Kontrabanda e cigareve, djali i Enverit: Im atë, çdo vendim e mori për të mirën e shtetit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

enver“Im atë dinte se ç’bënte”. Kështu shprehet djali i diktatorit Enver Hoxha, Iliri, në lidhje vendimin e të atit për të lejuar kontrabandën e cigareve të huaja përmes Shqipërisë.

“Bar hamë dhe parimet nuk i shkelim”.

Kjo është një nga thëniet e njohura të diktatorit Enver Hoxha, por do të ishte pikërisht ai që do të shkelte një nga parimet bazë të socializmit: “Me forcat tona”.

Ndërsa trumbetonte me të madhe kapërcimin e çdo “bllokade” të ngritur nga armiq të brendshëm e të jashtëm, kapitalisto-revizionistë, pa ndihmën e askujt, Enver Hoxha e kishte kuptuar se kjo nuk ishte e vërtetë. Shqipëria, një vend i vogël, me një varfëri të trashëguar, që po ndiqte një rrugë që do e varfëronte edhe më, e kishte të pamundur të shlyente borxhin e jashtëm. Kjo situatë do ta shtynte diktatorin të firmoste një marrëveshje jo të zakontë.

Firmosi krijimin e një korridori përmes Shqipërisë, nga do të kalonte kontrabanda e cigareve. Ishte një hebre që i kishte mbijetuar nazizmit, që do të bënte këtë propozim, që nuk gjente miratim në asnjë nga hallkat e ulëta të shtetit shqiptar. U desh firma e “të madhit” që të zgjidhej kjo nyje dhe maunet e cigareve amerikane të fillonin rrugëtimin nëpër Shqipëri. Kështu u themelua ndërmarrja tregtare “Albtrans”, e cila, më pas, do të kalonte nën varësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Jo vetëm sepse kjo ndërmarrje garantonte kontrabandën me jashtë, por edhe me qëllimin për t’u kthyer në një agjenci spiunazhi, ekzistenca e Albtransit u mbajt e fshehtë edhe për vetë shqiptarët. Se si u themelua dhe si funksiononte Albtransi, na tregon një nga ish-drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje sekrete, Lorenc Nenshati, në librin e “Botart”: “Albtrans, Top Secret”. Nenshati qartazi nxjerr si “kumbar” të Albtransit vetë Enver Hoxhën. Në pjesët e librit, botuar përgjatë tre numrave në gazetën “Panorama”, Nenshati tregon pikërisht këtë.

E ndërsa Enver Hoxha na shfaqet si një shkelës parimesh, reagon i biri i tij, Iliri, duke justifikuar të atin, për vendimin e marrë. “Për babain tim çfarë nuk është thënë në gjithë këto vite. Ai ka ditur se çfarë ka bërë, përderisa ka drejtuar një shtet të tërë për aq vite dhe në një periudhë shumë të vështirë për popullin shqiptar!”, thotë për gazetën “Panorama” Ilir Hoxha. Ndërkaq, autori i librit, Lorenc Nenshati, tregon edhe miqësinë me vetë Ilir Hoxhën dhe të tjerë bij udhëheqësish komunistë.

“Për familjet fisnike me emër të mirë kam pasur gjithmonë dobësi. Ato u përdorën si subjektet kryesore në histori dhe në artin e letrave përgjithësisht. Nëpërmjet këtyre subjekteve u përshkruan politikat, luftërat, intrigat, lidhjet martesore, marrëdhëniet shoqërore, historitë e forta të dashurisë etj., dhe kështu bota u edukua e u zhvillua nëpërmjet përjetimit të tyre. Edhe ne duhet të kemi pasur familje të tilla, por historia jonë nuk i vendosi në vendin që meritojnë, si subjekte të historisë dhe letërsisë. Me fjalë të tjera, ende nuk ua ka gjetur vendin që meritojnë; ky është injorim, duke i cilësuar sikur nuk kanë ekzistuar fare.

Këta intelektualë vazhdojnë të mbështeten në filozofinë moniste “Ose me ne, ose kundra nesh”. Kështu humbet roli i individit në historinë tonë kombëtare dhe përfundon në gojëdhëna. Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha që nga pavarësia. Por nuk del se cilët persona dhe cilat familje kontribuuan në këtë progres, si dhe cili ishte roli i gjithsecilit prej tyre. Lind pyetja: Përse u ngrit flamuri në Vlorë, dhe jo në një qytet tjetër? Çfarë vlerash kishte Vlora atëherë, cilët personalitete shoqërore kishte nxjerrë Vlora asokohe? Çfarë përfaqësonte për Shqipërinë atëherë Ismail Qemali?

Kush e thirri apo kush e dërgoi? Cilat personalitete të tjera shqiptare mund ta kryenin rolin e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit në Durrës, në Lezhë apo në Elbasan? Është e pamundur të mohohet një sistem i tërë shoqëror, sado i zi që të ketë qenë. Mjafton të kujtojmë dy fakte: A iu kujtohet historianëve që 29 Nëntori i vitit 1944, fill pas përfundimit të Luftës, e gjeti shoqërinë shqiptare 90 për qind analfabete? A iu kujtohet atyre se Shkodra, qyteti më i civilizuar në Shqipëri, u gjet më 29 Nëntor 1944 vetëm me dy lidhje martesore aksidentale midis besimeve të ndryshme?

Atëherë, përse nuk duhet të ketë ca vlera edhe shoqëria 50-vjeçare që kaluam?! Përse nuk duhet të kenë merita të veçanta disa familje e disa individë të veçantë në këtë progres? Me këto fakte historike e thashetheme janë frymëzuar shumë shkrimtarë të mëdhenj dhe është edukuar njerëzimi përparimtar. Edhe bijtë e funksionarëve më të lartë të shtetit komunist në Shqipëri, fëmijët e “Bllokut”, siç quheshin në popull, sipas përshtypjeve të mia, me sa i njoha, në heshtje e pa bujë duhej të kishin plot çaste kontradiktash me prindërit e tyre; mos prononcimi në politikë dhe ideologji është treguesi më i mirë. Ata u shkolluan dhe kontribuuan dyfish: një herë si detyrë qytetare, dhe një herë tjetër për opinionin me komplekse.

Më kujtohet të kem lexuar një libër, ku një vajzë latino-amerikane me banim në një qytet të vogël në Amerikë, në kujtimet e saj shkruan: “Në shkollë më duhej të mësoja dy herë më shumë se nxënësja më e mirë e klasës; një herë për veten time dhe një herë për opinionin, që më quanin ispanike”. Edhe ne kemi pasur familje me emër që kanë bërë histori si, Toptani, Vrioni, Vërlaci, Libohova, Zogu I me oborrin mbretëror, familja Hoxha dhe të tjera, të të ashtuquajturit “Blloku” të regjimit komunist në Shqipëri. Por në historinë tonë nuk gjendet gati asgjë interesante as e shkruar, as në kinematografi. Veçse histori të treguara gojë më gojë e vesh më vesh. Familjet e sunduesve dhe diktatorëve, kudo e gjithnjë, që nga antikiteti e deri në kohët tona kanë ngjallur kureshtjen e popullit. Përgjithësisht, jeta e tyre private i ka intriguar njerëzit, jo vetëm për bëmat dhe historinë që kanë lënë pas, por edhe për jetën luksoze, në antitezë me realitetin e mjerë.

Ndërkohë që, me paranë e popullit, nëpërmjet taksave të tyre, ata bënin atë jetë të admirueshme. Ndërsa skamja dhe mentaliteti i zakoneve tabu e privuan popullin e thjeshtë nga një jetesë më me dinjitet dhe më me kulturë. Gjithnjë kanë ekzistuar histori që, drejtpërdrejt apo tërthorazi bëheshin objekte të kronikave rozë. Por, në fakt, asnjeri nuk e hapi dot këtë faqe historie që ta trajtojë në një këndvështrim tjetër, më intelektual dhe njerëzor. Shumë trashëgimtarë të liderëve të komunizmit në Shqipëri e gjetën veten me alternativa të tjera jetese. Brezi i ri, me mendime shumë të ndryshme nga prindërit, filloi të shfrytëzojë pozicionin politik të prindërve që të bëjë diçka të vlefshme dhe të kohës për popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Sigurisht, me përpjekje të mëdha dhe mes kushtesh shumë të vështira. Sokol Hoxha, me personalitetin e tij si drejtor i përgjithshëm i PTT-së e lidhi Shqipërinë me telefon me prefiks me jashtë shtetit – në mënyrë që, nga një telefon shtëpie, një familje e deklasuar mund të fliste me djalin e arratisur (që mbante nofkën “Armik i Popullit”) Kjo ishte një mrekulli brenda censurës dhe vetizolimit që ekzistonte. Ilir Hoxha krijoi një institut civil, pa uniforma e pa rrethime me tela me gjemba të industrisë ushtarake që, për mua personalisht, nënkuptonte mjaft.

Arkitekti Klement Kolaneci, bashkëshorti i Pranvera Hoxhës, la disa simbole veprash arkitekturore që i qëndrojnë edhe sot kohës. Shumë arkitektë e punonjës u perfeksionuan me teknologji dhe materiale të reja ndërtimi, të cilat u përdorën në këto ndërtesa. Qazim Myftiu e drejtoi Albtrans-in gjatë një periudhe shumë delikate dhe të diskutueshme për ekzistencën e kësaj ndërmarrjeje të veçantë. Ai duhej të ishte gjithnjë i vëmendshëm që, me ndihmën e shokëve me pozita në MPB, ta mbronte punën. Në këtë dikaster, Qazimi kishte reputacion të mirë, ndaj edhe shefat e kësaj ministrie, njëri pas tjetrit e respektuan. Ai e kishte të domosdoshme të ishte i mbuluar nga një apo disa personalitete, pasi kishte përvojë të gjatë në marrëdhëniet me jashtë. Vite me parë, kishte qenë me një mision permanent në ambasadën shqiptare në Kajro. Pra, ishte person me personalitet të krijuar ndër vite, çka e ndihmoi të kontribuojë për ecurinë konkrete të Albtrans-it ndër vite. Ne erdhëm ta drejtojmë Albtrans-in në kohë tjetër, në kohën kur ai ishte bërë i vetë-domosdoshëm, sepse rrethanat ekonomike e financiare të vendit e kërkonin prezencën e tij.

Unë kisha qenë diplomat i dyfishtë në Romë, disa vite përpara se të komandoja Albtrans-in. Një nga detyrat tona kryesore atje ishte mbrojtja dhe shoqërimi i njerëzve të nomenklaturës së lartë dhe familjet e tyre kur vinin me qëndrim ose kalonin transit në territorin e misionit tonë. Në fillim isha pa përvojë, por shpejt u përshtata me mjedisin, pasi edhe ata vetë e kishin të drejtën e zgjedhjes së shoqëruesit. Gjatë pesë viteve të misionit tim, më ka rastisur të shoqëroj disa herë anëtarë të Byrosë Politike apo fëmijët e tyre, qoftë edhe kur kalonin transit nga Roma.

Gjatë shoqërimit mund të krijoheshin lidhje miqësore dhe, me ndonjërin, shoqëria mund të vazhdonte më tej. Pas kthimit nga misioni i Romës, bashkë me shokun tim të fëmijërisë Mehdi Bushati jemi shoqëruar me Ilir Hoxhën. Më vonë, filluam ta pinim ndonjëherë kafen e mëngjesit vetëm në barin e hotel “Dajti”-t, ndërsa, me kalimin e kohës, u njohëm edhe familjarisht. Me raste, kur krijohej mundësia, familjarisht shkonim në restorantin e hotel “Dajti”-t apo të hotel “Adriatik”, por rrallëherë edhe në shtëpitë e njëri-tjetrit. Një herë ndodhesha në Zvicër dhe ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, më komandoi me shërbim.

Prej andej duhet të shkoja në Gjermani, ku do të takohesha me një grup nga instituti ku ishte drejtor Ilir Hoxha. Qëndrova me grupin e përbërë nga pesë inxhinierë, të cilët ishin për një specializim të shkurtër dhjetëditor, mbi një aparaturë optike për analizimin e strukturave molekulare të metaleve në furrat e shkrirjes. Specializimi ishte caktuar në një qytet relativisht të vogël, ku prodhohej aparatura, në Ëetzlar afër Frankfurtit. Mund të thuhet se hija e këtyre marrëdhënieve, sado të vogla me djalin e “mbretit”, influenconin indirekt që unë personalisht të mos kisha ngacmime anësore, që të më krijonin strese të kota me letra anonime e forma të tjera, të cilat përdoreshin në atë kohë nga njerëz smirëzinj, sepse kështu funksiononte shoqëria shqiptare e asaj kohe.

***

Kështu e kam parë unë miqësinë me këto familje dhe e arrita suksesin, pasi mësova prej tyre. Ata ishin rritur në ambiente që duhet t’i trajtojë historia si personazhe të saj. Edhe babai im, po të ishte gjallë, megjithëse nuk e donte komunizmin, do më përgë- zonte që kisha miqësi me personazhe të familjeve me influencë të atij sistemi. Konvertimi në sistemin shumëpartiak Më në fund, edhe në Shqipëri filloi të frynte era e demokracisë. PPSh-së i rrëshqiti toka nën këmbë, politika e saj tashmë kish dështuar e bashkë me të edhe pushteti politik. Sigurisht, edhe ata vetë e kuptuan se politika e thatë pa ekonomi këtë fund do të kishte.

Fatmirësisht, krerët e Partisë e të shtetit u pajtuan me situatën dhe nuk u zbraz asnjë pushkë, për të mbrojtur pushtetin dhe simbolet e tyre. Me një fjalë, politika shqiptare u dorëzua pa kushte. “Bënë shumë mirë”,- thashë me vete. Populli, i pasigurt se çfarë mund të bënte PPSh-ja gjatë përpjekjeve të fundit, lutej me shpresën që çdo gjë do të kalonte qetë- sisht. Por kurrkujt nuk ia mori mendja se fjalën e saj do ta thoshte në përfaqësimin e dytë, në ndarjen private të pasurive të trashëguara nga shteti. Këto u lanë me gjak pas shpine për territore, duke marrë me vete dhe shumë viktima të pafajshme. Në vend ndodhën çudira të mëdha. Kavaja, qyteti që nuk ishte dëgjuar as për të mirë, as për të keq gjatë komunizmit, u bë flamurtari i demokracisë. Ndërkohë, malësitë e Veriut, Shkodra, Rrësheni etj., po e mbronin PPSh-në në përpjekjet e fundit, kur ende nuk ishte tharë gjaku i pafajshëm që u derdh për t’iu nënshtruar komunizmit. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, në popull u njohën dy komunistët kryesorë që e drejtonin atë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Me politikën që ata ndoqën, arritën të fitojnë në popull e të bëhen për dekada udhëheqësit kryesorë të vendit.

Po tani, cili demokrat i vërtetë e drejtoi këtë të ashtuquajturin revolucion demokratik? U deshën shumë vuajtje të formohej një brez i ri politikanësh, derisa të fitonte qytetaria në qershor të vitit 1993. Edhe në Drejtorinë Ekonomike të MPB-së filloi të ndihet ndarja e pasurive. Edhe ajo kishte prona, toka, ndërtesa, makina e makineri, ofiçina e parqe makinash. Me drejtorin Muharrem Sako, Albtrans-i kishte marrëdhënie pune. Drejtoria Ekonomike nuk kishte të bënte drejtpërdrejt me rutinën e Albtrans-it, as me organizimin e punës të tij, as me hyrjet e daljet e mallit, as me marrëdhëniet tona me partnerët e huaj, por kishte të bënte me infrastrukturën tonë: magazinat dhe mirëmbajtjen e tyre, trajtimin e kompanisë të ushtarëve që shërbenin në magazinat tona, kishte në dorë strehimin (unë ndërrova dy herë shtëpi) etj.

Për të gjitha këto, ajo na përgjigjej menjëherë dhe pa rezerva. Drejtoria Ekonomike merrej me paratë e Albtrans-it, kur ato hynin në Bankën e Shtetit. Ajo drejtonte buxhetin e pagave të punonjësve të MPB-së; kështu, indirekt ajo kishte të bënte me organikën e Albtrans-it (përveç meje dhe Naimit). Autoriteti i Muharremit na ndihmonte shumë për tollonat e benzinës speciale të importit, për serviset e kamionëve të magazinës dhe shumë e shumë probleme të tjera të infrastrukturës të pasurisë së kësaj ndërmarrjeje me precedencë.  Edhe kur mbajtëm një oficer më tepër në organikë (Naimi erdhi kur Daja ende punonte), ajo na ndihmoi, sepse shtesa duhej bërë zyrtarisht. Me propozimin tonë, Xhelali u bë agjent detar i Albtrans-it dhe paguhej nga Ministria e Brendshme, jo nga ajo e Komunikacionit; të gjitha këto bëheshin me ndërmjetësinë e Muharremit. Duhej ndihma e tij për ta trajtuar këtë problem si organikë, sepse veç kështu mund të thyhej miti i trajtimit të një agjencie detare të dytë në portin më të madh të vendit. Fundi, Drejtoria Ekonomike ishte një drejtori e madhe, kishte shumë gjëra në dorë dhe dinte ta manovronte biznesin e brendshëm.

Deri në çastin kur Parlamenti miratoi ligjin mbi pronën private, marrëdhëniet tona me Muharremin dhe Drejtorinë Ekonomike ishin të shkëlqyera. Unë shkova disa herë jashtë shtetit bashkë me Muharremin; kryesisht, çdo fillim viti, për të mbyllur formalisht bilancin e pagesave vjetore me firmat. Më pas, Ministria e Brendshme pësoi ndryshime. Në krye të saj u zgjodhën njëri pas tjetrit dy ministra që vinin nga policia, pra jo njerëz të politikës, por me prejardhje profesionale të profilizuar: me filozofinë që ministri i Shëndetësisë duhet të jetë patjetër mjek ose ministri i Brendshëm të jetë patjetër sigurims etj. Pikërisht në atë kohë, Muharremi filloi të kujtohej për aleancat krahinore në privatizimin e mundshëm të ekonomive që dispononte Drejtoria Ekonomike në territor dhe, së pari, kishte idenë e privatizimit të Albtrans-it. Ai e dinte mirë se Albtrans-i ekzistonte dhe mbahej i pastër, sepse infrastruktura e tij ishte bazë ushtarake e Ministrisë së Brendshme. Ai e dinte mirë se në atë kohë kishte filluar vjedhja, dhe se nuk ishim akoma në gjendje ta stabilizonim situatën e ushtarëve që vidhnin nga brenda bashkë me komandën e tyre, duke shfrytëzuar postin zyrtar. Unë isha i sigurt se Muharremi vetë nuk kishte përse të ngulte këmbë, por, pas tij ishin disa persona që përbënin një bandë të vërtetë hajdutësh, me shpatulla të ngulura fort në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me pozita të mesme dhe shumë të larta.

Një ditë, e pyeta Muharremin: – Kush e merr përsipër privatizimin e Albtrans-it dhe ta fitojë ankandin e tij? – Mos u shqetëso për atë,- më tha ai. – Për këtë janë të interesuar nga lart. – Po unë e Naimi, e dini në çfarë pozicioni do të jemi? – Atë nuk e di akoma as për vete,- m’u përgjigj ai. – Atëherë, mua më hiq nga lista,- i thashë,- sepse me situatën e krijuar është e pamundur të mbash në magazina akoma miliona e miliona dollarë”, rrëfen Lorenc Nenshati.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/11\/pakete-150x150.png","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/web\/wp-content\/uploads\/2016\/11\/pakete.png","attachment_id":"584580"}]
        
        Loading...
        

4 komente në “Kontrabanda e cigareve, djali i Enverit: Im atë, çdo vendim e mori për të mirën e shtetit”

  1. Plaku Xhuxhumaku says:

    Me nje fjale, ky zoteria mundohet te na mbushe mendjen qe kur krimin (ne ket rast kontrabanden e cigareve) e kryen shteti nuk ka asgje te keqe. I bie qe sot psh shteti mund te kultivoje kanabis sa te doje, ta shesi e me fitimet, mender familjet e respektuara historike mund te vazhdojne te kontribuojne ne historine lavdiplote te popullit te dhjere, por krenar shqiptar.

    Po cfare behet keshtu or miq?

  2. says:

    Përse së bëjmë President në 2017-ën ?

  3. 007 says:

    Mbi te gjitha rendesi ka qe pasurite e Shqiptareve te mos rrembeheshin apo mos te rrembehen nga antishqiptaret,brenda apo jashte. E nese zbulohet sado pak , sherbimi sekret duhet te intervenoje dhunshem ne menyre “sanitare”, qe te mos perseriten kollaj krime te tilla monstruoze nese ka patur ….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *