqe mallin e “Lulëkuqeve mbi Mure”. Je lulëkuqja e fundit e varur në mur dhe je në fakt, varur edhe më lart se ata fëmijët e jetimores që thoshin “il popolo italiano”. Ndërkohë që ndryshe nga ata je edhe italiani i parë dixhital. Kështu që rrofsh se na e bërë më të lehtë këtë të enjte, një konkurrent i pakonkurrueshëm i të gjithë emisioneve të humorit në Shqipëri

Disa sqarime për marrëzitë e tua duhen, që njerëzit që kanë akoma nge dhe merren me ty, përveç nesh që e kemi detyrë të të dëgjojmë të enjteve, se ditë tjetër me ty e ke parë që nuk merret njeri, lidhur me çfarë ke thënë e sa ke gënjyer vetëm nga e enjtja e kaluar në këtë të enjte.

Ke gënjyer derrçe kur ke thënë që kemi blerë 140 makina luksi, që në bashkëpunim me qytetarin tënd dixhital në Kakavijë i zbulove me një shpejtësi të rrufeshme dhe i denoncove po me një shpejtësi të rrufeshme.

Ne nuk kemi blerë asnjë makinë, Sali. Është dhuratë e qeverisë japoneze, e cila promovon makinat e reja, të kombinuara me diesel dhe me energji dhe e bën këtë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet ku është e pranishme përmes institucionit të ndihmës japoneze. Nuk është qoftë edhe si dhuratë, një dhuratë që e kemi kërkuar ne, por është pjesë e një pakete promocionale të qeverisë japoneze, në të gjitha vendet ku është e pranishme ndihma japoneze, për këto lloj makinash. Dhe me thënë të drejtën i kemi falenderuar nga zemra, sepse ndër shumë gjërat që morëm trashëgim prej qeverisjes tënde si probleme realisht të mëdha është edhe situate dramatike e të gjithë logjistikës së shtetit në të gjithë sektorët.

Së dyti, gënjeve derrçe për buxhetin e Kryeministrisë. Sepse faktikisht, në buxhetin e Kryeministrisë për aparatin e Kryeministrisë është shtuar në krahasim me kohën tënde, një shumë vetëm prej 19 milionë lekësh. Ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër është financim i dy programeve buxhetore, administratës publike dhe e qeverisjes, pra, AKSH-i dhe të tjera mekanizma që janë brenda qeverisjes dixhitale.

Pse është bërë ky ndryshim?

Për shkak se Bashkimi Europian, i cili mbështet me financime këto dy programe, e ka kërkuar prej nesh këtë ndryshim, në mënyrë që të ketë vetëm një interlokutor dhe jo më shumë. Pra, është vetëm një spostim mekanik i buxhetit për këto institucione, që e kanë pasur edhe më përpara, e kanë edhe sot, brenda buxhetin e Kryeministrisë.

E kupton Sali se çfarë gënjeshtari je dhe se çfarë katandie është kjo e jotja; President Republike, Kryeministër i këtij vendi dhe e ke bërë të përditshmen tënde, një kazan të madh mbeturinash që ua shet përditë, atyre që kanë ngenë të merren me ty, si të vërteta. Kjo nuk ka bërë vaki askund dhe me askënd.

Një personalitet publik kaq i rëndësishëm, saç ke qenë ti për Shqipërinë në 25 vjet, të katandiset në një tabele letrash anonime, pa asnjë filtër, pa asnjë verifikim, pa asnjë vetëdije dhe etikë lidhur me ata që vazhdojnë të të besojnë dhe që presin prej teje të dëgjojnë çfarë mendon ti për çfarëdo qoftë. Është dëshmia më rrëqethëse e mënyrës se si rrëshqet ledhi i një njeriu.

Më bën përshtypje fakti që, sidoqoftë, mbas 40 minutash nuk thua asnjë fjalë, as për negociatat me Bashkimin Europian dhe për sfidën e përbashkët të zbatimit të ligjit të vetting-ut, të cilin je ti i pari dhe i vetmi që e lufton me shpirt ndër dhëmbë, me të gjitha mënyrat e tua dhe vazhdon dhe sot që flasim të bësh çmos që ta rrëzosh në Gjykatën Kushtetuese.

Vjen këtu dhe na citon Lulzim Bashën, a thua se ke ti ndonjë respekt për administratorin që ke vënë atje në SH.P.K-në tënde. Në fakt, unë e lexoj ndryshe citimin tënd për Lulzim Bashën dhe promovimin e tij këtu, si lideri që duhet tani edhe të na e citojnë në Parlament.

Ti Sali ke vetëm një hall sot, një makth, vetting-un e gjykatësve dhe të prokurorëve! Kjo është arsyeja përse e nxjerr Lulzimin si kamikaz përpara, duke e kthyer Partinë Demokratike, një parti që lindi nga një shpresë e madhe, në skalionin e legjionarëve, për të zmbrapsur me çdo kusht reformën në drejtësi dhe për t’i shpëtuar me çdo kusht, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me pushtetin tënd, nga fshesa e hekurt e vetting-ut.

Nga ana tjetër më bëri përshtypje që nuk përmende asnjë fjalë për ligjin që kalon sot, për Autoritetin Shtetëror për Hapjen e Dosjeve. Kam edhe një lajm për ty Sali; Ditën e shtunë do inaugurojmë bunkerin. Unë të ftoj të vish. Je edhe bashkautor aty, sepse ke organizuar një grup ustallarësh, kuptohet, me mjetet e tua, shishe benzine, qysqi, këto lloj mjetesh që njeh ti dhe i ke turrur atje për të marrë pjesë në ndërtimin e veprës. Ato gropat që ata hapën nën yshtjen tënde janë aty, janë pjesë e historisë dhe kemi nderuar kontributin tënd si bashkautor. Kështu që eja ditën e shtunë e të shikosh çfarë do të thotë të jesh serioz kur ballafaqohesh me të shkuarën dhe se çfarë do të thotë të jesh serioz në ndërtimin e një institucioni të memories për krimet e diktaturës komuniste.

Nuk e di sesa vite, se nuk i numëroj dot, përveç viteve që ke qenë Kryeministër, në këtë foltore je betuar dhe përbetuar që do të ndërtoje monumente, tempuj, institute, ç’nuk do ndërtoje që mos ta lije atë memorie të fshihej, por t’i jepje mundësinë këtij populli që të ballafaqohej vetë me gjurmët e saj dhe të gjykonte vetë përmes ballafaqimit.

Çfarë bëre ti Sali?

Bëre një vrimë të madhe në ujin që tunde këtu gjithë ato vite. Asgjë nuk le ti pas, si shenjë serioziteti në raport me një shtresë që ty të besoi verbërisht dhe habitem sesi e hëngri atë kokërr ulliri, të besoi ty, një persekutor i dikurshëm që na u ktheve në anti-komunistin më të madh. Por ja që në 25 vjet nuk u tregon dot atyre, një gozhdë që ngule ti me një fotografi, për të kujtuar me respekt ata që ishin viktima të terrorit të Partisë tënde të Punës së Shqipërisë. Asnjë!

Ditën e shtunë, seriozisht e kam, bëhu burrë dhe eja tani ballafaqohu me veprat e partisë tënde nënë, jo të kësaj vajzës që i ke lënë Lulit. Eja dhe shih me sytë e tu se në çfarë ke marrë pjesë ti, si një nga sekretarët më servilë dhe më të djallëzuar të asaj partie.

Po të them Sali, që jam i mahnituar edhe nga fakti që jeni kaq të lodhur si parti, sa përtoni tanimë të fshini edhe gjurmët kur gënjeni. Dikur mundoheshit t’i fshinit gjurmët, sot keni ardhur në fazën e asaj lodhjes së madhe, kur gënjeshtari përton që ta bëjë gënjeshtrën e besueshme.

Ankoheni këtu që ne nuk po i hapnim një rrugë, një kandidature tuajën për të zbatuar ligjin e dosjeve dhe keni sjellë një kandidaturë që jo vetëm nuk ka lidhje fare me të kaluarën, se edhe mund të mos kishte, por që ka edhe një problem të madh me arsimin. Mbi të gjitha, ne nuk kemi asnjë arsye të marrin në konsideratë asnjë kandidaturë tuajën për këtë çështje, sepse ne ju konsiderojmë ju, një forcë politike që në 25 vjet vetëm keni folur për ta dhe nuk keni bërë asgjë për ta. Unë e konsideroj që Partia Demokratike se ka qenë e marrë peng nga makthi yt i 25 vjetëve të para tuat si komunist, kur i ke shërbyer me mish e me shpirt asaj ideologjie dhe atij terrori.

Faktet janë fakte. Çohu këtu dhe provo të kundërtën, por jo me regjimin e etërve, se këtu, nëse ka një at të gjallë, je ti! S’ka këtu, etër të tjerë. Natyrisht, ti je më kompetenti këtu për të folur për atë regjim, se i ke shërbyer atij regjimi, je më kompetenti nga të gjithë ne për të folur për Byronë Politike, sepse e di historinë e lotëve që i derdhje asaj të shkretës kur i vdiq burri, qaje ti më shumë se ajo . Dhe për këtë arsye, ne refuzojmë të konsiderojmë një kandidaturë tuajën, cilado qoftë ajo, për këtë Autoritet.

Refuzojmë, sepse jeni hipokritë dhe nuk keni asnjë lidhje me atë shtresë. Përkundrazi, ju jeni peng i asaj historie. Ndërkohë që ne e kemi thënë shumë qartë: Për ne, çështja e tyre nuk është një çështje elektorale. Ne nuk e bëmë ligjin, për t’i hapur më në fund dosjet e Sigurimit të Shtetit, për të marrë vota. Po ashtu edhe muzeun, që hapet ditën e shtunë dhe mbajeni mend, shënojeni fjalën time, do të jetë një nga muzeumet  më të vizituar të Europës, nga njerëzit e interesuar për të ditur çfarë ka qenë diktatura komuniste.

Ne nuk e bëmë dhënien e 20 milionë dollarëve çdo vit, për të shlyer këstet ndaj të atyre të mbetur akoma në jetë pas persekutimit komunist, për t’iu marrë vota. Kur erdhëm ne në qeverisje, mbas 8 vjetësh të qeverisjes suaj, çfarë gjetëm?

Gjetëm mijëra të burgosur politikë ende të gjallë, të cilët nuk kishin marrë një kokërr leku. Ndërkohë që dhe atë histori e kthyet në histori pazaresh dhe korrupsioni, duke medemek iu dhënë lekë trashëgimtarëve. Ç’punë kishin trashëgimtarët, përpara se të shlyheshin një herë të gjallët, ata që e kanë terrorin në trup, në lëkurë, në mendje! Dhe mbajeni shënim dhe këtë: Deri në qershor të vitit 2017 nuk do të ketë një të gjallë që ka kaluar nga burgjet e komunizmit dhe që nuk i është shlyer deri në qindarkën e fundit, dëmshpërblimi.

80 milionë dollarë në 4 vjet ka vënë kjo qeveri për ta dhe jo për votat e tyre. Dhe mjerë, me keqardhje, kush nga ata vazhdon voton partinë që e ka peng Sali Berisha. Mjerë, me keqardhje të madhe e them, por mashtrim më spektakolar, akrobatik, 25 vjeçar, me ta nuk mund t’ia llogarisë vetes asnjë lloj force politike, në raport me asnjë grup interesi, në asnjë vend të botës, që ka pretenduar se përfaqëson.

Lajmi tjetër është barometri i korrupsionit i Transparency International. Ja ku është i shkruar dhe gjejeni vetë ku është Shqipëria këtu. Sipas asaj organizate shumë të respektuar, e cila është pikë referimi për të gjitha raportet, për të gjitha institucionet, për të gjitha zyrat që merren me këtë çështje në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, 63% e shqiptarëve besojnë që kjo qeveri po lufton korrupsionin. Dhe nuk po ju numëroj vendet ku njerëzit besojnë më pak, sepse do numëroj emra vendesh që ju mund të mos i besoni, prandaj po ju them lexojini dhe shikojini vetë. Kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka problem me korrupsionin. Përkundrazi. Por kjo do të thotë që kjo qeveri po bën reforma, të cilat po krijojnë premisa që hapësira e korrupsionit të shkojë duke u ngushtuar.

E brenda këtij lajmi, Sali, kam edhe një lajm tjetër për ty. Dy institucionet më pak të gjykuara keq për korrupsion janë policia dhe Kryeministria. Është edhe Presidenti, patjetër, por Presidenti historikisht ka qenë një institucion që është vlerësuar për shkak se është një autoritet që në fund të fundit nuk ka lidhje me asnjë pushtet ekzekutiv.

Po ju them edhe se këtë botim kam pasur kënaqësinë ta marr personalisht, me përgëzime nga Komisioni Europian.

E duke qenë se po flas për Komisionin Europian, ishim në takimin e organizuar nga “Miqtë e Shqipërisë” në Bruksel dhe në praninë e shumë ministrave të Jashtëm dhe të përfaqësuesve të të gjitha vendeve kemi dëgjuar fjalët më të mira për Shqipërinë. Gjëja më interesante, për ty Sali, është se në një orë e ca që zgjati takimi, fjala “kanabis” u përdor vetëm për të përgëzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit. Natyrisht, ju jeni në të drejtën tuaj, me të pangushëllueshmin buzagaz, të shoqëroni fjalët e mia, por për të verifikuar, mos iu referoni fjalëve të mia, referojuni Progres-Raportit të Bashkimit Europian, të një institucioni që është sot larg të qenit zemërgjerë dhe dorëlëshuar, kur vjen puna për të vënë në pah të metat dhe shkoni tek paragrafi që flet për Policinë e Shtetit dhe për luftën kundër drogës.

Lajmi i fundit që kam për ju, meqë do të kalojë këtu ligji për hekurudhat, është që mbas 25 vjetësh, në prill do të fillojë ndërtimi i një hekurudhe në Shqipëri. Mbas 25 vjetësh, në prill do të ndërtohet hekurudha e parë moderne e Shqipërisë, Tiranë – Rinas – Durrës.

A na mjaftojnë këto?

As hekurudha e parë nuk mjafton, as Progres-Raporti nuk mjafton, as broshura prestigjioze e Transparency International nuk mjafton, nuk mjafton as fakti që kemi një opozitë që vaj me det në ç’situatë e kemi, për të na bërë ne që të ndjehemi të qetë karshi vetes dhe karshi njerëzve. Nuk na mjafton as fakti, që edhe në ato pika ku ju keni mbajtur flamurin 25 vjet, punët i bëjmë ne dhe jo ju, siç është rasti me të ndjekurit politikë. Asgjë nga ato nuk mjafton. Siç nuk mjaftojnë 3 vjet, për të ringritur në këmbë një shtet që e bëtë lesh e li për 25 e kusur vite, nën udhëheqjen e ndritur të Saliut.

Që mos ta elaboroj më shumë, po të them një gjë të fundit: Ju vazhdoni kështu, nuk ka problem. Vetëm mbajeni shënim sot: Në qershor të vitit tjetër do të jeni këtu, më pak seç jeni sot.

 

  • Fjala e mbajtur sot ne Seancen Plenare ne Kuvendin e Shqiperise
Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

6 komente në “FJALIMI/ Edi Rama: Dy makthet e Berishës, “Vetingu” dhe hapja e dosjeve”

  1. qytetar says:

    Bravoooooooooo!!

  2. Peco says:

    Te lumte ajo goje! Mire jua bene zgjyrave, qe per 25 vjet me radhe u tallen duke mashtruar shtresen e te perndjekurve politike. Por mos harro, ne te perndjekurit politike dime te te vecojme ty nga ajo pjese e partise tuaj, qe urrejtjen per shtresen tone e ka ushqim shpirteror. Vetem nese PS do te punonte per zbutjen deri ne shuarje te kesaj urrejtje, atehere kish per te konsoliduar perfundimisht themelet e shendoshe te se majtes moderne ne kete vend. Sepse sot, mbeturinat komuniste, te ushqyer me ndjenjen e urrejtjes se perjetshme ndaj shtreses tone, nuk e kane te qarte, qe te perndjekurit politike as i ndan gje me te majtet ashtu si dhe te djathtet. Me te dy palet ata i bashkon atedheu dhe jeta e perbashket, e qete dhe vllazerore, brenda ketij trualli qe na ka dhene Zoti.

  3. Bushi says:

    Respekt zoti Kryeminister.Nje diskutim dhe fjalim brilant.Ai qe ka dy parament ne koke,kur ta lexoi fjalimin e EDI RAMES sote ne parlament,do te kuptoi se kemi te bejme me nje kryeminister te zot,guximtar,inteligjent.Puna e mire,trajtimi i problemeve imediate te vendit ne te gjitha fushat e jetes,tregon per nje prosperitet dhe nje te ardheme te lumtur.Eshte e domosdoshme qe EDI RAMA ka te drejten e tij te qeverisin shqiperine pasi eshte i rrept ne luften kundra korupsionit dhe padrejtesive .Ai qe ne fillim ka qene pro per reformen ne sistemi e drejtesise,duke luftuar dhemb per dhemb me penguesit e saj,pikerishte me udheheqesit e PD-ke,SALIN,BASHEN e disate tjere armiq te betuar te reformes ne drejtesi.Ata e kane zvarritur sepse jane te kredhur ne krime dhe e kane shume frike reformen ne drejtesi,sa u shpeton shurra ne brek.EDI RAMA deri sot eshte i paster.Ai nuk ka vrare njerez si Saliu dhe Basha.Ai eshte vene kryeminister nga populli,dhe po i sherben popullit,ku ne te ardhemen kame bindjen se do te punoi akoma me mire,dhe do ta votoi perseri.Shyqyr qe shpetuam nga pd-ke sepse ajo (Saliu) po tallej me neve.Na vidhte votat hapur,mbushe xhepat e parate e taksave te popullit.Akuzat qe bene Basha sot duke rendur ne çdo vend si gjeli ne qerre,jane te kota,te stisura,ku me shpifje kerkon t’u mbush mendjen shqipetareve,se hajdut nuk jan ata te pd-ke por Edi Rama.Jo more jo,nuk e ha ate kokerr ulliri populli te votoi pd-ke.Shyqyr qe na u shporr.Ps-te do te fitoi shume thelle ne 2017-ten per dy arsye: E para se kjo qeveri po punon mire. E dyta-pd-ke nuk di te beje popullin per vehte,ajo e mashtron sy nder sy,per te cilen ka urrejtjen e shqipetareve.Jane njerez te keq.

  4. toni says:

    opo leri keto llafe koti ky popull do vepra ne se fute ne burg sali kriminelin ske per te dal me se kuptoj cfare duhet me shume per te denur nje njeri qe eshte hajdut dhe kriminel krimet e tij i di i madhe dhe i vogel gjarperit do prer koka jo bishti

  5. D. Didani says:

    Fjalimi i bazuar me shifra dhe fakte ,eshte gjithmone i bukur…Fjalimet e Saliut te bazuara mbi shpifje dhe thashetheme kafenesh,pa tjeter do jene te neveritsheme!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *