Rama tek fakulteti Juridik: Frikë se Kushtetuesja do bllokojë Vetingun dhe negociatat

rama arsimKryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka paralajmëruar se Gjykata Kushtetuese mund të bllokojë ligjin e Vettingut, që është dërguar për rekomandim në Komisionin e Venecias.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Gjykata Kushtetuese mund të cënojë ligjin deri në pikën ku, ligji i cënuar të bëhet mbrojtje për gjykatësit e korruptuar dhe të bëhet pengesë për hapjen e negociatave integrimin e Shqipërisë.

“Nuk do të jetë e lehtë, madje kam shumë frikë, pasi do të jetë më shumë e vështirë që Gjykata Kushtetuese mos e pengojë ligjin dhe të mos e cënojë ligjin në pikën ku, ligji i cënuar të bëhet mbrojtje për gjykatësit e korruptuar dhe të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë” deklaroi Rama.

Precedenti sipas Ramës qëndron tek ligji i pronave, në të cilin gjykata ndërhyri në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit të Venecias.  “Rekomandimi i Venecias për ligjin e pronave ishte pozitiv, nuk kjo mjaftoi për Gjykatën Kushtetuese, pasi ndërhyri përsëri, por se si dhe ku pritet që ta shikojmë kur të zbardhet vendimi” tha Rama.

Rama i bëri deklaratat përballë kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili ishte i pranishëm në ceremoni.

Në fjalën e tij në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit Juridik, Rama ndër të tjera theksoi se ligji i ri i Vetingut do të hapë shumë vende pune për të rinjtë, të cilët duhet të bëjnë drejtësi.

E pranishme ishte edhe ministrja Nikolla pak minuta pas incidentit, ku njëra nga studentet e Lëvizjes për Universitetin i hodhi salcë në shenjë proteste për ligjin e arsimit të lartë.

Fjala e plotë e Ramës te Fakulteti Juridik:

Në të mirë të tij, njeriu është më fisniku nga të gjitha kafshët. Ndarë nga ligji dhe nga drejtësia është kafsha më e keqe.”  Nuk ma ha mendja se kjo shprehje e thënë 2500 vjet më parë nga Aristoteli mund të gjejë një vend më të mirë, një kohë më të përshtatshme sesa Shqipëria e kësaj kohe, për të pasur kontekstin e duhur.

Nga ana tjetër, Faik Konica thoshte: “Drejtësia i takon fushës së ëndrrave!” – gjë që me siguri është edhe shtysa e secilit apo secilës që merr rrugën për të shkuar në dyert e Fakultetit të Drejtësisë dhe e prindërve që mezi presin që vajza apo djali të dalin nga dyert e atij Fakulteti me këtë ëndërr kaq të madhe. 

Prandaj, më lejoni që t’ju kujtoj sot, që nëse ju jeni këtu në finalizimin e një rruge që është vetëm fundi për të filluar rrugën e përballjes së ëndrrës me realitetin, kjo në radhë të parë i kushtohet atyre që janë me ju sot e që janë nënat e baballarët tuaj, të cilët dua që t’i uroj me gjithë zemër që vajzat dhe djemtë e tyre të bëhen mishërimi i asaj që ata kanë ëndërruar kur i çuan drejt dyerve të Fakultetit të Drejtësisë, duke i përkrahur në këtë ëndërr të madhe.

Urime për kurajën gjithë prindërve që kanë marrë këtë sipërmarrje të madhe përsipër, se unë nuk do kisha kurajë ta çoja vajzën apo djalin të bënte juridikun, për shkak se nuk ma ha mendja se ka një fushë tjetër në Shqipëri, ku hendeku midis ëndrrës dhe realitetit të jetë kaq i madh. Nuk ma ha mendja se ka një student apo studente tjetër në Shqipëri, si studentët apo studentet e juridikut, kur marrin diplomën dhe duhet të kapërcejnë pengesa e vështirësi të pangjashme me asnjë fushë tjetër.

Prandaj gëzohuni sot e bëhuni gati se atë që do shihni se keni parë në asnjë ëndërr! 

Jo për t’ju dekurajuar, por thjesht për të ndarë me ju, atë që unë vetë ndjej kur mendoj për drejtësinë në këtë vend, kur shoh se çfarë ndodh, si ndodh, kush e bën të ndodhë. Më duket vërtet një përplasje e jashtëzakonshme e një realiteti të marrë peng nga pjesa më e korruptuar e shoqërisë tonë dhe e një ëndrre që juve ju ka bërë të jeni sot gati për t’u përballur me këtë realitet.

E vërteta është që po të shikosh ata që hyjnë në këtë fakultet, – jo të gjithë ata që kanë studiuar drejtësi në Shqipëri, por në këtë Fakultet, – ajo që të bie në sy është se janë më të mirët. Keni qenë më të mirët kur keni hyrë dhe sot dilni si gjëja më e mirë që mund të prodhojë kjo shoqëri përmes këtij fakulteti, në funksion të njeriut të bashkuar në ligj dhe në drejtësi, si kafsha më e mirë.

Mirëpo, nga ana tjetër, ju jeni sot në një moment sigurisht të paharrueshëm të jetës tuaj, por dhe historik për Shqipërinë, pasi dalja juaj në fushën e betejës përkon me një kohë kur po bëhet një përpjekje shumë e madhe që në këtë fushë beteje të ketë vend për meritën dhe të ketë mundësi të barabarta që më të mirët e më të mirëve të marrin në dorë atë çekiçin që s’ka lënë kokë pa thyer e të drejtë pa shkelur në historinë e këtyre 25 vjetëve. Me atë çekiçin të mund të filloni përpjekjen për t’i dhënë fund një epoke e për ta kthyer atë çekiç në instrumentin që jep drejtësi dhe jo në instrumentin që finalizon një proces ku drejtësia është vetëm një mall që i shitet ofertuesit më të madh.

Nga ana tjetër, besoj që kemi bërë një punë të mirë, duke hequr nga rruga juaj të paktën bashkëmoshatarë dhe bashkëmoshatare që sot mund t’i kishit në krah pa të drejtë, në një përpjekje ku as konkurrenca dhe as merita nuk vlenin asnjë qindarkë. Ata që diplomat e juridikut i merrnin në gjithfarëlloj mënyrash, – jo në këtë Fakultet, po gjetkë, – dhe me ato diploma shumë herë më shpesh, sesa rrallë i kanë zënë rrugën atyre që përpara jush kanë dalë nga dyert e këtij fakulteti në vite. I kanë zënë rrugën aq shumë dhe aq shpesh sepse në këto 25 vjet Shqipëria prodhoi numrin më të madh të juristëve për kilometër katrorë në botë. Unë e kam pasur zakon që njëherë në disa muaj merrja një taksi natën dhe i thoja taksixhiut: “Jepi tani dhe vetëm fol”. Bënim xhiro nëpër Tiranë në 1 apo 2 të natës, një orë. Taksixhiu më jepte gjithë pamjen e situatës, se nuk ka barometër më të mirë sesa njeriu që fut në taksi lloj-lloj njerëzish dhe dëgjon lloj-lloj historish. Herët e fundit, udhëtimet u bënë shqetësuese për mua sepse gjithë taksixhinjtë ishin juristë. 

Kur unë vendosa ta mbyll serinë e udhëtimeve, ishte njëri prej tyre që më tha: Shef, sot e kam unë. Pse i thashë? Kam marr master në juridik, më tha.  Po si ia dole, deri te masteri, i thashë, se ti ke gjithë këtë punë. Tha, si ia dalin të gjithë, e rregullova me pronarin e universitetit edhe i çoja kalamajtë në shkollë në mëngjes. E kur dilte ndonjëherë gruaja e vet e zbukuruar për ndonjë qokë dhe ai nuk kishte kohë, e merrja unë. Po tani çfarë vjen pas masterit? Se ç’është dhe “Pi Xhi Di” tha, po nuk e di. Nuk e di a e mori “Pi Xhi Di” po fakti është që sot askush më nuk merr dot të paktën nga këto lloj masterash dhe nga këto lloj “Pi Xhi Di”. 

Ndërkohë që kjo i takon të kaluarës, përballja me sistemin e të gjithëve ju, do të jetë siç nuk e imagjinoni. Shpresoj shumë që edhe falë jush, edhe falë të tjerëve që kanë dalë nga ky fakultet në vitet e shkuara, – patjetër edhe falë shumëkujt këtu mbrapa meje që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e sipërmarrjes së reformës në drejtësi, – ne t’ia dalim që të bëjmë vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve që do të pastrojë sistemin, por do të hapi dhe shumë vende pune për ju, se ku do të hyni ju në punë n.q.s. vendet e punës janë “tokë e xanun” nga ata që kanë marrë diploma poshtë plepave rrugës për plazh. 

Ju jeni të rinj, prindërit tuaj e dinë, unë s’po zgjatem t’ju shpjegoj çfarë janë plepat, por pyesni prindërit dhe ja u tregojnë se si një herë e një kohë, u bënë juristë njerëzit me 6 muaj te plepat dhe sot nga këta “të plepave” ka shumë sistemi. Por s’janë vetëm këta “të plepave”, janë dhe lisa e rrepe madhështore që e pengojnë drejtësinë të bëjë drejtësi. 

Procesi i vettingut është kyç për të hapur një rrugë që do të jetë e gjatë sepse ju e dini më mirë se unë që nuk mjafton as ta shkruash mirë, as të dish ta lexosh mirë një ligj. Duhet të kesh brenda forcën e asaj ëndrrës që thotë Konica që ta zbatosh atë ligj, kur ke në dorë atë çekiçin e gjykatësit. 

Ju besoj e keni dëgjuar që Shqipëria e mori rekomandimin pozitiv nga KE për të çelur negociatat, një stacion që tre vjet më parë as që mund të imagjinohej sepse tre vjet më parë Shqipëria vinte nga 3 vite të tjera rresht refuzimi të statusit të vendit kandidat që është vetëm një, le të themi, moment gjysmë simbolik që i hap rrugë pastaj procesit tjetër. 

Kemi marrë rekomandimin, por e kemi marrë rekomandimin për të çelur negociatat me atë që miqtë tanë europianë e quajnë premisë e mirëkuptuar. Ligji i vettingut, zbatimi i ligjit të vettingut, pastrimi i sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe fillimi i zbatimit të mëtejshëm të atyre 7 ligjeve që tanimë i kemi votuar në parlament. Unë dua ta ndaj me ju frikën time që nuk do të jetë e lehtë, madje kam shumë frikë se do të jetë më shumë se sa e vështirë që Gjykata Kushtetuese të mos e pengojë ligjin dhe të mos e cenoje atë, në pikën ku; 

a- ligji i cenuar t’i bëhet mbrojtje gjykatëseve dhe prokurorit të korruptuar 

b- ligji i cenuar t’i bëhet pengesë Shqipërisë për të hapur negociatat me BE 

Kush me një mëndje të kthjellët dhe me zemrën në vendin e vet do të mund t’ia bënte atdheut të tij një gjë të tillë?! Ja se kush. Ata të cilët kanë tmerr nga Vettingu. Ata të cilët kanë tmerr nga ideja se sistemi duhet t’i kalojë më të mirëve dhe duhet të bëhet në rradhë të parë ai vetë një sistem që funksionon për më të mirët në mënyrë që pastaj përmes më të mirëve të funksionojë për njerëzit e zakonshëm. Në Kosovë që është një vend që nuk mund të quhet model i përsosur europian i drejtësisë, vettingu fshiu 35% të trupës. 

Por e dini ju se sa është vlerësimi i qytetarëve në Kosovë për sistemin e drejtësisë? Është 6 apo 7. E dini sesa është vlerësimi i qytetarëve të Shqipërisë për sistemin e drejtësisë? Është 1 apo 2. Pra nga 1 në 10 qytetarët në Kosovë thonë 6, 7. Aspak keq, në krahasim me qytetarët shqiptarë që thonë 1, 2. Mungon vetëm X. Është ai X që e mban peng 25 vjet këtë vend duke mos e lënë të zhvillohet siç duhet, sepse pa një sistem drejtësie të drejtë, të gjitha të tjerat janë relative dhe çdo përpjekje, në çdo fushë relativizohet. 

Në raportin e fundit për ekonomitë në rajon, Fondi Monetar e thotë e zeza mbi të bardhë, që 2 reformat që mund të përshpejtojnë më shumë rritjen ekonomike të Shqipërisë janë reforma në drejtësi dhe reforma e pronës. Për reformën e pronës morëm opinionin pozitiv të Komisionit të Venecias. Por e dini çfarë?! Se kam thënë në vend tjetër, do e them me ju. Nuk mjaftoi për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë. Të shikojmë çfarë do të bëjnë kur ta zbardhin që ta lexojnë se si ka ndërhyrë në kundërshtim me opinionin e Komisionit të Venecias nga ku presim të vijë dhe opinioni për Vettingun. Po ju bëj pak nxemje për atë që ju pret, e kuptoni. Një fjalë të fundit. “Drejtësia në jetën e sjelljes së shtetit është e mundur, vetëm pasi ajo së pari të banojë në zemrat dhe shpirtrat e qytetarëve.” – thoshte Platoni. 

Unë shpresoj, uroj dhe inkurajoj me gjithë zemër secilin nga ju që në zemrën dhe shpirtin e vet, të ketë në sheshin qendror, banesën e drejtësisë. 

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Rama tek fakulteti Juridik: Frikë se Kushtetuesja do bllokojë Vetingun dhe negociatat”

  1. Zambi says:

    Gjykata Kushtetuese ka kerkuar mendimin e Komisionit te Venecias. Nqs ligji eshte ok nuk ka asnje frike per bllokim thjesht ka nje vonese te vogel. Nqs ka probleme atehere nuk ka faj gjyakata po ata qe e kene bere.
    Shpresoj qe nuk po pergatisni terrenin per version e dyte

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *