A do të radikalizohet shoqëria shqiptare?!

18 Nëntor 2016, 10:00Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Ka një mllef publik në reagimet anonime të njerëzve të ndryshëm, që shfrytëzojnë emisionet e mëngjesit të TV-ve apo blogjet dhe komentet. Ajo zakonisht ka një drejtim, i cili lidhet me shqetësime akute, por edhe kur bëhet fjalë për daljen e shpeshtë të ndonjë figure publike dhe kumtimin prej tij të argumenteve të ndryshme. Kulmi arrihet ditën e enjte, kur zhvillohen sesionet parlamentare. Retorikat e gjata, kryesisht të kryeministrit Rama dhe më të gjata të ish-kryeministrit Berisha, janë bërë jo vetëm lodhëse, munduese, cinike, por edhe shumë torturuese për masën e njerëzve. Reagimi është shumë spontan, por shpesh me ofendime orale skajore, por edhe me shkrime ofenduese nëpër blogje, pa mundur të shkohet më përtej.

Një pjesë jo e vogël e shoqërisë ka zgjedhur mënyrën për të mos i dëgjuar, kurse një fashë tjetër, sidomos ekstremitetet që lidhen me moshat e reja dhe të vjetrit i dëgjojnë lëtyrat tona politike. Ndërsa të parët i dëgjojnë disi si kuriozitet shakaje, por edhe si nevojë për të mbytur gjendjen shtypëse sociale pa të ardhme, të vjetrit i dëgjojnë për të kaluar kohën, por edhe për të gjetur ngushëllim me të shkuarën, kohën kur shteti i kujtesës së tyre drejtohej me kanonet socialiste.

Pyetja që nuk gjen dot zgjidhje në mjedisin shqiptar artikulohet për çdo ditë: Pse nuk ngrihen shqiptarët, kur i bëhen padrejtësi nga administrata, nga segmente të ndryshme të shtetit apo kur i tjetërsohen pronat e kështu me radhë. Argumentet shkojnë nga ato historiko-socialë të mësimit me shtypjen e gjatë dhe regjimet e pashpirta duke vazhduar me lodhjen prej gjendjes pa alternativë. Kjo e fundit ka të ngjarë të jetë më e besueshme, pasi njerëzit janë realisht të lodhur me tranzicionin, ku të gjitha zgjedhjet e tyre kanë qëlluara gati njësoj. Kurse rrugëdalja e një reagimi të ashpër publik masiv, duket e pamundur me statusin që ka Shqipëria dhe mbështetjen e Brukselit ndaj qeverive shqiptare. Shqipëria është afër hapjes së negociatave, por shumë e kushtëzuar prej Reformave gjysmake, është vend i NATO-s etj.

Anipse, kur kanë kaluar kohë, edhe kjo s’po bën më përshtypje, pasi njerëzit janë ndërgjegjësuar se pa reaguar s’ndodh asgjë. Reagimi ndaj ardhjes së Armëve Kimike ishte një lloj pagëzimi i suksesit kur masa mobilizohet, ashtu si kauza të tjera kanë ikur dhe do ikin plot pas kësaj, pasi nuk kanë ditur të bëhen masive.

Ky peizazh kuptohet ka edhe një lloj situate që nuk njihet sot dhe lidhet me grupet e radikalizuara. Gjithsesi ende nuk dihet nëse ato realisht ekzistojnë apo ka premisa të krijohen. Kur e shqipton radikalizmin, propaganda shtetërore dhe ajo e medias e ka shtyrë si nocion dhe prirje vetëm te komuniteti mysliman dhe lufta e ISIS. Në fakt, prej kohësh, shikon gjithnjë e më shumë grupime të rinjsh, jashtë shokëve të tyre militantë të partive, që po mundohen të gjejnë veten në forma të ndryshme.

Grupimi që lidhej me universitetin bëri një përpjekje, njësoj bëri dhe një organizim për të hedhur poshtë projektin për parkun e lojrave të liqeni, më e dobët po mbeten lëvizjet për plehrat, kurse një stad i ri përbën hedhja e objekteve. Kjo e fundit ka filluar me Ramën dhe më 17 Nëntor u ngjit si veprim me goditjen e Lindita Nikollës, ministres së Arsimit.

Të jetosh në një qytet të madh si Tirana, duket se është e lehtë për t’i bashkuar njerëzit. Duket se është e lehtë edhe për të përçuar ide radikale, paçka se njerëzit s’mund të radikalizohen pa asnjë motivim. Pa asnjë mëdyshje është varfëria karburanti i radikalizmit, por nuk mund të mohohet dhe sensi, që teoricienët e lidhin me ndjenjën e të qenit i përjashtuar nga përfitimet e modernitetit. Që në rastin e Shqipërisë veç varfërisë duket se përbën sens edhe ndarja sociale dhe mohimi i mundësive. Të gjitha po përbëjnë ushqim për një radikalizëm, që pak e njohim ose dimë ta analizojmë.

A është radikalizmi shqiptar i grupeve të reja spontan, strategjik apo ideologjik?! Sado që media po fryn majtizmin disa herë dhe djathtizmin, duket se ky fenomen në Shqipëri është ende në fillesa. Grupet radikale, nëse ato ekzistojnë, janë më të lidhura me reagimin ndaj situatës pa shpresë ku po kalon vendi. Vetëm se nëse ato do fuqizoheshin atëherë do kalonin në grupime me qëllime strategjike dhe kjo do të thoshte një perceptim krejt tjetër, por edhe një risk që nuk duhet shmangur dhe që duhet marrë në konsideratë.

A janë të ideologjizuara?! Jo, derisa këtë domen e kanë militantët e partive. Ndërsa ka një dallim thelbësor të përcjelljes së ideologjisë në llojin e protestave, por edhe në atë që ndodh në Shqipëri ku ende nuk dallohet radikalizmi i mendimit dhe radikalizmi i aksionit të dhunshëm.

Mbetet ende një përpjekje për t’i etiketuar grupimet me ideologji të Majtë apo të Djathtë, por në nivelet që është momentalisht mendimi i Shoqërisë Civile shqiptare, kjo lë shteg për të diskutuar. Grupimet duken më shumë të lidhura, falë rrjeteve sociale, me situatën dhe punojnë më shumë për evidentime dhe kauza të veçanta sesa aksione kombëtare.

Shteti shqiptar, ndërkohë, po përplaset ashpër brenda vetes në luftën e bllokuar për reformat jetike, ndaj e ka të vështirë të futet në logjikën e bërthamave të tyre, për sa kohë nuk i dëgjon dhe vlerëson. Ndaj ka zgjedhur udhë tjetër, duke i qesëndisur: Kujtojmë lëvizjen për Vjosën dhe menefregizmin total shtetëror, apo atë të universitetit, apo një grup me emrin e Azem Hajdarit që bën ekspozime të ekzagjeruara.

Po ndërsa shtetarët s’u bën shumë përshtypje, Shqipëria jonë s’po e kupton ende se gjendet para një problemi të madh social, që do prekë në mos shpejt jo shumë vonë edhe Sigurinë Kombëtare.

Deri më tash, lëvizjet radikale, mendojmë se mund të krijoheshin më së shumti nga rezistencat dhe problemet e biznesit, porse ato duket se po gjejnë shtrate të tjera për të manovruar me shtetin, e kjo të bën të mendosh se shoqëria shqiptare, po mundohet që plagët e veta, t’i zgjidhë tashmë me melhelme të rënda. Mu ato që trandin realitete. E gjitha të bën të mendosh se shoqëria shqiptare duhet të përgatitet për sfida, që do jenë shumë të mëdha në të ardhmen. (Javanews)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje